Shërbesa e leximeve

15 gusht, Të ngriturit e shën Marisë Virgjër në qiell

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Sot Nëna e Krishtit është ngritur në qiell: ta lavdërojmë Birin, Zotëruesin e botës.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Sot Nëna e Krishtit është ngritur në qiell: ta lavdërojmë Birin, Zotëruesin e botës.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Sot Nëna e Krishtit është ngritur në qiell: ta lavdërojmë Birin, Zotëruesin e botës.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Sot Nëna e Krishtit është ngritur në qiell: ta lavdërojmë Birin, Zotëruesin e botës.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Sot Nëna e Krishtit është ngritur në qiell: ta lavdërojmë Birin, Zotëruesin e botës.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Sot Nëna e Krishtit është ngritur në qiell: ta lavdërojmë Birin, Zotëruesin e botës.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Sot Nëna e Krishtit është ngritur në qiell: ta lavdërojmë Birin, Zotëruesin e botës.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Si agimi flakërues,

   përshkon lartësitë e qiellit

   si diell plot dritë Maria,

   si hëna shumë e bukur.

 

   Sot mbretëresha e botës

   në fron të lavdisë hypi,

   plot zell me vajtë te i Biri,

   që është para yllit t’dritës.

 

   E ngritur përmbi engjëjt

   dhe tërë vallet qiellore,

   gjithë vlerave të shenjtërve

   përmbi u del një femër.

 

   Atë që kish ngrohë n’krahnor,

   dhe kish vendosë në grazhd,

   tash mbret mbi gjithë krijesat

   e sheh në lumni t’Atit.

 

   Për ne, Virgjër e virgjërave,

   lypi me ngulm tyt Biri

   që me anë tënde kish marrë tonat,

   ne t’na blatojë të vetat.

 

   Lavdi Atit me Birin

   dhe Shpirtin Shenjt u qoftë,

   që ty mbi t’gjithë stolisën

   me lumni t’lartë qiellore. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Eja, o Virgjër Mari, e kurorëzuar me bukuri: hyr në shtëpinë e Zotërisë tënd.

 

Psalmi 24 /23/ (1-10)

 

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *

   rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete, *

   dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *

   e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †

   ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *

   ai që nuk përbehet në rrenë.

 

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *

   shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *

   e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †

   Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!«

 

Kush është ky Mbreti i lavdisë? †

   Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *

   Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

 

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †

   lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *

   Ai, Zoti i Ushtrive,

   ai vetë është Mbreti i lavdisë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1 Eja, o Virgjër Mari, e kurorëzuar me bukuri: hyr në shtëpinë e Zotërisë tënd.

 

Ant. 2 Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu: në tendën e vet të bëri të banosh.

 

Psalmi 46 /45/ (2-12)

 

Hyji është për ne strehim dhe fuqi, *

   ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.

 

Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka *

   dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!

Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tij, *

   le të dridhen malet në furinë e tij!

 

Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, *

   tendat e shenjta të të Lartit Zot.

 

Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë, *

   Hyji i ndihmon herët në agim.

Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, *

   bubulloi Zoti, toka u shkri!

 

Zoti i Ushtrive është me ne, *

   strehimi ynë, Hyji i Jakobit!

 

Ejani e shikoni veprat e Zotit *

   - mrekullitë që i bëri ai përmbi dhé!

 

Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, †

   do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, *

   mburojat në zjarr do t’i djegë.

 

Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, *

   i madhërueshëm mbi popuj,

   i madhërueshëm mbi tokë!

 

Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, *

   strehimi ynë, Hyji i Jakobit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 2 Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu: në tendën e vet të bëri të banosh.

 

Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme këndohen për ty, o Virgjër Mari!

 

Psalmi 87 /86/ (1-7)

 

Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †

   Zoti i do më shumë dyert e Sionit *

   se të gjitha banesat e Jakobit.

 

Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *

   o Qyteti i Hyjit!

 

»Po përmend Rahabin e Babiloninë

   ndër ato që më njohin; †

   ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *

   - edhe ato lindën atje«.

 

Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *

   sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«

 

Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *

   »Këta lindën atje!«

Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *

   »Të gjitha burimet e mia janë në ty!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme këndohen për ty, o Virgjër Mari!

 

   D E lumja ti, o Mari, që besove!

   C Në ty do të plotësohet fjala e Zotit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve 1, 16 - 2, 10

 

   Vëllezër, nuk pushoj të falënderohem për ju e t'ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t'ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t'ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij,

   të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell,

   mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme.

   Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës,

   e cila është Trupi i tij, plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.

   Edhe ju ishit të vdekur për shkak të fajeve e të mëkateve tuaja, në të cilat dikur keni jetuar, kur ndiqnit parimet e këtij shekulli, të prijësit që sundon mes qiellit e të tokës, sipas atij shpirti që tani vepron në bijtë e padëgjesës... Ndër ta edhe ne dikur jetonim në prirjet e prujta të mishit e të gjakut tonë duke i kënaqur epshet e mishit e të sedrës dhe, prej natyre, ishim edhe ne, si tjerët, bij të lëshuar në dorë të hidhërimit.

   Porse Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: që me mirësinë e tij ndaj neve në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të veten. Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s'vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet. Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Hyji i përgatiti qysh më parë që të jetojmë në to.

 

   Përgjigjja

 

   C E bukur dhe krejt e lavdishme, Virgjëra Mari kalon prej kësaj bote te Krishti; * shkëlqen në mes shenjtërve porsi dielli në mes yjeve.

   D Galdojnë engjëjt, gëzohen kryeengjëjt për ngritjen e Zojës:

   C shkëlqen në mes shenjtërve porsi dielli në mes yjeve.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga Kushtetuta Apostolike “Munificentissimus Deus” i Piut XII, papë

   (AAS 42 [1950], 760-762. 767-769)

 

      I shenjtë dhe i lavdishëm është trupi i Virgjërës Mari

 

   Etërit e shenjtë dhe mësuesit e mëdhenj në predikimet dhe në fjalimet, e drejtuara popullit me rastin e festës së sotme flisnin për Ngritjen e Nënës së Hyjit në qiell si për një doktrinë që ishte e pranishme në ndërgjegjen e besimtarëve dhe e dëshmuar nga ata; i shpjegonin gjerësisht kuptimin, i përpikësonin dhe i thellonin përmbajtjen, dhe i sqaronin arsyet e mëdha teologjike. Ata vinin në pah në mënyrë të veçantë se objekti i festës nuk ishte vetëm fakti se trupi i vdekshëm i së lumturës Virgjër Mari është ruajtur nga çdo shkatërrim, por edhe ngadhënjimin e saj mbi vdekjen, në mënyrë që Nëna të imitonte shembullin, do të thotë që t’i ngjasonte Birit të saj të vetëm, Krishtit Jezus.

   Shën Gjoni i Damaskut, i cili mes të gjithëve dallohet si dëshmitar i shquar i kësaj tradite, duke e parë Ngritjen trupore në qiell të së madhes Nënës së Hyjit në dritën e privilegjeve të saj të tjera, thërret me gojëtari të fortë: “Ajo që në lindje e kishte ruajtur të paprekshme virgjërinë e saj duhej edhe ta ruante nga çdo shkatërrim trupin e saj pas vdekjes. Ajo që kishte bartur në kraharorin e saj Krijuesin, të bërë foshnje, duhej të banonte në tabernakujt hyjnor. Ajo, që u dha nuse nga vetë Ati, nuk mund të mos gjente banesë në selitë qiellore. Duhej ta kundronte Birin e saj në lavdinë e së djathtës së Atit, ajo që e kishte parë në kryq, ajo që, e ruajtur nga dhimbja, kur e nxori në dritë, u tejshkua nga shpata e dhimbjes kur e pa duke vdekur. Ishte gjë e drejtë që Nëna e Hyjit të kishte atë që i përkiste Birit, e që të nderohej nga të gjitha krijesat si Nëna dhe shërbëtorja e Hyjit”.

   Shën Germani i Kostantinopolit mendonte se pashkatërrueshmëria dhe ngritja në qiell e trupit të Virgjërës Mari nënës së Hyjit jo vetëm i përshtateshin amësisë së saj hyjnore, por edhe shenjtërisë së veçantë të trupit të saj virgjëror: “Ti, siç është e shkruar je krejtësisht e shkëlqyeshme” (krh. Ps 45 /44/, 14); dhe trupi yt virgjëror krejt i shenjtë, krejt i pastër, krejt tempull i Hyjit. Për këtë arsye nuk mund ta njihte shkatërrimin e varrit, por, edhe pse duke i ruajtur tiparet e saja natyrore, duhej të shndërrohej në dritën e pashkatërrueshmërisë, të hynte në një qenësi të re dhe të lavdishme, të gëzonte lirinë e plotë dhe jetën e përkryer”.

   Një shkrimtar tjetër i lashtë shkruan: “Krishti, Shpëtimtari dhe Hyji ynë, dhuruesi i jetës dhe i pavdekësisë, ishte ai vetë që i rikthen jetën Nënës. Ishte ai që e bëri atë që e kishte lindur, të njëjtë me veten në pashkatërrueshmërinë e trupit, dhe këtë përgjithmonë. Ishte ai që e ringjalli nga vdekja dhe e pranoi pranë vetes, nëpërmjet një udhe të cilën vetëm ai e njeh”.

   Të gjitha këto mendime dhe arsyetime të etërve të shenjtë, si dhe ato të teologëve mbi të njëjtën temë, kanë si themel të tyre Shkrimin shenjt. Dhe vërtet, Bibla na e paraqet Nënën e shenjtë të Hyjit të bashkuar ngushtë me Birin e saj Hyjnor dhe gjithmonë solidare me të, si dhe bashkëpjesëtare të gjendjes së tij.

   Për sa i përket Traditës, pastaj, nuk duhet harruar se që nga shekulli i dytë Virgjëra Mari paraqitet nga Etërit e shenjtë si Eva e re, thellësisht e bashkuar me Adamin e ri, ndonëse e nënshtruar atij. Nënë dhe Bir shfaqen gjithmonë të bashkuar në luftën kundër armikut të ferrit; lufta që, ashtu siç ishte paralajmëruar në librin e Zanafillës (krh. Zan 3, 15), do të përfundonte me fitoren e plotë mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, mbi ata armiq të cilët Apostulli i popujve i paraqet gjithmonë të lidhur ngushtë (krh. Rom kap. 5 dhe 6; 1 Kor 15, 21-26; 54-57). Pra, ashtu siç ishte ringjallja e lavdishme e Krishtit pjesë thelbësore dhe shenjë përfundimtare e kësaj fitoreje, ashtu edhe për Marinë lufta e përbashkët duhej të përfundonte me lavdërimin e trupit të saj virgjëror, sipas thënies së Apostullit: “Kur ky trup i shkatërrueshëm, të veshë pashkatërrueshmërinë dhe ky trup i vdekshëm të veshë pavdekshmërinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit shenjt: ‘Vdekja u përpi në fitore.’” (1 Kor 15, 54; krh. Oz 13, 14).

   Në këtë mënyrë Nëna madhështore e Hyjit, e bashkuar në mënyrë të mistershme me Jezu Krishtin që nga amshimi “me një vendim të njëjtë” të paracaktimit, e panjollë në ngjizjen e saj, virgjër krejt e dlirë në amësinë e saj hyjnore, shoqëruese bujare e Shëlbuesit hyjnor, fitimtar mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, në fund e fitoi kurorëzimin e madhështive të saja, duke tejkaluar shkatërrimin e varrit. E mundi vdekjen, siç e kishte bërë Biri i saj, dhe u ngrit me shpirt dhe me trup në lavdinë e qiellit, ku shkëlqen Mbretëreshë në të djathtën e Birit të saj, Mbret i pavdekshëm i shekujve.

 

   Përgjigjja

 

   C Ja dita e shndritshme, në të cilën Nëna e Hyjit u ngrit në qiell; të lavdërojmë dhe të brohorasim të gjithë: * E bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuar fryti i barkut tënd.

   D E lumtur je ti, o shenjta Virgjëra Mari, dhe meriton çdo lëvdatë: prej teje lindi dielli i drejtësisë, Krishti Shpëtimtar.

   C E bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuar fryti i barkut tënd.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm e i amshuar, që e ngrite në lumturinë e qiellit me trup e me shpirt shën Marinë Virgjër, Nënën e papërlyer të Birit tënd; bëj t’i kemi gjithherë parasysh të mirat qiellore, që të bëhemi pjesëtarë të lumturisë së saj. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.