Shërbesa e leximeve
Java e nëntëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Psalmi 145 /144/ Lavdi Zotit - Mbretit të gjithësisë
E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. Del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
I (1-9)
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetë.
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
e pashqyertueshme është madhëria e tij!
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
do t’i brohorasin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
II (10-13)
Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
le të kuvendin për pushtetin tënd,
për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
pushteti yt prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
III (14-21)
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
i çon ata që rrëzohen.
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
D Biri im, dëgjoji fjalët e mia,
C vërja veshin fjalës sime.
Prej librit të Ozesë profet 11, 1-11
Nuk do të mungojë mëshira e Hyjit.
Kështu thotë Zoti:
“Kur Izraeli ende ishte djalë unë e doja e prej Egjiptit e thirra birin tim.
Por, sa më shumë i thirrja, aq më tepër largoheshin prej meje; baalëve fli u flijonin, idhujve u digjnin kem.
E unë e mësoja Efraimin të ecte vetë i mbartja para duarsh, s'e kuptonin se për ta u kujdesoja.
I tërhiqja me litarë për njerëz, me vargje të dashurisë; isha për ta, porsi ai që fëmijën e ngrit deri në mollëza të veta, u përkulja mbi të t'i jap të hajë.
Të kthehet në dheun e Egjiptit, le t'i jetë Asuri mbret, sepse s'deshën kah unë të kthehen!
Emnesë do të bëjë në qytete të tyre shpata, nynykatësit do t'ia shuajë, do t'i hajë për shkak të synimeve të tyre!
Është i gatshëm populli im të mëkatojë kundër meje; e ftojnë lart, por askush nuk e ngrit.
Si të heq dorë prej teje, Efraim, të dorëzoj ty, o Izrael? Si të lëshoj ty porsi Adamën, të të bëj të ngjashëm me Seboimin? Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimba.
S'do ta shfryj zemërimin tim, s'do të kthehem ta shpërndaj Efraimin, sepse Hyj jam unë e jo njeri, Shenjti në mesin tënd, s'do të vij me tmerr.
Zotin do ta ndjekin; do të ulërijë porsi luani, po ai vetë do të ulërijë, e me tmerr do të ngarendin fëmijët nga perëndimi,
do të flut'rojnë porsi shpendët nga Egjipti porsi pëllumbi nga Asyria. Në shtëpi të tyre do t'i vendos. Është fjala e Zotit”.
Përgjigjja Krh. Oz 11, 8. 9; Jer 31, 3
C Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimba, thotë Zoti. * S’do ta shfryj zemërimin tim, sepse Hyj jam unë e jo njeri.
D Të desha me dashuri të amshueshme, prandaj ruajta për ty mëshirën.
C S’do ta shfryj zemërimin tim, sepse Hyj jam unë e jo njeri.
Leximi i dytë
Lexim nga “Dialogu i Provanisë Hyjnore” shkruar prej Katerinës nga Siena, virgjër
(Kap. 4, 13: bot latin, Ingolstadii 1583, fq. 19v-20)
Hyji, humbëtirë dashurie.
O Zoti im, hidhe shikimin e mëshirës sate mbi popullin tënd dhe mbi trupin mistik të Kishës së shenjtë. Ti do të madhërohesh shumë më shumë kur fal dhe u jep dritën e mendjes shumë njerëzve, se sa kur merr homazhin e një krijese të vetme të mjerë, siç jam unë, që shumë të kam fyer dhe kam qenë vegël e shumë të këqijave.
Çfarë do të ndodhte me mua po të shihja veten time të gjallë dhe të vdekur popullin tënd? Çfarë do të ndodhte nëse, për shkak të mëkateve të mia dhe mëkateve të krijesave të tjera, do të më duhej ta shihja në errësirë Kishën, nusen tënde të dashur, që ka lindur për të qenë dritë?
Po të kërkoj, pra, mëshirë për popullin tënd në emër të dashurisë së pakrijuar që të shtyu ty vetë për të krijuar njeriun në shëmbëllimin dhe përngjasimin tënd.
Cila qe arsyeja që ti të lartësoje njeriun në një dinjitet të tillë? Sigurisht dashuria e paçmueshme me të cilën ke shikuar krijesën tënde në veten tënde dhe je dashuruar me të. Por pastaj për shkak të mëkatit që bëri humbi atë madhështi në të cilën e kishe lartësuar.
Ti, i shtyrë nga po ai zjarr me të cilin na ke krijuar, ke dashur t’i ofrosh gjinisë njerëzore mjetin për t’u pajtuar me ty. Për këtë arsye na ke dhënë Fjalën, Birin tënd të Vetëm. Ai qe ndërmjetësi midis teje dhe nesh. Ai qe drejtësia jonë, që ngarkoi mbi vetvete padrejtësitë tona. Iu bind urdhërimit që ti, Atë i amshueshëm, i dhe kur e veshe më njerëzimin tonë. O humbëtirë dashurie! Cila zemër nuk do të ndjehet e mbushur me emocione kur të shohë këtë lartësi të tillë që ka zbritur në një ultësi të tillë, domethënë në kushtet e njerëzimit tonë?
Ne jemi shëmbëllimi yt, dhe ti shëmbëllimi jonë në sajë të bashkimit që ke caktuar ndërmjet teje dhe njeriut, duke mbuluar hyjninë e amshuar me renë e varfër të njerëzimit të prishur nga Adami. Cila qe arsyeja? Sigurisht dashuria.
Për këtë dashuri të patregueshme po të lutem dhe po të kërkoj të kesh mëshirë për krijesat e tua.
Përgjigjja Ps 101 /100/, 1-3
C Dua të këndoj dashurinë e drejtësinë, për nderin tënd, o Zot, do t’i bie muzikës. * Do të jetoj në pastërtinë e zemrës sime, brenda shtëpisë sime.
D Do të përparoj në udhën e pafajësisë: kur do të vish ti tek unë?
C Do të jetoj në pastërtinë e zemrës sime, brenda shtëpisë sime.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guxim të të thërrasim Atë, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.