Shërbesa e leximeve
Java e njëzetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Është koha e mesit natës;
nxit zëri profetik
t’i këndojmë lavde Hyjit,
Atit gjithmonë e Birit,
Si edhe Shpirtit të Shenjtë:
Trinia e përsosur
e një gjëje të vetme
nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
Kjo kohë ka edhe tmerrin,
ku engjëlli shkatërrues
vdekjen i solli Egjiptit,
shfarosi të parëlindurit.
Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
pse atëherë po atje engjëlli
s’kishte guxuar t’ndeshkonte
nga frika e shenjës s’gjakut.
Egjipti rëndë vajtonte
nga shuarja e rreptë e djemve;
veç Izraeli gëzonte
mbrojtur nga gjaku i qengjit.
Izraeli i vërtetë ne jemi:
në Ty, o Zot, gëzohemi,
duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
fatlume ditë fitore e Krishtit,
ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
dita e parë.
Dritë hyjnore u ndriçon të verbëtve,
në cilën Krishti shkreton ferrin,
vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
t’ultat me t’lartat.
Vendimi i mbretit të amshuar
nën mëkat fund u dha të gjithave;
që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
njerëzve të dobët.
Virtyti i Hyjit e dija
mërinë me mirësi zbuti
atëherë kur bota në greminë
tërësisht po rrokollisej.
I lirë u ngjall përsëri nga ferri
restaurator i farës njerëzore
delen e vet mbi supa duke e mbartur
në vise t’epra.
Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
rritet plotësimi i radhëve qiellore,
lavdi i ka hije Hyjit ngadhënjimtar,
lavdia e amshuar.
Harmonia e atdheut qiellor
përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
“Aleluja” sot grumbulloftë me turma
grigjat besnike.
Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
paqe në tokë, dhe brohoritje
qofshin ndër qiej. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (fq. 499).
Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e vet
Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Psalmi 66 /65/ Himn falënderimi në rastin e flijimit
Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).
I (1-12)
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †
këndoni lavdisë së Emrit të tij, *
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.
Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«
Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik, †
këmbë e kaluan lumin *
për këtë galdojmë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †
sytë e tij vërejnë përmbi popuj *
që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.
Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *
dhe shpalleni lavdinë e tij!
Ai i dha shpirtit tonë jetën, *
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *
porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.
Ti vetë na qite në leqe, *
barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.
Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †
na përshkove nëpër zjarr e ujë, *
por më vonë na dhe pushim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
II (13-20)
Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *
para teje do t’i çoj në vend kushtet,
që i premtova me buzët e mia, *
që i thashë me gojë kur isha në rrezik.
Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †
bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *
do të të kushtoj qe edhe cjep!
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *
do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
Me gojën time e thirra në ndihmë, *
dhe me gjuhën time e madhërova.
Po të mendoja të keqen në zemrën time, *
Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.
Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *
i vuri vesh zërit të lutjes sime.
Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time *
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dëgjoni, të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
D Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese,
C më përshkuese se shpata dy teheshe.
Leximi i parë
Prej librit të Isaisë profet 6, 1-13
Thirrja e Isaisë profet.
Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin. Serafinët qëndronin në këmbë përngjat tij; secili kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonin fytyrën e vet, me dy mbulonin këmbët e veta dhe me dy fluturonin.
I brohoritnin njëri‑tjetrit: “Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me Lavdinë e tij!”
E u dridhen pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe Shtëpia u mbush me tym.
Unë thashë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra, e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!”
Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri;
Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!”
Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë përgjigja: “Qe, ku më ke, çomë mua!”
Ai tha: “Shko e thuaj këtij populli:
'Mirë dëgjoni, por gjë mos kuptoni, mirë shikoni, por gjë mos njihni!'
Bëje të trashë zemrën e këtij “mileti”, shurdhoja veshët, verboja sytë, që të mos shohë me sytë e vet, të mos dëgjojë me veshët e vet, të mos kuptojë me zemrën e vet e të mos kthehet dhe të mos shërohet!”
Unë pyeta: “Deri kur, o Zot?” Ai u përgjigj: “Derisa të mbesin shkretë qytetet pa banorë, shtëpitë pa njeri e toka të lihet djerr.”
Gjinden Zoti larg do ta tresë e do të jetë shkretëtim i madh në vend,
po edhe e dhjeta pjesë që në të do të mbesë përsëri do t'i dorëzohet vrasjes, do të pritet si terebinti e qarri, të cilëve s'u shpëton tjetër, pos cungut. Cungu i mbetur farë do të jetë e shenjtë.
Përgjigjja Krh. Zb 4, 8; Is 6, 3
C Shenjt! Shenjt! Shenjt! Zoti, Hyji i Gjithëpushtetshëm, Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë! * Plot është toka me lavdinë e tij.
D Serafinët i brohoritnin njëri-tjetrit: Shenjt! Shenjt! Shenjt! Zoti i Ushtrive.
C Plot është toka me lavdinë e tij.
Leximi i dytë
Lexim nga “Homelitë mbi Ungjillin sipas Mateut” të shën Gjon Gojartit, ipeshkëv
(Pred. 15. 6. 7; PG 57, 231-232)
Kripë e tokës dhe dritë e botës.
“Ju jeni kripa e tokës” (Mt 5, 13). Ju është besuar shërbesa e fjalës, thotë Krishti, jo për veten tuaj, por për botën mbarë. Nuk po ju dërgoj në dy, dhjetë, apo njëzet qytete apo tek ndonjë popull i veçantë, si në kohën e profetëve, por po ju dërgoj në tokë, në det, në mbarë botën, në këtë botë kaq të prishur. Ndërsa thotë “ju jeni kripa e tokës”, lë të kuptojë se njeriu është i çnatyrëzuar dhe i prishur nga mëkatet. Prandaj kërkon nga të vetët ato virtyte që janë më shumë të nevojshme dhe të dobishme për të shpëtuar të tjerët. Një njeri i butë, i përvuajtur, i mëshirshëm dhe i drejtë nuk i mban të fshehura për vete virtytet e tilla, por bën në mënyrë që këto gurra të shkëlqyeshme të burojnë për të mirën e të tjerëve. Edhe ai që ka një zemër të pastër, paqedashëse dhe vuan për të vërtetën, ia kushton jetën e vet së mirës së të të gjithëve.
Duket sikur thotë: mos besoni se jeni të thirrur për luftëra të vogla dhe për të përmbushur vepra pa vlerë. Jo. Ju jeni “kripa e tokës”. Në ç’përfundim ju solli kjo karakteristikë? Ndoshta për të shëruar atë që ishte kalbur? Sigurisht se jo. Kripa nuk e shpëton atë që është kalbur. Apostujt nuk kanë bërë këtë gjë. Por përpara Hyji përtërinte zemrat dhe i çlironte nga prishja, pastaj ua besonte apostujve, atëherë ata bëheshin me të vërtetë “kripa e tokës” duke mbajtur dhe ruajtur njerëzit në jetën e re që morën nga Zoti. Çlirimi i njerëzve nga mëkati është vepër e Krishtit, por pengimi për të rënë edhe një herë në gjendjen e mëparshme të mjerimit i takon vëmendjes dhe përpjekjeve të apostujve.
Vini re, pastaj, si tregon se janë më të mirë se profetët. Nuk thotë se janë mësues vetëm të Palestinës, por të mbarë botës. Mos u çuditni, pra, duket se vazhdon të thotë Jezusi, nëse vëmendja ime ndalohet me parapëlqim përmbi ju dhe nëse ju thërras për të përballuar vështirësi kaq të mëdha. Merreni me mend cilët dhe sa janë qytetet, popujt dhe kombet tek të cilët po ju dërgoj. Prandaj dua që jo vetëm të jeni shenjtër për vetveten, por të bëni edhe të tjerët si ju. Pa këtë nuk do t’i mjaftoni as vetes suaj.
Të tjerëve që janë në gabim do t’u mundësohet kthimi nëpërmjet jush; por nëse do të bini ju, do të zvarritni edhe të tjerët drejt shkatërrimit. Sa më të rëndësishme janë detyrat që u janë besuar, aq më shumë keni nevojë për një angazhim më të madh. Prandaj Jezusi pohon: “Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit” (Mt 5, 13). Sepse, pastaj, duke dëgjuar fjalinë: “Kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë” (Mt 5, 11), duket se do të thotë që të mos kenë frikë për të ecur përpara: nëse nuk do të jeni gati ndër prova ju kam zgjedhur më kot. Kështu do të vinë mallkimet si dëshmi e dobësisë suaj. Nëse nga frika e keqtrajtimeve nuk do të shfaqni atë gjallëri që u ka hije, do të pësoni gjëra shumë më të këqija, do t’u dalë fama e keqe dhe do të bëheni objekt sharjesh për të gjithë. Kjo do të thotë të qenit të shkelur.
Menjëherë më pas kalon në një analogji më të lartë: “Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi” (Mt 5, 14-15). Përsëri thotë e botës, jo e një populli të vetëm apo e njëzet qyteteve, por e mbarë gjithësisë: dritë e kuptueshme, më e shndritshme se rrezet e diellit. Flet më parë mbi kripën e pastaj mbi dritën, për të treguar përparësinë e një fjale plot me komunikim që e ka doktrinën e lartë dhe të shndritur. “Nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi” (Mt 5, 15). Me këto fjalë i nxit edhe një herë për të qenë të vëmendshëm ndaj sjelljes së tyre duke u kujtuar se janë në sytë e të gjithëve dhe se veprojnë nën shikimin e mbarë tokës.
Përgjigjja Krh. Vap 1, 8; Mt 5, 16
C Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju. * Do të bëheni dëshmitarët e mi deri në skajin e botës.
D Të shndrisë drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj.
C * Do të bëheni dëshmitarët e mi deri në skajin e botës.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan. Ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde që, duke të dashur ty në gjithçka e mbi gjithçka, t’i fitojmë premtimet e tua që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.