Shërbesa e leximeve
Java e nëntëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E enjte
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nata e zezë mbulon ngjyrat
e çdo sendi të tokës:
duke u rrëfyer të lypim,
gjyqtar i drejtë i zemrave,
që të na shlyesh fajet
të na lash ndyrësinë e mendjes,
e të japësh, o Krisht, hirin
e të na shporren krimet.
Nga prapësitë mpihet mendja,
që e bren faji i dëmshëm;
lakmon të çrrënjosë t’errtat,
të kërkojë ty, Shëlbues.
Dëbo tymin e mjegullën
nga brenda sa më tepër,
të gëzohet duke u vendosur
në dritën e uruar.
Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Krisht, jepu shenjën, lutemi
shërbëtorëve të tu që luten,
kjo mbrapshti e shekullit
të mos na robërojë fenë.
Të mos mendojmë pa mëshirë,
të mos kemi smirë askënd,
të fyer të mos marrim hak,
me të mirë ta mundim të keqen.
Qoftë larg nga zemrat tona
mëri, mashtrim, kreni;
të marrë fund koprracia,
rrënja e gjithë të këqijave.
Të ruajë lidhjet e paqes
dashuria pa mashtrime;
pa njolla qoftë pastria
që vuan nga mizoria.
Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.
Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit
E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet (Lk 1, 69).
IV (39-46)
Por tani e flake dhe e përbuze, *
u zemërove kundër të shuguruarit tënd.
E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *
në llom e hodhe kezën e tij.
I rrënove të tërë muret e tij, *
rrënoja të frikshme kështjellat e tij.
Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *
për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.
E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *
i gëzove të gjithë armiqtë e tij.
Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *
e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.
I dhe fund shkëlqimit të tij, *
e përdhe fronin ia rrëzove.
Ia shkurtove ditët e rinisë, *
e mbulove me poshtërim e turp.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.
Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës së Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.
V (47-53)
Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *
flakë do të ndizet hidhërimi yt?
Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *
Vallë, thua kot i krijove njerëzit?
Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *
prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?
Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *
që me be ia premtove Davidit?
Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *
në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,
që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *
çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.
Qoftë bekuar Zoti për amshim. *
Amen! Amen!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.
Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.
Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne
Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).
O Zot, ti u bëre strehimi ynë *
nga breznia në brezni.
Para se të lindnin malet, †
para se të bëhej toka dhe rruzulli, *
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *
»Kthehuni, bijtë e Adamit!«
Sepse mijëra vjet për sy të tu †
janë si dita e djeshme që kaloi, *
porsi ndërresa e rojës së natës!
Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *
në mbrëmje korret edhe vyshket!
Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *
na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona, *
të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.
Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *
si një ofshamë mbaruan vitet tona.
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje, *
kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.
Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *
felgrimin tënd siç e lyp frika jote?
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove, *
për vjetët që i kaluam në mjerim.
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *
të përparojë vepra e duarve tona.
Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.
D Në ty, o Zot, është burimi i jetës;
C në dritën tënde ne e shohim dritën.
Leximi i parë
Prej librit të Mikesë profet 4, 14 – 5, 7
Mesia që do të vendosë paqen.
Tash, thotë Zoti, gërvishtu, o bija e vragës! Sepse të ngujuar jemi në rrethim; me thupër mollëzën të godasin gjykatësit të Izraelit.
E ti, o Betlehem ‑ Efratë, i vogël ndër qytetet princërore e Judës,
prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin. Zanafilla e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit.
Prandaj Hyji do t'i dorëzojë derisa të lindë ajo që ka për të lindur. Atëherë Teprica e vëllezërve të tij do të kthehet ndër bijtë e Izraelit.
Ai do të ngritet, do të udhëheqë me fuqinë e Zotit, me madhërinë e emrit të Zotit Hyjit të vet. Do të banojnë në qetësi, sepse Ai do të jetë i madh skaj më skaj të vendit:
e Ai ‑ ai vetë do të jetë paqja!
Asyri, nëse do të hyjë në tokën tonë, nëse askurrë shklet në shtëpitë tona, kundër tij do të ngrisim shtatë barinj e tetë krerë të popullit.
Do ta sundojnë me shpatë dheun e Asyrit e me heshta tokën e Nemrodit. Ai do të na shpëtojë nga Asyri, kur të vijë në vendin tonë, nëse i shklet kufijtë tanë.
Atëherë do të jetë Teprica e Jakobit në mes të popujve të panumërt porsi vesa që vjen prej Zotit, porsi shiu që bie mbi bar, që asgjë s'pret prej njeriut, s'shpreson gjë prej bijve të njerëzve.
Atëherë do të jetë Teprica e Jakobit, në mes të popujve të panumërt, si luani mes kafshëve të pyllit, si luanthi mes grigjave të dhenve, që, kur bie, shklet e kap, s'gjendet ai që mund të shpëtojë.
Përgjigjja Krh. Mik, 5, 1. 3. 4; Zak 9, 10
C E ti, o Betlehem, nuk je më i vogli ndër qytetet princërore të Judës: prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin. * Ai vetë do të jetë paqja!
D Kombeve do t’u shpallë paqen. Sundimi i tij prej detit në det.
C Ai vetë do të jetë paqja!
Leximi i dytë
Lexim nga traktati “Ideali i përsosur i të krishterit“ i shën Gregorit nga Nisa, ipeshkëv
(PG 46, 259-262)
Kemi Krishtin që është paqja jonë dhe drita jonë.
“Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një” (Ef 2, 14). Duke menduar se Krishti është paqja, ne do të dëshmojmë se mbajmë denjësisht emrin të krishterë nëse, me anë të asaj paqeje që është në ne, do të shprehim Krishtin me jetën tonë. Ai e ka vrarë armiqësinë (krh. Ef 2, 16), siç thotë Apostulli. Nuk duhet të lejojmë, pra, absolutisht që ajo të rimarrë jetë në ne, por duhet të tregojmë qartë që ka vdekur plotësisht. Mos ta ringjallim sërish, pasi është vrarë prej Hyjit për shëlbimin tonë, mos të hidhërohemi duke shkaktuar shkatërrimin e shpirtit tonë dhe mos të kthejmë në kujtesë sharjet e pësuara, mos të bëjmë gabim të sjellim ne ekzistencë atë që për fatmirësinë tonë është çrrënjosur.
Meqë kemi Krishtin që është paqja jonë, le ta vrasim armiqësinë për të zbatuar në jetën tone fenë që kemi në të.
Ai rrëzoi në vetvete murin që ndante dy njerëzit, prej të dyve bëri një të vetëm duke vënë paqen jo vetëm me ata që na luftojnë nga jashtë, por edhe me ata që ngjallin ngatërresa në veten tonë. Kështu mishi nuk do të mund të ketë më dëshira të kundërta me ata të shpirtit dhe shpirti dëshira në kundërshtim me mishin, por urtësia e mishit do t’i nënshtrohet ligjit hyjnor. Atëherë, të rindërtuar në një njeri të ri dhe dashurues të paqes dhe, pasi prej të dyve kemi një njeri të vetëm, do të bëhemi banesë e paqes.
Paqja është njëzëshmëria ndërmjet dy qenieve kundërshtuese. Pra, tani që është asgjësuar lufta e brendshme e natyrës sonë le të rrisim në ne paqen, atëherë ne vetë do të bëhemi paqja dhe do të tregojmë se kjo cilësi e Krishtit është e vërtetë dhe e mirëfilltë edhe në ne.
Krishti është drita e vërtetë larg nga çdo gënjeshtër. Le të mësojmë nga kjo gjë se edhe jeta jonë duhet të ndriçohet nga rrezet e dritës së vërtetë. Rrezet e diellit të drejtësisë janë po ato virtyte që shkëlqejnë dhe na ndriçojnë për të larguar veprat e errësirës dhe për të ecur ndershmërisht si në dritën e ditës (krh. Rom 13, 13). Le ta përbuzim veprimin e fshehtë dhe të errët dhe le të bëjmë gjithçka në dritën e ditës, e kështu edhe ne do të bëhemi dritë, dhe, sikurse është veti e dritës, do të ndriçojmë të tjerët me anë të veprave tona të mira.
Krishti është shenjtërimi jonë, prandaj le t’u rrimë larg veprimeve dhe mendimeve të këqija dhe të papastra. Kështu do të tregohemi me të vërtetë pjesëmarrës të emrit të tij dhe do të tregojmë forcën e shenjtërisë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Përgjigjja Krh. Lk 1, 78. 79
C Do të na vijë në pasi prej qiellit dielli: * do t’i drejtojë hapat tanë në udhën e paqes.
D Do t’i shndrisë ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes.
C do t’i drejtojë hapat tanë në udhën e paqes.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guxim të të thërrasim Atë, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.