Shërbesa e leximeve

11 gusht, Shën Klara, virgjër

 

Përkujtim

 

   Lindi në Asizi në vitin 1193. Ndoqi bashkëqytetarin e saj Françeskun në jetën e varfërisë dhe me të themeloi urdhrin e dytë françeskan, Klariset. Bëri një jetë të rreptë por të pasur me dashuri dhe mëshirë. Vdiq në vitin 1253.

 

   Nga Përbashkorja e virgjrave (fq.1628) ose e shenjtëreshave: rregulltare (fq. 1707) me psalmet e ditës në psalter.

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

   Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Një të ëmbël këngë flijimi

   t’ia thurë turma e devotshme,

   ndërsa në kulmin e qiejve

   ndrin me lavdi kjo virgjër.

 

   Virgjër që për hir të Krishtit

   burrërisht e flijoi jetën,

   tash në radhë të shenjtërve

   fatbardhësisht bashkohet.

 

   Me virtyt të pastër mposhti

   vesin e lig të trupit,

   përçmoi joshjet e botës,

   gjurmët e Krishtit ndoqi.

 

   Me anë të saj, o Krisht drejtona,

   na ruaj prej gjithë armiqve,

   shëro shkarjet ndër faje,

   dhe na mbush me virtyte.

 

   Jezus, të qoftë lavdia,

   që u linde nga Nëna Virgjër,

   me Atin dhe me Shpirtin jetëdhënës

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.

 

   Psalmi 68 /67/ Hyrja ngadhënjimtare e Zotit

 

   Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti«, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).

 

   I (2-11)

 

U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *

   u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!

 

Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †

   si shkrihet dylli përballë zjarrit, *

   ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!

 

Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *

   le të galdojnë e le të brohorasin me hare.

Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *

   bëni udhë Atij që kalëron mbi re:

»Zot« është Emri i tij, *

   vallëzoni në praninë e tij!

 

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *

   është Hyji në banesën e vet të shenjtë.

 

Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †

   u hap të burgosurve derën e lirisë, *

   kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.

 

O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *

   kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:

trandej toka, qielli rigonte *

   para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.

 

Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *

   e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.

Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *

   që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U lartësoftë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij.

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.

 

   II (12-24)

 

Zoti shpall një lajm *

   e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:

»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *

   e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!

 

Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †

   krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *

   e pendlat e saj porsi ari i verdhë.

 

Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *

   Selmoni zbardhonte me dëborë!«

 

Mali i Hyjit, mali Basan, *

   mal i thepisur, mali Basan!

Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †

   malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *

   Zoti në të do të banojë gjithherë!

 

Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *

   Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!

 

U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †

   dhuratë njerëzit i more, *

   që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.

 

Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *

   Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.

Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *

   e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!

 

Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *

   butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.

 

Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *

   do t’i kthej nga thellësia e detit,

 

që ta lash këmbën tënde në gjak, *

   që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, ai na liron nga vdekja.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.

 

   III (25-36)

 

U panë, o Hyj, procesionet e tua, *

   procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:

 

Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *

   në midis vashat duke u rënë defave!

 

»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *

   bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«

 

Aty djaloshi Beniamin u prin, †

   princat e Judës me togat e veta, *

   princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!

Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *

   përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,

prej Tempullit tënd në Jerusalem. *

   Mbretërit le të sjellin dhurata!

 

Kërcënoju egërsirës së kallamit, †

   lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *

   le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;

 

shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †

   Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *

   Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!

 

Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *

   këndoni Zotit, këndoni Hyjit,

që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *

   Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:

 

»Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit!« †

   Mbi Izraelin madhëria e tij, *

   përmbi re fuqia e tij!

 

I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †

   Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *

   Qoftë bekuar Hyji!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës, këndoni Zotit himne.

 

   D Do ta dëgjoj fjalën e Zotit:

   C ai i flet për paqe popullit të vet.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Mikesë profet 3, 1-12

 

   Jerusalemi do të shkatërrohet për shkak të mëkateve të udhëheqësve të tij.

 

   Dëgjoni, princa të Jakobit, ju, o krerë, të shtëpisë së Izraelit: Po a s'është detyrë juaja ta njihni drejtësinë?”

   Por ju e urreni të mirën dhe e doni të keqen! Ju njerëzve ua rrjepni me dhunë lëkurën e prej eshtrave ua shpulponi mishin!

   Ia hanë mishin popullit tim, lëkurën ia rrjepin, eshtrat ia copëtojnë, siç pritet mishi që piqet në tavë, porsi mishi që zihet në vegsh!

   Një ditë do ta thërrasin në ndihmë Zotin, por Ai s'do t'i dëgjojë, fytyrën e vet atë ditë prej tyre do ta fshehë, për veprat e këqija që bënë!

   Kështu thotë Zoti kundër profetëve që e ngashënjejnë popullin tim, që parakallëzojnë paqen nëse kanë çka të bluajnë me dhëmbë, e, nëse ndokush nuk ua mbush gojën, ata kundër tyre shpallin luftë!

   Këndej, në vend të vegimit natë do të keni, terr do të keni në vend të zbulimit; mbi profetë do të perëndojë dielli, dita errësirë do t'u bëhet.

   Veguesit do t'i mb'lojë marrja e dijësit të turpëruar do të mbesin, të gjithë buzët do t'i mbulojnë, sepse s'kanë prej Hyjit përgjigje.

   Kurse unë jam plot fuqi me forcën e Shpirtit të Zotit, me drejtësi e me guxim për t'ia kumtuar Jakobit fajin e Izraelit, mëkatin e tij!

   Dëgjoni këtu, princa të shtëpisë së Jakobit, edhe ju, gjykatës të shtëpisë së Izraelit, që në iri e keni drejtësinë, që shtrembëroni çdo të drejtë,

   që e ndërtoni me gjak Sionin, me padrejtësi Jerusalemin!

   Për dhurata krerët e tij gjykojnë, për shpërblim mësojnë priftërinjtë e tij, profetët e tij profetizojnë për pare. E guxojnë në Zotin të mbështeten kur thonë: 'Pse a s'është Zoti mes nesh? E keqja mbi ne s'do të bjerë!'

   Ja, prandaj, për fajin tuaj, arë për lavër do të bëhet Sioni, grumbull gurësh do të bëhet Ruzalemi, Mali i Tempullit pyll i dendur!

 

   Përgjigjja Krh. Ps 79 /78/, 1; Dan 3, 42. 29

 

   C O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash! * Sillu me ne sipas madhësisë së mëshirës sate.

   D Vërtet mëkatuam e vepruam paudhërisht duke u larguar prej teje.

   C Sillu me ne sipas madhësisë së mëshirës sate.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letra drejtuar të lumes Anjeza të Pragës” e shën Klarës, virgjër

   (Botimi I. Omaechevarria, Shkrimet e shën Klarës, Madrid 1970, fq. 339-341)

 

    Medito mbi varfërinë, përvujtërinë dhe dashurinë e Krishtit.

 

   I lumtur është me siguri ai që mund të marrë pjesë në gostinë e shenjtë, në mënyrë që të puthitet me të gjitha ndjenjat e zemrës së Krishtit, bukurinë e të cilit e admirojnë pa pushim të gjitha aradhet e lumtura të qiellit, butësia e të cilit i mallëngjen zemrat, kundrimi i të cilit jep ngushëllim, mirësia e të cilit nginë, ëmbëlsia e të cilit rikrijon, kujtimi i të cilit shndrit me ëmbëlsi, në aromën e të cilit të vdekurit e rifitojnë jetën dhe shikimi i lumtur i të cilit do t’i bëj të lumtur qytetarët e Jerusalemit qiellor.

   Meqë ky vizion është shkëlqim i lavdisë së amshuar, “është bredhje e dritës së amshueshme, pasqyrë e padangë ” (Urt 7, 26), shiko çdo ditë në këtë pasqyrë, o mbretëreshë, nuse e Jezu Krishtit. Kundroje vazhdimisht në të fytyrën tënde, që në këtë mënyrë të zbukurohesh brenda dhe jashtë, që të vishesh dhe të mbështillesh me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura, zbukurohu me lule dhe me veshje të të gjitha virtyteve, siç i përket bijës dhe nuses krejtësisht të pastër të Mbretit më të madh. Në këtë pasqyrë rrezaton varfëria e lumtur, përvujtëria e shenjtë dhe dashuria e pashprehshme. Kundroje pasqyrën në çdo pjesë dhe do ta shohësh të gjithë këtë.

   Vëreje para së gjithash fillimin e kësaj pasqyre dhe do të shohësh varfërinë e atij që është vënë në një grazhd dhe është mbështjellë me shpranga. O përvujtëri e mrekullueshme, o varfëri e mahnitshme! Mbreti i engjëjve, Zotëria i qiellit dhe i tokës është rehatuar në një grazhd!

   Në qendër të pasqyrës do të vëresh përvujtërinë, varfërinë e lumtur si dhe mundimet dhe vuajtjet e panumërta që ai i pësoi për shëlbimin e gjinisë njerëzore.

   Në fund të të njëjtës pasqyrë do të mund të kundrosh dashurinë e pashprehshme për shkak të së cilës ai deshi të vuaj mbi drurin e kryqit dhe në të të vdiste me një lloj vdekjeje që prej të gjitha vdekjeve është ajo më e poshtëruara. Për këtë arsye e njëjta pasqyrë, e vendosur mbi drurin e kryqit, i qortonte kalimtarët që të merrnin parasysh këto gjëra, duke thënë: “O ju të gjithë që udhës kaloni, shikoni e shihni a ka dhimbje si dhimbja ime!” (Vaj 1, 12). T’i përgjigjemi, pra, atij që bërtet dhe ankohet, me një zë dhe me një shpirt të vetëm: “I kujtoj, s’mund t’i harroj e më copëtohet shpirti im” (Vaj 3, 20).

   Duke bërë kështu do të ndizesh me një dashuri gjithnjë e më të fortë, o mbretëreshë e Mbretit qiellor.

   Përveç kësaj kundro edhe gëzimet e pashprehshme, pasuritë dhe nderet e amshuara, psherëtijë me dëshirë të zjarrtë dhe me dashuri në zemër, dhe klith: “Më tërhiq pas vetes! Të vrapojmë drejt erës së këndshme të erërave të tua të mira (Kk 1, 3. 4 volg.), o Dhëndër qiellor. Do të vrapoj, dhe nuk do të pushoj derisa të më fusësh brenda në banesën tënde, derisa e majta jote mos të vihet nën kokën time dhe të më shtrëngojë butësisht me dashuri (krh. Kk 2, 4. 6).

   Në kundrimin e këtyre gjërave, le të të bie ndër mend për mua, nënën tënde, duke ditur se unë e kam shkruar në mënyrë të pashlyeshme kujtimin tënd mbi pllakat e zemrës sime, duke të mbajtur mes të të gjithave si më të dashurën.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 18 /17/, 3

 

   C Ligështuar më janë trupi dhe zemra: * Ti je Hyji i zemrës sime, shkëmbi im, Hyji i amshueshëm.

   D Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin.

   C Ti je Hyji i zemrës sime, shkëmbi im, Hyji i amshueshëm.

 

   Lutja

 

   Në mëshirën tënde, o Zot, ti e frymëzove shën Klarën me dashuri ndaj varfërisë ungjillore, bëj që, me ndërmjetësinë e saj, t’i përngjajmë Krishtit, të varfër dhe të përvujtë, që një ditë të sodisin ty në gëzimin e përsosur të Mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.