Shërbesa e leximeve

Java e tetëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijues i sendeve, ripërtëritës jete,

   Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,

   ti lutjet tona e lavdërimet baras

   pranoji i ëmbël.

 

   Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet

   me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme

   e ne ringjall me harmoni t’përjetshme

   o autor i dritës.

 

   Na jep ne ditë me mirësi të mbara

   duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,

   që t’jetë përherë paprerë me vepra tona

   lavdia jote.

 

   Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet

   me zjarr hyjnor edhe na bëj syhapët,

   që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona

   llambat e ndezura.

 

   Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,

   dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,

   e në mbarë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt, Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,

   gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,

   që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja

   na ke shëlbuar.

 

   Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi

   ndër mendje tona, dhe besimit ktheji

   ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore

   kënaqësinë shtoja.

 

   Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,

   që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,

   na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar

   prej Selisë tënde.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,

   dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,

   me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë

   sundon ndër shekuj. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.

 

   Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje

 

   Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur bijësimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).

 

   I (2-7)

 

Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *

   që të mos mëkatoj me gjuhën time,

fre do t’i vë gojës sime *

   sa të jetë para meje bakeqi.«

 

Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *

   por më kot dhembja ime u përtërit.

Flakë u ndez në mua zemra, *

   posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,

 

fola me gjuhën time: *

   »Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,

cili është numri i ditëve të mia, *

   që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«

 

Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *

   jeta ime është asgjë para teje,

 

vetëm avull është çdo njeri. *

   Porsi hije kalon jeta e njeriut,

e kotë është krejt puna e tij: *

   ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.

 

Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.

 

   II (8-14)

 

E tani çka mund të pres, o Zot? *

   Shpresa ime është në ty!

Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *

   mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!

 

S’bëj zë, gojën nuk e çel *

   sepse je ti ai që vepron.

Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *

   se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!

 

Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †

   porsi tenja e bren dëshirën e tij. *

   Vërtet tytësi është çdo njeri!

 

Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *

   vështro klithmat e mia!

 

Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †

   Para teje unë jam i huaj, *

   endacak porsi etërit e mi.

 

Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *

   para se të shkoj e të mos jem më!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.

 

Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.

 

   Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve

 

   Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).

 

Pse krenohesh me vepra të këqija *

   ti që je i madh për nga paudhësia?

 

Gjithë ditën djerron tradhti! †

   Gjuha jote brisk i mprehtë, *

   o mjeshtër fitmesh!

 

Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *

   rrenën se të flasësh të vërtetën,

të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *

   o gjuhë fitmesh!

 

Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *

   do të të zhdukë përgjithmonë,

do të të çrrënjosë prej tendës, *

   do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.

 

Të tmerruar do të shohin të drejtët *

   e do të qeshin mbi të:

 

»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †

   por shpresoi në kamjen e vet të madhe *

   dhe krenohej me tradhtitë e veta.«

E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †

   shpresoj në mirësinë e Hyjit *

   për amshim e në shekuj të shekujve.

 

Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †

   shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *

   në sy të besimtarëve të tu.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.

 

   D Shpirti im shpreson në Zotin,

   C dhe me padurim e pret fjalën e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Amosit profet 9, 1-15

 

   Shpëtimi i të drejtëve.

 

   E pashë Zotin: mbi lter rrinte e tha: “Godite majën e shtyllës, pragjet le të dridhen; thërrmoju të gjithëve kokat, shpatë do ta pres atë që do të të shpëtojë! Asnjë prej tyre s'do t'ia dalë të ikë, kurrnjë prej tyre s'do të shpëtojë!

   Në depërtofshin edhe në fund të ferrit, prej andej do t'i nxjerrë dora ime! Po edhe në qiell në qoftë se ngjiten, prej andej do t'i plandos!

   E në u fshehshin në majën e Karmelit, do t'i gjej e do t'i kap; e nëse prej syve të mi do të fshihen në fund të detit, do t'i urdhëroj Gjarprit atje t'i hajë!

   Nëse në skllavëri shkojnë para armiqve të vet, do t'i urdhëroj shpatës t'i presë, sytë e mi nuk do t'ua ndaj jo për të mirë, por për të keqe të tyre.”

   Edhe Zoti Hyji i Ushtrive... E prek tokën e ajo lëkundet, e gjithë gjindja mbulohet në zi; toka ngritet mbarë porsi lumi, bie porsi lumi i Egjiptit.

   Ndenjësen e vet në qiell e ndërton, si kupë qiellin e vë mbi tokë, u urdhëron ujërave të detit e i shpërndan mbi sipërfaqe të tokës, ‑ Zot Ai emrin e ka!

   “Pse a s'jeni për mua, bij të Izraelit, porsi bijtë e etiopasve?”, ‑ thotë Zoti! Pse, a s'bëra të dalë Izraeli nga dheu i Egjiptit, porsi filistenjtë nga Kaftori dhe syrianët nga dheu Cir?

   Ja, sytë e Zotit Hyj janë të drejtuar mbi mbretërinë e mëkatit! Do ta zhbij prej faqes së dheut.

   “Megjithatë, s'do ta zhbij shtëpinë e Jakobit krejtësisht ‑ është fjala e Zotit.

   Ja, pra, unë do të urdhëroj të tundet, mes kombesh, Izraeli, sikur gruri tundet në shoshë, një guralec për tokë nuk bie.

   Prej shpatës do të bien të gjithë mëkatarët e popullit tim, të gjithë që thonë: “E keqja s'do të na afrohet, s'do të bjerë mbi ne!”

   “ Po atë ditë, do ta ngreh kasollen e Davidit që u rrëzua, do t'i ndreq plasjet e saja, e çka u rrëzua në të, do ta ndërtoj, do ta ndreq si në ditë të dikurshme,

   me qëllim që të pushtojnë tepricën e Edomit dhe të gjitha kombet mbi të cilat u thirr emri im ‑ thotë Zoti që i zbaton këto. ‑

   Ja, po vijnë ditët, ‑ thotë Zoti, kur lavërtari do ta zërë korrtarin e shtrydhësi i rrushit farëhedhësin: musht do të pikojnë malet e do të rrjedhin të gjitha kodrat!

   Do t'i kthej të treturit në skllavëri të popullit tim Izraelit; do t'i rindërtojnë qytetet e rrënuara e në to do të banojnë, do të mbëltisin vreshta e do ta pinë verën e tyre, do të punojnë kopshtet e do t'i hanë prodhimet e tyre.

   Do t'i ngulis në truallin e tyre, e s'do të shpërngulen më nga toka e tyre që ua dhurova!”, ‑ është fjala e Zotit.

 

   Përgjigjja Krh. Vap 15, 16. 17. 14. 15

 

   C Do të kthehem dhe do ta rindërtoj tendën e rrëzuar të Davidit, thotë Zoti. * Do të më kërkojnë të gjithë njerëzit mbi të cilët u thirr Emri im.

   D Hyji u kujdesua të përftojë prej paganëve një popull për Emër të vet, sikurse është shkruar:

   C Do të më kërkojnë të gjithë njerëzit mbi të cilët u thirr Emri im.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga e ashtuquajtura "Letër" e Barnabës

   (Kap. 19, 1-3. 5-6, 8 -12; Funk, 1, 53-57)

 

   Rruga e dritës.

 

   Është një rrugë që është ajo e dritës. Nëse dikush dëshiron ta përshkojë dhe të arrijë deri në fund le ta bëjë duke vepruar gjallërisht.

   Udhëzimet për ta gjetur dhe për ta ndjekur këtë rrugë janë këto që vijojnë. Do të duash atë që të ka krijuar dhe do të druash atë që të ka formuar. Do t'i japësh lavdi atij që të ka shëlbuar prej vdekjes. Do të jesh i thjeshtë në zemër, por i pasur në shpirt. Nuk do të bashkohesh me ata që ecin udhës së vdekjes. Do të urresh gjithçka që nuk i pëlqen Hyjit. Do të përçmosh çdo hipokrizi. Nuk do të braktisësh urdhërimet e Zotit.

   Nuk do të madhërosh vetveten, por do të jesh i përvuajtur në të gjitha gjërat. nuk do t'i japësh lavdi vetes. Nuk do të ngrehësh prita kundër të afërmit tënd. Nuk do të pranosh ndjenja mendjemadhësie në zemrën tënde.

   Do të duash të afërmin tënd më shumë se sa jetën tënde. Nuk do të bësh abort dhe nuk do të vrasësh fëmin pas lindjes së tij.

   Nuk do të jesh moskokëçarës për birin tënd dhe për bijën tënde, por do tu mësosh atyre druajtjen e Hyjit që nga fëmijëria. Nuk do të kërkosh të mirat e të afërmit tënd, as nuk do të jesh koprrac. Nuk do të bashkohesh me krenarët, por do të ndjekësh njerëzit e përvuajtur dhe të drejtë.

   Çfarëdo që të të ndodhë do ta marrësh me të mirë, duke ditur se nuk ndodh asgjë po s'e deshi Hyji. Nuk do të jesh i epshëm në mendime dhe as nuk do të përdorësh dyfytyrësi në të folur; në të vërtetë gjuha e dyfishtë është litar vdekjeje.

   Angazhohu tërësisht për të qëndruar i pastër. E kërkon e mira e shpirtit tënd. Nuk do të shtrish dorën tënde për të marrë dhe përkundrazi nuk do ta tërheqësh në të dhënë. Do të duash si dritëzën e syrit tënd këdo që do të të thotë fjalën e Zotit.

   Ditë e natë do të sjellësh në kujtesën tënde gjykimin e fundit dhe do të kërkosh çdo ditë shoqërinë e shenjtërve, qoftë kur të kesh ankth për të folur dhe kur të nisesh të porosisësh dhe të meditosh si mund të shëlbosh një shpirt nëpërmjet fjalës, qoftë kur të punosh me duart e tua për të çrrënjosur mëkatet e tua.

   Nuk do të ngurrosh në të mirë, as do të japësh dhuratën tënde në mënyrë fyese. E di mirë se kush e ndan shpërblimin e drejtë. Do të ruash të paprekur arkën që të është besuar, pa asnjë zbritje apo dorëvënie.

   Do të urresh gjithmonë të keqen. Do të gjykosh me drejtësi. Nuk do të lejosh të lindin përçarje, por përkundrazi do t'i prish paqes, dukë vënë në mirëkuptim ata që zihen.

   Do të rrëfesh mëkatet e tua. Nuk do të nisësh lutjen me ndërgjegje të keqe.

   Ja ku qëndron rruga e dritës.

 

   Përgjigjja Gjn 12, 35.36; 9, 39

 

   C Ecni derisa të keni dritë, që të mos ju zërë terri. * Besoni në dritën, që të bëheni bijtë e dritës.

   D Erdha në këtë botë... që të shohin ata që janë të verbër.

   C Besoni në dritën, që të bëheni bijtë e dritës.

 

   Lutja

 

   Na ndihmo, o Zot, ne shërbëtorët e tu dhe përherë tregohu i mirë me ne, e pasi mburremi se je Krijuesi dhe Sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen e atë që përtërin bëje të qëndrueshëm. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.