Shërbesa e leximeve
27 gusht, Shën Monika
Përkujtim
Lindi në Tagaste në Afrikë në vitin 331 nga një familje e krishterë. E martuar me Patricin, në moshë shumë të re, pati disa fëmijë, ndër të cilët Augustinin, për kthimin e të cilit derdhi shumë lot dhe lartësoi shumë lutje kah Hyji. Shembull i nënës me të vërtetë e shenjtë, e ushqeu fenë me lutjen dhe e shfaqi atë me virtytin. Vdiq në Ostia në vitin 387.
Nga Përbashkorja e shenjtëreshave (fq. 1683) me psalmet e ditës në psalter.
FTESA
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Në përkujtimin e shën Monikës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në përkujtimin e shën Monikës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në përkujtimin e shën Monikës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në përkujtimin e shën Monikës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në përkujtimin e shën Monikës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në përkujtimin e shën Monikës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në përkujtimin e shën Monikës ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Kjo grua e lavdërueshme
nderuar me merita,
siç gëzon zakone t’ shenjta
ashtu ngadhënjen me Engjëj.
Nga zemra shumë besnike
me lot duke lutë Hyjin,
përgjime e agjërim
këto nuk i ndan parreshtur.
Përbuz lavdinë e botës,
gjithnjë mendjen të pastër,
pas drejtësisë së përsosur
shkoi të banojë mbi yje.
Kjo me vepra shenjtërie
kaloi pragjet hyjnore,
kënaqet tash në t’ amshueshmet
çmime të shpisë qiellore.
Lavdi të vetmit Hyj n’ tre Vetë
që ne me lutje t’ saja,
kur t’ arrijmë n’cak të jetës,
na bashkoftë me banorë t’ qiellit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty.
Psalmi 18 /17/ IV (31-35) Falënderim Hyjit shpëtimtar
Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? (Rom 8, 31).
Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, †
fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: *
Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.
Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? *
Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?
Hyji që më ngjesh me fuqi, *
që e bën udhën time të pastër.
Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, *
ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.
Ai m’i ushtron duart për luftim *
e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.
Psalmi 18 /17/ V (36-46)
Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, †
e djathta jote më ndihmoi, *
mirësia jote më rriti.
Ti i zgjeron hapat e mi nën mua *
e këmbët e mia më nuk më merren.
I ndiqja armiqtë e mi e i zija, *
prapazi nuk u ktheja derisa i shfarosja.
I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, *
rrëzoheshin përnën këmbët e mia.
Ti më ngjeshe me fuqi për luftë, *
kurse armiqtë e mi i vure nën mua.
Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, *
kurse ata që më urrejnë i shpërndave.
Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, *
thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj.
I grimcova porsi pluhurin para erës, *
i shkela porsi baltën e rrugës.
Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, †
kryeparë më bëre ndër popuj paganë: *
më shërbeu populli që as nuk e njihja!
Fjalën time e dëgjojnë me poni, *
bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,
para meje të huajve ora u liget, *
u drodhën në strehimet e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Psalmi 18 /17/ VI (47-51)
Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! *
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! †
Ti i shtron popujt nën mua, *
ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,
ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, *
ti më shpëton prej njeriut mujshar.
Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, *
himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!
Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, †
e përkrah të shuguruarin e vet, *
Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
D Largoje velin prej syve të mi, o Zot:
C dhe unë do t’i shqyrtoj mrekullitë e ligjit tënd.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 3, 1-5. 19 – 4, 4
Ftesa për kthim.
Kështu thotë Zoti:
“Nëse një burrë e ndan gruan e vet dhe kjo, duke u larguar prej tij,
martohet me një burrë tjetër, a ka të drejtë të kthehet përsëri tek ai? Vallë, a nuk është e përdhosur dhe e fëlliqur ajo tokë? E ti që u fëlliqe me dashnorë të shumtë, vallë a ke fytyrë të kthehesh tek unë?, ‑ thotë Zoti.
Lartësoj sytë e tu drejt kodrash e shih: a ka ndonjë vend ku nuk fëlligështove? Rrije në udhë duke i pritur porsi arabi në shkretëtirë. Ti e përdhose vendin më fëlligështinë e fajësinë tënde.
Këndej dhe shirat u ndaluan dhe as të vjeshtës më nuk ranë. Balli yt ballë lavireje, as të skuqesh ti nuk dite!
E tashti a ndoshta s'më thërret: 'Ati im! ti je prijësi i rinisë sime!
A gjithmonë do të jetë i hidhur? Zemërimi yt gjithë do të qëndrojë?' Ti kështu flet edhe vazhdon ta bësh të keqen dhe e tepron.”
E unë thashë:
Oh, se ç'doja të të numëroja ndër bij e ta jepja tokën e dëshirueshme, trashëgimin, margaritarin më të bukur ndër popuj! Mendoja: Atë do të më quani dhe s'do të pushoni të vini pas meje.
Por, siç e përbuz gruaja dashnorin e vet, po ashtu më përbuzët mua, shtëpia e Izraelit! ‑ thotë Zoti.
Dëgjo! Përmbi kodra u dëgjua një zë: vaji e dënesjet e bijve të Izraelit, sepse e lanë rrugën e vet, harruan Zotin, Hyjin e vet.
“Kthehuni, o bij, që ma kthyet shpinën, se unë dua t'i shëroj kryengritjet tuaja!” ‑ Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Hyji ynë!
Vërtet, të rrejshme ishin kodrat po ashtu edhe zhurmat në male! Njëmend në Zotin, Hyjin tonë, Izraeli e gjen shpëtimin!
E përlau Turpi mundin e etërve tanë që nga rinia jonë, grigjat e loritë e tyre, bijtë e bijat e tyre.
Le të mbështillemi me turpin tonë le të na mbulojë marrja jonë, pse mëkatuam kundër Zotit, Hyjit tonë, ne edhe etërit tanë prej rinisë e deri më sot e s'e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë!
“Nëse do të kthehesh, o Izrael, ‑ është fjala e Zotit ‑
kthehu tek unë! Nëse i zhduk para meje Turpësitë e tua, s'ke nevojë të ikësh prej meje.
Përbehu: 'Pasha Zotin e gjallë!', me vërtetësi, drejt e me drejtësi! në ty popujt do të bekohen, me ty ata do të mburren!
Sepse Zoti kështu u thotë judenjve e jerusalemasve: Çilni djerret tokë të re e mos mbillni nëpër ferra.
Rrethprituni në nder të Zotit, rrethpriteni zemrën tuaj, o judenj e jerusalemas, që të mos shpërthejë si zjarr zemërimi im, të ndizet flakë e të mos ketë kush ta shuajë, për shkak të veprave tuaja të pabesa.”
Përgjigjja Krh. Jer 14, 7; Ps 130 /129/, 3
C Kundër nesh nëse flasin të këqijat tona, mëshirë, o Zot, pash Emrin tënd. * Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
D Vërtet, të mëdha janë paudhësitë tona: mëkatuam kundër teje.
C Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Leximi i dytë
Nga “Rrëfimet” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Lib. 9, 10-11; CSEL 33, 215-219)
Të përpiqemi të arrijmë urtinë e amshuar
Tashmë ishte e afërt dita në të cilën ajo do të dilte nga kjo jetë, dita të cilën ti e njihje ndërsa ne jo. Me anë të parapërcaktimit tënd të mistershëm dhe provanisë sate, ndodhi një herë që unë dhe ajo të qëndronim vetëm, të mbështetur mbi një dritare duke shikuar kopshtin e brendshëm të shtëpisë që po na mikëpriste. Ostia, ku ne, larg nga zhurma e njerëzve, pas mundit të një udhëtimi të gjatë, ishim duke pritur që të udhëtonim prapë me anije.
Po flisnim vetëm me ëmbëlsi të madhe dhe, pasi kishim harruar të kaluarën, ishim drejtuar kah e ardhmja, duke dashur të njohim në dritën e së Vërtetës së tanishme, që je ti, gjendjen e amshueshme e shenjtërve, ajo pra që syri nuk pa dhe veshi nuk dëgjoi, dhe kurrë nuk hyri në zemrën e njeriut (krh. 1 Kor 2, 9). Rrinim me gojë të drejtuar kah uji që rrjedh nga burimi yt, nga ai burim i jetës që ndodhet pranë teje. Thosha gjëra të tilla, edhe pse jo pikërisht në atë mënyrë dhe pikërisht me ato fjalë. Megjithatë, o Zot, ti e di se atë ditë, derisa po flisnim kështu dhe, mes një fjale e një tjetre, kjo botë bashkë me të gjitha kënaqësitë e saja humbiste në sytë tanë çdo ftesë të sajën, nëna ime më tha: “Biri im, për sa më përket mua, unë nuk gjej më asgjë që më tërheq për këtë botë. Nuk di se çfarë bëj këtu dhe pse jam akoma këtu. Kjo botë nuk është më objekt i dëshirës sime. Kishte vetëm një arsye pse dëshiroja të qëndroja edhe pak në këtë jetë: të të shihja të krishterë katolik, para se të vdisja. Hyji e ka dëgjuar lutjen time tej çdo pritje timen, më dha hirin që të shoh në shërbim të tij të liruar nga çdo aspiratë e lumturisë tokësore. Çfarë bëj më këtu?”.
Nuk më kujtohet mirë se si jam përgjigjur në lidhje me këtë. Ndërkohë brenda pesë ditësh ajo u shtrua në shtrat me ethe. Gjatë sëmundjes një ditë i ra të fikët dhe për një copë kohë humbi ndjenjat. Ne të gjithë vrapuam, por ajo e mori veten, më pa mua dhe vëllain tim që qëndronim pranë saj, dhe tha, sikur të ishte duke kërkuar diçka: “Ku isha?”.
Dhe duke na parë të shkatërruar nga dhimbja, tha: “Do ta varrosni këtu nënën tuaj”. Unë heshtja me një nyje në fyt dhe po mundohesha të mbaja lotët. Ndërsa vëllai im tha disa fjalë duke dashur të shprehte dëshirën që kishte për ta parë nënën duke i mbyllur sytë në atdhe dhe jo në një tokë të huaj. Me të dëgjuar bëri menjëherë një shenjtë mospëlqimi për atë që ishte duke thënë. Dhe duke u kthyer drejt meje tha: “Dëgjo çfarë thotë?”. Dhe pak më pas na tha te dyve: “Do ta varrosni këtë trup atje ku t’ju pëlqejë më shumë; nuk kam dëshirë që të shqetësoheni për këtë gjë. Vetëm për këtë gjë ju lutem, që kudo që të gjendeni, të më kujtoni në lterin e Zotit”.
Pasi shprehu ashtu siç mundi, këtë dëshirë, heshti. Ndërkohë sëmundja keqësohej gjithnjë e më shumë dhe ajo vazhdonte të vuante.
Nëntë ditë pasi u sëmur, në vitin e pesëdhjetë e gjashtë të jetës së saj, dhe vitin e tridhjetë e tretë të jetës sime, ai shpirt i bekuar dhe i shenjtë u nis nga kjo tokë.
Përgjigjja Krh. 1 Kor 7, 29. 30. 31; 2, 12
C Koha është e shkurtër. Qysh tani ata që gëzohen të jenë sikur të mos kishin gëzim; ata që e gëzojnë këtë botë, sikur të mos e gëzonin: * sepse trajta e kësaj bote po kalon.
D Ne nuk e kemi marrë shpirtin e botës.
C Sepse trajta e kësaj bote po kalon.
Lutja
O Hyj, ngushëllimi i atyre që janë në trishtim, ti i pranove lotët e shën Monikës për kthimin e birit të saj Augustinit, bëj që, me ndërmjetësinë e të dyve, të dimë t’i qajmë mëkatet tona e, për mëshirën tënde, të fitojmë faljen e tyre. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.