Shërbesa e leximeve
Java e njëzetedytë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E mërkurë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Krijues i sendeve, ripërtëritës jete,
Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,
ti lutjet tona e lavdërimet baras
pranoji i ëmbël.
Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet
me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme
e ne ringjall me harmoni t’përjetshme
o autor i dritës.
Na jep ne ditë me mirësi të mbara
duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,
që t’jetë përherë paprerë me vepra tona
lavdia jote.
Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet
me zjarr hyjnor edhe na bëj syhapët,
që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona
llambat e ndezura.
Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,
dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,
e në mbarë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjt, Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,
gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,
që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja
na ke shëlbuar.
Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi
ndër mendje tona, dhe besimit ktheji
ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore
kënaqësinë shtoja.
Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,
që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,
na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar
prej Selisë tënde.
Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,
dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,
me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë
sundon ndër shekuj. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje
Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur bijësimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).
I (2-7)
Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *
që të mos mëkatoj me gjuhën time,
fre do t’i vë gojës sime *
sa të jetë para meje bakeqi.«
Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *
por më kot dhembja ime u përtërit.
Flakë u ndez në mua zemra, *
posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,
fola me gjuhën time: *
»Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,
cili është numri i ditëve të mia, *
që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«
Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *
jeta ime është asgjë para teje,
vetëm avull është çdo njeri. *
Porsi hije kalon jeta e njeriut,
e kotë është krejt puna e tij: *
ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
II (8-14)
E tani çka mund të pres, o Zot? *
Shpresa ime është në ty!
Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *
mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!
S’bëj zë, gojën nuk e çel *
sepse je ti ai që vepron.
Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *
se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!
Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †
porsi tenja e bren dëshirën e tij. *
Vërtet tytësi është çdo njeri!
Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *
vështro klithmat e mia!
Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †
Para teje unë jam i huaj, *
endacak porsi etërit e mi.
Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *
para se të shkoj e të mos jem më!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve
Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).
Pse krenohesh me vepra të këqija *
ti që je i madh për nga paudhësia?
Gjithë ditën djerron tradhti! †
Gjuha jote brisk i mprehtë, *
o mjeshtër fitmesh!
Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *
rrenën se të flasësh të vërtetën,
të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *
o gjuhë fitmesh!
Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *
do të të zhdukë përgjithmonë,
do të të çrrënjosë prej tendës, *
do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.
Të tmerruar do të shohin të drejtët *
e do të qeshin mbi të:
»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †
por shpresoi në kamjen e vet të madhe *
dhe krenohej me tradhtitë e veta.«
E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †
shpresoj në mirësinë e Hyjit *
për amshim e në shekuj të shekujve.
Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †
shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *
në sy të besimtarëve të tu.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.
D Shpirti im shpreson në Zotin,
C dhe me padurim e pret fjalën e tij.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 26, 1-15
Jeremia është në rrezik vdekjeje sepse ka profetizuar shkatërrimin e tempullit.
Në fillim të mbretërimit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, Jeremisë i qe drejtuar prej Zotit kjo fjalë: “Kështu thotë Zoti: Qëndro në treme të Shtëpisë së Zotit dhe thuaju të gjitha qyteteve të Judës, prej të cilave vijnë për të adhuruar në Shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që unë të kam urdhëruar t'ua thuash: ruaju se e mungon ndonjë fjalë. Ndoshta dëgjojnë e kthehen secili nga udha e vet e keqe, e të pendohem edhe vetë për të keqen që kam në mend t'ua bëj atyre për shkak të veprave të tyre të këqija. Thuaju, pra: Kështu thotë Zoti: Nëse nuk do të më dëgjoni të ecni sipas Ligjit tim, që jua kam dhënë, duke i dëgjuar fjalët e shërbëtorëve të mi profetë, që unë i kam dërguar vazhdimisht, megjithëse deri tashti nuk i keni dëgjuar, do të sillem me këtë Tempull porsi me Silon e këtë qytet do ta bëj mallkim për të gjithë popujt e tokës.”
Priftërinj, profetë e mbarë populli e dëgjuan Jereminë duke i folur këto fjalë në Shtëpinë e Zotit. Kur Jeremia u dha fund të gjitha fjalëve që ia kishte urdhëruar Zoti t'ia thotë mbarë popullit, atëherë e kapën priftërinjtë, profetët e mbarë populli e thanë: “Do të shkojë koka! Pse ti e bëre këtë profeci në emër të Zotit: 'Ky Tempull do të bëhet si Siloja e ky qytet do të shkretohet, sepse askush në të nuk do të banojë!'“ Dhe u grumbullua kundër Jeremisë mbarë populli në Shtëpinë e Zotit. I dëgjuan këto fjalë edhe prijësit e Judës, erdhën nga Pallati i mbretit në Shtëpinë e Zotit dhe zunë vend në hyrje te dera e Re e Tempullit të Zotit.
Atëherë priftërinjtë e profetët u thanë krerëve dhe mbarë popullit: “Ky njeri meriton gjykimin për vdekje, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti sikurse dëgjuat me veshët tuaj.” Por Jeremia u tha të gjithë prijësve dhe mbarë popullit: “Zoti më dërgoi të profetizoj kundër kësaj Shtëpie e kundër këtij qyteti të gjitha këto fjalë që i dëgjuat. Tashti, pra, përmirësoni udhët tuaja e veprat tuaja dhe dëgjojeni fjalën e Zotit, Hyjit tuaj: atëherë edhe Zoti do të pendohet për të keqen që jua kërcënua se do t'jua bëjë. Sa për mua, ja, unë jam në duar tuaja. Bëni me mua si jua pret mendja se është mirë e drejt. Megjithatë, dijeni mirë se, në qoftë se ju më vritni, ju po e ngarkoni vetveten, këtë qytet e banorët e tij, me gjak të pafajshëm; sepse me të vërtetë Zoti më dërgoi ndër ju për t'ua shpallur veshëve tuaj të gjitha këto fjalë.”
Përgjigjja Krh. Jer 26, 15; Mt 27, 24
C Dijeni mirë se, në qoftë se ju më vritni, * ju po e ngarkoni vetveten, këtë qytet e banorët e tij, me gjak të pafajshëm.
D Pilati i lau duart duke thënë: Unë jam i pafajshëm për këtë gjak,
C ju po e ngarkoni vetveten, këtë qytet e banorët e tij, me gjak të pafajshëm.
Leximi i dytë
Lexim nga “Komenti mbi Gjonin” i Origjenit, meshtar
(Vëll. 10, 20; PG 14, 370-371)
Krishti fliste për tempullin e trupit të tij.
“Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri dite” (Gjn 2, 19). Njerëzit e trashë dhe të kufizuar me sferën e thjeshtë materiale më duket se janë të simbolizuar nga ata judenj që ishin hidhëruar sepse Jezusi kishte nxjerrë nga shtëpia e Atit të vet shitësit. Si provë se po vepronte me të drejtë dhe si Bir i Hyjit, gjë që ata, në mosbesimin e tyre nuk donin të pranonin, kërkonin një shenjë. Por Zoti iu përgjigj duke vënë së bashku figurën me realitetin, domethënë tempullin dhe trupin e tij. Atyre që e pyesnin: “Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?”, iu përgjigj: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri dite”. Që të dy, qoftë tempulli, qoftë trupi i Jezusit, sipas një interpretimi të mundur, më duket se janë figurë e Kishës. Kjo, në të vërtetë, është e ndërtuar me gurë të gjallë. Është bërë “Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë (1 Pjt 2, 5). Është ndërtuar “mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi” (Ef 2, 20) dhe prandaj quhet tempull. Është e vërtetë, sidoqoftë, se edhe “ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tija” (1 Kor 12, 27). Nëse është kështu mund të shkatërrohet ajo që lidh gurët e tempullit. Mund të ndodhë që gurët të shpërndahen siç shkruan Psalmi 22 /21/, gjë që do të thotë, duke shpjeguar metaforën, se eshtrat e Krishtit mund të shkëputen për shkak të salvimeve dhe të përndjekjeve të atyre që luftojnë kundër njësisë së tempullit. Megjithatë tempulli do të rindërtohet dhe trupi do të ngjallet të tretën ditë, domethënë pas ditës së salvimit të tij dhe pas ditës që vijon, që është dita e konsumimit.
Do të kemi, pra, një ditë të tretë në qiellin e ri dhe në tokën e re kur këto eshtra, që janë shtëpia e Izraelit, në ditën e madhe të Zotit do të rifrymëzohen si rezultat i fitores së tij mbi vdekjen. Kështu ringjallja e Krishtit, që është vijim i vuajtjeve të kryqit, përfshin misterin e ringjalljes së të gjithë trupit të Krishtit. Trupi i ndjeshëm i Jezusit qe kryqëzuar dhe varrosur dhe pastaj u ringjall. Kështu i gjithë trupi i shenjtërve të Krishtit më parë gozhdohet në kryq me Krishtin dhe në një farë kuptimi pushon së jetuari. Në fakt, si Pali, askush prej nesh nuk duhet krenuar përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, me anë të së cilit ai është kryqëzuar për botën dhe bota për të.
Secili prej nesh jo vetëm që është kryqëzuar së bashku me Krishtin dhe i kryqëzuar për botën, por është varrosur gjithashtu së bashku me Krishtin. Në fakt, “bashkë me të jemi varrosur në vdekje”, thotë Pali (Rom 6, 4). Veçse ai, si të kishte tashmë një kapar të ringjalljes, shton: e me të jemi ringjallur edhe ne (krh. Rom 6, 4).
Përgjigjja Krh. 1 Kor 6, 19-20; Lev 11, 43.44
C Trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju; nuk i përkitni vetvetes: sepse jeni blerë me çmim të lartë. * Jepini lavdi Hyjit në trupin tuaj.
D Mos i fëlliqni shpirtrat tuaj: jini të shenjtë sepse edhe unë jam i shenjtë.
C Jepini lavdi Hyjit në trupin tuaj.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë, ndiko në zemrat tona dashurinë ndaj teje që të zhvillohet në ne çka është e mirë dhe, nën ndikimin tënd, t’ia arrijmë përsosmërisë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.