Shërbesa e leximeve
Java e njëzetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E mërkurë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Krijues i sendeve, ripërtritës jete,
Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,
ti lutjet tona e lavdërimet baras
pranoji i ëmbël.
Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet
me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme
e ne ringjall me harmoni t’përjetshme
o autor i dritës.
Na jep ne ditë me mirësi të mbara
duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,
që t’jetë përherë paprerë me vepra tona
lavdia jote.
Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet
me zjarr hynor edhe na bëj syhapët,
që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona
llambat e ndezura.
Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,
dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,
e në mbarë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjt, Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,
gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,
që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja
na ke shëlbuar.
Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi
ndër mendje tona, dhe besimit ktheji
ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore
kënaqësinë shtoja.
Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,
që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,
na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar
prej Selisë tënde.
Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,
dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,
me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë
sundon ndër shekuj. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.
Psalmi 103 /102/ Himn mëshirës së Zotit
Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë, na doli në pasi prej qiellit Dielli (Krh. Lk 1, 78).
I (1-7)
Bekoje, shpirti im Zotin, *
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im Zotin, *
e mos i harro bamirësitë e tij.
Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, *
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit, *
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,
me të mira t’i mbush vitet e tua: *
do të përtërihet si e shqiponjës rinia jote.
Zoti bën veç vepra të mira, *
u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.
Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, *
bijve të Izraelit veprat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.
Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.
II (8-16)
Zoti është i mirë e i mëshirshëm, *
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
Nuk zemërohet gjithherë *
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.
Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona *
as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.
Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, *
aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.
Sa është lindja larg perëndimit *
aq larg i tret prej nesh fajet tona.
Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, *
ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.
Sepse mirë e di si jemi të përbërë, *
s’e harron se ne jemi pluhur.
Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: *
porsi lulja e fushës lulëzon,
sa e prek era e më s’është, *
më s’e kujton as vendi i vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.
Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.
III (17-22)
Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit *
e në amshim mbi ata që e druajnë
dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, †
mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij *
dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.
Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, *
mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.
Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, †
ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, *
duke i dëgjuar urdhrat e tij.
Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tij, *
shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.
Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, †
në çdo vend të sundimit të tij! *
Shpirti im, bekoje Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.
D Bëj që t’i kuptoj mësimet e tua:
C do t’i meditoj mrekullitë e tua, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Isaisë profet 9, 7 – 10, 4
Zemërimi i Hyjit kundër mbretërisë së Izraelit.
Zoti dërgoi një fjalë kundër Jakobit e ajo ra mbi Izraelin.
Do t'ia njohë rrjedhojat mbarë populli, efraimasit e banorët e Samarisë, të cilët thonë me krenari e me mendje të madhe:
“Na kanë rënë tullat, do të ndërtojmë me gurë të latuar, na i kanë prerë fiqtë e egjër, do t'i zëvendësojmë me cedra!”
Kundër këtij populli Zoti i ngriti armiqtë e tij, i nguci kundërshtarët e tij:
Nga lindja Sirinë e nga perëndimi filistenjtë, që e përlugtuan Izraelin me të dy bulshinjtë.
E megjithëkëtë nuk u fashit felgrimi i tij, por gjithnjë dora e tij rri e shtrirë.
Por populli nuk u kthye kah Ai që e goditi dhe nuk e kërkuan Zotin e Ushtrive.
Prandaj Zoti ia shkurtoi Izraelit krye e bisht, palmë e kallam brenda një dite të vetme!
Prijësi e bujari ‑ këta janë kryet, profeti, mësuesi i rrenës ‑ është bishti.
Udhëheqësit e këtij populli i ngashënjyen e të udhëhequrit u borën.
Prandaj Zoti s'do t'u gëzohet të rinjve të tij, s'do të ketë mëshirë për bonjakët e të vejat e tija, sepse të gjithë janë të patënzonë e të këqij, dhe çdo gojë flet vetëm marrëzi.
Flakë si zjarri është ndezur paudhësia, përpin hallugë e përpin ferra, ndezi zjarrin në pyll të dendur, shtylla‑shtylla tymi çohet!
Digjet vendi nga felgrimi i Zotit të Ushtrive, u bë populli shujta e zjarrit: s'kursen askush as vëllain e vet!
Përlan djathtas e është i unshëm, përpin majtas e nuk ngihet, mishin e të afërmit e përlan secili:
Manaseu Efraimin, Efraimi Manaseun, të dy së bashku e hanë Judën! E megjithëkëtë felgrimi i tij nuk u fashit, por dora e tij gjithnjë mbeti e shtrirë!
Mjerë ata që nxjerrin ligje të paudha,
e, kur i përpunojnë, shkruajnë ligje të padrejta,
për t'i shtypur në gjyq skamnorët,
për t'ua shkelur të drejtën të varfërve të popullit tim, që vejushat të jenë preja e tyre, e bonjakët t'i plaçkitin.
Çka do të bëni në ditë të pasisë kur prej së largu të vijë mjerimi? Te kush do të kërkoni ndihmë? Ku do ta lini thesarin tuaj?
Sepse do të përuleni ndër të tretur o do të bini ndër të vrarë. E megjithëkëtë nuk u fashit felgrimi i tij, por gjithnjë dora e tij mbeti e shtrirë!
Përgjigjja Krh. Vaj 2, 1
C O, si e nxiu në zemërim të vet Zoti bijën e Sionit! * Nga qielli për tokë e flaki nderin e Izraelit.
D S’iu kujtua shtroja e këmbëve të veta ditën e zemërimit të vet.
C Nga qielli për tokë e flaki nderin e Izraelit.
Leximi i dytë
Lexim nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. Caillau-Saint-Yves 2, 92; PLS 2, 441-442)
Ai që do të qëndrojë deri në fund do të shëlbohet.
Sa herë që durojmë ankthet ose salvimet kemi të bëjmë me një paralajmërim dhe, në të njëjtën kohë me një mjet për tu korrigjuar. Në të vërtetë edhe Shkrimi i Shenjtë nuk na premton paqe, siguri dhe qetësi; madje Ungjilli nuk na i fsheh salvimet, ankthet dhe skandalet. Megjithatë jep sigurinë se “kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.” (Mt 10, 22). Nga njeriu i parë nuk kemi marrë asnjë të mirë, madje kemi trashëguar vdekjen dhe mallkimin, prej të cilit është dashur të vijë Krishti për të na çliruar.
Prandaj të mos ankohemi dhe të mos murmurisim, o vëllezër. Edhe apostulli na bën të vetëdijshëm duke na thënë: “As mos nynykatni si nynkatën disa prej tyre dhe engjëlli Shfarues i vrau” (1 Kor 10, 10). Ç’të re, apo çfarë gjëje të jashtëzakonshme, o vëllezër, vuan sot gjinia njerëzore, që të parët tanë nuk kanë provuar? Madje a do të mund të pohonim ne se vuajmë aq shumë dhe aq halle sa u desh atyre të vuanin? E megjithatë do të gjesh njerëz që ankohen për kohët e veta, të bindur se vetëm kohët e kaluara kanë qenë të bukura. Por mund të jemi të sigurt se po të mund të kthehen këta në kohën e paraardhësve, nuk do të rrinin pa u ankuar në të njëjtën mënyrë. Nëse të duken të mira kohët e kaluara, kjo ndodh sepse ata kohë nuk janë më tuajat.
Në fakt, që nga çasti në të cilin je i lirë nga mallkimi, kur beson në Birin e Hyjit, kur je edukuar dhe ke hyrë në Shkrimin Shenjt, nuk shoh arsye që shpien të mendosh se Adami ka njohur kohë më të mira. Edhe prindërit tuaj kanë bartur trashëgiminë e Adamit. Është pikërisht Adami ai të cilit i qe thënë: “Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën derisa të mos kthehesh në dhe prej të cilit qe nxjerrë, sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh! (Zan 3, 19 dhe 18).
Ja se çfarë ka merituar, çfarë ka marrë, ja çfarë i ka dhënë gjykimi i drejtë i Hyjit. Pse beson, atëherë, se kohët e kaluara kanë qenë më të mira se tuajat? Merre mirë me mend se nga Adami i parë deri tek njeriu i sotëm nuk shihet tjetër gjë përveçse punë, djersë, mund dhe ferra. Mos vallë ka rënë mbi ne përmbytja? Kanë rënë mbi ne kohë të tmerrshme urie dhe lufte, si dikur dhe të tilla sa t’i japin të drejtë ankimit tonë kundër Hyjit për shkak të kohës së tashme?
Mendoni pra se ç’lloj kohe ishin të kaluarat. A nuk kemi mbetur të tronditur Duke dëgjuar apo duke lexuar historinë e atyre fakteve? Prandaj përkundrazi kemi arsye për t’u gëzuar dhe jo për t’u ankuar për kohën tonë.
Përgjigjja Krh. Ps 76, 6-7. 3; 50, 3
C Mendoj ditët e kaluara, më bien në mend vitet e largëta. Një këngë natën më kthehet në zemër * Mëshirë për mua, o Hyj!
D Ditën e ankthit unë të kërkoj, o Zot, gjithë natën duart e mia shtrihen drejt teje e luten:
C Mëshirë për mua, o Hyj!
Lutja
O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan. Ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde që, duke të dashur ty në gjithçka e mbi gjithçka, t’i fitojmë premtimet e tua që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.