Shërbesa e leximeve

21 gusht, Shën Piu X, papë

 

   Lindi në Riezë (Trevizo) në vitin 1835. I shuguruar meshtar iu kushtua me një angazhim të shenjtë ushtrimit të detyrës pastorale. U bë pastaj ipeshkëv i Mantovës, patriark i Venecias dhe në vitin 1903 qe zgjedhur papë. Si program të pontifikatit të tij mori moton paoline “Instaurare omnia in Christo” dhe e vuri në jetë me guxim dhe me qëndrueshmëri besimplote.

   E dashuroi varfërinë, promovoi ngritjen e jetës së krishterë dhe luftoi modernizmin dhe gabime të tjera. Vdiq në vitin 1914.

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Krisht, kryetari e princi i barinjve,

   ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste

   turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta

   lavdet e duhura.

 

   Ti i pate dhënë tufën e dhenve Pjetrit,

   që bota mbarë një vathë e shenjtë të bëhej,

   ky i vendosur krejt në krye të Kishës

   me urdhrin tënd sundoi.

 

   Ky qe mësues edhe model i grigjës,

   ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,

   për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë

   bëri gjithçka.

 

   O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën

   e merituar, bëj që në jetë të bindur

   të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë

   lumninë me shenjtin.

 

   I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,

   dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,

   nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt. Amen.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj ndërsa më shkelin mëkatarët.

 

   Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton

 

   O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).

 

   I (2-9)

 

Vështroje, O Hyj, lutjen time, †

   mos u fsheh para uratës sime, *

   më prano e më vështro,

 

se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *

   prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.

 

Hedhin mbi mua paudhësi, *

   më sulmojnë me tërbim.

Dridhet zemra ime në mua, *

   më përshkoi tmerri i vdekjes.

 

Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *

   më mbuloi një rrëqethje e rëndë.

Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *

   për të fluturuar e për të gjetur pushim?

 

Larg, larg do të fluturoja, *

   në shkretëtirë do të banoja.

Do ta prisja atë që më shpëton *

   nga furia e erës dhe e stuhisë.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj derisa më shkelin mëkatarët.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

   II (10-15)

 

Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *

   sepse shoh dhunë e grindje në qytet.

 

Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †

   në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *

   nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.

 

Sepse po të më shante armiku, *

   disi do të duroja,

të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *

   disi do të fshihesha para tij,

 

por qe ti, o njeri, shoku im, *

   miku im, i njohuri im,

me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *

   bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   III (17-24)

 

Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *

   Zoti do të më japë shpëtim.

Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë

   do të dënes i trishtuar *

   e ai do të ma dëgjojë zërin.

 

Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †

   prej atyre që më sulmojnë: *

   sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.

Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *

   Ai që është para të gjitha jetëve.

 

Për ata kthim nuk ka *

   e Hyjin s’e druan!

Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *

   shkel e thyen besën e dhënë.

 

Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *

   zemrën e kanë të gatshme për luftim,

fjalët i kanë më të buta se vaji, *

   e ata - shpatë të nxjerra nga milli!

 

Lëshoja kujdesin tënd Zotit †

   e Ai do të të japë fuqi: *

   kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.

Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *

   plandosi në gropën e varrit

që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *

   Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   D Dëgjoje, biri im, zërin e urtisë.

   C vëri veshin mësimeve të mia.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Isaisë profet 30, 1-18

 

   Pavleftësia e besëlidhjeve të bërë me popujt tjerë.

 

   Vaj për bijtë mospërfillës, ‑ është fjala e Zotit ‑

   që bëni synime, por pa mua, që bëni lidhje jo të frymëzuara prej meje, kështu që shtoni mëkat mbi mëkat!

   U nisët të zbritni në Egjipt e s'e pyetët gojën time. Prisni ndihmë në forcë të faraonit, e shpresoni në strehim të Egjiptit.

   Fuqia e faraonit do të jetë marrja juaj, strehimi nën hije të Egjiptit turpi juaj!

   Kur të arrijnë prijësit tuaj në Tanis, lajmëtarët të kenë arritur në Hanes,

   të gjithë atëherë do të skuqen mbi një popull që gjë s'u vlen, që s'u sjell ndihmë as dobi, por vetëm marre e poshtërim.

   Profeci mbi kafshët e Nagebit. Në një vend vuajtjeje e mjerimi, luaneshe e luani që ulërijnë, shllige e kuçedre me krahë, bajnë në shpinë të gomarëve pasuritë e veta, mbi gungë gamilesh visaret e veta e ia çojnë popullit që asgjë s'u vlen!

   E kotë dhe e padobishme është ndihma e Egjiptit, këndej edhe e quajta Rahab ‑ i palëvizshëm.

   Çohu tash e ndër sy të tyre shkruaje mbi dërrasë bushi, me kujdes shënoje në libër që të mbetet për kohë të ardhshme si dëshmi deri në amshim.

   Sepse është popull kryengritës, sepse janë bij rrenacakë, bij që s'duan ta dëgjojnë Ligjin e Zotit.

   Veguesve ata u thonë: “Mos kini vegime!” e profetëve: “Mos na e parakallëzoni të drejtën! Na tregoni gjëra të kënaqshme, na parakallëzoni tallje!

   Dredhoni nga udha e drejtë, dilni nga shtegu i vërtetë, na e hiqni sysh Shenjtin e Izraelit!”

   Prandaj kështu foli Shenjti i Izraelit: “Për arsye se e përbuzët këtë fjalë, e shpresoni në mbrapshti e pabesi edhe në to e mbështetni veten,

   këndej për ju ky mëkat do të jetë porsi plasa, porsi vendi i fryrë në mur të lartë, që vetëm se nuk ka rënë, por rrënohet me njëherë, kur nuk pritet,

   do të copëtohet si një anë dheu, do të thërrmohet pa farë mëshire, asnjë copëz s'do të mbesë prej saj të kapësh me të një gacë nga zjarri o prej pusit të nxjerrësh një pikë ujë!”

   Sepse kështu tha Zoti Hyj, Shenjti i Izraelit: “Në kthim e në paqe është shpëtimi juaj, në kthjelltësi e në shpresë është forca juaj.”

   Por nuk deshët e vetë thatë: 'Assesi, por do të shpëtojmë në kuaj!', e prandaj edhe do të ikni; shtuat:'Do të hipim mbi kuaj të shpejtë!', por edhe përndjekësit do të jenë të shpejtë.

   Prej frikës së njërit një mijë do të tremben, prej frikës së pesëve do të merrni ikjen, derisa të mos mbeteni si mullari në majë të malit, porsi flamuri në majë të kodrës.

   E pra Zoti pret t'ju përdëllejë, prandaj ngritet për t'ju bërë mëshirë, sepse Zoti është Hyj drejtësie: lum ata që shpresojnë në të.

 

   Përgjigjja Krh. Is 30, 15. 18

 

   C Në kthim e në paqe është shpëtimi juaj, * në kthjelltësi e në shpresë është forca juaj.

   D Zoti pret për t’ju bërë mëshirë: lum ata që shpresojnë në të.

   C Në kthjelltësi e në shpresë është forca juaj.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga Kushtetuta Apostolike “Divine Afflatu” i shën Pio X, papë

   (AAS 3 [1911], 633-635)

 

   Kisha që këndon lavdet e Hyjit

 

   Psalmet u kompozuan me frymëzim hyjnor dhe gjenden të përmbledhura në Shkrimet e Shenjta. Nga kjo gjë rrjedh se që nga fillimi i Kishës psalmet kanë shërbyer në mënyrë të mrekullueshme për të ushqyer përshpirtërinë e besimtarëve. Të krishterët me anë të psalmeve i ofronin vazhdimisht Hyjit flinë e lavdit, do të thotë frytin e buzëve që i jepnin nderimet emrit të tij (krh. Heb 13, 15; Oz 14, 3). Një pjesë shumë e madhe e vetë Liturgjisë së shenjtë dhe të Shërbesës Hyjnore, sipas përdorimit të pranishëm edhe në Ligjin e vjetër, është e përbërë nga psalmet. Nga ata lindi ai “zë i Kishës” për të cilin flet shën Bazili, dhe psalmodia, “bija e atij himnizimi”, siç e quan paraardhësi ynë Urbani i tetë, “që tingëllon pandërprerë para fronit të Hyjit dhe para Qengjit”. Përmbi të gjitha janë psalmet që, sipas shën Atanazit, u mësojnë njerëzve të jetës së kushtuar kultin hyjnor, “në cilën masë duhet lavdëruar Hyji, dhe me cilat fjalë i duhet dhënë në mënyrë të hijshme nderi”. Në mënyrë shumë të madhërishme në lidhje me këtë thotë shën Augustini: “Për të qenë në mënyrë të përshtatshme i lavdëruar nga njeriu Hyji vetë u lavdërua; e pasi u denjua ta lavdërojë vetveten, për këtë arsye njeriu e gjeti mënyrën se si ta lavdërojë”.

   Në psalme gjendet një frytshmëri befasuese për të nxitur në shpirtrat e të gjithëve dëshirën e virtyteve. Ndonëse i gjithë Shkrimi ynë, i vjetri dhe i riu, vjen nga frymëzimi hyjnor dhe është i dobishëm për mësim (krh. 2 Tim 3, 16), megjithatë libri i psalmeve, sipas shën Atanazit është, në një farë mënyre, kopshti i parajsës në të cilin mund të mblidhen frytet e të gjitha shkrimeve të tjera të frymëzuara. Në këtë mënyrë psalteri jo vetëm që i lartëson këngët e librave të tjerë biblik, por ia bashkëngjit edhe këngët e tija të cilët i modelon nën zërin e cetrës. Shën Atanazi shton: “Në të vërtet, mua që lartësoj këngët, psalmet më duken si pasqyra në të cilën njeriu e kundron veten e tij dhe gjendjen e tij të brendshme dhe nga kjo gjë ndjehet i shtyrë për t’i recituar”. Shën Augustini në Rrëfimet thotë: “Sa kam qarë duke dëgjuar himnet dhe këngët në nderin tënd, i prekur thellësisht nga zërat e Kishës sate, që këndonte me plot ëmbëlsi! Këta zëra dridheshin në veshët e mi dhe e vërteta ulej ngadalë në zemrën time dhe çdo gjë shndërrohej në ndjenjë dashurie dhe më jepte aq shumë gëzim saqë unë shkrihesha në lot”.

   E kush është ai që nuk do të ndjehej i ngritur lart duke përsëritur ndonjërën nga ato pjesët e shumta që në mënyrë kaq lirike dhe të thellë e këndojnë madhështinë e pakufi të Hyjit, pushtetin e tij, shenjtërinë e tij të madhërishme, mirësinë e tij dhe mëshirën bashkë me të gjitha vetitë e tjera hyjnore të posaçme?

   Ajo ndjenjë e fortë fetare që i përshkon është në mënyrë të jashtëzakonshme e vlefshme për të çuar zemrat në mirënjohje drejt bamirësive hyjnore, apo për të frymëzuar thirrjen e përvuajtur për hiret e reja, apo për të zgjuar vendime të dobishme për kthimin nga mëkati.

   Psalmet e ndezin dashurinë për Krishtin sepse janë si një pikturë që paraqet shumë mirë të përvijuar figurën e Shëlbuesit. Me të drejtë, pra, Augustini “e ndjente në të gjitha psalmet zërin që galdonte dhe që rënkonte, që gëzohej në shpresë ose që dëshironte me gjithë shpirt qëllimin”.

 

   Përgjigjja 1 Sel 2, 4. 3

 

   C Hyji vendosi të na e besojë Ungjillin, ashtu ne edhe e predikojmë: * jo, sikur të donim t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit.

   D Predikimi ynë nuk vjen nga gabimi, as nuk ka qëllime të papastra as nuk mbështetet në dinakëri.

   C Jo, sikur të donim t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti e mbushe shën Pion papë me dije qiellore e me guxim apostolik për të mbrojtur fenë katolike e për të ripërtërirë gjithçka në Krishtin, bëj që t’i ndjekim rregulloret e shembujt e tij e të fitojmë jetën e pasosur. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.