Shërbesa e leximeve
24 gusht, Shën Bartolomeu, apostull
Festë
I lindur në Kanë të Galilesë, e dërgoi te Jezusi apostulli Filip. Sipas traditës, pas Ngjitjes së Zotërisë ai ka e predikuar ungjillin në Indi, ku qe kurorëzuar nga martirizimi.
Nga Përbashkorja e apostujve (fq. 1524) me psalmet e së dielës I.
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin, mbretin dhe Zotërinë e apostujve.
SHËRBESA E LEXIMEVE
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Duke shëndritë mes princërve
t’selisë pa masë të Hyjit,
Bartolomé, lëvdatat
dëgjoji e lutjet e tona.
Në ty i drejtoi Hyji
sytë e vet shumë të dashur,
që ty vëren të shquar
me çiltërsi të zemrës.
Profetët që i kënduan,
që e shpallin kohë të gjata,
ja mrekullisht Mesia
ty që gëzon të shfaqet.
Dhe ty ai të afrohet
me lidhje të tillë bese,
ku synon vuajtje kryqi,
të japë selitë e qiellit.
Mik dhe nxënës i Krishtit,
që mbretëron ndër shekuj,
jeton me Mjeshtrin, njerëzit
ringroh me jetë të Mjeshtrit.
Atij lumnia e lavdi i qofshin,
që me ndihmë tënde e merita
na dhëntë të përfitojmë
n’atdhé gëzime t’amshuara. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Psalmi 64 /63/ (2-11)
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
Psalmi 97 /96/ (1-12)
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *
le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë përreth tij, *
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
Zjarri shkon përpara tij *
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
Vetëtimat e tija e shndritin botën, *
sheh Toka e dridhet!
Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †
të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *
Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!
Dëgjoi Sioni e u gëzua, †
galduan bijat e Judës. *
për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.
Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †
Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *
i shpëton prej dorës së mëkatarit.
Lindi drita për të drejtin, *
e gëzimi për zemërmirët.
Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.
D E shpallën fuqinë e Zotit,
C dhe mrekullitë që ai i bëri.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 4, 1-16
Gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfarëdo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t'i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.
Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. ‘Jo përtej se çka është e shkruar!' që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s'e ke marrë? Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, se vërtetë u bëtë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!
E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;
ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,
‑ ne të dobët,
ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur,
deri tani s'ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona.
Na shajnë e ne flasim mirë për ta,
na salvojnë e ne durojmë;
na shpifen e ne ngushëllojmë.
U bëmë deri në sot porsi plehrat e botës, porsi të fshirat e gjithkujt!
Nuk po jua shkruaj këto që t'ju turpëroj, por që t'ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. Sepse, edhe po t'i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin. Prandaj, ju përbej: më përngjani!
Përgjigjja Gjn 15, 15; Mt 13, 12
C Nuk ju thërras më shërbëtorë, por miq: * ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
D Ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit: lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë:
C ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet mbi letrën e parë drejtuar Korintianëve” i shën Gjon Gojartit, ipeshkëv
(Pred. 4, 3. 4; PG 61, 34-36)
Dobësia e Hyjit është më e fortë se forca e njerëzve
Kryqi e ka ushtruar fuqinë e tij tërheqëse mbi të gjithë tokën dhe e ka bërë këtë gjë duke u shërbyer jo me mjete njerëzisht të imponuara, por me kontributin e njerëzve që kanë qenë pak të dijshëm. Çështja e kryqit nuk qëndron në fjalë të zbrazëta, por në vetë Hyjin, në besimin e vërtetë, të idealit ungjillor e në natyrshmërinë dhe thjeshtësinë e tij, të gjykimit të ardhshëm. Ishte pikërisht kjo doktrinë që i shndërroi të padijshmit në njerëz të mençur.
Nga mjetet e përdorura nga Zoti shihet se si marria e Hyjit është më e mençur se sa urtia e njerëzve, dhe si dobësia e tij është më e fortë se fuqia njerëzore. Në ç’kuptim më e fortë? Në kuptimin se kryqi, pa marrë parasysh njerëzit, i është besuar tërë gjithësisë dhe i ka tërhequr drejt vetes të gjithë njerëzit. Shumë kush është munduar të shuajë emrin e Kryqit, por kanë marrë rezultat të kundërt. Ky emër lulëzoi gjithnjë e më shumë dhe u zhvillua me një përparim gjithnjë e në rritje. Ndërsa armiqtë u shuan dhe u zhdukën. Ishin të gjallët që i bënin luftë të vdekurit, e prapë se prapë nuk arritën të fitojnë. Për këtë arsye kur një pagan i thotë një të krishteri se është jashtë jetës, thotë një marri. Kur më thotë se jam i marrë për shkak të fesë sime, më bind se jam një mijë herë më i mençur se ai që e mban veten të urtë. Dhe kur më mban për të dobët nuk e vëre nëse i dobëti i vërtetë është ai. Filozofët, mbretërit, dhe në një farë mënyre e tërë bota, që humbet në një mijë punë të ndryshme, as që mund ta imagjinojnë atë që tagrambledhësit dhe peshkatarët arritën të bëjnë me hirin e Hyjit. Duke menduar për këtë gjë, Pali thoshte me zë të lartë: “Çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.” (1 Kor 1, 25). Është e qartë se kjo fjali është hyjnore. Dhe vërtet, si mund t’u shkonte ndër mend dymbëdhjetë njerëzve të varfër, dhe aq më shumë njerëz injorantë, që jetën e tyre e kishin kaluar në liqene dhe lumenj, që të ndërmerrnin një vepër të tillë? Ata ndoshta nuk kishin hyrë kurrë në një qytet apo në ndonjë shesh. E atëherë si mund të mendonin që të përballonin tërë botën? Se ishin frikacakë dhe të ligshtë e thotë shumë qartë ai që e shkroi jetën e tyre pa ndryshuar dhe pa fshehur asnjë të metë të tyre, gjë që tregon sigurinë më të mirë të vërtetësisë së asaj që shkruan.
Ky, pra, tregon se kur Krishti u arrestua pas shumë mrekullive që kishte bërë, të gjithë apostujt ikën dhe udhëheqësi i tyre e mohoi. Si shpjegohet atëherë se të gjithë këta, derisa Krishti ishte akoma në jetë, nuk kishin ditur t’u bënin ballë disa Judenjve?, ndërsa më pas, derisa ai ishte i vdekur dhe i varrosur dhe, sipas atyre që nuk besojnë, jo i ringjallur, pra jo në gjendje të fliste, ishin shtyrë nga ai të viheshin me shumë guxim kundër botës së tërë? A thua nuk do të duhej të thoshin: E tani? Nuk mund e shpëtoi vetveten, e si do t’mund të na mbrojë neve” Nuk ishte në gjendje të mbronte veten e tij, si mund të na e zgjasë dorën për ndihmë kur është i vdekur? Në jetën e tij nuk arriti të pushtoje as një komb të vetëm, ndërsa ne, vetëm me emrin e tij, duhet ta pushtojmë botën mbarë? Nuk do të ishte marri vetëm të filluarit e një vepre të tillë, por edhe të menduarit e një gjëje të tillë?
Është e qartë se, nëse nuk do ta shihnin të ringjallur dhe nëse nuk do të kishin pasur një dëshmi të pakundërshtueshme të pushtetit të tij, nuk do të viheshin në një rrezik aq të madh.
Përgjigjja Krh. 1 Kor 23-24; 2 Kor 4, 8; Rom 8, 37
C Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e marri për paganë, kurse për të grishurit, * ai është fuqia e Hyjit dhe dija e Hyjit.
D Nga çdo anë jemi të ndrydhur: e prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes në sajë të Atij që na ka dashur.
C Ai është fuqia e Hyjit dhe dija e Hyjit.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
Forcoje fenë në ne, o Zot, që ta ndjekim Krishtin, Birin tënd, të cilin shën Bartolomeu apostull e pranoi me zemër të çiltër, e bëj që, me ndërmjetësinë e tij, Kisha jote të jetë për të gjithë popujt sakrament shëlbimi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.