Shërbesa e leximeve

22 gusht, Shën Maria Virgjër, Mbretëreshë

 

Përkujtim

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Sipër në krye të punëve

   mbahesh, o mbretreshë Virgjër,

   pa masë përmbi të gjitha

   me bukuri e pajisur.

 

   Ti ndër krijesa tjera

   shkëlqen vepra kryesore

   paracaktuar për t’lindur

   Birin që nënë ty shpalli.

 

   Si nga druri i lartë Krishti

   mbreti me purpur gjaku,

   ashtu pjestare e mundimeve

   je nëna e të gjallëve.

 

   E hijshme nga kaq lavde,

   shiko ne brohoritësit,

   prano duke përgëzuar

   lavdrimin që ty thurim.

 

   Atit i qoftë dhe Shpirtit

   dhe Birit tënd lavdia,

   që ty me rrobë t’mahnitshme

   të kanë rrethuar hiret. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.

 

   Psalmi 50 /49/ I (1-6) Për kultin »në shpirt e në të vërtetë«

 

   Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).

 

Flet Zoti, Hyji i hyjnive *

   dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.

Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *

   Hyji ndriçon!

 

Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †

   para i shkon zjarri që përpin, *

   përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.

 

E thërret qiellin prej së larti *

   edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:

 

»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *

   që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«

Qiejt shpallin drejtësinë e tij *

   sepse Hyji është gjykatës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.

 

Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.

 

   II (7-15)

 

»Dëgjo, populli im, dua të flas, †

   o Izrael, dëshmoj kundër teje: *

   unë Hyji jam, Hyji yt!

 

Nuk të qortoj për flitë e tua, *

   flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *

   as cjap prej tufave të tua.

 

Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *

   me mijëra kafshë në malet e mia.

I njoh të gjithë shpendët e ajrit *

   dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *

   imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *

   e pi gjak cjepsh?

 

Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *

   dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

e më thirr në ditën e travajit: *

   unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.

 

Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.

 

   III (16-23)

 

Mëkatarit Hyji i thotë: †

   »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *

   Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

 

kur ti e urren disiplinën, *

   pas shpine i hedh urdhrat e mi?

Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *

   e me lavire vazhdimisht merr pjesë.

Gojën tënde e përdor për fitme, *

   gjuha jote thur dredhi.

Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *

   çnderon djalin e nënës sate.

 

Kështu veprove e unë heshta. †

   A mendon ti se unë jam si ti? *

   Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë

   mëkatet e tua.«

 

Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †

   mos me bëni t’ju fut në thonj *

   se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.

 

Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †

   do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *

   atij që ecën udhës së drejtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.

 

   D Të lutemi dhe ta kërkojmë në çdo kohë

   C njohjen e plotë të vullnetit të Hyjit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Isaisë profet 37, 21-35

 

   Profetizimi i Isaisë kundër mbretit të Asirisë.

 

   Isaia, biri i Amosit, dërgoi t'i thuhet Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ti ma drejtove një uratë në lidhje me Senakeribin, mbretin e Asirisë: ja, pra, fjala që Zoti e tha kundër tij:

   Po të përbuz, po të vë në lojë virgjëra, Bija e Sionit. Pas teje po e tund kokën Bija e Jerusalemit!

   Po kë hyjshmove, kë vure në lojë? Kundër kujt lartësove zërin e i ngrite sytë me krenari? Kundër Shenjtit të Izraelit!

   Me anë të shërbëtorëve të tu e blasfemove Zotin. Ti the: 'Me mbushulli të karrocave të mia hipa në majë të bjeshkëve, në kreshtat e Libanit; i preva më të lartët cedra, bredhat më të zgjedhurit, i dola në majë të majës, në pyllin e tij ku s'ra kurrë sëpata!

   Çela e piva ujin e huaj, me gjurmë të këmbëve të mia i thava të gjithë lumenjtë që ka Egjipti!'

   Dëgjo këtu! Tash sa kohë e kam synuar, qysh moti e sendërgjoj e tash dua ta sendërtoj: të takonte ty t'i çrrënjosje, në grumbuj gurësh t'i ktheje qytezat!

   Banorët e tyre si dorëcungë, mendsh u morën e u tmerruan, ishin porsi bari i fushës, si gjelbërimi i njomë, si bar pullazesh, që e than era e lindjes.

   E di kur ngrihesh e kur ulesh, kur del e kur kthehesh e marrëzinë tënde kundër meje.

   Kur ti shfryje në mëri kundër meje, krenaria jote arriti në veshët e mi, do ta vë rrethin në hundët e tua, edhe në gojë do ta vë frerin e do të të kthej udhës prej nga erdhe!

   E kjo gjë të të shërbejë për shenjë: Sivjet të hahet çka të mund të mblidhet, në vitin e ardhshëm çka vetë të mbijë; vitin e tretë mbillni e korrni, mbillni vreshta e hajuni frutat.

   Kush të shpëtojë prej shtëpisë së Judës rrënjët poshtë thellë do t'i lëshojë e lart fruta do të japë.

   Sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica, të Shpëtuarit nga mali i Sionit. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit të gjithëpushtetshëm.

   Prandaj kështu thotë Zoti në lidhje me mbretin e asirianëve:

   'Në këtë qytet ai nuk do të hyjë, asnjë shigjetë në të s'do ta hedhë, përballë tij as shqyt s'do të sjellë, kundër tij llogore s'do të ngrehë.

   Udhës prej nga erdhi andej do të kthehet në këtë qytet ai nuk do të hyjë'‑ kështu thotë Zoti.

   Këtë qytet do ta mbroj, do ta shpëtoj, për nder të vetvetes e të Davidit, shërbëtorit tim.”

 

   Përgjigjja Krh. Is 52, 9-10

 

   C Zoti e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin. * Të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

   D Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve.

   C Të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimet” i shën Amedeos nga Lozanna, ipeshkëv

   (Pred. 7; SC 72, 188. 190. 192. 200)

 

   Mbretëresha e botës dhe e paqes

 

   Shenjta Virgjëra Mari qe ngritur në qiell. Porse emri i saj i admirueshëm u përhap mbi tërë dheun edhe pavarësisht nga kjo ngjarje e pashoq, dhe lavdia e saj e pavdekshme shkëlqeu në çdo vend para se të madhërohej mbi qiej. Dhe ishte e përshtatshme, edhe për nder të Birit të saj, që në fund të merrte lavdinë në qiell. Ishte e drejtë që shenjtëria e saj dhe madhështia e saj të shkonin duke u rritur këtu mbi tokë, duke kaluar nga virtyti në virtyt dhe nga shkëlqimi në shkëlqim për virtyt të Shpirtit Shenjt, deri sa të arrinte kulmin më të lartë në momentin e hyrjes së saj në banesën më të lartë.

   Për këtë arsye, kur ishte këtu me trupin e saj, i parashijonte frytet e para të mbretërisë së ardhshme, një herë duke u lartësuar deri tek Hyji, një herë tjetër duke zbritur drejt vëllezërve nëpërmjet dashurisë. U nderua nga engjëjt dhe nga njerëzit. I qëndronte pranë Gabrieli bashkë me engjëj dhe i shërbente, me apostuj, me Gjonin, ishte shumë i lumtur pse atij që ishte virgjër, i ishte besuar nën kryq Virgjëra Nënë. Ata ishin të gëzuar duke parë në të Mbretëreshën, të tjerët Zojen, dhe të gjithë së bashku i rrethonte një dashuri plot përshpirtëri dhe devotshmëri.

   Banonte në pallatin e lartë të shenjtërisë, shijonte bollëkun më të madh të ndereve hyjnore, dhe mbi popullin besimtar dhe të etshëm bënte që të zbriste shiu i hireve, ajo që në pasurinë e hireve i kishte tejkaluar të gjitha krijesat.

   Dhuronte shëndet fizik dhe mjekim shpirtëror, kishte pushtet të ringjallte nga vdekja trupat dhe shpirtrat. A thua është larguar kush nga ajo i sëmurë, apo i trishtuar, apo pa hiret qiellore? Kush nuk u kthye tek shtëpia e vet i gëzuar dhe i kënaqur sepse kishte fituar nga Nëna e Zotit, Maria, atë që dëshironte?

   Maria ishte e fejuara e pasur me margaritarë shpirtërore, nëna e të Fejuarit të vetëm, burim i çdo ëmbëlsie, shija e kopshteve shpirtërore dhe burimi i ujërave të gjallë dhe gjallërues që rrjedhin nga Libani hyjnor, nga mali Sion deri tek popujt e huaj të shpërndarë këndej e andej. Ajo bënte që të zbrisnin lumenj paqeje dhe hiri. Për këtë arsye ndër Virgjëra e virgjërave ngritej në qiell nga Hyji dhe nga Biri i saj, mbreti i mbretërve, mes galdimit të engjëjve, ngazëllimit të kryeengjëjve dhe klithjeve të festës së qiellit, u përmbush profecia e psalmistit që i thotë Zotit: “Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, në të djathtë të qëndron mbretëresha, në ar Ofiri e ngrinë.” (Ps 45 /44/, 10 volg.).

 

   Përgjigjja Krh. Zb 12, 1; Ps 45 /44/, 10

 

   C Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, * në krye kezën me dymbëdhjetë yje.

   D Në të djathtë të qëndron mbretëresha, në ar Ofiri e ngrirë.

   C Në krye kezën me dymbëdhjetë yje.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na dhe Nënën e Birit tënd për Nënë e Mbretëreshë tonën: bëj që, me ndërmjetësinë e saj, të fitojmë në qiell lumturinë që ua premtove bijve e bijave të tu. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.