Shërbesa e leximeve
8 gusht, Shën Dominiku, meshtar
Lindi në Kaleruega (dioqeza e Omës, Kastilja e Vjetër) rreth vitit 1170. Studioi teologji në Palencë dhe u bë kanonik i Kishës së Osmës.
Iu kushtua me fryte të mëdha luftimit të herezisë së Albigezëve me predikimin dhe me shembullin e jetës. Për këtë qëllim thirri përreth vetes disa shokë dhe themeloi Urdhrin e Predikatarëve (Domenikanët). Vdiq në Bolonja më 6 gusht të vitit 1221.
Nga Përbashkorja e barinjve (fq. 1588) ose e shenjtërve: rregulltarë (fq. 1707) me psalmet e ditës në psalter.
FTESA
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Kreshniku i ri i Krishtit
Dominiku të mbushet me lëvdata
që i përshtat vetes emrin,
i bërë burrë ungjillor.
Ky pa njollë duke ruajtur
lilin e virgjërisë,
flakëronte si vravashka
për zellin e martirëve.
Nën këmbë duke shkelur botën
me shpirt iu përvesh luftërave,
pa armë u doli armiqve,
mbështetur nga hiri i Krishtit.
Lufton me fjalë e mrekulli,
dërgon nëpër botë vëllezërit,
dendur i shton vajtimet
bashkë me lutje të zellshme.
I qoftë Trinisë një të vetme
lavd, nder, lumni e krenari,
që ne me uratë të Dedës
të çojë në gëzime të qiellit. Amen.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Psalmi 136 /135/ Himni i Pashkëve
Të shpallësh veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).
I (1-9)
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Zotin e zotave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Diellin që ta sundojë ditën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
II (10-15)
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
saqë foli marrëzisht me buzë të veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
III (16-26)
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Vrau mbretër të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë.
D Më udhëheq, o Zot, udhës sate,
C m’i mëso shtigjet e tua.
Leximi i parë
Prej librit të Ozesë profet 5, 14 – 7, 2
Kthimi jo i sinqertë është i kotë.
Do të më dëshirojnë në vuajtjet e veta dhe do të thonë:
Ejani të kthehemi te Zoti! Ai na bëri kortarë ‑ kortarë Ai edhe do të na shërojë, na goditi, por edhe do te na shëndoshë.
Pas dy ditësh do të na e kthejë jetën, të tretën ditë do të na çojë në këmbë, do të jetojmë në praninë e tij.
Le ta dimë, le ta ndjekim që Zotin mirë ta njohim. E sigurt si agimi ardhja e tij, do të vijë porsi shiu për ne i përshtatshëm, si shiu i vjeshtës që ujit tokën.
Çfarë do të bëj për ty, o Efraim, çfarë do të bëj për ty, o Judë? Re mëngjesi dashuria juaj e kalon si vesa e nadjes.
Këndej i latova me anë të profetëve, i vrava me fjalë të gojës sime, gjyqi im do të lindë si drita.
Dua dashurinë e jo flinë, njohjen të Hyjit më se holokaustet.
Por ata si Adami e shkelën Besëlidhjen, ja se ku ata më tradhtuan.
Galaadi është qytet keqbërësish i përdhosur me njolla gjaku.
Cuba në pritë turma e priftërinjve: udhës i vrasin udhëtarët e Sikemit, poshtërsi vërtet veprojnë!
Pashë gjë të tmerrshme në shtëpi të Izraelit: Efraimi atje lavirësohet, i përdhosur është Izraeli!
Edhe ty, Judë, të caktova korren, kur ta përtërij popullin tim.
Ndërsa doja të shëroj Izraelin, doli në shesh fajësia e Efraimit edhe e keqja e Samarisë; gënjeshtra është vënë në veprim: brenda në shtëpi depërtojnë vjedhësit, përjashta cubat bëjnë emnesë!
E ndër mend s'u shkon aspak se asnjë të keqe s'e harroj. Tash janë të rrethuar prej veprave të veta: ato qëndrojnë përpara meje.
Përgjigjja Krh. Mt 9, 13; Oz 6, 4. 6
C Shkoni e mësoni çka do të thotë: * Dua dashurinë e jo flinë, njohjen e Hyjit më se holokaustet.
D Re mëngjesi dashuria juaj, kalon si vesa e nadjes.
C Dua dashurinë e jo flinë, njohjen e Hyjit më se holokaustet.
Leximi i dytë
Nga “Historia e Rregullit të Predikuesve”
(Libellus de Principiis O.P.: Acta canoniz. Sancti Dominici; Monumenta O.P. Mist. 16, Romae 1935, fq. 30 v., 146-147)
Ose fliste me Hyjin, ose fliste për Hyjin
Dominiku kishte një dhuratë të madhe dhe mbahej gjithmonë nga një vrull i zellit hyjnor. Mjaftonte ta shihje për të kuptuar se ishe përballë një të privilegjuari të hirit.
Në të kishte një pandryshueshmëri të mahnitshme karakteri, që trazohej vetëm për solidaritet me dhimbjen e tjetrit. E meqë zemra e gëzuar e bën të hareshme fytyrën, e tregonte qetësinë e përqendruar të njeriut të brendshëm me mirësinë e jashtme dhe me harenë e paraqitjes.
Në çdo vend tregohej njeri sipas Ungjillit, në fjalë dhe në vepra. Gjatë ditës askush nuk ishte më shoqërues, askush nuk ishte më i dashur me vëllezër dhe me të tjerë. Natën askush nuk ishte më i vendosur dhe më i angazhuar në vigjilim dhe në lutje.
Ishte mjaft i matur në fjalë dhe, nëse e hapte gojën, ishte ose për të folur me Hyjin në lutje ose për të folur për Hyjin. Kjo ishte norma që ai e ndiqte dhe këtë ua këshillonte edhe vëllezërve.
Hiri që me shumë këmbëngulje i kërkonte Hyjit ishte ai i dashurisë së zjarrtë, që ta shtynte të vepronte me frytshmëri për shëlbimin e njerëzve. Ai vërtet mendonte se mund të arrinte të ishte gjymtyrë e përsosur e trupit të Krishtit vetëm kur do të kushtohej tërësisht dhe me tërë fuqitë e tija për të fituar shpirtra. Dëshironte që në këtë gjë t’i përngjante Shpëtimtarit, duke u dhuruar i tëri për shpëtimin tonë.
Për këtë qëllim, i frymëzuar nga Hyji, e themeloi Rregullin e Vëllezërve Predikues, duke vënë në vepër një projekt të provanisë të cilin kishte kohë që e bluante.
Shpesh u bënte thirrje vëllezërve, me zë dhe me letra, që të studionin Besëlidhjen e Vjetër dhe Besëlidhjen e Re. E mbante gjithnjë me vete Ungjillin sipas Mateut dhe letrat e shën Palit, dhe meditonte kaq gjatë këto të fundit, saqë arriti t’i njihte pothuajse përmendësh.
Dy apo tri herë u zgjodh ipeshkëv; por ai gjithmonë refuzoi, duke dashur më shumë të jetonte me vëllezërit e tij në varfëri. E ruajti deri në fund të dlirë shkëlqimin e virgjërisë së tij.
Dëshironte të ishte i frushkulluar, të bëhej copë e grimë dhe të vdiste për fenë e Krishtit. Gregori IX pati thënë për të: “Njoh një njeri, që ndoqi në gjithçka mënyrën e të jetuarit të apostujve; nuk ka dyshim se ai në qiell i është bashkangjitur lavdisë së tyre”.
Përgjigjja Krh. Sir 48, 1; Mal 2, 6
C Porsi zjarr u ngrit një kumtues i shpëtimit. * Fjala e tij digjte si pishtari.
D Një mësim besnik ishte në gojën e tij, dhe nuk kishte gënjeshtër në gojën e tij.
C Fjala e tij digjte si pishtari.
Lutja
Drejtoje dhe mbroje Kishën tënde, o Zot, sipas mësimeve të shën Dominikut; ai për ne ndërmjetësoftë me lutje të përshpirtshme, pasi qe predikatar i shquar i së vërtetës sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.