Shërbesa e leximeve
Java e njëzetedytë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E martë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,
përherë në psalme thellë le të mendohemi
me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit
ëmbëlsisht himnet.
Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,
me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi
n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku
jetën e lume.
E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume
e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit
të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton
nëpër mbarë botën. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,
o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;
prano premtimet e shërbëtorëve tu
të përgjërohemi.
Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë
me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat
e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha
dëbo nga zemrat.
Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,
këputi prangat, laj papastërtitë,
ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde
ngre të rrëzuarit.
Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,
dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,
me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt
nëpër gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit
Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).
I (1-11)
Mos u zemëro kundër keqbërësve *
as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.
Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *
e do të kalben si bari i njomë.
Shpreso në Zotin e bëj mirë: *
kështu do të banosh Tokën e premtuar
e do të jetosh në paqe.
Vëre gëzimin tënd në Zotin *
e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *
shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *
të drejtën tënde porsi mesdita.
Hesht para Zotit e shpreso në të †
e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *
për njeriun që djerron tradhti.
Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *
mos u shqetëso se vetëm prish punë,
sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *
kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.
Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *
tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,
kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *
e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
II (12-29)
Bakeqi i vë prita të drejtit, *
kundër tij kërcëllon dhëmbët,
por Zoti e përqesh atë, *
sepse e sheh se do t’i vijë dita.
Mëkatarët vringëlluan shpatën *
dhe ngrehën harkun
për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *
për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.
Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *
harku i tyre copë e grimë do të bëhet.
Më mirë pakica e të drejtit *
sesa pasuria e madhe e bakeqit, –
sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *
ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.
Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *
trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *
s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †
porsi stolia e fushave do të vyshken, *
do të zhduken porsi tymi.
I paudhi merr hua e nuk kthen, *
ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.
Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *
ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.
Zoti i forcon hapat e njeriut *
dhe përcjell me dashuri udhën e tij.
Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *
sepse Zoti e mban për dore.
I ri qesh edhe u plaka, †
por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *
as fëmijët e tij duke lypur bukë.
Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *
prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.
Hiqu së keqes e bëj të mirën *
e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
sepse Zoti e do të drejtën *
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *
breznia e tyre do të shuhet.
Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *
dhe në të do të banojnë për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
III (30-40)
Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *
gjuha e tij shpall të drejtën.
Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *
nuk shqepojnë hapat e tij.
I paudhi e përgjon të drejtin: *
këqyr si ta vrasë.
Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *
nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.
Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †
ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *
dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.
E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *
të lartë porsi cedrin e kërthndezët;
kalova dhe, ja, nuk ishte, *
e kërkova e nuk e gjeta.
Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *
njeriu i paqes pas vetes lë djalin.
Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *
bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.
Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *
ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †
do t’i lirojë prej keqbërësve *
sepse shpresuan në të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:
C sepse kam besim në fjalët e tua.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 20, 7-18
Ankthi i profetit.
Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove. U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin.
Sa herë që më duhet ta shpallë fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!” Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!
Atëherë thashë me vete: më s'do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas! Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, u ndry në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s'munda!
I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: 'Paditeni! Le ta padisim!' Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: 'Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do t'i ahmerremi!'
Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s'do të ngadhënjejnë: turpi do t'i mbulojë se s'do t'ia dalin qëllimit, marre e përhershme që kurrë s'do të shlyhet!
O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh ahmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorë tënde e lashë çështjen time!
Këndoni Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve.
Qoftë mallkuar dita kur unë leva; dita kur më lindi nëna ime jo, mos qoftë bekuar!
Qoftë mallkuar ai burrë që e lajmëroi tim atë: 'Je u bërë me djalë!' dhe e mbushi me gëzim!'
U bëftë ai njeri porsi qytetet, që Zoti i shkatërroi e askurrë s'u pendua. Në mëngjes ndjeftë kushtrimin e në mesditë rropamën e luftës,
që s'më shitoi në barkun e nënës! Nëna ime do të më bëhej varr e barku i saj, shtatzënë përgjithmonë.
Pse ndopak dola nga barku amnor? Që të heq keq e të vuaj e në turp të marrin fund ditët e mia!
Përgjigjja Krh. Jer 20, 10-11; Ps 31 /30/, 14
C Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: Ndoshta do të lejojë të gënjehet e kështu do të ngadhënjejmë mbi të. * Por me mua është Zoti si trimi i trimave.
D Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë. Pleqërojnë si të ma marrin jetën.
C Por me mua është Zoti si trimi i trimave.
Leximi i dytë
Lexim nga libri “Në përngjasim të Krishtit”
(Lib. 3, 14)
E vërteta e Zotit qëndron në amshim.
Ti bën të gjëmojnë mbi mua gjykimet e tua, o Zot, dhe i shkund eshtrat e mia me frikë dhe drithërima. Shpirti im është shumë i tronditur.
Mbetem i befasuar dhe marr me mend se qiejt nuk janë të pastër në sytë tuaj. Nëse ke gjetur të meta tek engjëjt (krh. Jb 15, 15; 4, 18) dhe nuk i ke kursyer, çfarë do të ndodhë me mua? Ranë yjet prej qiellit (krh. Zb 6, 13), po unë, pluhur, çfarë kërkoj? Disa njerëz, që dukej se kishin një sjellje të shkëlqyeshme, ranë poshtë e më poshtë; dhe ata që hanin bukën e engjëjve i kam parë duke u kënaqur me lende të derrave. Nuk ka, pra, asnjë shenjtëri, nëse ti, o Zot e tërheq dorën tënde. Asnjë dituri nuk ka vlerë, nëse ti pushon së qeverisuri. Asnjë forcë nuk duhet, nëse ti resht së mbështeturi.
Nëse jemi të braktisur, zhytemi dhe birremi. Nëse, përkundrazi, jemi të vizituar, ngrihemi dhe jetojmë. Jemi të paqëndrueshëm, por ti na ke bërë të qëndrueshëm. Vakemi, por ti na ndez përsëri.
Çdo lavdi boshe përpihet nga thellësia e gjykimeve të tua mbi mua. Çfarë është çdo mish (njeri) përpara teje? Mos vallë do të lavdërohet balta përpara atij që i jep formë? (krh. Is 29, 16). Si mund të humbasë nëpër mburrje ai që ka ndjenjën e gjallë të së vërtetës dhe është i bindur ndaj Hyjit?
Bota e tërë nuk do t’ia dilte për të bërë të krenohet atë që ndjehet i nënshtruar ndaj ligjit të së vërtetës, dhe as buzët e të gjithë idhujtarëve nuk do të zhvendosë atë që ka ngulur çdo shpresë në Hyjin. Vetë ata që flasin janë asgjë; kur të tingëllojnë fjalët: “Besnikëria e Zotit qëndron për amshim” (Ps 117 /116/, 2).
Përgjigjja Krh. Ps 118, 115. 114. 113
C Largohuni prej meje, o keqbërës, se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim. * Ti je streha dhe shqyti im, o Zot: kam besim në fjalën tënde.
D I urrej shpirtrat e paqëndrueshëm dhe e dua ligjin tënd.
C * Ti je streha dhe shqyti im, o Zot: kam besim në fjalën tënde.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë, ndiko në zemrat tona dashurinë ndaj teje që të zhvillohet në ne çka është e mirë dhe, nën ndikimin tënd, t’ia arrijmë përsosmërisë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.