Shërbesa e leximeve

14 gusht, Shën Maksimilian Maria Kolbe, meshtar dhe martir

 

Përkujtim

 

   Maksimilian Maria Kolbe lindi në Poloni më 8 janar 1894; hyri ende i ri ndër Konventualët Minorë dhe u shugurua meshtar në romë në vitin 1918.

   Me një përkushtim të veçantë ndaj Nënës Virgjër, themeloi “Ushtrinë e Zojës së Papërlyer”, që e përhapi në atdhe dhe në të tjera anë të botës.

   Misionar në Japoni, filloi të përhapë fenë e krishterë me fjalën dhe me shtypin.

   Kur u kthye pas disa vitesh në atdhe, vazhdoi veprimtarinë e vet apostolike dhe mariane.

   Gjatë luftës së dytë botërore, qe dërguar në kampin e përqendrimit të Auschwitz-it ku e ofroi jetën e vet në vend të asaj të një shoku burgu. Vdiq në bunkerin e urisë më 14 gusht 1941.

   Qe shpallur të lumtur nga Pali VI në vitin 1971 dhe kanonizuar, me titullin e martirit, më 10 tetor 1982, nga Gjon Pali II.

 

   Nga Përbashkorja e një martiri (fq. 1563) ose e barinjve (fq. 1588) me psalmet e ditës në psalter

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Martir, bëje të lumtur

   ditën tënde të ngadhënjimit,

   që ty fitues të jepet

   shpërblim kurora e gjakut.

 

   Me këtë nga errësira e shekullit

   xhelat mposhte e gjykatës,

   ky të ngriti në qiell e ditët

   triumfues në Krishtin t’i bëri.

 

   Tashti pjesëtar me engjëjt

   shkëlqen me rrobë të shquar,

   që dëshmues i/e pamposhtur

   në përrenj gjaku e lave.

 

   Tash më rri pranë e lutu,

   që Krishti i qetë ndaj t’vetve

   ta kthejë veshin mëshirues,

   mos t’i njehë gjitha fajet.

 

   Paksa këtu depërton

   nga Krishti lyp mbështetje,

   që shqiset e rënduara

   të ndiejnë lehtësinë e faljes.

 

   Atit dhe Birit nderi

   bashkë me Shpirtin jetëdhënës,

   ty kurorë t’përjetshme

   të vënë në treme të lumturisë. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

   Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot

 

   I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).

 

   I (2-13)

 

Më shpëto, o Hyj, *

   sepse ujët më arriti deri në fyt!

 

Jam ngulur thellë në baltë, *

   s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:

kam rënë në pellgun e ujërave *

   e valët po më mbulojnë.

 

U këputa duke lëshuar kushtrim, †

   m’u tha krejtësisht gurmazi, *

   m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.

 

Më shumë se flokët e kresë sime *

   janë ata që më urrejnë pa të drejtë.

U forcuan ata që më salvuan,

   armiqtë e mi rrenacakë: *

   çka nuk vodha më duhej të ktheja?

 

O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *

   fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.

 

Mos lejo të skuqen në mua *

   ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,

mos lejo të turpërohen në mua *

   ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!

 

Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *

   marrja ma mbuloi fytyrën,

u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *

   i panjohur për bijtë e nënës sime.

 

Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *

   përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.

E ndëshkova veten me agjërim, *

   por kjo m’u kthye në çnderim;

 

për petk vesha grathoren, *

   përrallë e lodër u bëra për ta.

Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *

   pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

   II (14-22)

 

E pra, unë ty të lutem, o Zot, *

   në kohën e përshtatshme, o Hyj,

më vështro pashë dashurinë tënde, *

   pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!

 

Më nxirr nga lymi të mos humbas, †

   më shpëto prej atyre që më urrejnë, *

   prej ujërave të thella!

 

Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †

   mos lejo të më përpijë thellësia, *

   të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!

 

Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *

   shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *

   sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!

Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *

   për shkak të armiqve të mi, më shpërble.

 

Ti e sheh çnderimin tim, †

   marrjen time e »nderimin« tim: *

   para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.

 

Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †

   prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *

   ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.

 

Në ushqim më qitën vrer *

   e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   III (30-37)

 

Mua të mjerin e të pikëlluarin: *

   më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!

 

Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *

   do ta lartësoj me këngë falënderjeje.

Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *

   më tepër se demi me brirë e me thundra!

 

Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *

   kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *

   s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 

Le ta lavdërojnë qielli e toka, *

   detet dhe gjithçka lëviz në to.

 

Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †

   Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *

   aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

 

Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *

   në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.

 

   D Zoti na i mësoftë udhët e veta:

   C dhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Mikesë profet 6, 1-15

 

   Zoti e gjykon popullin e tij.

 

   Dëgjoni se çfarë thotë Zoti: “Në këmbë! Mbrohu në gjyq përpara Maleve edhe Kodrat le të ta dëgjojnë zërin!”

   Dëgjoni, Male, gjykimin e Zotit, vëni vesh, themelet e tokës, sepse Zoti me popull të vet po gjykohet, Izraelin Ai po e pandeh:

   “Çka të kam bërë, populli im? E me çka ty ta mërzita? Më përgjigj!

   Të nxora nga dheu i Egjiptit, të shpëtova prej shtëpisë së skllavërisë, para teje çova Moisiun, Aronin edhe Marinë!

   Populli im, të bie në mend, të lutem, ç'synoi Balaku, mbreti i Moabit? Ç'gjegje i dha Balaam Beori? Nga Setimi deri në Galgalë për t'i njohur veprat e drejta të Zotit.”

   “Çka kam të denjë t'i kushtoj Zotit kur bie në gjunjë para të Tejetlartit Hyj? T'i kushtoj, vallë, fli shkrumbimi ose viça që e mbushën vitin?

   A thua Zotit do t'i pëlqejnë? mijëra deshësh e përrenj vaji me miliarda? T'i kushtoj, thua, të parëlindurin si shpërblim për fajin tim, frytin e kraharorit tim për mëkat që bëra?”

   “T'është dëftuar ç'është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: s'kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!”

   Zëri i Zotit përhapet qytetit ‑ është urti të druhet emri yt ‑ : “Dëgjoni, fis e kuvendi i qytetit!

   A mund ta duroj batin e rremë, efin e zvogëluar, të mallkuarin?

   Mund t'i shfajësoj peshoret e rreme, qeset e peshave mashtruese?

   Plot paudhësi janë të pasurit e qytetit, sa herë flasin, banorët e tij rrejnë gjuhë gënjeshtare kanë në gojën e tyre.

   Prandaj zura të të godas, të të shkretoj për mëkate të tua!

   Do të hash, por nuk do të ngihesh, gjendja jote e mjerë në ty do të mbesë. Do të ndash mbanash, por s'do të shpëtosh gjë, po edhe nëse do të shpëtosh gjë, do t'ia fal shpatës.

   Do të mbjellësh e s'do të korrësh, do të shtrydhësh ullinj e me vaj s'do të lyhesh, do të shtrydhësh rrush e verë s'do pish”.

 

   Përgjigjja Krh. Mik 6, 8; Ps 37 /36/, 3

 

   C T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: * Zbatoje drejtësinë, duaje mirësinë, jeto kujdesshëm me Hyjin tënd.

   D Shpreso në Zotin e bëj mirë: kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe.

   C Zbatoje drejtësinë, duaje mirësinë, jeto kujdesshëm me Hyjin tënd.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga letrat e shën Maksimilian Maria Kolbe

   (Krh. Shkrimet e Maksimilian M. Kolbe, përkthim italian, Vëll. I, Firenze 1975, fq. 44-46. 113-114)

 

   Zelli apostolik për shpëtimin dhe shenjtërimin e shpirtrave

 

   Jam i mbushur me gëzim, vëlla fort i dashur, për zellin e zjarrtë që të shtyn të nxitësh lavdinë e Hyjit. Në kohët tona, vërejmë, jo pa trishtim, përhapjen e “indiferentizmit”. Një sëmundje pothuajse ngjitëse që shkon duke u përhapur në forma të ndryshme, jo vetëm tek besimtarët në përgjithësi, por edhe mes anëtarëve të instituteve rregulltare. Hyji është i denjë për lavdi të pakufi. Shqetësimi ynë i parë dhe kryesor duhet të jetë t’i japim lavdi në masën e dobësive të forcave tona, të vetëdijshëm se nuk mund ta lavdërojmë aq sa e meriton.

   Lavdia e Zotit shkëlqen para së gjithash në shpëtimin e shpirtrave që Krishti i ka shëlbuar me gjakun e tij. Dhe nga kjo rrjedh se detyra parësore e misionit tonë apostolik është që të dhurojë shpëtimin dhe shenjtërimin e një numri sa më të madh të shpirtrave. Dhe ja, me fjalë të pakta mjetet më të përshtatshme për të arritur lavdinë e Hyjit në shenjtërimin e shpirtrave. Hyji, shkenca dhe urtia e pafund, që njeh në mënyrë të përsosur atë që duhet të bëjmë për të rritur lavdinë e tij, e tregon normalisht vullnetin e tij nëpërmjet përfaqësuesve të tij mbi tokë.

   Dëgjesa, dhe ajo e vetmja, është ajo që na e tregon me siguri vullnetin hyjnor. Është e vërtetë se eprori mund të gabojë, por ai që dëgjon nuk gabon. I vetmi përjashtim është kur eprori të urdhëron diçka që shumë qartë, edhe në gjëra të vogla, shkon kundër ligjit hyjnor. Në këtë rast ai nuk është më shprehës i vullnetit të Hyjit.

   Hyji është gjithçka: vetëm ai është i pakufi, tejet i urtë, Zotëri tejet zemërbutë, krijues dhe Atë, fillim dhe mbarim, urti, pushtet dhe dashuri. Gjithçka që ekziston jasht Hyjit ka vlerë vetëm nëse i drejtohet atij, që është krijuesi i të gjitha gjërave, shëlbues i njerëzve, qëllimi i fundit i të gjitha krijesave. Ai na e shfaq vullnetin e tij dhe na tërheq nga vetja nëpërmjet përfaqësuesve të tij mbi tokë, duke dashur të shërbehet me ne për të tërhequr nga vetja shpirtra të tjerë dhe për t’u bashkuar me të në dashuri të përkryer.

   Merre para sysh, vëlla, sa e madhe është, në saje të mëshirës së Hyjit, dinjiteti e gjendjes sonë. Nëpërmjet udhës së dëgjesës ne i tejkalojmë kufijtë e vogëlsisë sonë, dhe i përshtatemi vullnetit të Hyjit i cili na udhëheq që të veprojmë drejt me urtinë dhe maturinë e tij të pafund. Duke e pranuar këtë vullnet hyjnor të cilit asnjë krijesë nuk mund t’i bëjë ballë, bëhemi më të fortë se të gjithë.

   Ky është shtegu i urtisë dhe i maturisë, e vetmja udhë në të cilën ne mund t’i japin Hyjit lavdinë më të madhe. Po të ekzistonte një udhë e ndryshme dhe më e përshtatshme, Krishti me siguri do e shfaqte me fjalë dhe me shembull. Periudha e gjatë e jetës së fshehtë të Nazaretit është e përmbledhur në Shkrimin shenjt me këto fjalë: “Dhe i dëgjonte.” (Lk 2, 51). E gjithë pjesa tjetër e jetës së tij është nën shenjën e dëgjesës, duke treguar shpeshherë se Biri i Hyjit ka zbritur mbi tokë për të kryer vullnetin e Atit.

   Ta duam, pra, vëllezër, me gjitha fuqitë tona Atin qiellor që është plot me dashuri për ne; dhe dëshmia e dashurisë sonë të përkryer le të jetë dëgjesa, për t’u ushtruar para së gjithash kur na kërkon të flijojmë vullnetin tonë. Vërtet nuk njohim libër tjetër më të madhërishëm se sa Jezu Krishtin e Kryqëzuar, për të përparuar në dashurinë e Hyjit. Të gjitha këto gjëra do t’i fitojmë më lehtë nëpër ndërmjetësinë e Virgjërës së Papërlyer që Hyji, në mirësinë e tij, e bëri shpërndarëse të mëshirës së tij. Nuk ka asnjë dyshim se vullneti i Marisë është vetë vullneti i Hyjit. Duke iu kushtuar asaj, bëhemi në duart e saj mjete të mëshirës hyjnore, ashtu siç ishte edhe ajo në duart e Hyjit.

   Të lejojmë, pra, të jemi të udhëhequr nga ajo, të lëmë të udhëhiqemi për dore, të qetë dhe të sigurt nën udhëheqjen e saj. Maria do të mendojë për të gjitha ato që kemi nevojë, do të na i jap të gjitha dhe duke larguar çdo ngushtësi dhe vështirësi do t’u vijë menjëherë në ndihmë nevojave tona trupore dhe shpirtërore.

 

   Përgjigjja Krh. Ef 5, 1-2

 

   C Përngjani Hyjit dhe ecni në dashuri * sikurse Krishti na deshi ne.

   D Dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli “erëmirë”.

   C Sikurse Krishti na deshi ne.

 

   Lutja

 

   O Hyj, që i dhe Kishës sate shën Maksimilian Kolben, meshtar dhe martir, të ndezur me dashuri ndaj Virgjrës së Papërlyer, dhe plotësisht të kushtuar misionit apostolik dhe shërbimit heroik ndaj të afërmit, me ndërmjetësinë e tij, bëj që edhe ne, në lavdi të emrit tënd, të angazhohemi pa pushim për të mirën e mbarë njerëzimit që, t’i përngjasojmë në jetë dhe në vdekje Krishtit birit tënd. Që me ty jeton.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.