Shërbesa e leximeve

4 gusht, Shën Gjon Maria Vianney, meshtar

 

   Lindi afër Lionit në vitin 1786. Pasi kaloi shumë vështirësi e filloi rrugën e meshtarisë në famullinë e fshatit të Arsit në Dioqezën e Belley-it, ku nëpërmjet një predikimi të fuqishëm, vetëmohimit, agjërimit, lutjes dhe dashurisë, e shndërroi dhe e bëri të lulëzonte përsëri këtë vend. Besimtarët e çmuan shumë përcjelljen e tij shpirtërore dhe ngarendën nga çdo anë për t’i marrë me përshpirtshmëri këshillat e tij. Vdiq në vitin 1859.

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Krisht, kryetari e princi i barinjve,

   ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste

   turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta

   lavdet e duhura.

 

   Duke bërë këtë për ty mbarështues të zgjedhur,

   dhe si meshtar duke e shoqëruar, e vure

   prijës në popull besnik të qëndronte

   dhe ushqyes i mirë.

 

   Ky qe mësues edhe model i grigjës,

   ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,

   për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë

   bëri gjithçka.

 

   O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën

   e merituar, bëj që në jetë të bindur

   të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë

   lumninë me shenjtin.

 

   I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,

   dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,

   nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt. Amen.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

   Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit

 

   Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).

 

   I (1-11)

 

Mos u zemëro kundër keqbërësve *

   as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.

Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *

   e do të kalben si bari i njomë.

 

Shpreso në Zotin e bëj mirë: *

   kështu do të banosh Tokën e premtuar

   e do të jetosh në paqe.

Vëre gëzimin tënd në Zotin *

   e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *

   shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.

Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *

   të drejtën tënde porsi mesdita.

 

Hesht para Zotit e shpreso në të †

   e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *

   për njeriun që djerron tradhti.

 

Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *

   mos u shqetëso se vetëm prish punë,

sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *

   kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.

 

Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *

   tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,

kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *

   e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

   II (12-29)

 

Bakeqi i vë prita të drejtit, *

   kundër tij kërcëllon dhëmbët,

por Zoti e përqesh atë, *

   sepse e sheh se do t’i vijë dita.

 

Mëkatarët vringëlluan shpatën *

   dhe ngrehën harkun

për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *

   për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.

 

Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *

   harku i tyre copë e grimë do të bëhet.

 

Më mirë pakica e të drejtit *

   sesa pasuria e madhe e bakeqit,

sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *

   ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.

 

Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *

   trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.

Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *

   s’do t’u mungojë buka në kohë zie.

 

Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †

   porsi stolia e fushave do të vyshken, *

   do të zhduken porsi tymi.

 

I paudhi merr hua e nuk kthen, *

   ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.

 

Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *

   ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.

 

Zoti i forcon hapat e njeriut *

   dhe përcjell me dashuri udhën e tij.

Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *

   sepse Zoti e mban për dore.

 

I ri qesh edhe u plaka, †

   por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *

   as fëmijët e tij duke lypur bukë.

 

Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *

   prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.

 

Hiqu së keqes e bëj të mirën *

   e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,

sepse Zoti e do të drejtën *

   dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.

 

Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *

   breznia e tyre do të shuhet.

Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *

   dhe në të do të banojnë për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

   III (30-40)

 

Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *

   gjuha e tij shpall të drejtën.

Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *

   nuk shqepojnë hapat e tij.

 

I paudhi e përgjon të drejtin: *

   këqyr si ta vrasë.

Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *

   nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.

 

Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †

   ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *

   dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.

 

E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *

   të lartë porsi cedrin e kërthndezët;

kalova dhe, ja, nuk ishte, *

   e kërkova e nuk e gjeta.

 

Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *

   njeriu i paqes pas vetes lë djalin.

Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *

   bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.

 

Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *

   ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.

 

Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †

   do t’i lirojë prej keqbërësve *

   sepse shpresuan në të.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

   D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:

   C sepse kam besim në fjalët e tua.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Amosit profet 7, 1-17

 

   Vegimi i shkatërrimit të Izraelit.

 

   Ja çka më bëri të shoh Zoti Hyj: ja, Ai po i krijonte karkalecat në fillim kur nisi të mbijë bari i dytë, ai që del pas kosës së mbretit. Kur ata po e mbaronin krejt barin e vendit, unë thashë: “Ki dhimb, po të lutem, o Zot Hyj! Si do të mund të mbesë gjallë Jakobi? Është aq i vogël!”

   Zotit i erdhi keq për këtë gjë. “Jo, kjo s'do të ndodhë ‑ tha Zoti Hyj.

   Ja çfarë më bëri të shoh Zoti Hyj: Ja, Zoti Hyj ftoi zjarrin për të ndëshkuar. Zjarri e përpiu Humnerën e madhe e nisi të përpijë edhe fushën. Unë thashë: “Pusho, po të lutem, o Zot, Hyj! Si do të mund të mbesë gjallë Jakobi? Është aq i vogël!”

   Zotit i erdhi keq për këtë gjë. “Jo, as kjo s'do të ndodhë ‑ tha Zoti Hyj.

   Ja çfarë më bëri të shoh Zoti Hyj: ja, një njeri po qëndronte mbi mur për t'i dhënë lugë e në dorë mbante mistrinë e muratorit. Atëherë Zoti më tha: “Çka po sheh, Amos?” Unë përgjigja: “Mistrinë e muratorit”. Atëherë Zoti më tha: “Ja, unë do ta qes mistrinë në mes të Izraelit, popullit tim, e nuk do të vazhdoj më ta fal. Do të shemben lartësirat e Izakut e do të shkatërrohen shenjtëroret e Izraelit dhe me shpatë do të ngritem kundër shtëpisë së Jeroboamit”.

   Atëherë Amasia, prifti i Betelit, dërgoi njeriun te Jeroboami, mbreti i Izraelit, me këto fjalë: “Amosi po bën përbetim kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit. Vendi nuk do të mund t'i durojë fjalët e tija. Sepse kështu thotë Amosi: 'Jeroboami do të vdesë prej shpatës e Izraeli do të shpërngulet prej vendit të vet në skllavëri'“.

   E Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judës. Atje ha bukë e atje profetizo! Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!”

   Atëherë Amosi iu përgjigj Amasisë:

   “Nuk jam profet as s'jam bir profeti, por jam tubanik e vjelës fiqsh.

   Por vetë Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: 'Shko e profetizo popullit tim, Izraelit!'

   Tash dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua:'Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!' Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: 'Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri.'“

 

   Përgjigjja Krh. Am 3, 7. 8; 7, 15

 

   C Zoti Hyj në të vërtetë gjë s’bën pa ua pasur zbuluar synimin shërbëtorëve të vet, profetëve. * Foli Zoti Hyj: kush të mos profetizojë?

   D Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: Shko e profetizoj popullit tim, Izraelit.

   C Foli Zoti Hyj: kush të mos profetizojë?

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Katekizmi” i shën Gjon Maria Vienney-it, meshtar

 

   (Katekizmi mbi lutjen: A. Monnin, Shpirti i famullitarit të Arsit, Paris, 1899, fq. 87-89)

 

   Vepra më e bukur e njeriut është të lutet dhe të dojë

 

   Kini shumë kujdes, fëmijëzit e mi: thesari i të krishterit nuk gjendet në tokë, por në qiell. Për këtë arsye mendimi ynë duhet të drejtohet atje ku është thesari ynë. Kjo është detyra e bukur e njeriut: të lutet dhe të dojë. Nëse ju luteni dhe duani, ja kjo është lumturia e njeriut përmbi tokë.

   Lutja nuk është gjë tjetër veçse bashkim me Hyjin. Kur ndokush e ka zemrën e pastër dhe të bashkuar me Hyjin, kaplohet nga një lloj butësie dhe ëmbëlsie që të deh, pastrohet nga një dritë që shpërndahet rreth tij në mënyrë misterioze. Në këtë bashkim intim, Hyji dhe shpirti janë si dy copa qiriu të shkrira bashkë, që askush nuk mund t’i ndajë më.

   Sa i bukur është ky bashkim i Hyjit me krijesën e vet të vogël! Kjo është një lumturi që nuk mund të kuptohet. Ne kemi qenë të padenjë të lutemi, por Hyji në mirësinë e tij, na ka lejuar të flasim me të. Lutja jonë është për të kem shumë i pëlqyeshëm.

   Bijtë e mi, zemra juaj është e vogël, porse lutja e zgjeron dhe e bën të aftë për ta dashur Hyjin. Lutja bën që ne të parashijojmë qiellin, si një gjë që zbret tek ne nga parajsa. Nuk na le kurrë pa ëmbëlsi. Vërtet është mjaltë që rrjedh në shpirt dhe bën që çdo gjë të jetë e ëmbël.

   Në lutjen e bërë mirë dhimbjet shkrihen porsi bora në diell. Edhe këtë gjë na e dhuron lutja: që koha ecën me aq shpejtësi dhe me aq lumturi të njeriut saqë ai nuk e vë re aspak gjatësinë e saj. Dëgjoni: kur isha famullitar në Bresse, duke dashur që për njëfarë kohe të zëvendësoja bashkëvëllezërit e mi, pothuajse të gjithë të sëmurë, shumë herë më duhej të bëja udhëtime shumë të gjata; atëherë e lusja Hyjin e mirë, dhe koha, jini të sigurt, nuk më dukej kurrë e gjatë.

   Janë disa persona që mbulohen krejtësisht nga lutja porsi peshku nga dallga, sepse janë krejtësisht të kushtuar Hyjit. Në zemrën e tyre nuk ka asnjë ndarje. O sa i dua këta shpirtra bujarë! Shën Françesku i Asizit dhe shën Koleta e shihnin Zotin tonë dhe flisnin me të ashtu si flasim ne me njëri-tjetrin.

   Ndërsa ne, sa herë vijmë në kishë pa ditur se çka duhet të bëjmë dhe të kërkojmë! Megjithatë, sa herë që shkojmë tek dikush, e dimë mirë përse shkojmë. Janë disa që duket se Zotit i thonë kështu: “Kam vetëm dy fjalë për të të thënë, kështu do të kryej punë shpejt dhe do të shkoj”. Unë gjithmonë mendoj se, kur të vijmë për të adhuruar Zotin, do të fitojmë të gjitha ato që do të kërkojmë, po të luteshim me fe vërtet të gjallë dhe me zemër krejtësisht të pastër.

 

   Përgjigjja 2 Kor 4, 17; 1 Kor 2, 9

 

   C Vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme * na sjell një lavdi të përjetshme, dhe pafundësisht të madhe.

   D Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan:

   C na sjell një lavdi të përjetshme, dhe pafundësisht të madhe.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm, ti na dhe në shën Gjonin Vianney, meshtar, një shembull të mrekullueshëm për zell baritor; bëj që, me ndërmjetësinë e tij, t’i fitojmë për Krishtin me dashuri vëllezërit tanë dhe bashkë me ta të arrijmë lumturinë e pasosur. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.