Shërbesa e leximeve
20 gusht, Shën Bernardi, abat dhe mësues i Kishës
Përkujtim
Lindi në vitin 1090 pranë Digjonit në Francë. I edukuar me devocion, në vitin 1111 iu bashkua murgjërve Cistercensë dhe pak më vonë, i zgjedhur abat i manastirit të Kiaravales, udhëhoqi në mënyrë të shkëlqyer murgjërit në praktikimin e virtyteve si me veprën ashtu edhe me shembullin. Për shkak të skizmave të lindura në Kishë, përshkoi Evropën për të rivendosur paqen dhe bashkimin. Shkroi shumë vepra që i përkasin teologjisë dhe asketikes. Vdiq në vitin 1153.
Nga Përbashkorja e mësuesve të Kishës (fq. 1588) ose e shenjtërve: rregulltarë (fq. 1707) me psalmet e ditës në psalter.
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
20 gusht, Shën Bernardi, abat dhe mësues i Kishës
Shërbesa e leximeve
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon
me këngë të shenjta lavdet.
Duke bërë këtë për ty mbarështues të zgjedhur,
dhe si meshtar duke e shoqëruar, e vure
prijës në popull, besnik të qëndronte
dhe ushqyes i mirë.
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë
bëri gjithçka.
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën t’ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjtë. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Psalmi 44 /43/ Populli i Zotit në fatkeqësi
Në të gjitha vështirësitë, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
D Le të shkëlqejë përmbi mua drita e fytyrës sate:
C ma mëso urtinë, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Isaisë profet 11, 1-16
Rrënja e Jeseut.
Kështu thotë Zoti:
Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut,
një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij.
Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit.
Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S'do të gjykojë sipas pamjes së syve as s'do të vendosë sipas thashethemeve,
por do t'i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t'u japë gjyq të drejtë të përvujtëve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin.
Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t'i ngjeshë ijët.
Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t'i çojë e do t'i bjerë.
Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau.
Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija dorën do ta futë.
S'do të bëhet dëm as s'do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi deti që mbushet me ujë.
Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme.
E atë ditë: përsëri Zoti do ta shtrijë dorën e vet për ta bërë pronë të veten Tepricën e popullit të vet që do të shpëtojë nga Asiria e Egjipti, nga Patrosi e nga Etiopia, nga Elami e nga Senaari, nga Emati e nga ishujt e detit.
Do ta ngritë shenjën për kombe, do t'i bashkojë të shpërngulurit e Izraelit, nga të katër anët e botës do t'i bashkojë të shpërndarit e Judës.
Do të pushojë smira e Efraimit, do të shfarosen armiqtë e Judës, Efraimi më s'do t'ia ketë smirë Judës as Juda s'do të luftojë më kundër Efraimit.
Filistenjve në perëndim do t'u bien në qafë, bijtë e lindjes së bashku pre do t'i bëjnë; do të çojnë dorën kundër Edomit e Moabit, do t'u nënshtrohen bijtë e Amonit.
Do ta thajë Zoti gjirin e detit të Egjiptit, lart do ta ngritë dorën mbi Lumin, e me fuqinë e frymës së vet do ta godasë, do ta ndajë në shtatë përrenj sa që mbathur do të mund kalohet matanë:
do të bëhet udha për Tepricën e popullit të tij, që do të shpëtojë prej Asirisë siç u gjet rruga për izraelitët kur patën dalë prej dheut të Egjiptit.
Përgjigjja Krh. Is 55, 12; 11, 16
C Malet e kodrat do të shpërthejnë në lavde para jush, dhe të gjitha lëndët e fushës do të duartrokasin. * Me gëzim do të niseni dhe në paqe do të përcilleni.
D Do të bëhet udha për Tepricën e popullit të tij, siç u gjet rruga për izraelitët kur patën dalë prej dheut të Egjiptit.
C Me gëzim do të niseni dhe në paqe do të përcilleni.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet mbi Këngën e këngëve” i shën Bernardit, abat
(Fjal. 83, 4-6; Oper omnia, bot. Cistercen 2, [1958] 300-302)
Dua sepse dua, dua për të dashur
Dashuria i mjafton vetvetes, pëlqehet nga vetvetja e saj. Është meritë dhe shpërblim i vetës së saj. Dashuria nuk kërkon arsye, nuk kërkon përparësi jashtë vetvetes. Përparësia e saj qëndron në faktin se ekziston. Dua sepse dua, dua për të dashur. Është gjë e madhe dashuria nëse niset nga burimi i saj, nëse udhëhiqet tek burimi i saj, nëse kthehet tek burimi i saj. Nga ai burim e merr ushqimin që t’mund të vazhdojë të rrjedhë. Dashuria është e vetmja ndër të gjitha lëvizjet e shpirtit, ndër të gjitha ndjenjat dhe dëshirat, me të cilën krijesa mund t’i përgjigjet Krijuesit, edhe pse jo në të njëjtin nivel; e vetmja me të cilën mund të shpaguajë të afërmin dhe në këtë rast me siguri në të njëjtin nivel. Kur Hyji dashuron, nuk dëshiron gjë tjetër veçse të duhet. Nuk do gjë tjetër veçse për të qenë dashuruar, duke ditur se ata që do e duan do të kënaqen me këtë dashuri. Dashuria e Dhëndrit, apo më mirë të themi të Dhëndrit-Dashuri kërkon vetëm shkëmbimin e dashurisë dhe besnikërinë. Le t’i jetë, pra, të dashurës e lejueshme që të duajë. Përse e fejuara, dhe e fejuara e Dashurisë nuk u dashka të duan? Përse nuk u dashka të dashurohet Dashuria?
Me të drejtë, duke u rënë mohit të gjitha dashurive të tjera, anësohet e tëra dhe vetëm drejt Dashurisë, ajo që për të këmbyer dashurinë synon të barazohet me të. Por do të bëhet vërejtje, se, edhe nëse e Fejuara do të shndërrohet krejtësisht në Dashuri, nuk do t’mundet kurrë të arrijë nivelin e burimit të amshuar të dashurisë. Është e sigurt se nuk do t’mund të barazohen kurrë i dashuri dhe Dashuria, shpirti dhe Fjala, e fejuara dhe Dhëndri, Krijuesi dhe krijesa. Në fakt, burimi jep gjithmonë shumë më shumë se ajo që i mjafton atij që ka etje.
Por ç’rëndësi kanë të gjitha këto? A thua do të pushojë, apo do të shuhet e gjithë dëshira e së fejuarës e cila e pret çastin e martesës, a thua do të shuhet etja e atij që psherëtin, afshi i atij që dashuron, besimi i atij që parashijon, pse nuk është i aftë të vrapojë me një gjigant, të garojë në ëmbëlsi me mjaltin, në butësi me qengjin, në çiltërsi me zambakun, në shkëlqim me diellin, në dashuri me atë që është Dashuria? Me siguri se jo. Edhe pse në të vërtet krijesa dashuron më pak, sepse është më e ulët, nëse megjithatë dashuron me gjithë vetveten, nuk i mbetet asgjë për të shtuar. Asgjë nuk mungon atje ku ka gjithçka. Për këtë arsye për të, të dashurojë kështu është e njëjtë si të ketë kremtuar martesën, sepse nuk mund të duajë kështu dhe të mos jetë e dashur. Martesa e plotë dhe e përsosur qëndron në pëlqimin e te dyve, përveç në rast se ndonjëri dyshon se shpirti është i dashur nga Fjala, më parë dhe më shumë.
Përgjigjja Krh. Ps 31 /30/, 20; 36 /35/, 9
C Sa e madhe është mirësia jote, o Zot, * të cilën e ruan për ata që të druajnë.
D Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.
C Të cilën e ruan për ata që të druajnë.
Lutja
O Hyj, ti deshe që shën Bernardi abat, përplot me dashuri për Kishën tënde, të jetë në shtëpinë tënde llambë që digjet e ndriçon; na jep edhe neve atë zell shpirtëror që të jetojmë porsi bij e bija të vërtetë të dritës. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.