Shërbesa e leximeve
Java e nëntëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Krijuesi i madh i sendeve,
sunduesi ynë, shikona;
ne nga pushimi i dëmshëm
zhytur në plogështi shpëtona.
Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;
Ti na i fal fajet tona,
për t’i rrëfyer ngrihemi,
gjumin e natës prishim.
Po ngremë lart mendje e duar,
për të kaluar netët
siç na mësoi profeti
që e vlerësoi dhe Pali.
Ti e sheh të keqen që vuajtëm;
të fshehtat tona i hapim,
me ofshamë po i derdhim lutjet,
na shlyej çka ne mëkatuam.
Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,
dhe ty, o Atë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hyj i diturive,
ty të qoftë brohoritja,
që i shikon zemrat tona
e i ngroh me hirin tënd.
O bari i shkëlqyer,
ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,
në kullota shumë të gratshme
në grigjë të zgjedhur na bashko.
Tmerri i mërisë së gjykatësit
mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,
me ty gjykatës të jemi
dhen në kullotë t’amshuar.
Ty, shpërblimtar, lavdi,
nderim, virtyt, fitore,
që sundon mbi të gjitha
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit
Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).
I (2-19)
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *
brez pas brezi goja ime
do të shpallë besnikërinë tënde.
Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *
në qiell është e themeluar besnikëria jote!
»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim, *
froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«
Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *
kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!
E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *
Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?
I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *
i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë
ata që i rrinë përreth.
O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *
I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!
Ti zotëron kreninë e detit, *
ua ul kryet valëve të tërbuara.
Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *
me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.
Yti është qielli, jotja është Toka, *
ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.
Veriun e jugun ti i krijove, *
Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.
Krahu yt është plot fuqi, *
e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!
Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *
dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.
Lum ai popull që di të brohorasë, *
që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!
Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *
e do të mburret në drejtësinë tënde.
Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *
e me hirin tënd rritet fuqia jonë.
Sepse i Zotit është shqyti ynë, *
mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
II (20-30)
Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †
»Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *
e lartësova një djalosh nga populli.
Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *
e leva me vajin tim të shenjtë.
Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *
dhe krahu im përherë do ta kërthndez.
Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *
i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.
Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *
do t’i zhbij kundërshtarët e tij.
Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *
në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.
Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *
të djathtën e tij përmbi lumenj.
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *
Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,
kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *
më të madhin ndër mbretërit e tokës.
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *
Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej. –
Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *
fronin e tij porsi ditët e qiellit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.
III (31-38)
Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *
e në mos ecshin ligjeve të mia,
po nuk zbatuan vendimet e mia, *
po i shkelën urdhërimet e mia,
me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *
me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.
Por nuk do ta këpus dashurinë me të *
as nuk do ta prish besnikërinë time.
Nuk do ta thyej besëlidhjen time *
as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.
Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *
‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’
Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *
froni i tij para meje si Dielli,
do të qëndrojë për amshim si Hëna, *
dëshmitare besnike mbi re.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.
D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë
C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Mikesë profet 4, 1-7
Popujt do të ngjiten mbi malin e Zotit.
E do të ndodhë në kohë ‑ që do të vijnë: Mali i Shtëpisë së Zotit do të ngallitë mbi majë të maleve, do të lartësohet përmbi kodra! Atëherë tek ai do të ngarendin popujt,
do të shkojnë me nxitim shumë popuj e do të thonë: “Ejani të ngjitemi në Malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit, për të na i mësuar udhët e veta që t'i ndjekim shtigjet e tija!” Sepse Ligji vjen nga Sioni, fjala e Zotit nga Jerusalemi.
Ai do të gjykojë ndërmjet shumë popujve, do t'i shqyrtojë popujt e fuqishëm deri në vende më të largëta. Shpatat e veta do t'i kthejnë në palla, në drapërinj heshtat e veta. Një popull kundër tjetri shpatën s'do ta nxjerrë, s'do ta mësojnë më mjeshtërinë e luftimit!
Secili do të pushojë nën hardhinë e vet, nën hijen e fikut të vet: askush nuk do t'u shtjerë më frikë, sepse kështu ka thënë goja e Zotit të Ushtrive.
Sepse të gjithë popujt ecin, secili në emër të zotit të vet, kurse ne ecim në emër të Zotit, Hyjit tonë tash e përgjithmonë e jetës!
“Po atë ditë ‑ është fjala e Zotit ‑ do ta bashkoj çalamanen, edhe atë që e dëbova, do ta sjell, po edhe atë që e ndëshkova.
Me grigjë tash të çalë do të përftoj Tepricën, popull të fortë me atë që hoq aq keq!” Përmbi ta do të sundojë Zoti në Malin Sion tash e përgjithmonë e jetës!
Përgjigjja Krh. Mik 4, 2; Gjn 4, 25
C Ejani të ngjitemi në Malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit. * Ai do të na i mësojë udhët e veta që t’i ndjekim shtigjet e tija.
D Do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të zbulojë gjithçka.
C Ai do të na i mësojë udhët e veta që t’i ndjekim shtigjet e tija.
Leximi i dytë
Lexim nga “Komenti mbi psalmet ” i shën Augustinit, Ipeshkëv
(Ps 48 /47/, 7; CCL 38, 543-545)
Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit.
“Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim” (Ps 48 /47/, 9). O Kishë e lume! Më parë ke dëgjuar, pastaj ke parë. Kisha ka dëgjuar duke marrë premtimet, tani sheh në realitet; ka dëgjuar në profeci, tani kundron në Ungjill. Në të vërtetë ajo që përmbushet tani ka qenë paralajmëruar më përpara.
Lartësoi sytë dhe hidh një shikim mbi botë! Kundro trashëgiminë e tij të shtrirë gjer në kufijtë e tokës; më në fund shih se si është realizuar tashmë ajo që ishte parathënë: “Të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien e popuj mbarë do t’i shërbejnë” (Ps 72 /71/, 11). Shih se si është përmbushur ç’qe thënë: “Lartësohu, o Hyj, lartë mbi qiell, përmbi mbarë dheun le të shndritë lavdia jote” (Ps 108 /107/, 6). Kundro atë që kishte këmbë dhe duar të shporuara nga gozhdët, eshtrat e të cilit qenë numëruar mbi kryq, mbi rrobat e të cilit qe hedhur shorti. Admiroje mbretërues atë që ata kanë parë të varur në kryq. Kundro të ngritur në qiell atë që ata përçmuan ndërsa ishte shtegtar mbi tokë. Shihi më në fund të realizuara fjalët: “Mbarë skajet e tokës, do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve” (Ps 22/21/, 28).
. Duke parë këtë gjë thërrit me gëzim: “Siç kemi dëgjuar, tani po shohim” (Ps 48 /47/, 9).
Me të drejtë e thërrasin kështu kishën të gjithë popujt: “Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd” (Ps 45 /44/, 11). Dëgjo dhe shiko; dëgjo më parë atë që nuk sheh, do të shohësh në vijim atë që ke dëgjuar. Zoti ka thënë: “Më shërbeu populli që as nuk e njihja: fjalën time e dëgjojnë me bindje” (Ps 18 /17/, 44-45). Populli është bindur pasi ka dëgjuar solemnisht me veshë. Pra, nuk kishte parë përpara.
A nuk të kujtohen edhe fjalët: “Do të shohin atë për çka s’ka qenë treguar e do të kuptojnë atë çka kishin dëgjuar”? (Is 52, 15). Ata tek të cilët nuk qenë dërguar profetët qenë të parët që kanë dëgjuar dhe kuptuar profetët; ata që në fillim nuk i kishin dëgjuar, në vijim, pasi i kanë dëgjuar, kanë mbetur të mahnitur. Përkundrazi, ata tek të cilët qenë dërguar profetët, kanë mbetur të pandjeshëm, duke mbartur me vete vëllimet e ligjit, por pa e kuptuar të vërtetën. Kishin gurët e besëlidhjes, por pa zbatuar të vërtetën e saj. Ne, përkundrazi: “Sikurse kemi dëgjuar, kështu kemi parë”.
“Në qytetin e Zotit të Ushtrive, në qytetin e Hyjit tonë” (Ps 48 /47/, 9). Atje kemi dëgjuar, atje edhe kemi parë. “Hyji e themeloi për amshim” (Ps 48 /47/, 9). Mos të krenohen ata që thonë: Ja, Krishti është këtu apo atje. Ai që thotë: ja, është këtu, ja, është aty, shpie drejt njërës anë. Porse Hyji ka premtuar bashkimin: Mbretërit janë mbledhur së bashku, nuk janë ndarë me skizma (krh. Ps 48 /47/, 5). E pra, merre me mend: ky qytet që tani zotëron botën, një ditë do të shkatërrohet! E pamundur! “Hyji e ka themeluar për çdo kohë”. E atëherë, nëse Hyji e ka themeluar për përjetësinë, përse ke frikë se dridhen themelet e tij?
Përgjigjja Lev 26, 11-12; 2 Kor 6, 16
C Ndër ju do ta ngul Banesën time dhe nuk do t’ju përbuz. Do të jetoj ndër ju, * do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im.
D Ne jemi Tempulli i Hyjit të gjallë, siç tha vetë Hyji:
C do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guxim të të thërrasim Atë, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.