Shërbesa e leximeve
Java e njëzetenjitë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Pjesëtar i dritës atërore,
ai vetë dritë drite e ditë,
me këngë ne e thyejmë natën:
kërkuesve gjendu pranë.
Hiqi errësirat e mendjeve
zhduki turmat e djajve,
largo me forcë dremitjet,
mos t’ua kalojnë përtacëve.
Kështu, o Krisht, ne të gjithëve
që në ty besojmë, mëshirona,
të jetë për dobi të lutësve,
që këndojmë duke prirë me këngë.
Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,
me Atin të qoftë lavdia,
dhe me Shpirtin Ngushëllues,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Trini krejt e shenjtë,
që urdhëron çdo gjë që krijove,
ditën për punë caktove,
natës prehjen ia fale.
Si n’agim edhe në t’errur,
natë e ditë për ty këndojmë;
ti ne në lavdinë tënde
na ruaj në të gjitha kohët.
Pranë teje shtrirë për dhe
të adhurojmë si robër,
kushte e uratë të lutësve
bashko me himnet e qiellorëve.
Bëj, o Atë krejt i shenjtë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
»S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
Ja, gjithçka ai mendon!
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
Rri në pritë ndër fshatra, *
në moh e vret të pafajshmin.
Me sy e vrojton të vobektin, *
në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
Sulet, struket në pritë *
e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.
Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
mos i qit në harresë të mjerët!
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
ti ia jep bonjakut sigurinë.
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
do të zhduken paganët prej dheut të tij.
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit
Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
buzët tona na mbrojnë! *
Kush është zotëria ynë?«
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
për shkak të klithmës së të ndrydhurve
tani do të ngrihem - thotë Zoti - *
e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
i pastruar shtatë herë!
Por ti, o Zot na ruaj, *
na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *
le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,
C të varfërve ua mëson udhën e tij.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 1, 1-19
Thirrja e Jeremisë profet.
Fjalët e Jeremisë, birit të Helcisë, një prifti që banonte në Anatot, në dheun e Beniaminit. Atij i qe drejtuar fjala e Zotit, në ditët e Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, të trembëdhjetin vit të mbretërimit të tij; mandej edhe në ditët e Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, deri në mbarimin e të njëmbëdhjetit vit të Sedecisë, birit të Jozisë, mbretit të Judës, deri në shpërngulje të Jerusalemit në muajin e pestë.
Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:
“Para se të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh profet i popujve.
Përgjigjja: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!”
Por Zoti mu përgjigj: Mos thuaj: 'Jam fëmijë!' Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj.
Mos ki kurrfarë frike para tyre, sepse unë jam me ty për të të mbrojtur, ‑ është fjala e Zotit.
Atëherë Zoti e shtriu dorën e vet, ma preku gojën time e më tha:
“Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde.
Ja, sot po të vë përmbi popuj e përmbi mbretëri, për të çrrënjosur e për të rrënuar, për të shkatërruar e për të shpërndarë, për të ndërtuar e për të mbjellë.”
Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Çfarë po sheh, o Jeremi?” Unë përgjigja: “Shoh thuprën e bajames vigjiluese.” Mandej Zoti më tha: “Mirë pe, sepse unë rri zgjuar mbi fjalën time për ta zbatuar.”
Më qe drejtuar edhe së dyti fjala e Zotit e më tha: “Çfarë po sheh?” Unë përgjigja: “Shoh kusinë mbi zjarr të ndezur me grykë që i anon drejt veriut.”
Atëherë Zoti më tha:
“Nga veriu do të hapet e keqja kundër të gjithë banorëve të dheut.
Sepse, ja, unë po i thërras të gjitha mbretëritë e veriut”, ‑ është fjala e Zotit. Ato do të vijnë: secili do ta vërë fronin e vet në hyrje të dyerve të Jerusalemit, përballë mureve të tija, rreth e rreth dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës.
Do t'i shpall të gjitha gjyqet e mia kundër tyre mbi të gjithë keqbërësin e tyre: sepse më kanë braktisur e u kushtuan kem hyjnive të huaja dhe adhuruan veprën e duarve të veta.
Prandaj ngjeshi ijët e tua! Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha që unë po të urdhëroj. Aspak mos u tremb para tyre, përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre!
Ja, unë sot ty po të bëj qytet të fortifikuar, shtyllë hekuri, mur tumbaku përballë të gjithë vendit, përballë mbretërve të Judës e princave të tij, priftërinjve të tij e popullit të vendit.
Ata do të luftojnë kundër teje, por s'do të ngadhënjejnë mbi ty, sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj, thotë Zoti.”
Përgjigjja Krh. Jer 1, 5. 9; Is 42, 6
C Para se të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova; * Unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde.
D Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt.
C Unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde.
Leximi i dytë
Lexim nga “Homelitë” e shën Gjon Gojartit
(Pred. mbi djallin tundues 2, 6 ; PG 49, 263-264)
Pesë rrugët e pajtimit me Hyjin.
Doni që të flas mbi rrugën e pajtimit me Hyjin? Janë shumë dhe të ndryshme, por të gjitha çojnë në qiell.
E para është ajo e ndëshkimit të mëkateve personale. Rrëfe më parë mëkatin tënd dhe do të shfajësohesh (krh. Is 43, 25-26). Për këtë arsye thoshte edhe profeti: - “Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, sepse ti je fuqia ime ” (Ps 32 /31/, 5).
Ndëshkoi pra edhe ti mëkatet e tua. Kjo i mjafton Hyjit për çlirimin tënd. E pastaj, nëse ndëshkon mëkatet e tua do të jesh më i matur për të mos rënë përsëri. Shtyjë ndërgjegjen tënde që të bëhet paditësja jote e brendshme, që të mos jetë e tillë pastaj përpara gjykatores së Hyjit.
Kjo, pra, është një rrugë faljeje, rrugë shumë e mirë; por është edhe një tjetër, aspak më e pavlerë: mos u kujto për fajet e armiqve, zotëro hidhërimin, fali vëllezërit që na kanë fyer. Edhe kështu do të kemi faljen e fyerjeve që ne i kemi bërë Zotit. Dhe kjo është një mënyrë e dytë për të shlyer mëkatet. “Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë juve” (Mt 6, 14).
A do të mësosh akoma një rrugë të tretë dlirësimi? Është ajo e lutjes së devotshme dhe të bërë mirë që rrjedh nga thellësia e zemrës.
Nëse pastaj do të njohësh edhe një të katërt, do të them se është lëmosha. Kjo ka një vlerë shumë të madhe. Le të shtojmë pastaj këtë: Nëse dikush sillet me vetëpërmbajtje dhe përvujtëri, do të shkatërrojë në rrënjë mëkatet e veta me një veprueshmëri jo më të vogël se ato që kemi thënë më lart. Është dëshmitar tagrambledhësi që nuk është në gjendje të kujtojë vepra të mira, por në vend të tyre afroi njohjen e përvuajtë të fajeve të veta dhe kështu u çlirua nga pesha e rëndë që kishte mbi ndërgjegje.
Kemi treguar pesë rrugë të pajtimit me Hyjin. E para është ndëshkimi i mëkateve personale. E dyta është falja e fyerjeve. E treta qëndron në lutje, e katërta në lëmoshe dhe e pesta në përvujtëri.
Mos rri pra pa bërë asgjë, përkundrazi, çdo ditë mundohu të përparosh nëpër të gjitha këto rrugë, sepse janë të lehta dhe varfëria jote nuk mund të shpie në përfundimin që je jashtë detyrimit. Por edhe nëse gjendesh duke jetuar në një mjerim disi të rëndë, gjithmonë mund të shkarkosh hidhërimin, të zbatosh përvujtërinë, të lutesh vazhdimisht dhe të qortosh mëkatet, dhe varfëria nuk do të të pengojë kurrë. Çfarë po them vallë? As në atë udhë të faljes në të cilën kërkohet shpërndarja e parave, domethënë lëmosha, nuk të pengon varfëria. Jo. Këtë e dëfton vejusha që ofroi dy të holla.
Pra, pasi kemi mësuar mënyrën për të shëruar plagët tona, le të përdorim këto mjete. Pasi të rifitojmë shëndetin e vërtetë, do të shijojmë me besim tryezën e shenjtë dhe me lavdi të madhe do t’i dalim përpara Krishtit, mbretit të lavdisë, dhe do të fitojmë përgjithmonë të mirat e amshuara në sajë të hirit, të mëshirës dhe të mirësisë së Zotit tonë Jezu Krishtit.
Përgjigjja Krh. Tob 12, 8-9; Lk 6, 37-38
C Është gjë e mirë urata me agjërim; më mirë të japësh lëmoshë se të grumbullosh ar. * Lëmosha pastron nga çdo mëkat.
D Falni e do të gjeni falje; jepni e do t’ju jepet.
C Lëmosha pastron nga çdo mëkat.
Lutja
O Hyj, ti i bashkon zemrat e besimtarëve që një gjë të vetme të duan dhe atë ta dëshirojnë, bëj që populli yt të duaj çka ti urdhëron e të dëshirojë çka ti premton: kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë ngultas të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.