Shërbesa e leximeve

6 gusht - Shndërrimi i Zotit

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

   Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.

 

6 gusht - Shndërrimi i Zotit

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Dritë lindur prej ndriçimit,

   Jezus, shëlbues i shekullit,

   denjou shpirtmirë të marrësh (presësh)

   lëvdata e uratë prej lutësve.

 

   N’fytyrë më i zjarrtë se dielli,

   me rrobë i bardhë si bora,

   në mal dëshmuesve t’denjë

   krijuesi i madh iu duke.

 

   T’vjetrit profetë të fshehur

   nxënësve t’ri u bën t’njohur,

   madhërisht u dhe dy palëve

   për Zot ty me besue.

 

   Zëri atëror prej qiellit

   ty Bir të vet të thirri,

   që ne besnikë me zemër

   rrëfejmë ty mbret të qiejve.

 

   Dikur për ne të humburit

   me u veshë me mish denjove,

   jepu gjymtyrëve tona t’bëhen

   pjestarë të trupit tënd t’lumnueshëm.

 

   Ne ty të thurim lavdet

   që je Biri i dashur,

   dhe i Atit dhe i Shpirtit

   zbulon shkëlqimi i lavdishëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Më mirë një ditë e vetme me ty, o Zot, se një mijë diku tjetër.

 

Psalmi 84 /83/ (2-13)

 

Sa të dashura janë banesat e tua, *

   o Zoti i Rruzullimit!

Shpirti im shkrihet e meket *

   për pallatet e Zotit.

 

Zemra ime e trupi im *

   i brohoritin Hyjit të gjallë.

 

Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *

   edhe turtulli çerdhen e vet

   ku i vë zogjtë e vet:

e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive, *

   Mbreti im e Hyji im!

 

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *

   do të të lavdërojnë për amshim.

Lum ai që në ty gjen forcën *

   dhe vendos për shtegtim të shenjtë.

 

Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †

   e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *

   sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.

 

Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *

   derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *

   më vështro, o Hyji i Jakobit.

Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *

   shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!

 

Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *

   se të tjera me mijëra!

Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *

   më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.

 

Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *

   ai dhuron hirin e nderin.

Zoti nuk ua mohon të mirat *

   atyre që jetojnë të pafajshëm.

 

O Zot Sabaot, *

   lum njeriu që shpreson në ty!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Më mirë një ditë e vetme me ty, o Zot, se një mijë diku tjetër.

 

Ant. 2 Doli drita për të drejtin, gëzimi për ata që e kanë zemrën e pastër.

 

Psalmi 97 /96/ (1-12)

 

Zoti ngadhënjen

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *

   le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij, *

   e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Zjarri shkon përpara tij *

   dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

Vetëtimat e tij e shndritin botën, *

   sheh Toka e dridhet!

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *

   para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *

   të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †

   të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *

   Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!

 

Dëgjoi Sioni e u gëzua, †

   galduan bijat e Judës. *

   për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

 

Sepse ti je, o Zot,

   i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *

   ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †

   Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *

   i shpëton prej dorës së mëkatarit.

 

Lindi drita për të drejtin, *

   e gëzimi për zemërmirët.

Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *

   nderojeni Emrin e tij të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Doli drita për të drejtin, gëzimi për ata që e kanë zemrën e pastër.

 

Ant. 3 Madhërojeni Zotin Hyjin tonë, bini përmbys para tij.

 

Psalmi 99 /98/ (1-9)

 

Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! *

   Rri mbi kerubinë, le të trandet Toka!

I madh është Zoti në Sion, *

   i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.

 

Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, *

   sepse është i shenjtë.

 

Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: †

   ti ke caktuar ç’është e drejtë, *

   gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.

 

Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, †

   bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tija, *

   sepse është i shenjtë.

 

Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, †

   Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: *

   e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.

 

Nga shtylla e resë fliste me ta: †

   i dëgjonin urdhërimet e tij *

   edhe Ligjet që ua kishte dhënë.

 

O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, †

   O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, *

   edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.

 

Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, †

   adhuroni në malin e tij të shenjtë, *

   sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Madhërojeni Zotin Hyjin tonë, bini përmbys para tij.

 

   D Zoti fliste prej resë së ndritshme:

   C ndërsa populli i dëgjonte urdhërimet e tija.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 3, 7 - 4, 6

 

   Vëllezër, nëse shërbesa e vdekjes e shkruar në rrasë guri, ka qenë aq e lavdishme, sa që bijtë e Izraelit nuk mundën të këqyrin në fytyrën e Moisiut për shkak të shkëlqimit të kalueshëm të fytyrës së tij, sa më e lavdishme do të jetë shërbesa e Shpirtit Shenjt? E njëmend, nëse shërbesa e dënimit ka qenë e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme shërbesa e drejtësisë. E vërtet, nën këtë pikëpamje, çka atëherë ishte e lavdishme, nuk është më, nëse krahasohet me lavdinë më të shkëlqyeshme. Sepse, në qoftë se ajo që duhej të kalonte ishte e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme kjo që qëndron për amshim.

   Të fortë, prandaj, prej një shprese të tillë, flasim haptas e jo sikurse Moisiu, i cili vinte vel përmbi fytyrë, në mënyrë që izraelitët të mos e shihnin mbarimin e një shkëlqimi të kalueshëm. Porse u terratis mendja e tyre! E njëmend, edhe sot e kësaj dite e mbulon ai vel leximin e Besëlidhjes së vjetër: nuk u qe zbuluar se në Krishtin mori fund. Por deri më sot, sa herë që lexohet Moisiu, një vel ua mbulon zemrën. 'Vetëm kur të kthehet Izraeli te Zoti do të hiqet veli.' Sepse Zoti është Shpirt e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria. E ne të gjithë, të cilët, me fytyrë të zbuluar, bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit, shndërrohemi në të njëjtën trajtë ‑ nga lavdia në lavdi.

   E mbasi Hyji, prej mirësisë së vet, na pajisi me këtë shërbesë hyjnore, këndej edhe nuk na lëshon zemra. Përkundrazi, duke mos përdorur mënyrë shtiracake të turpshme, duke mos jetuar me dinakëri, ne nuk e shtrembërojmë fjalën e Hyjit, por, përkundrazi, duke shfaqur të vërtetën, i porositemi çdo ndërgjegjeje të njerëzve para Hyjit. E nëse, megjithatë, Ungjilli ynë mbetet i mbuluar, është i mbuluar vetëm për ata që dënohen, për ata që nuk besojnë, të cilëve hyji i kësaj bote ua mori mendtë që të mos i ndriçojë drita e Ungjillit të lavdisë së Krishtit që është figura e Hyjit. Sepse ne nuk predikojmë vetveten, por Jezu Krishtin Zot, ndërsa vetveten e shpallim shërbëtorë tuaj për dashuri të Jezusit. Sepse, Hyji që tha: »Prej errësirës le të shndrisë drita!«, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Gjn 3, 1. 2

 

   C Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati. * Quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi!

   D Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.

   C Quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi!

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Fjalimet e mbajtura ditën e Shndërrimit të Zotit” nga Atanazi sinait, ipeshkëv

   (Nr. 6-10; Mélanges d’archéologie et d’historie, 67 [1955] 241-244)

 

    Është bukur të qëndrosh me Krishtin!

 

   Misterin e Shndërrimit të tij Jezusi ua tregoi nxënësve mbi malin Tabor. Ai u kishte folur atyre për mbretërinë e Hyjit dhe për ardhjen e tij të dytë në lavdi. Por ajo gjë ndoshta për ta nuk ka pasur një forcë bindëse të mjaftueshme. E atëherë Zotëria, për ta bërë fenë e tyre të qëndrueshme dhe të thellë dhe që, nëpërmjet veprave të pranishme ata të mund të arrinin në sigurinë e ngjarjeve të së ardhmes, deshi ta shfaqë vezullimin e hyjnisë së tij dhe kështu t’u ofronte atyre një figurë si shembull të mbretërisë së qiejve. Dhe pikërisht që largësia e atij realiteti që duhet të vinte të mos ishte shkak i një feje të plogët, i paralajmëroi duke thënë: “Disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa të mos e shohin Birin e njeriut duke ardhur me mbretërinë e vet.” (Mt 16, 28).

   Ungjilltari, nga ana e tij, me qëllim që të tregojë se Krishti mund të bënte gjithçka që dëshironte, shtoi: “Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.” (Mt 17, 1-3).

   Ja realiteti i mrekullueshëm i së kremtes së sotme, ja misteri i shëlbimit që gjen plotësinë për ne sot mbi mal, ja ajo që tani na bashkon: vdekja dhe së bashku lavdia e Krishtit.

   Për të përshkuar domethënien e thellë të këtyre mistereve të paarritshme dhe të shenjta së bashku me nxënësit e zgjedhur dhe të shndritur nga Krishti, ta dëgjojmë Hyjin që me zërin e tij misterioz na thërret nga lart tek vetja me këmbëngulje. Të shkojmë atje me nxitim. Jo vetëm kaq, guxoj të them, por të shkojmë si Jezusi, i cili tani nga qielli bëhet udhërrëfyesi dhe udhëheqësi ynë. Me të do të jemi të rrethuar nga ajo dritë të cilën vetëm syri i fesë mund ta shohë. Fizionomia jonë shpirtërore do të shndërrohet dhe do të marrë formën sipas të tijës. Ashtu si ai edhe ne do të hyjmë në një gjendje të qëndrueshme shndërrimi, sepse do të jemi pjestarë të natyrës hyjnore dhe do të përgatitemi për jetën e lumtur.

   Të vrapojmë me plot besim dhe gëzim atje ku ai na thërret, të hyjmë në re, të bëhemi si Moisiu dhe Elia, si Jakobi e Gjoni.

   Porsi Pjetri të lëmë që të kaplohemi krejtësisht nga shikimi i lavdisë hyjnore. Të lejojmë të shndërrohemi nga ky shndërrim i lavdishëm, të udhëhiqemi larg nga toka dhe të bartemi jashtë botës. Të braktisim mishin, të braktisim botën e krijuar dhe t’i drejtohemi Krijuesit, të cilit Pjetri në ekstazë dhe jashtë mendve i tha: “Zotëri, është bukur për ne të qëndrojmë këtu” (Mt 17, 4).

   Vërtet, o Pjetër, është “bukur të qëndrojmë këtu’ me Jezusin dhe këtu të qëndrojmë për të gjithë shekujt. Ku ka lumturi më të madhe, më të çmueshme dhe më të shenjtë se sa të qëndrosh me Hyjin, të bëhesh si ai, të gjendesh në dritën e tij?

   Kuptohet se secili prej nesh e ndjen se e ka Hyjin me vete dhe se është shndërruar në shëmbëllesën e tij. Atëherë klith, pra, me gëzim: “Është bukur për ne të qëndrojmë këtu”, ku të gjitha gjërat janë shkëlqim, gëzim, lumturi dhe ngazëllim. Të qëndrojmë këtu ku shpirti është në paqe, në hare dhe në ëmbëlsi; këtu ku Krishti e tregon fytyrën e tij, këtu ku ai banon me Atin. Ja se ai hyn në vendin ku gjendemi dhe thotë: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi” (Lk 19, 9). Këtu janë të grumbulluar të gjitha thesaret e amshuar. Këtu shihen të pasqyruara porsi në pasqyrë figurat e fryteve të para dhe të realitetit të shekujve të ardhshëm.

 

   Përgjigjja Krh. Mt 17, 2. 6. 3; Lk 9, 32

 

   C Fytyra e Jezusit shkëlqeu porsi dielli: * nxënësit ranë me fytyrë përdhe e u trembën për së tepërmi duke parë lavdinë e tij.

   D Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.

   C Nxënësit ranë me fytyrë përdhe e u trembën për së tepërmi duke parë lavdinë e tij.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të Njëlindurit Birit tënd e përforcove me dëshmimin e Moisiut e të Elisë të vërtetën e fesë dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd që të bëhemi pjesëtarë në jetën e tij të pavdekshme. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.