Shërbesa e leximeve
Java e njëzetenjitë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Druri i jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut
Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, †
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *
e nuk rri së bashku me përqeshës,
por kënaqet në Ligjin e Zotit *
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *
as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.
Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar
Udhëheqësit e këtij qyteti u mblodhën së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton: –
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbejini Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan
Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).
Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *
Sa shumë asi që po më çohen kundër!
Shumë janë asi që thonë për mua: *
»As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«
Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *
nderi im që lart ma mban kryet!
Zërin tim e lartësoj te Zoti *
dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.
Unë bie në shtrojë e fle *
e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.
Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †
që përqark më rrethojnë porsi armiq. *
Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!
Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *
dhëmbët ua thyen mëkatarëve!
Shpëtimi vjen prej Zotit: *
bekimi yt mbi popullin tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.
D Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet;
C mësojeni dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti.
Leximi i parë
Prej librit të Sofonisë profet 1, 1-7. 14 – 2, 3
Gjykimi i Hyjit.
Fjala e Zotit që i qe drejtuar Sofonisë, birit të Kusit, birit të Godolisë, birit të Amarisë, birit të Ezekisë, në ditët e Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës.
“Gjë pa shqimur nuk do të lë përmbi faqen e dheut ‑ thotë Zoti.
Do të zhbij njeri e kafshë, do t'i zhduk shpendët e qiellit e peshqit e detit, do t'i shkallmoj të patenzonët
farën njerëzve do t'ua tres mbi tokë,
‑ thotë Zoti.
Kundër Judës do ta ngris dorën e mbi të gjithë banorë të Jerusalemit, do t'i zhduk nga vendi tepricat e Baalit, emrin e rojtarëve e të priftërinjve të tij
edhe ata që mbi pullaze adhurojnë ushtritë qiellore, ata që adhurojnë e në Zotin përbetohen, por që përbehen edhe në Melkolmin,
ata që s'e ndjekin Zotin, që me Zotin nuk këshillohen e që atë nuk e kërkojnë.
Heshtoni para Zotit Hyj, sepse është afër Dita e Zotit! Gati e bëri Zoti një therore e i shenjtëroi të grishurit e vet!
U afrua Dita e madhe e Zotit, afër është, me hapa të shpejtë po vjen! I hidhët është zëri i Ditës së Zotit: në të i forti ngushtë do të jetë!
Ditë idhërie ajo ditë, ditë travaji e ngushtice! Ditë shkretimi e shkatërrimi, ditë errësire edhe terri! Ditë mjegulle e thellimi!
Ditë borie e kushtrimi, kundër qyteteve qyteza, kundër pirgjeve të larta në kënde!
Në ngushticë të madhe do t'i vërë njerëzit, do të ecin si të ishin të verbër kundër Zotit pse mëkatuan! Gjaku i tyre do të derdhet si pluhur, porsi plehu rropullitë e tyre!
Nuk do të mundet t'i shpëtojë ari as argjendi i tyre. Ditën e felgrimit të Zotit me zjarrin e zellit të tij do të shkatërrohet toka mbarë.
Me nxitim do t'i shfarosë të gjithë ata që e banojnë tokën!
Mblidhuni, bashkohuni, o popull i padashur,
para se të shpërndaheni e të treteni porsi byku, para se të vijë mbi ju hidhërimi i felgrimit të Zotit, para se të vijë mbi ju Dita e furisë së Zotit!
Kërkojeni Zotin, të gjithë ju, të përvuajturit e tokës, ju që i kryeni urdhërimet e tija!
Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë, që disi të mund të fshiheni Ditën e felgrimit të Zotit!
Përgjigjja Krh. Sof 2, 3; Lk 6, 20
C Kërkojeni Zotin, të gjithë ju, të përvujtit e tokës, ju që i kryeni urdhërimet e tija. * Kërkoni drejtësinë, kërkoni përvujtërinë dhe butësinë.
D Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit.
C Kërkoni drejtësinë, kërkoni përvujtërinë dhe butësinë.
Leximi i dytë
Lexim prej Kushtetutës baritore “Gaudium et spes – Gëzimi dhe shpresa” të Koncilit ekumenik Vatikanas II mbi Kishën dhe botën bashkëkohore
(Nr. 39)
Shpresë në një botë të re më të mirë.
Koha e mbarimit të tokës dhe të njerëzimit është e panjohur, por nuk dimë as s’i do të shndërrohet rruzullimi. Kalon pamja e jashtme e kësaj bote të shëmtuar nga mëkati. Mirëpo jemi të mësuar se Hyji përgatit banesën e re dhe tokën e re, kur do të sundojë drejtësia dhe ku do të plotësohen dhe të tejkalohen të gjitha dëshirat e zemrës së njeriut për paqe. Atëherë, pasi që do të ngadhënjehet vdekja, do të ringjallen në Krishtin bijtë e Hyjit, dhe çka ishte mbjellë në dobësi dhe shkatërrueshmëri ka për t’u veshur në pashkatërrueshmëri, do të mbesë dashuria dhe veprat e saja, dhe do të lirohen nga robëria e kalueshmërisë të gjitha krijesat që i ka krijuar Hyji për njeriun. Në të vërtetë jemi të qortuar se kurrfarë dobie s’ka njeriu duke fituar mbarë botën nëse e humb vetveten. Mirëpo nuk do të dobësohet pritja e tokës së re, por edhe më tepër do të nxitet kujdesi ynë për ndërtimin e kësaj toke, ku rritet ai Trup i familjes së re, i cili tashmë mund të jap njëfarë pasqyre të botës së re. Prandaj duhet dalluar mirë përparimin tokësor nga rritja e mbretërisë së Krishtit, edhe pse ky përparim është i rregullimit të shoqërisë njerëzore.
Vlera e dinjitetit të njeriut, e bashkimit vëllazëror dhe e lirisë, të gjitha këto fryte të natyrës dhe të mundimit tonë, që do t’i shumëzojnë në tokë sipas urdhrit të Zotit dhe të Shpirtit të tij do t’i gjejmë rishtas, por të pastruara nga çdo njollë, të ndriçuara dhe të shndërruara, kur t’ia dorëzojë Krishti Atit mbretërinë e amshuar dhe të gjithmbarshme; mbretërinë e së vërtetës dhe të jetës, mbretërinë e shenjtërisë dhe të hirit, mbretërinë e drejtësisë, të dashurisë dhe të paqes. Mbretëria është e pranishme tashmë si fshehtësi në tokë; e kur vjen Krishti do të kryhet.
Përgjigjja Ps 95, 11; Is 49, 13; Ps 71, 7
C Gëzo, o qiell, galdo, o tokë, lavde, o male, ju këndoni: * sepse Zoti ka mëshirë për varfanjakët e vet.
D Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.
C sepse Zoti ka mëshirë për varfanjakët e vet.
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti i bashkon zemrat e besimtarëve që një gjë të vetme të duan dhe atë ta dëshirojnë, bëj që populli yt të duaj çka ti urdhëron e të dëshirojë çka ti premton: kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë ngultas të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.