Shërbesa e leximeve
Java e njëzetedytë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E diel
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Është koha e mesit natës;
nxit zëri profetik
t’i këndojmë lavde Hyjit,
Atit gjithmonë e Birit,
si edhe Shpirtit të Shenjtë:
Trinia e përsosur
e një gjëje të vetme
nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
Kjo kohë ka edhe tmerrin,
ku engjëlli shkatërrues
vdekjen i solli Egjiptit,
shfarosi të parëlindurit.
Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
pse atëherë po atje engjëlli
s’kishte guxuar t’ndeshkonte
nga frika e shenjës s’gjakut.
Egjipti rëndë vajtonte
nga shuarja e rreptë e djemve;
veç Izraeli gëzonte
mbrojtur nga gjaku i qengjit.
Izraeli i vërtetë ne jemi:
në Ty, o Zot, gëzohemi,
duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
fatlume ditë fitore e Krishtit,
ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
dita e parë.
Dritë hyjnore u ndriçon të verbërve,
në cilën Krishti shkreton ferrin,
vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
t’ultat me t’lartat.
Vendimi i mbretit të amshuar
nën mëkat fund u dha të gjithave;
që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
njerëzve të dobët.
Virtyti i Hyjit e dija
mërinë me mirësi zbuti
atëherë kur bota në greminë
tërësisht po rrokollisej.
I lirë u ngjall përsëri nga ferri
restaurator i farës njerëzore
delen e vet mbi supa duke e mbartur
në vise t’epra.
Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
rritet plotësimi i radhëve qiellore,
lavdi i ka hije Hyjit ngadhnjëmtar,
lavdia e amshuar.
Harmonia e atdheut qiellor
përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
“Aleluja” sot grumbulloftë me turma
grigjat besnike.
Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
paqe në tokë, dhe brohoritje
qofshin ndër qiej. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.
Psalmi 104 /103/ Himn Hyjit Krijues
Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja (2 Kor 5, 17).
I (1-12)
Bekoje, shpirti im, Zotin! *
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri, *
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë, *
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
Retë i bëre karrocë për vete, *
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu, *
zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.
Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *
nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *
majat e maleve i mbulonin ujërat:
Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *
dridhen nga zëri i bubullimës sate:
ngjiten në male, zbresin në lugina *
drejt vendit që ti u cakton:
u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *
që përsëri të mos e mbulojnë tokën.
Burimet ti i kthen në përrenj, *
rrjedhin përmidis malesh;
ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *
ua shuajnë etjen gomarëve të egër.
Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *
gem më gem ia thonë këngës së vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 O Zot, Hyji im, porsi me petk je i mbështjellë me dritë je i veshur me madhëri , aleluja.
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.
II (13-23)
Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *
toka ngihet me frytet e duarve të tua.
Ti bën të mbijë bar për kafshë, †
bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *
për të nxjerrë prej tokës bukën
e verën që gëzon zemrën e njeriut, †
që me vaj ta lyejë fytyrën *
e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.
Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *
cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.
Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *
lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.
Malet e larta strehim u japin shutave, *
e shpellat vjedullave banesën.
Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *
edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.
Shtrin errësirën e bëhet natë: *
nëpër të enden egërsirat e pyllit.
Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *
e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.
Kur lind dielli ata tërhiqen *
e struken në strofujt e vet.
Atëherë del njeriu për të vepruar *
për t’i kryer punët deri në mbrëmje.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut, aleluja.
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.
III (24-35)
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †
atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
Nëpër të kalojnë anijet, *
Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!
Të gjitha këto presin me shpresë *
që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.
Po u dhe ti ato mbledhin, *
kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †
po ua more frymën, ato ngordhin *
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *
dhe e rinon fytyrën e dheut.
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *
u gëzoftë Zoti në veprat e veta! –
E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *
i prek malet e i bën të tymojnë.
Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *
do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.
I pëlqeftë Zotit kënga ime, *
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †
e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *
Bekoje, shpirti im, Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë, aleluja.
D Lum sytë tuaj, që e shohin Krishtin:
C dhe veshët tuaj, që e dëgjojnë zërin e tij.
Prej librit të Jeremisë profet 11, 18-20; 12, 1-13
Profeti e shfryn shpirtin e tij.
Ti, o Zot, më tregove dhe unë mora vesh; atëherë m'i dëftove synimet e tyre. Unë isha si qengji i butë që e çojnë për ta prerë; nuk dija se ata kishin synime të mbrapshta kundër meje: “Ta presim drurin në fuqinë e saj të plotë, ta çrrënjosim nga toka e të gjallëve dhe emri i tij s'do të përmendet më.”
O Zoti i Ushtrive, gjykatës i drejtë, që i shqyrton veshkat e zemrat, bëj të shoh si u hakmerrej, sepse ty ta kam besuar çështjen time.
Pa dyshim, o Zot, ti je i drejtë që unë të mund të rragatem me ty.
Megjithatë, doja të të sjell një fjalë mbi drejtësinë. Pse punët e të këqijve po përparojnë? Pse të gjithë tradhtarët e keqbërësit janë mirë?
Ti i mbëltove e ata lëshuan rrënjë, përparojnë e qesin fryt. Ti je afër gojës së tyre e larg nga zemra e tyre.
Por ti, o Zot, më njeh, më sheh, ti e vërtetove se zemra ime është me ty. ndaj veçmas ata porsi qengjat për thertore, ruaj për ditën e prerjes!
Deri kur do të mbajë zi vendi e do të thahet bari i mbarë fushës për shkak të paudhësisë të banorëve të saj? Sharruan bagëti e shpendë pse ata thonë: 'Nuk e sheh Ai të ardhmen tonë'.
Nëse në vrap lodhesh me këmbësorë, si do të vihesh në vrapim me kuaj? Kur as në vend paqeje s'je i sigurt, ç'do të bësh në pyll të dendur të Jordanit?
Deri edhe vëllezërit e tu edhe shtëpia e babait tënd, janë me zhibla kundrejt teje, edhe ata të shajnë pas shpine gjithësa munden. Mos u beso kur të flasin fjalë të bukura!
E braktisa shtëpinë time, e lash trashëgimin tim, më të dashurën e shpirtit tim e dhashë në duar të armiqve të saj.
Trashëgimi im u bë për mua porsi luani në pyll; ulëriti kundër meje prandaj edhe m'u neverit.
Pse, a sorrë e larme është prona ime? Shpendët përreth vallë, ta sulmojnë? Ejani, bashkohuni, të gjitha kafshët e pyllit, nxitoni të përlugtoni!
Barinj të shumtë e shkretuan vreshtin tim, e shkelmuan pronën time, pjesën time, atë më të dashurën, e kanë kthyer në djerrishtë të shkretë!
Krejtësisht e shpartalluan, vajton e mjeruar para meje! I shkretuar është krejt vendi, pse askush për të s'vret vesh!
Mbi çdo lartësirë të shkretëtirës ia arritën shkatërruesit, shpata e Zotit po përpin prej një skaji në skaj tjetër të vendit: s'ka më paqe për askënd!
Mbollën drithë e korrën ferra, u munduan e gjë s'prodhuan. Turpërohuni për fryte tuaja për shkak të felgrimit të Zotit.
Përgjigjja Krh. Gjn 12, 27-28; Ps 42 /41/, 6
C Tani shpirtin e kam të tronditur e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë. * O Atë, jepi lavdi Emrit tënd.
D Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua?
C O Atë, jepi lavdi Emrit tënd.
Leximi i dytë
Lexim nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Ligj. 23 A, 1-4; CCL 41, 321-323)
Zoti ka pasur mëshirë për ne.
Jemi me të vërtetë të lumë nëse vëmë në jetë atë që dëgjojmë ose këndojmë. Në fakt, të dëgjuarit tonë përfaqëson mbjelljen, ndërsa në veprim kemi frytin e farës. Me këtë do të doja t’ju ftoja të mos shkoni në kishë dhe pastaj të mbetni pa fryte, domethënë të dëgjoni shumë të vërteta pa u vënë në lëvizje për të vepruar.
Sidoqoftë mos të harrojmë atë që thotë apostulli: “Me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet (Ef 2, 8-9). Përsërit: “Ju jeni të shëlbuar me hir (Ef 2, 5).
Në fakt, në jetën tonë përpara nuk kishte asgjë të mirë që Hyji të mund të çmonte apo të donte, gati si të thoshte: “Le të shkojmë, t’i ndihmojmë këta njerëz sepse jeta e tyre është e mirë”. Nuk mund t’i pëlqente jeta jonë me mënyrën tonë të vepruarit, por as nuk mund të mos i pëlqente ajo që ai kishte vepruar në ne. Ndërkaq do të dënojë veprën tonë, por do të shëlbojë atë që ai vetë ka krijuar.
Pra nuk ishim me të vërtetë të mirë. Megjithatë Hyji pati mëshirë për ne dhe dërgoi birin e tij që të vdiste jo për ata që janë të mirë, por për të këqijtë, jo për të drejtët, por për të mbrapshtit. Pikërisht kështu: “Krishti vdiq për bakëqijtë.” (Rom 5, 6). E çfarë shton? “E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë, ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë” (Rom 5, 7). Ndoshta ndokush e ka forcën për të vdekur për të drejtin. Por për të padrejtin, të mbrapshtin, të ligun, kush do të pranonte të vdiste, përveç Krishtit, që është aq i drejtë sa që mund të shfajësojë edhe të padrejtët?
Siç e shihni, vëllezër, nuk kishim vepra të mira, por të gjitha ishin të këqija. Megjithatë, edhe pse ishin të tilla veprat e njerëzve, mëshira hyjnore nuk i braktisi. Madje Hyji dërgoi Birin e vet për të na shëlbuar jo me ar e as me argjend, por me çmimin e gjakut të vet, që ai, si qengj i papërlyer i dërguar për t’u flijuar, ka derdhur për delet e përlyera, edhe pse vetëm të përlyera, jo krejtësisht të prishura.
Ky është hiri që kemi marrë. Të jetojmë pra siç i ka hije këtij hiri, për të mos fyer një dhuratë kaq të madhe. Na ka dalë përpara një mjek aq i mirë dhe i aftë sa të na çlirojë nga të gjitha të këqijat tona. Nëse duam të biem përsëri në sëmundje, jo vetëm që do t’i bëjmë keq vetes sonë, por do të tregohemi edhe mosmirënjohës ndaj mjekut tonë.
Le të ndjekim pra rrugët që ai na ka treguar, veçanërisht rrugën e përvujtërisë, atë në të cilën ka ecur ai vetë. Në fakt na ka vizatuar rrugën e përvujtërisë me mësimin e tij dhe e ka përshkuar deri në fund duke vuajtur për ne.
Me qëllim që ai që ishte i pavdekshëm të mund të vdiste për ne, “E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne (Gjn 1, 14). I pavdekshmi mori mbi vete vdekshmërinë, që të mund të vdiste për ne dhe të shkatërronte kështu me vdekjen e tij vdekjen tonë.
Këtë vepër ka përmbushur Zoti, në këtë gjë na ka paraprirë. Ai që është i madh është përvujtëruar, pasi është përvujtëruar qe vrarë, pasi qe vrarë u ngjall dhe u lartësua për të mos na lënë në ferr, por për të lartësuar në vetvete, në ringjalljen nga të vdekurit, ata që në këtë tokë i kishte lartësuar vetëm në fe dhe në shpalljen e të drejtëve. Pra na ka kërkuar të ndjekim udhën e përvujtërisë: nëse do të bëjmë këtë gjë do t’i japim lavdi Zotit dhe me të drejtë do të mund të këndojmë: “Do të këndojmë lavde, o Hyj, do të lavdërojmë e do ta thërrasim Emrin tënd” (Ps 75 /74/, 2).
Përgjigjja Krh. Ps 85, 12-13; 117, 28
C Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im, me gjithë zemrën time, për amshim do ta madhëroj Emrin tënd: * sepse e madhe është mëshira jote mbi mua.
D Ti je Hyji im, ty të falënderoj, Ti je Hyji im, unë të madhëroj:
C sepse e madhe është mëshira jote mbi mua.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë, ndiko në zemrat tona dashurinë ndaj teje që të zhvillohet në ne çka është e mirë dhe, nën ndikimin tënd, t’ia arrijmë përsosmërisë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.