Shërbesa e leximeve

29 gusht, Martirizimi i shën Gjon Pagëzuesit

 

Përkujtim

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Në përkujtimin e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit në martirizim, ta adhurojmë Qengjin e Hyjit.

 

      Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

      Ant. Në përkujtimin e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit në martirizim, ta adhurojmë Qengjin e Hyjit.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

      Ant. Në përkujtimin e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit në martirizim, ta adhurojmë Qengjin e Hyjit.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

      Ant. Në përkujtimin e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit në martirizim, ta adhurojmë Qengjin e Hyjit.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

      Ant. Në përkujtimin e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit në martirizim, ta adhurojmë Qengjin e Hyjit.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

      Ant. Në përkujtimin e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit në martirizim, ta adhurojmë Qengjin e Hyjit.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Në përkujtimin e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit në martirizim, ta adhurojmë Qengjin e Hyjit.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

      Himni

 

      O shumë i lumtur me merita t’larta,

      që nuk njeh njollë në ndershmërinë e pastër,

      banues shkretie e martir i pamposhtur,

      më i madhi i profetëve.

 

      Tash i fuqishëm me merita i pasur

      gurët e rëndë të gjoksit tonë prapësoji,

      udhën e vrazhdë duke sheshuar, drejtoji

      shtigjet e thyera,

 

      që autori i botës dhe shëlbues i drejtë,

      mendjeve t’urta duke u hequr turpin,

      kur t’vijë t’denjohet të drejtojë si duhet

      hapat e shenjtë.

 

      Banorët e qiellit Ty madhërojnë me lavde,

      o Zot i thjeshtë dhe njëkohësisht n’tre Vetë;

      edhe ne lutësit Ty të kërkojmë falje:

      ruaj të shpërblyerit. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tani e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

   Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit

 

   Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).

 

   I (1-10)

 

Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *

   e gjithë mirësia e tij,

si iu përbetua Zotit, *

   si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

 

»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *

   nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *

   s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

 

pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *

   një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«

 

Ja, dëgjuam se është në Efratë, *

   e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

Le të hyjmë në tendën e tij, *

   të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!

 

Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *

   ti dhe arka e Pushtetit tënd!

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *

   shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

 

Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *

   mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit

 

   Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).

 

Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *

   assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:

»Bamin e kraharorit tënd *

   do ta vë mbi fronin tënd!

 

Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *

   dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,

po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *

   do të rrinë përmbi fronin tënd.«

 

Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *

   e pëlqeu për banesë të veten:

»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *

   këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.

Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *

   skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *

   shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.

 

Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *

   do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *

   kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:

   C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Jeremisë profet 7, 1-20

 

   Profetizimi kundër besimit të kotë në kohë.

 

   Fjala e Zotit që i qe drejtuar Jeremisë: “Qëndro para derës të shtëpisë së Zotit, shpalle aty këtë fjalë e thuaj: Dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju o judenj, që hyni nëpër këtë derë, për ta adhuruar Zotin. Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Përmirësoni udhët tuaja dhe veprat tuaja e do t'jua mundësoj të banoni në këtë vend. Mos shpresoni në fjalët e rreme: 'Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit!' Por, në qoftë se ju përnjëmend e përmirësoni sjelljen tuaj dhe veprat tuaja, në qoftë se ju njëmend e zbatoni të drejtën njëri kundrejt tjetrit, në qoftë se nuk do ta shfrytëzoni ardhacakun, bonjakun e të vejën, në qoftë se nuk do ta derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend dhe në qoftë se nuk do të ecni pas hyjnive të huaja në dëmin tuaj, unë do të bëj që të banoni në këtë vend, në tokën që ua dhashë etërve tuaj përgjithmonë e jetës. Por, ja, se ju e keni vënë shpresën tuaj në fjalë të rreme, që gjë s'iu ndihmojnë. Çfarë? Të vidhni, të vritni, të fëlligështoni, të përbetoheni rrejshëm, t'i kushtoni Baalit kem, të shkoni pas hyjnive të huaja që nuk i njihni, e atëherë të vini e të paraqiteni para meje në këtë Shtëpi, mbi të cilën është thirrur emri im e të thoni: 'Kemi shpëtuar!', që të vazhdoni t'i bëni të gjitha këto turpëri. Pse a shpellë cubash është bërë kjo Shtëpi, mbi të cilën është thirrur emri im ndër sytë tuaj? Po, por as unë nuk jam i verbët ‑ thotë Zoti.

   Shkoni në vendin tim në Silo, ku dikur banoi emri im e shikoni çfarë i bëra atij për shkak të mbrapshtisë së popullit tim, Izraelit. E tashti, pasi ju i keni bërë të gjitha këto të zeza ‑ thotë Zoti ‑ megjithëse ju kam folur pa pushuar e s'më keni dëgjuar, ju kam thirrur e nuk më keni përgjigjur, do të bëj me këtë Shtëpi, mbi të cilën u thirr emri im, e në të cilën ju keni shpresë e me këtë vend, që jua dhashë juve e etërve tuaj, siç i bëra me Silon: do t'ju flak larg fytyrës sime, siç i flaka të gjithë vëllezërit tuaj, mbarë farën e Efraimit.

   E ti, ruaj se ndërmjetëson për këtë popull, ruaj se ndërmerr uratë ose përlutje as mos m'u vër, sepse nuk do ta dëgjoj uratën tënde. Pse a nuk sheh se çka bëjnë në qytetet e Judës e në rrugë të Jerusalemit? Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarr e gratë ngjeshin brumin për të pjekur kuleç “mbretëreshës së qiellit” edhe njomin njomje hyjnive të huaja për të më ngucur mua që të hidhërohem. A thua më poshtërojnë mua ‑ është fjala e Zotit ‑ e jo vetveten për turpin e vet? Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, felgrimi im e zemërimi im do të zbrazet mbi këtë vend, mbi njerëz e mbi kafshë, mbi drurët e fushës e mbi frytet e tokës, flakë do të ndizet e nuk do të fiket.

 

   Përgjigjja Krh. Jer 7, 11; Is 56, 7; Gjn 2, 16

 

   C A shpellë cubash është bërë kjo Shtëpi, mbi të cilën është thirrur emri im ndër sytë tuaj? * Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të Gjithë popujt.

   D Mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie.

   C Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të Gjithë popujt.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga “Predikime” i shën Bedës së nderuar, meshtar

      (Pred. 23; CCL 122, 354. 256. 257)

 

      Paralajmëruesi i lindjes dhe i vdekjes së Krishtit

 

      Paralajmëruesi i lumtur i lindjes së Zotit, i predikimit të tij dhe i vdekjes së tij, tregoi një fuqi të denjë për shikimet qiellore në luftën e tij. Edhe nëse në sytë e njerëzve ai pësoi vuajtje, shpresa e tij është plot me pavdekësi, siç thotë Shkrimi (krh. Urt 3, 4). Është shumë e drejtë që ne e kujtojmë me kremtim solemn ditën e lindjes së tij. Ai e bëri të përkujtueshëm me vuajtjen e tij dhe e skuqi me gjakun e tij. Është gjë e shenjtë ta nderojmë kujtimin e tij dhe ta kremtojmë në gëzimin e shpirtit. Ai e vulosi me martirizim dëshminë që e kishte dhënë për Zotërinë.

      Shën Gjoni pësoi burgun dhe prangat për dëshmi ndaj Shëlbuesit tonë, sepse duhej t’ia përgatiste rrugën. E dha jetën për të, edhe pse nuk iu kërkua që ta mohonte Krishtin, por vetëm ta heshtte të vërtetën. Megjithatë vdiq për Krishtin.

      Krishti ka thënë: “Unë jam e Vërteta” (Gjn, 14, 6), për këtë arsye pikërisht për Krishtin e derdhi gjakun e tij, sepse e derdhi për të vërtetën. E meqë me lindje, me predikim, me pagëzim duhej t’i jepte dëshmi atij që kishte për të lindur, për të predikuar dhe pagëzuar, kështu duke vuajtur shënoi edhe se Krishti do të vuante.

      Një njeri i një madhështie të tillë dhe aq të madhe i dha fund jetës së tij të tanishme me derdhjen e gjakut pas vuajtjes së gjatë të prangave. Ai e predikonte lirinë e paqes qiellore dhe u hodh në burg nga të paudhët. U mbyll në errësirën e burgut ai që erdhi për t’i dhënë dëshmi dritës dhe që nga vetë drita, që është Krishti, meritoi të quhej llambë që digjet dhe ndriçon. U pagëzua në gjakun e tij ai të cilit iu lejua që të pagëzonte Shëlbuesin e botës, që iu lejua të shihte hirin e Shpirtit Shenjt duke zbritur mbi të.

      Porse për njerëz të tillë nuk duhet të ketë qenë tepër e rendë një gjë e tillë, por në të kundërtën duhet të ketë qenë e lehtë dhe e bukur të duronin për të vërtetën vuajtje të kalueshme që do të paguheshin me gëzime të amshuara. Për një njeri si ai vdekja nuk ishte një ngjarje e patregueshme apo një nevojë e ashpër. Por më shumë ishte një shpërblim, një palmë e jetës së amshuar për dëshminë e emrit të Krishtit.

      Për këtë arsye thotë mirë Apostulli: “Juve Hyji ju dha hirin t’i shërbeni Krishtit jo vetëm duke besuar në Të, por edhe duke pësuar në Të” (Fil 1, 29). E quan hir të Krishtit që të zgjedhurit të vuajnë për të: “Të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne.” (Rom 8, 18).

 

      Përgjigjja    Krh. Mk 6, 17. 27

      C Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, për shkak të Heroidiadës, gruas së vëllait të tij. * Gjoni ishte profet dhe më shumë se një profet.

      D Mbreti e dërgoi një roje dhe urdhëroi t’ia sjellë kryet e Gjonit.

      C Gjoni ishte profet dhe më shumë se një profet.

 

      Lutja

      O Hyj, ti deshe që shën Gjoni Pagëzues të jetë Pararendësi i Birit tënd në lindje e në vdekje; ai e dha jetën e vet për drejtësinë e të vërtetën: bëj që edhe ne të dimë, si ai, ta kushtojmë vetveten me guxim dëshmimit të Ungjillit tënd. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.