Shërbesa e leximeve

Java e njëzetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhnueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme.Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjtë

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.

 

   Psalmi 73 /72/ Përse vuan i drejti

 

   I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua (Mt 11, 6).

 

   I (1-12)

 

Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë, *

   Zotynë për ata që janë të pastër në zemër.

 

E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët, *

   për pak që nuk më lëshuan këmbët,

sepse ua pata lakmi krenarëve *

   duke parë mirëqenien e keqbërësve.

Sepse për ta vuajtje nuk ka, *

   shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre.

Nuk jetojnë në vuajtje të vdekatarëve, *

   nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve.

 

Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë *

   e dhunën për petk që i mbulon.

Nga zemra e majme u kullon e keqja, *

   dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra.

 

Përqeshin e dijekeqas flasin, *

   me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti.

 

Vënë gojë edhe kundër qiellit, *

   gjuha e tyre e përshkon dheun.

Prandaj lart e vendosin veten *

   dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata.

 

Kështu edhe thonë: »Si mund ta dijë Hyji? *

   A mund të dijë gjë i Tejetlarti?«

Ja, këta janë mëkatarët: *

   gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I mirë është Zoti me të drejtët dhe të pastrit në zemër.

 

Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.

 

   II (13-20)

 

Atëherë thashë: »Vallë kot e paskësh ruajtur

   të pastër zemrën time *

   dhe në pafajësi i lava duart e mia,

kot e frushkullova veten përditë *

   duke bërë pendesë që herët në mëngjes!«

 

Të kisha thënë: »Do të flas porsi ata«, *

   unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu.

 

U mundova ta kuptoja këtë gjë: *

   porse disi mjerisht sytë m’u morën.

Derisa disi hyra në shenjtëroren e Hyjit: *

   atëherë pashë mbarimin e tyre.

 

Vërtet i vë në vend rrëshqitës, *

   i lejon të shkojnë në rrënim.

 

Oh, sa me vrap mbaruan, *

   u zhdukën, mjerimi i përpiu!

Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot, *

   kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Keqbërësit që sot qeshin, nesër do të qajnë.

 

Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.

 

   III (21-28)

 

Kur shpirtin e kisha të trazuar, *

   mundohesha në brendinë e zemrës sime,

isha i marrë e nuk kuptoja, *

   isha bërë si bagëti para teje.

 

Por unë qysh tash gjithmonë do të jem me ty, *

   sepse më more për dorën time të djathtë.

Ti do të më prish me këshillën tënde *

   për të më marrë pastaj me lumturi.

 

Kë tjetër pos teje kam unë në qiell? *

   Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje!

 

Ligështuar më janë trupi dhe zemra: *

   ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm.

 

Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, *

   ti zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.

 

Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, *

   ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim,

që t’i shpall të gjitha veprat e tua *

   në dyert e Qytetit Sion.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kush largohet prej teje do të birret: kënaqësia ime është të qëndroj në praninë tënde, o Zot.

 

   D Të ëmbla për gojën time janë fjalët e tua, o Zot,

   C më të ëmbla se mjalti i nxjerrë prej shkëmbit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Isaisë profet 3, 1-15

 

   Qortimet ndaj Jerusalemit.

 

   Ja, Zotëruesi, Zoti i Ushtrive, po ia heq Jerusalemit dhe Judës

   çdo mbështetje e çdo ndihmë, çdo ndihmë buke e çdo ndihmë uji,

   trimin edhe luftëtarin, gjyqtarin edhe profetin, dijësin edhe plakun,

   pesëdhjetarin e bujarin, këshilltarin e dijësin e urtë si edhe shituesin e mençur.

   “Do meca do t'u vë të parë e foshnjat do t'i sundojnë.”

   Njerëzit do të grinden me njëri‑tjetrin, i afërmi me të afërmin, i riu me të keq do të marrë plakun edhe të ndershmin i pandershmi,

   burri do të kapë vëllain e vet mu në shtëpinë e babës së vetë: “Ti e ke gunën, na u bëj prijës, kjo rrënojë le të jetë në dorë tënde!”

   Ai atë ditë do të klithë, do të thotë: “Unë s'jam mjek, në shtëpinë time s'ka bukë as gunë; ruaj se më bëni prijës të popullit!”

   Se ç'po rrënohet Jerusalemi, u çbordua Judeja se gjuha e veprimet e tyre janë kundër Zotit sa që ngucin sytë e Madhërisë së tij.

   Paf'tyrësia e tyre i dënon, si Sodoma shpallin fajin e vet, nuk e fshehin, mjerë shpirti i tyre: vetvetes i bëjnë gati të keqen!

   Thoni të drejtit: “I lumi ti!” sepse do të hajë frytin e veprave të veta!

   Mjerë i paudhi! Të këqijat do ta godasin: do ta gjejnë të këqijat që i ka bërë.

   Popullin tim e shtyp një kalama, gratë e kanë nën sundim! O populli im, ata që thonë je i lumë po të gënjejnë dhe po ta prishin udhën nëpër të cilën je duke ecur.

   Në këmbë u ngrit Zoti për të pandehur, qëndron në këmbë për të gjykuar popujt.

   Në gjyq po hyn Zoti me pleqtë e me krerët e popullit të vet; “Ju ma shkretuat vreshtin e gjërat e rrëmbyera të skamnorëve në shtëpitë tuaja i keni.

   Me ç'të drejtë e shtypni popullin tim dhe po e shkelmoni fytyrën e të varfërve?”, thotë Zoti

 

   Përgjigjja Krh. Is 3, 10. 11. 13

 

   C Thoni të drejtit: I lumi ti - sepse do të hajë frytin e veprave të veta. * Mjerë i paudhi! Do ta gjejnë të këqijat që i ka bërë.

   D Në këmbë u ngrit Zoti për të pandehur, qëndron në këmbë për të gjykuar popujt.

   C Mjerë i paudhi! Do ta gjejnë të këqijat që i ka bërë.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Komenti mbi librin e Jobit” i shën Gregorit të Madh, papë

   (Lib. 3, 39-40; PL 75, 619-620)

 

   Beteja përjashta, frikë përbrenda.

 

   Njerëzit e shenjtë, edhe pse të kërrusur nga provat, dinë të durojnë ata që i rrahin dhe, në të njëjtën kohë, dinë t’u bëjnë ballë atyre që i shpien në gabim. Kundër të parëve ngrenë mburojën e durimit, kundër të dytëve shtrëngojnë armët e së vërtetës. Kemi kështu dy mënyrat e luftimit nëse mbështetemi në artin e patejkalueshëm të forcës.

   Përbrenda drejtojnë shtrembërimet e doktrinës së shëndoshë nëpërmjet mësimdhënies së ndriçuar, përjashta dinë të përballojnë burrërisht çdo përndjekje. Të parët e korrigjojnë duke e mësuar, të dytët i mundin duke i duruar. Duke u bazuar në durim ndjehen më të fortë kundër armiqve, duke u bazuar në dashuri janë më në gjendje për të shëruar shpirtrat e plagosur nga e keqja. Të parëve u vënë pritë në mënyrë që të mos bëjnë të tjerët të humbin rrugën. Të dytët i ndjekin me druajtje dhe shqetësim që të mos braktisin krejtësisht udhën e së drejtës.

   Shikojmë ushtarin e fushimit të Hyjit që lufton kundër dy të këqijave: “jashtë luftime e brenda frika.” (2 Kor 7, 5). Rendit luftërat që pëson nga përjashta duke thënë: “Në udhëtime të shpeshta, në rreziqe lumenjsh, cubash, bashkatdhetarësh, paganësh, në qytet, në shkreti, në det, në rreziqe prej vëllezërve të rrejshëm!” (2 Kor 11, 26). Disa armë të tjera që përdor në këtë luftë janë: “Në mundim e të lodhur,në net të kaluara shpesh pa gjumë, në uri e në etje, në agjërime të shpeshta, në të ftoftë dhe i zhveshur!” (2 Kor 11, 27).

   Edhe pse i angazhuar në shumë fronte, nuk i kushton më pak vëmendje sigurisë së fushimeve. Në fakt menjëherë vazhdon: “Nga rendja e përditshme e njerëzve e kujdesi për të gjitha kishat.” (2 Kor 11, 28). Merr mbi vete të gjitha ashpërsitë e luftës dhe, në të njëjtën kohë, punon me kujdes për të mbrojtur vëllezërit. Flet për të këqijat që duron, dhe shton të mirat që shpërndan.

   Le ta marrim me mend se sa e lodhshme duhet të jetë të durosh në të njëjtën kohë kundërshtimet e jashtme dhe të mbrohesh nga brenda kundër dobësive personale. Nga jashtë duron beteja, sepse është i copëtuar nga rrahjet, është lidhur më vargonj; nga brenda duron frikën, sepse druan se vuajtja e tij i shkakton dëme jo atij vetë, por nxënësve. Për këtë arsye u shkruan atyre: “Më mënyrë që askush prej jush të mos lëkundet në këto vështirësi. Sepse edhe ju vetë dini se jemi të caktuar për këtë:” (1 Sel 3, 3).

   Në vuajtjen e vet kishte frikë për rënien e të tjerëve, domethënë se nxënësit, duke e marrë vesh se ai keqtrajtohej për shkak të fesë, do të hiqnin dorë nga shpallja e fesë së tyre.

   O ndjenjë e një dashurie të pafundme! Përçmon atë për shkak të së cilës ai vetë vuan, dhe shqetësohet që të mos krijohen tek nxënësit konceptime të gabuara. Përçmon në vetvete plagët e trupit, dhe mjekon tek të tjerët plagët e zemrës. Në fakt, të mëdhenjtë kanë këtë të vërtetë se duke u gjendur në dhimbjen e salvimeve të veta, nuk reshtin së shqetësuari në të mirë të të tjerëve; dhe, ndërsa vuajnë në vetvete, duke duruar salvimet që pësojnë, kujdesen për të tjerët, duke u dhënë këshilla në bazë të nevojave të tyre. Janë si mjekë heroikë, të goditur nga sëmundja: durojnë plagët e sëmundjes së tyre dhe u ofrojnë të tjerëve zemër dhe ilaçe për t’i shëruar.

 

   Përgjigjja Krh. Jb 13, 20-21; Jer 10, 24

 

   C Mos ma fsheh fytyrën tënde, o Zot, flake tej prej meje dorën, * e tmerri yt më s’do më trembë.

   D Më ndëshko, o Zot, por me masë të drejtë; jo me zemërim që të mos më zhbish.

   C e tmerri yt më s’do më trembë.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan. Ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde që, duke të dashur ty në gjithçka e mbi gjithçka, t’i fitojmë premtimet e tua që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.