Shërbesa e leximeve
Java e tetëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E premte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nëpërmjet kangës së gjelit
tashmë errësinë e natës
dhe të natës së pangopur
duke heqë tmerrin e zi,
Hy jetëdhënës, po të lusim
dhe të lypim me gjithë shpirt.
Dritë e fortë, syhapët, erdhe
dhe mbikqyrës i njerëzimit,
ndërsa mbanin gjitha sendet
bashkarisht heshtje t’zakonshme.
Madje e nxirrnin krejt të vdekur
Përfytyrimin e të vdekurit.
Ti, o Krisht, ne të na zgjoje
nga gjumi i prapësisë,
dhe falas të na libroje
nga burgu i natës sterrë,
edhe të na ktheje dritën
shoqëruese gjithnjë e jetës.
Ty e Atit ju qoftë nderi,
po ashtu Shpirtit të Shenjtë,
Hyjt n’tre Vetë dhe një t’vetëm,
paqes, jetës, edhe dritës,
mbi të gjithë emnit të ëmbël
dhe vullnetit të hynueshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdi e dritës s’Atit,
pa hirin e të cilit
dridhen krahrorët tanë.
Dhe me Shpirt tënd të mbushur,
tue mbartë Zotin me vete,
asgjë e grabitësit të pabesë t’mos duket
me mashtrime shkatrruese.
Që ndër punët e shekullit,
si e lyp nevoja e jetës,
çveshur nga çdo lloj krimi
të rrojmë me ligjet tua.
Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,
Ty e Atit qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushllimtar
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.
Psalmi 38 /37/ Lutja e mëkatarit në ngushticë
Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona... me varrët e tija jemi shëruar (1 Pjt 2, 22. 24. 25).
I (2-5)
Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *
as mos më ndëshko në zemërimin tënd!
sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *
mbi mua rëndoi dora jote.
S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *
për shkak të zemërimit tënd,
s’ka paqe në eshtrat e mi *
për shkak të mëkateve të mia.
Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *
më ndrydhin porsi barra e rëndë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
II (6-13)
U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *
për shkak të marrëzisë sime,
u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *
i trishtueshëm endem gjithë ditën.
Digjen prej etheve ijët e mia, *
asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.
I lodhur e i këputur krejtësisht *
gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.
Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *
as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,
zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *
edhe drita e syve të mi po fiket.
Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *
edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.
Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †
më kërcënohen me vdekje
ata që ma dëshirojnë të keqen, *
gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
III (14-23)
E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *
si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,
u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *
si ai që në gojë përgjigje s’ka.
Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *
o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.
Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *
kur të më merren këmbët,
të mos krenohen kundër meje.«
E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *
dhembjen time përherë e kam para syve.
Ja, unë e pranoj fajin tim, *
jam i prishur për mëkatin tim.
E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *
u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.
Të mirën ma kthejnë me të keqe *
e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.
Mos më lër vetëm, o Zot, *
Hyji im, mos u largo prej meje.
Nxito të më ndihmosh, *
o Zot, Shëlbuesi im.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,
C premtimin e Shëlbuesit tim.
Leximi i parë
Prej librit të Ozesë profet 2, 4. 8-25
Izraeli, i ndëshkuar për pabesnikërinë e tij, do të kthehet tek Hyji.
Kështu thotë Zoti: Pandeheni nënën tuaj, pandeheni, sepse ajo s'është më gruaja ime, unë nuk jam më burri i saj! Le t'i heqë prej fytyrës së vet shenjat e lavirësisë dhe shenjat e pabesnikërisë nga mesi i kraharorëve të saj;
Prandaj, ja, unë rrugën tënde me ferrëkuqe do ta zë, me ledhe do ta rrethoj, s'do t'i gjejë shtigjet e veta!
Do të vrapojë pas dashnorëve, s'do t'i zërë; do t'i lypë, por s'do t'i gjejë, e do të thotë: 'Po kthehem te burri im i parë, sepse isha më e lume se tash!'
Nuk e dinte se unë i jepja grurë e verë edhe vaj të mirë; i dhuroja argjend e ar, që e përdorën për të punuar baalët.
Prandaj do të shkoj e do të marr prapa grurin tim në kohën e tij, edhe verën në kohën e saj, do të marr prapa lesh e li me të cilët duhej të mbulonte veten.
Turpërinë tash do t'ia zbuloj po ndër sy të dashnorëve të saj, s'gjendet ai që prej dorës të ma nxjerrë!
Do t'i jap fund çdo gëzimi të saj, festimit të saj, hënës së re të saj, të shtunave e të kremteve të saja.
Do t'ia prish vresht e fiq, për të cilët tha: 'Ja këto janë shpërblimi im që m'i dhanë dashnorët e mi!' E në shkurre do t'i kthej do t'i hanë kafshët e fushës.
Do t'i paguajë ditët e baalëve, kur u digjte kem të erëndshëm, stolisej me vathë e argjende e i ndiqte dashnorët e vet e mua më harronte ‑ është fjala e Zotit.
Prandaj vetë do ta josh atë, do ta shpie në shkretëtirë e do t'i flas zemrës së saj.
Do t'i kthej vreshtat e saja, do ta shndërroj luginën Akor në derë shprese. Atje ajo do të përgjigj porsi në ditët e rinisë së vet, porsi në ditët kur pati dalë prej tokës së Egjiptit!
E do të ndodhë po shi atë ditë ‑ është fjala e Zotit, ti do të më thërrasësh: 'Fati im', e s'do të më quash më: 'Baali im'.
Prej gojës së saj do të heq baalët, emrin s'do t'ua kujtojë më.
Atë ditë për ta do të lidh besë me egërsirat e malit, me fluturakë të qiellit e me zvarranikët e tokës. Prej vendit do të zhbij hark e shpatë e luftë: do t'i bëj të pushojnë të qetë.
Do të të bëj fatin tim të përhershëm, do të të fejoj në drejtësi e në të drejtë, me dhembshuri e dashuri.
Do të të fejoj në besnikëri e ti Zotin do ta njohësh!
Ja ç'do të ndodhë: atë ditë do të vështroj uratën ‑ është fjala e Zotit, unë do ta vështroj qiellin edhe ai do të vështrojë tokën;
Edhe toka do të përgjigjet me grurë, verë e vaj të mirë e këto do t'u përgjigjen pritjeve të Jezrahelit.
Do ta mbjell për mua në vend, do ta dua 'Të‑Pa‑Mëshirën'.
Përgjigjja Krh. Zb 19, 7. 9; Oz 2, 22
C Erdhi Dasma e Qengjit! Gati është Nusja e tij! * Të lumët ata që janë të grishur në gostinë e Qengjit!
D Do të të fejoj në besnikëri e ti Zotin do ta njohësh!
C Të lumët ata që janë të grishur në gostinë e Qengjit!
Leximi i dytë
Lexim nga "Kënga shpirtërore" e shën Gjonit të Kryqit, meshtar
(Red. A, str. 38)
Do të të bëj nuse timen përgjithmonë.
Shpirti i bashkuar dhe i shndërruar në Hyjin jeton në Hyjin dhe për Hyjin, dhe pasqyron drejt tij po atë impuls jetësor që ai i përçon. Mendoj se është ajo që ka dashur të thoshte Shën Pali kur ka shkruajtur: "E prejse vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë!" (Gal 4, 6), gjë që u ndodh të përsosurve si më sipër.
Nuk duhet menduar se është e pamundur që të ndodhë në shpirt një gjë kaq e lartë. Në të vërtetë, kur Hyji i jep hirin që të arrijë të jetë hyjformësh dhe i bashkuar me të Shenjtërueshmen Trini, ai bëhet Hyj për nga pjesëmarrja. Atëherë në shpirt bëhet e mundur një jetë tjetër mendore, njohëse dhe dashuruese, e realizuar në Trininë, në bashkim me trininë dhe e ngjashme me atë të Trinisë vetë. Kjo ndodh vetëm me anë të komunikimit, sepse është gjithmonë Hyji që vepron gjithçka që vërtetohet në shpirt. E si ndodh kjo nuk mund të dihet e as të shprehet. Mund të dëftohet vetëm se Biri i Hyjit na ka nxjerrë një gjendje shumë të lartë dhe meritoi për ne të mund të jemi bijtë e Hyjit dhe ia kërkoi Atit duke thënë: "Atë, dua që ata, të cilët m’i dhe, të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua, që të kundrojnë lavdinë time, lavdinë që ti ma" (Gjn 17, 24), domethënë që në sajë të pjesëmarrjes të përmbushin në ne po atë vepër që unë përmbush në sajë të natyrës, pra atë të fryrjes së Shpirtit Shenjt. Ka thënë edhe: “Nuk po lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata, që, për shkak të fjalës së tyre, do të besojnë në mua: që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove. Edhe unë ua dhashë lavdinë që ti ma dhe që të jenë një sikurse ne jemi një – unë në ta e ti në mua, që të jenë plotësisht një, që bota ta dijë se ti më dërgove dhe se i deshe ata sikurse më deshe mua.” (Gjn 17, 20-23)
Hyji pra i ka bërë ata pjesëmarrës të së njëjtës dashuri si të Birit, dhe jo në sajë të natyrës, si për Birin, por në sajë të bashkimit dhe të shndërrimit të dashurisë. Biri i kërkon Atit që të zgjedhurit të jenë një gjë e vetme jo si esencë dhe natyrë e vetme, sikurse janë Ati dhe Biri, por në kuptimin e një njësi dashurie, sikurse Ati dhe Biri jetojnë në njësi dashurie. Prandaj shpirtrat zotërojnë në sajë të pjesëmarrjes atë që Hyji zotëron në sajë të natyrës. Në bazë të kësaj force ata janë me të vërtetë Hyj me anë të pjesëmarrjes, të barabartë me të dhe shokë të tij.
Për këtë arsye shën Pjetri thotë: "Paçi hir dhe paqe të plotë me anë të njohjes së Hyjit dhe të Jezusit, Zotit tonë. Vërtet, fuqia hyjnore na dhuroi gjithçka na nevojitet për jetë dhe për përshpirtëri me anë të njohjes së Atij që na grishi në saje të lavdisë dhe të forcës së vet. Bashkë me to na u dhuruan premtimet më të çmueshmet dhe më të mëdhatë që me anë të tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmimit." (2 Pjt 1, 2-4)
Shpirti merr pjesë në Hyjin duke përmbushur në shoqëri me të veprën e Trinisë Shenjte, në mënyrën tashmë të përshkruar, në bazë të atij bashkimi që tani e lidh vetëm në mënyrë të papërsosur me të tejetlartin, por në jetën tjetër do ta lidhë me të në shkallën absolute. Megjithatë, shpirti, pasi ka arritur këtë gjendje, përjeton një shijim të pafundmë dhe të pashprehshëm.
O shpirtra të krijuar për maja kaq të larta dhe të thirrura për ta, çfarë bëni? Ku e kaloni kohën? A doni të jeni të verbër përballë një drite të tillë dhe të shurdhët përballë thirrjeve me kaq autoritet?
Përgjigjja Krh. Mik 6, 6. 8; Lp 10, 14. 12
C Çka kam të denjë t’i kushtoj Zotit? Të është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: * të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të ecësh përvujtërisht me Hyjin tënd.
D Zotit, Hyjit tënd, i përket qielli e toka. E tani, çfarë kërkon Zoti, Hyji yt, prej teje? Të bësh të mirën:
C të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të ecësh përvujtërisht me Hyjin tënd.
Lutja
Na ndihmo, o Zot, ne shërbëtorët e tu dhe përherë tregohu i mirë me ne, e pasi mburremi se je Krijuesi dhe Sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen e atë që përtërin bëje të qëndrueshëm. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.