Shërbesa e leximeve
10 gusht, Shën Lorenci, diakon dhe martir
Festë
Qe diakon i Kishës së Romës dhe pësoi martirizimin në përndjekjen e Valerianit, katër ditë pas martirizimit të papës Sikstit II dhe të katër diakonëve romakë bashkëpunëtorë të tij. Varri i tij gjendet pranë rrugës Tiburtina në Kampo Verano, ku Konstandini i madh urdhëroi të ndërtohej bazilika homonime. Kulti i tij ka qenë i përhapur në Kishë që në shekullin IV.
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Mbret plot lavdi i martirëve,
kurora e dëshmitarëve,
nga që s’i pranuan tokësorët
i çove ndër qiellorët.
Fill veshin tënd mirëdashës
zërave tona drejtoiau;
këndojmë trofetë e shenjta,
mos na i shiko gabimet.
Ti ngadhnjen ndër martirët,
duke kursyer dëshmuesit,
hidhi poshtë fajet tona,
duke dhuruar ndjesën.
Na ruaj, Atë mëshirëplotë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues,
që në amshim mbretëroni. Amen
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.
Psalmi 50 /49/ Kulti që i pëlqen Zotit
Krishti nuk erdhi për ta asgjësuar Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta asgjësuar Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
I (1-6)
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji jam, Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e travajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.
D Dëgjo, o populli im, dëshiroj të flas:
C unë jam Hyj, Hyji yt.
Leximi i parë
Prej Veprave të apostujve 6, 1-6; 8, 1. 4-8
Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i linin pas dore vejushat e tyre. Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë:
»Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t'i caktojmë për këtë detyrë, kurse ne do t'i kushtohemi krejtësisht uratës dhe shërbesës së fjalës.«
Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta.
Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.
Po atë ditë u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë e të Samarisë.
Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në vend tjetër dhe predikonin Fjalën. Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
Përgjigjja Krh. Mt 10, 32; Gjn 12, 26
C Kushdo pranon para njerëzve se është imi, * edhe unë do ta pranoj para Atit tim që është në qiell.
D Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im;
C edhe unë do ta pranoj para Atit tim që është në qiell.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 304, 14; PL 38, 1395-1397)
Ishte mbarështues i gjakut të Krishtit
Sot kisha e Romës kremton ditën e ngadhënjimit të Lorencit, ditën në të cilën ai e flaku tej botën e së keqes. E shkeli atë kur sillej mizorisht dhe plot hidhërim kundër tij dhe e përçmoi kur ajo po e ngashënjente me joshjet e saja. Në njërin rast dhe në tjetrin e mundi satanin që i nxiste kundër përndjekjen.
Shën Lorenci ishte diakon i kishës së Romës. Ishte mbarështues i gjakut të Krishtit dhe atje, për shkak të emrit të Krishtit, e derdhi gjakun e tij.
Apostulli i lumtur Gjoni e paraqiti shumë qartë misterin e Darkës së Zotit, duke thënë: “Sikurse Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër.” (1 Gjn 3, 16). Lorenci, vëllezër të dashur, e ka kuptuar gjithë këtë. E ka kuptuar dhe e ka vënë në praktikë. Dhe vërtet ai e ktheu në këmbim atë që kishte marrë në atë tryezë. E deshi Krishtin me jetën e tij, dhe i ngjasoi me vdekjen e tij.
Edhe ne, vëllezër, nëse vërtet duam, i ngjasojmë atij. Nuk mund të japim në këmbim një fryt më të shijshëm të dashurisë sonë, se sa atë të përngjasimit të Krishtit, i cili “pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija.” (1 Pjt 2, 21). Me këtë fjali duket pothuajse Pjetri apostull dëshiron të thotë, se Krishti ka vuajtur vetëm për ata që i ndjekin gjurmët e tija, dhe se vuajtja e Krishtit u bën dobi vetëm atyre që shkojnë pas tij. Martirët e shenjtë e kanë ndjekur atë deri në derdhjen e gjakut, derisa i kanë përngjarë në mundimin e tij. E kanë ndjekur martirët, por jo vetëm ata. Dhe vërtetë, pasi ata kaluan, nuk u ndërpre ura; as nuk u tha burimi, pasi ata pinë.
Kopshti i bukur i Zotit, o vëllezër, ka jo vetëm trëndafila martirësh, por edhe zambakë virgjërash, dredhëza të atyre që jetojnë në martesë, lule vjollca të të vejave. Asnjë kategori personash nuk duhet të dyshojë në thirrje e vet: Krishti ka vuajtur për të gjithë. Me vërtetësi të plotë është shkruar për të: “Vullneti i Atit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetës.” (1 Tim 2, 4).
Pra të mundohemi të kuptojmë në ç’mënyrë, përveç derdhjes së gjakut, përveç mundimit, mund ta ndjekë i krishteri Mësuesin. Apostulli, duke folur për Krishtin Zot, thotë: “Ai, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të” (Fil 2, 6). Sa gjë madhështore!
“Por ia mohoi vetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëzit dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten” (Fil 2, 7-8). Çfarë përulësie!
Krishti është përvujtëruar: ja, o i krishterë, shembullin të cilit duhet t’i ngjasosh. Krishti është bërë i dëgjueshëm: përse atëherë ti krenohesh? Pasi kishte kaluar të gjitha shkallët e kësaj përulësie, pasi e mundi vdekjen, Krishti u ngjit në qiell: të shkojmë pas tij. Ta dëgjojmë Apostullin që thotë: “Nëse, pra u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është atje, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit!” (Kol 3, 1).
Përgjigjja Krh. Ps 18 /17/, 3
C Lorenci martir shpallte me zë të lartë: E adhuroj Hyjin e vërtetë, dhe vetëm atij i shërbej; * për këtë arsye nuk më frikëson mundimi.
D Hyji është Ndihmëtari im, në të shpresoj.
C Për këtë arsye nuk më frikëson mundimi.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të nderuar në martirizim: bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.