Shërbesa e leximeve
Java e njëzetenjitë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Krijuesi i madh i sendeve,
sunduesi ynë, shikona;
ne nga pushimi i dëmshëm
zhytur në plogështi shpëtona.
Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;
Ti na i fal fajet tona,
për t’i rrëfyer ngrihemi,
gjumin e natës prishim.
Po ngremë lart mendje e duar,
për të kaluar netët
siç na mësoi profeti
që e vlerësoi dhe Pali.
Ti e sheh të keqen që vuajtëm;
të fshehtat tona i hapim,
me ofshamë po i derdhim lutjet,
na shlyej çka ne mëkatuam.
Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,
dhe ty, o Atë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hyj i diturive,
ty të qoftë brohoritja,
që i shikon zemrat tona
e i ngroh me hirin tënd.
O bari i shkëlqyer,
ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,
në kullota shumë të gratshme
në grigjë të zgjedhur na bashko.
Tmerri i mërisë së gjykatësit
mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,
me ty gjykatës të jemi
dhen në kullotë t’amshuar.
Ty, shpërblimtar, lavdi,
nderim, virtyt, fitore,
që sundon mbi të gjitha
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime. †
Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren
Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).
Të dua, o Zot, fuqia ime! *
† Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,
Streha ime, Shpëtimtari im!
Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *
Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më rrethuan valët e vdekjes, *
më tmerruan përrenjtë e Belialit,
më lidhën leqet e Nëntokës, *
po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *
kushtrim i lëshova Hyjit tim:
nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *
britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
II (8-20)
Toka u trand edhe u tund, †
u lëkundën themelet e maleve, *
vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!
Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †
prej gojës zjarr e flakë buçiti, *
prush i gjallë prej tij flakëroi!
I uli qiejt, poshtë zbriti, *
nën këmbë re të murrme!
Kaluar mbi kerubin fluturoi, *
lundroi mbi krahët e erërave!
Si me vel me errësirë u mbështoll, *
ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,
para fytyrës së tij zhdukeshin retë *
me breshër e prush të gjallë!
zoti gjëmoi nga qielli: †
i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *
breshër e prush zjarri!
I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *
i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.
Atëherë u dukën burimet e ujërave, *
u zbuluan themelet e rruzullit
prej qortimit tënd, o Zot, *
prej erës së frymës të hidhërimit tënd.
Shtriu dorën prej majës e më mori, *
më nxori nga ujërat e shumta,
më shpëtoi nga armiku i fortë, †
prej atyre që më urrenin, *
që ishin më të fortë se unë.
Më sulmuan në ditën më të keqen, *
por Zotin e pata krah,
Ai më qiti në vend të shpëtimit, *
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
III (21-30)
Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *
më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,
sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *
nuk u largova prej Hyjit tim.
Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *
dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.
Jam i pastër para syve të tij, *
sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.
Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *
sepse e pa pastrinë e duarve të mia.
Ti je i mirë me njeriun e mirë, †
me të pafajshmin je i pafajshëm, *
me të mbrapshtin ti je i squet.
Ti e shpëton popullin e përvujtë, *
e krenarët i bën t’i ulin sytë.
O Zot, ti e ndez dritëzën time, *
ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.
Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *
me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura
C që dilnin prej gojës së Krishtit.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 2, 1-13. 20-25
Pabesia e popullit të Hyjit.
Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Shko e shpall në veshët e Jerusalemit e thuaj:
Kështu thotë Zoti: Me mall të kujtoj, e kujtoj afshin e rinisë sate, dashurinë e fejesës sate, kur më ndoqe në shkretëtirë, në vende që asgjë nuk mbillet.
Izraeli ishte gjëja e shenjtë e Zotit, fryti i parë i të korrave të tija; kushdo hante prej tij, e paguante: e gjente e zeza ‑ është fjala e Zotit.
Dëgjojeni fjalën e Zotit, shtëpia e Jakobit, e ju të gjitha barqet e shtëpisë së Izraelit!
Kështu thotë Zoti: Ç'paudhësi gjetën në mua etërit tuaj që u larguan prej meje e shkuan pas kotësisë dhe u bënë të kotë?
E nuk pyetën: 'Ku është Zoti që na nxori nga dheu i Egjiptit, që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë, nëpër vend të pabanuar e të papërshkueshëm, nëpër vend etjeje e terri, nëpër vend kah s'kaloi njeri, ku askush nuk nguli të banojë?'
Unë ju shpura në një vend me kopshte që t'i hani frytet e të mirat e tija, por posa hytë e përdhosët vendin dhe e bëtë iri trashëgimin tim.
Priftërinjtë nuk thanë: 'Ku është Zoti?'. Shtjelluesit e Ligjit nuk më njohën, barinjtë u çuan kundër meje, profetët profetizuan në emër të Baalit, dhe shkuan pas atyre që asgjë s'ndihmojnë.
Prandaj përsëri do të gjykohem me ju ‑ thotë Zoti, e me bijtë e bijve tuaj do të bëj gjyq.
Kaloni në ishujt e ketimëve e shihni, dërgoni njerëz në Cedar e hollë vëzhgoni e shihni a ka ndodhur ndonjë gjë e tillë:
a i ka ndërruar ndonjë popull zotat ‑ e pra, ata as zota nuk janë!, kurse populli im e këmbeu nderin e vet me diçka që s'vlen asgjë!
Çudituni mbi këtë gjë, o qiej, tmerrohuni pa masë nga habia ‑ thotë Zoti!
Sepse dy të këqija i bëri populli im: më la mua, burimin e ujit të gjallë, që të hapë për vete puse, puse të shporuara që s'mund ta mbajnë dot ujët!
Po, ti që moti e theve zgjedhën tënde, i këpute zinxhirët e tu e the: 'S'dua të shërbej!' E megjithatë, në çdo bregore të lartë edhe nën çdo lëndë të gjelbër shtroheshe porsi lavire.
E pra, unë të mbëltova vresht të zgjedhur, çdo fidan hardhi të butë, si atëherë erdhe e u shndërrove në shermende të zvetënuara të vreshtit bastard?
Por sikur edhe me fi t'u laje, sa do shumë hi të kishe qitur, para meje s'të hiqet dot danga e fajësisë sate ‑ thotë Zoti Hyj.
Si guxon të thuash: 'S'jam e zhytur! Nuk shkova pas baalëve'? Shikoji gjurmët e tua në Luginë, kujtohu se çfarë ke bërë. Gamilja e shpejtë që i dredh udhët e veta,
gomarica e egër e mësuar në stepë, në epshin e vet erë ajrit i merr, në kohën e mbarsimit kush mund ta zotërojë? Të gjithë ata që e kërkojnë, nuk do të lodhen, në mujoret e saja lehtë po do ta gjejnë!
Ruaje këmbën tënde të mos zbathet, e fyti yt të mos thahet nga etja! Por ti thua: 'Është e kotë! Jo, assesi! U dashurova në të huajt, pas tyre do të shkoj!'
Përgjigjja Krh. Jer 2, 21; Mt 21, 43; Is 5, 7
C Unë të mbëltova vresht të zgjedhur: si atëherë erdhe e u shndërrove në shermende të zvetënuara të vreshtit bastard? * Prandaj do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja.
D Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi, drejtësinë prita, ja ofshamat.
C Prandaj do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja.
Leximi i dytë
Lexim nga “Mësimet” e shën Kolombanit, abat
(Mësimi 13, mbi Krishtin burimin e jetës, 1-2; Vepra, Dublin, 1957, 116-118)
Ai që ka uri le të vijë tek unë dhe të pijë.
Vëllezër shumë të dashur dëgjoni me shumë vëmendje. Ajo që do të ju them është e nevojshme për të mirën tuaj. Janë të vërteta që do t’u japin pushim shpirtrave tuaj. Do t’ju flas mbi burimin e pashtershëm hyjnor. Por, edhe pse do t’ju duket paradoksale do t’ju them: Mos e shuani kurrë etjen tuaj. Kështu do të mund të vazhdoni të pini në burimin e jetës, pa pushuar kurrë së dëshiruari. Është i njëjti burim, burimi i ujit të gjallë që ju fton për vete dhe ju thotë: “Kush ka etje le të vijë tek unë! Le të pijë” (Gjn 7, 37).
Duhet kuptuar mirë se çfarë duhet pirë. Le t’jua thotë vetë profeti Jeremi, le t’ju a thotë vetë burimi: “Më lanë mua, burimin e ujit të gjallë, që të hapë për vete puse, që s’mund ta mbajnë dot ujët! thotë Zoti” (Jer 2, 13). Është pra Zoti vetë, Hyji jonë Jezu Krishti, ky burim jete që na fton për vete, që të pimë prej tij. Pinë prej tij ai që e do. Pinë prej tij ai që shuan etjen në fjalën e Hyjit; ai që e do me dashuri të flakët dhe dëshirë të gjallë. Pinë prej tij ai që ndizet nga dashuria për diturinë.
Vini re mirë prej ku rrjedh ky burim; sepse ai vetë që është Buka është edhe Burimi, domethënë Biri i vetëm, Hyji jonë Krishti Zot, për të cilin duhet të kemi gjithmonë uri. Është e vërtetë që duke e dashur e hamë dhe duke e dëshiruar e fusim në qenien tonë; megjithatë duhet ta dëshirojmë gjithmonë si të uritur. Me gjithë forcën e dashurisë sonë pimë prej tij që është burimi jonë; le të nxjerrim prej tij me gjithë përqendrimin e zemrës sonë dhe le të shijojmë ëmbëlsinë e dashurisë së tij.
Zoti, në fakt, është i ëmbël dhe i këndshëm: edhe pse e hamë dhe e pimë, duhet të kemi gjithmonë uri dhe etje për të, sepse është ushqimi jonë dhe pija jonë. Askush nuk mund ta hajë të gjithë, apo ta pijë plotësisht, sepse duke e ngrënë dhe duke e pirë nuk shterohet, as nuk konsumohet. Kjo bukë e jona është e amshuar, ky burim i joni është i përhershëm, kjo gurrë e jona është e ëmbël.
Për këtë arsye Profeti pohon: “O ju të gjithë që jeni të etshëm ejani tek ujët, le të vinë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Blini drithë e hani; ejani e blini pa para e pa pagesë verë e qumësht!” (Is 55, 1). Ky burim është për atë që ka etje, jo për atë që është i ngopur. Me të drejtë pra thërret tek vetja ata që kanë etje, ata që ka quajtur të lumë në fjalimin mbi mal. Këta nuk pinë kurrë sa për të thënë: mjaft; përkundrazi, sa më shumë që pinë, aq më shumë kanë etje.
Është pra e nevojshme, o vëllezër, që ne gjithmonë të dëshirojmë, të kërkojmë dhe të duam “burimi i urtisë, fjala e Hyjit në qiell të larta, udhët e saja urdhërimet e amshueshme.” (Sir 1, 5 vulg.), në të cilin, sipas fjalëve të apostullit, “janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të shkencës” (Kol 2, 3).
Nëse ke etje pi në burimin e jetës; nëse ke uri, ha prej kësaj buke jete. Të lumë janë ata që kanë uri për këtë bukë dhe etje për këtë pije, sepse, edhe pse duke ngrënë dhe pirë gjithmonë prej tyre, kanë dëshirë të hanë dhe të pinë përsëri. Duhet të jetë pa dyshim tejet i shijshëm ushqimi që hahet dhe pija që pihet për të mos u ndjerë kurrë të ngopur dhe të bezdisur, madje, gjithmonë më të kënaqur dhe dëshirues. Prandaj profeti thotë: “Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!” (Ps 34 /33/, 9).
Përgjigjja Gjn 7, 37-38
C Jezusi u ngrit dhe tha me zë të lartë: * Kush ka etje le të vijë tek unë!
D Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin prej barkut të tij!
C Kush ka etje le të vijë tek unë
Lutja
O Hyj, ti i bashkon zemrat e besimtarëve që një gjë të vetme të duan dhe atë ta dëshirojnë, bëj që populli yt të duaj çka ti urdhëron e të dëshirojë çka ti premton: kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë ngultas të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.