Shërbesa e leximeve
28 gusht, Shën Augustini, ipeshkëv dhe Mësues i Kishës
Përkujtim
Lindi në Tagaste, në Afrikë, në vitin 354. Kaloi një adoleshencë të trazuar si intelektualisht ashtu edhe moralisht, derisa, i kthyer në fe, në vitin 387 u pagëzua në Milano nga ipeshkvi Ambroz. I rikthyer në atdhe, bëri një jetë asketike. I zgjedhur pastaj ipeshkëv i Iponës, u bë shembull për grigjën e vet. Për 34 vjet e formoi me fjalimet dhe shkrimet e tij të shumta, me të cilët luftoi kundër gabimeve të kohës së tij dhe e ilustroi me mençuri fenë. Vdiq në vitin 430.
Nga Përbashkorja e barinjve ose e mësuesve të Kishës (fq. 1588) me psalmet e ditës në psalter.
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim në kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta lavdet e duhura.
Grushtin e fortë për luftë të plotë ta leu
Shpirti Shenjt me dhuratën e krizmës,
dhe të ngarkoi për të kullotur grigjën
tënde të shenjtë.
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si atë bëri gjithçka.
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjt. Amen.
Psalmi 18 /17/ I (2-7)
Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren
Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.
Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit
Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).
I (1-2. 3c. 9-12)
Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *
luftoji ata që më luftojnë!
Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *
thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«
Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *
do ta gëzojë shpëtimin e tij.
Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:
»E kush është, o Zot, si ti †
që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *
prej cubave të mjerin e skamnorin.«
U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *
më pyesin për gjëra që s’i di,
të mirat m’i kthejnë me të këqija: *
vetmi për shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.
Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd.
II (13-16)
E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,
ngjishesha me grathore, †
me agjërim e mundoja shpirtin tim, *
lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.
Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *
kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.
E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *
u bashkuan për të më salvuar papritmas,
vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †
më përqeshin duke më shpotitur, *
kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd
Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.
III (17-19. 22-23. 27-28)
O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †
Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *
prej luanëve të vetmen të mirë timen.
Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *
do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.
Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *
që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.
Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *
o Zot, mos më rri larg!
Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *
o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!
U kënaqshin dhe u gëzofshin, *
ata që e kanë për zemër drejtësinë time!
Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *
që e do paqen e shërbëtorit të vet.«
Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *
ditë për ditë lavdin tënd.
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë
D Biri im, ruaji fjalët e mia,
C mbaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 4, 5-8. 13-28
Shpallet ardhja e shkatërruesit.
Kështu thotë Zoti:
“Kushtrim lëshoni në Jude! Shpallni në Jerusalem! Thirrni, me bori lajmëroni vendin, të madhe bërtitni edhe thoni: 'Bashkohuni! Në fortesa të gjithë të hyjmë!'
Lartësoni një shenjë në drejtim të Sionit! Ikni! Mos u ngarritni! Sepse unë po sjell të keqen nga Veriu, një rrënim të madh!
Doli luani nga strofulli i vet, u ngrit vrasësi i popujve; doli prej vendit të vet për të bërë vendin tënd shkretëtirë: qytetet e tua do të shkretohen e do të mbesin pa banorë.
Prandaj vishuni me grathore, vajtoni e ulërini, se prej nesh nuk u largua zemërimi i felgrimit të Zotit.
Ja, po ngjitet porsi reja, si stuhi karroca e tij, kuajt e tij më të shpejtë se shqipet! Vaj për ne se sharruam shqim!
Laj fajet e zemrës sate që të shpëtosh, Jerusalem! Deri kur do të ruash në zemër synimet e mbrapshta të tuat?
Nga Dani zëri i kasnecit e nga mali i Efraimit lajmëron kumtin e fatkeqësisë:
Lajmëroni kombet! Ja, arritën! Njoftoni Jerusalemin: Prej së largu po vijnë armiqtë dhe lëshojnë britma mbi qytetet e Judesë.
Po e rrethojnë porsi rojtarët e fushës, pse ndaj meje ishte kokëfortë ‑ është fjala e Zotit.
Sjellja jote dhe veprat e tua ta bënë këtë. Kjo është fatkeqësia jote, oh, sa e hidhur që është, sepse të ther mu në zemër!
Digjem përbrenda, përvëlohem! Më mbytën dhimbjet! M'u copëtua zemra! Shpirti më dridhet! S'mund të heshti se borisë ia dëgjoj zërin, urratë e luftës!
Mjerim përmbi mjerim dëgjohet: i tërë vendi u shkretua, çadrat papritmas m'u shkretuan, shkuan në dëm strehimet e mia!
Deri kur do të shoh flamurin, do të dëgjoj zërin e bririt?
Po, i pamend është populli im, kurrë s'më njohën. Janë bij të marrë edhe të krisur, kanë aq dije sa për të bërë të këqija, lidhje s'kanë për ta bërë të mirën.
Shikoj tokën: është shkretë, e zbrazët, shikoj qiellin: ka mbetur pa dritë!
Shikoj malet: dhe, ja, po dridhen, shikoj kodrat: të gjitha po tunden!
Këqyri përreth: s' shoh me sy njeri, shpendët e qiellit të gjithë u larguan!
Këqyri: toka e pëlleshme u bë shkretëtirë, qytete të tëra grumbuj rrënojash para Zotit, para zjarrit të felgrimit të tij!
Sepse kështu flet Zotynë: “Mbarë vendi do të shkatërrohet, por krejtësisht nuk do ta zhbij.
Prej tij toka në zi do të vishet e lart, qielli do të errësohet, sepse thashë dhe s'do të pendohem, kështu vendosa dhe s'kthehem dalë!”
Përgjigjja Krh. Jer 4, 24-26; Ps 85 /84/, 5
C Para felgrimit tënd, o Hyj, toka trandet: * ki mëshirë për ne e mos na shkatërro krejtësisht.
D Na përtërij, o Hyj; largoje zemërimin tënd prej nesh:
C ki mëshirë për ne e mos na shkatërro krejtësisht.
Leximi i dytë
Nga “Rrëfimet” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Lib. 7, 10, 18; 10, 27; CSEL 33, 157-163. 255)
E vërteta e amshuar dhe dashuria e vërtetë dhe amshimi i dashur!
I nxitur që të tërhiqesha në veten time, nën udhëheqjen tënde, hyra në intimitetin e zemrës sime, dhe këtë gjë arrita ta bëj sepse ti u bëre ndihma ime (krh. Ps 30 /29/, 11). Hyra dhe pashë me sytë e shpirtit tim, cilado që mund të ishte, një dritë të pandryshueshme mbi vetë shikimin tim të brendshëm dhe mbi inteligjencën time. Nuk ishte një dritë tokësore dhe e pashme që ndriçon para shikimit të çdo njeriu. Do të thosha me pak siguri nëse do të thosha se ishte vetëm një dritë më e fortë se ajo e zakonshmja, apo edhe nëse do të thosha se ishte aq e dendur saqë përshkonte çdo gjë. Ishte një dritë tjetër, shumë e ndryshme nga të gjitha dritat e botës së krijuar. Nuk qëndronte mbi inteligjencën time pothuajse një vaj që endet mbi ujëra, as porsi qielli që përhapet përmbi tokë, por një dritë më e lartë. Ishte drita që më ka krijuar. Dhe nëse gjendesha nën të, ishte sepse unë u krijova nga ajo. Ai që e njeh të vërtetën e njeh këtë dritë.
O e vërteta e amshuar dhe dashuria e vërtetë dhe amshimi i dashur! Ti je Hyji im, drejt teje ofshaj ditë e natë. Sapo të njoha më ngrite lart që t’mund të shihja atë që mund të shihet dhe atë që unë vetëm nuk do të isha kurrë i aftë ta shihja. Ia more sytë dobësisë së shikimit tim, duke ndriçuar fuqishëm brenda meje. U drodha nga dashuria dhe nga tmerri. E gjeta veten time larg porsi në një tokë të huaj, ku më dukej se po dëgjoja zërin tënd nga lart që thoshte: “Unë jam ushqimi i të fortëve, rritu dhe do të më kesh. Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, porsi ushqimi i trupit, por do të jesh ti që do të shndërrohesh në mua”.
Kërkoja mënyrën si të merrja forcën e nevojshme për të të shijuar, dhe nuk e gjeja, derisa nuk e përqafova “Ndërmjetësin mes Hyjit dhe njerëzve, Njeriun Krishtin Jezus” (1 Tim 2, 5), “i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj.” (Rom 9, 5). Ai më thirri dhe tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gj 14, 6); dhe e bashkoi me qenien time atë ushqim të cilin unë nuk isha i aftë ta merrja, sepse “Fjala u bë njeri” (Gjn 1 14).
Kështu Urtia jote, nëpërmjet të cilës ti krijove çdo gjë, u bë ushqim i mendjes sonë fëmijërore.
Vonë të dashurova, bukuri aq e lashtë dhe aq e re, vonë të dashurova. Dhe ja se ti ishe brenda meje ndërsa unë jashtë dhe atje të kërkoja. Kurse unë, i shëmtuar, vërvitesha mbi gjërat e bukura që ti i ke krijuar. Ti ishe me mua kurse unë nuk isha me ty. Më mbanin larg teje ato krijesa, të cilat, po mos të ishin në ty, as që do të ekzistonin. Më thirre, bërtite, e theve shurdhësinë time. Mi more sytë, më vetëtime, dhe më në fund e shërove verbërinë time. E hukate mbi mua aromën tënde dhe unë e thitha atë, ndërsa tani unë prirem drejt teje. Të shijova dhe tani kam uri dhe etje për ty. Më preke dhe tani digjem nga dëshira për të fituar paqen tënde.
Përgjigjja
C O e Vërtetë, dritë që e ndriçon zemrën time, errësirat e mia nuk më flasin më. Isha i humbur dhe mu kujtove ti. * Ja, tani kthehem, i lodhur dhe i etshëm, tek burimi i jetës.
D Nuk jam unë jeta ime: në unin tim, nuk mund të jetoja, ndërsa në ty ndjehem i rilindur.
C Ja, tani kthehem, i lodhur dhe i etshëm, tek burimi i jetës.
Lutja
Ndiko, o Zot, në Kishën tënde, po atë shpirt që e përshkoi shën Augustinin, që edhe ne, të etur për dijen e vërtetë, të mos pushojmë të të kërkojmë Ty, gurrë të gjallë të dashurisë së amshuar. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.