Shërbesa e leximeve
3 shtator, Shën Gregori i madh, papë dhe mësues i Kishës
Përkujtim
Lindi në Romë rreth vitit 540. I futur në karrierën politike, arriti detyrën e prefektit të Urbes. Pastaj përqafoi jetën monastike, u shugurua diakon dhe qe i dërguari i papës në Kostandinopojë. Më 3 shtator të vitit 590 u ngrit në katedrën e Pjetrit, dhe u tregua një bari i vërtetë në kryerjen e detyrës së tij të lartë, por veçanërisht në kujdesin për të varfrit.
Iu kushtua me zell edhe përhapjes së fesë. Ndër shumë angazhime gjeti edhe kohën për të shkruar shumë traktate morali dhe teologjie. Vdiq më 12 mars të vitit 604.
Nga Përbashkorja e barinjve ose e mësuesve të Kishës (fq. 1588) me psalmet e ditës në psalter.
FTESA
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta
lavdet e duhura.
Ti i pate dhënë tufën e dhenve Pjetrit,
që bota mbarë një vathë e shenjtë të bëhej,
ky i vendosur krejt në krye të Kishës
me urdhrin tënd sundoi.
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si babë
bëri gjithçka.
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjtë. Amen.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi
Në gjithçka jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshët tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshët i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, përherë do ta lavdërojmë emrin tënd.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
D Te kush të shkojmë, o Zot?
C Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 29, 1-14
Letra e Jeremisë drejtuar Izraelitëve të shpërngulur në Babiloni.
Ja fjalët e letrës që Jeremia profet ia dërgoi nga Jerusalemi Tepricës së të shpërngulurve ‑ krerëve, priftërinjve, profetëve e mbarë popullit, të cilët i shpërnguli nga Jerusalemi Nabukodonozori dhe i çoi në Babiloni, pasi ishin nisur nga Jerusalemi mbreti Jekonia, zonja mbretëreshë, bujarët e pallatit, prijësit e Judës e të Jerusalemit, mjeshtër e argjendarë. Letra i qe dërguar për dorë të Elasës, birit të Safanit, e të Gamarisë, birit të Helcisë, të cilët i dërgoi Sedecia, mbreti i Judës, te Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Babiloni.
Në letër thoshte:
“Kështu u thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, të gjithë të treturve që i shpërngula nga Jerusalemi në Babiloni: Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to; mbillni kopshte e hani frutat e tyre; martohuni e lindni djem e vajza; merrni djemve tuaj gra, martoni vajzat tuaja, e të lindin bij e bija e shtohuni atje e mos u pakësoni! Kërkojeni të mirën e vendit ku ju kam tretur e luteni Zotin për të, sepse në mirëqenien e tij qëndron edhe e mira juaj. Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Mos lejoni t'ju bëjnë të gaboni profetët që janë në mesin tuaj, dhe shortarët tuaj, dhe mos kini besim në ëndrrat tuaja që ju i ëndërroni, sepse ata ju parakallëzojnë rrena në emër tim, e pra, unë nuk i dërgova ata ‑ është fjala e Zotit. Sepse kjo është fjala e Zotit: Vetëm kur të mbushen shtatëdhjetë vjetët në Babiloni, vetëm atëherë do të vij t'ju shoh e do ta çoj në vend premtimin tim se do t'ju riatdhesoj. Sepse unë e di mirë synimin që e kam me ju ‑ është fjala e Zotit ‑ synime paqeje e jo mjerimi: synoj t'ju jap pasardhësi dhe shpresë. Ju do të më thirrni në ndihmë e do të vini tek unë; do të më luteni dhe unë do t'ju dëgjoj. Do të më kërkoni e do të më gjeni sa herë që të më kërkoni me zemër të çiltër. Do të lejoj të gjendem prej jush ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe do të bëj të marrë fund skllavëria juaj, do t'ju bashkoj nga të gjithë popujt e nga të gjitha vendet, në të cilat ju pata tretur ‑ është fjala e Zotit ‑. Unë do të bëj të ktheheni në vend, nga i cili ju pata shpërngulur.
Përgjigjja Krh. Ps 105 /104/, 1. 4; Sir 2, 11
C Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij. * Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij.
D Vëreni, o bij: kush shpresoi në Zotin dhe mbeti i turpëruar?
C Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij.
Leximi i dytë
Nga “Predikimet mbi Ezekielin” i shën Gregorit të madh, papë
(Lib. 1, 11, 4-6; CCL 142, 170-172)
Për dashuri ndaj Krishtit nuk e kursej veten time që të flas për të
“Biri i njeriut, të kam bërë rojën e shtëpisë së Izraelit” (Ez 3, 17). Është për t’u vënë në dukje se kur Zoti e dërgon një person për të predikuar, e quan me emër të kasnecit. Kasneci në të vërtetë qëndron gjithmonë mbi një vend të ngritur, që t’mund të shohë nga larg çkado që të jetë duke ndodhur. Kushdo që është i vendosur si kasnec i popullit duhet të qëndrojë në lartësi me jetën e tij, që t’mund të jetë i dobishëm me parashikimin e tij.
Sa ashpër më tingëllojnë këto fjalë që them! Duke thënë kështu, e lëndoj veten time, sepse as gjuha ime nuk ushtron si duhet predikimin, e as jeta ime nuk e ndjek gjuhën, edhe atëherë kur gjuha bën atë që mundet.
Tashti, unë nuk e mohoj se jam fajtor, dhe e shoh ngadalësinë dhe pakujdesinë time. Ndoshta vetë pranimi i fajit tim do të më nxjerrë faljen nga gjykatësi i mëshirshëm.
Vërtet, kur gjendesha në manastir isha në gjendje ta mbaja gjuhën nga fjalët e kota, dhe ta mbaja të zënë mendjen në një gjendje pothuajse vazhdimisht të lutjes së thellë. Por që kur i nënshtrova krahët e mi peshës së shërbimit baritor, shpirti nuk arrin të përqendrohet me këmbëngulje në vetvete, sepse është i ndarë mes shumë punëve.
Tani jam i detyruar që të trajtoj një herë çështjet e kishave, një herë të manastireve, shpesh më duhet të shqyrtoj jetën dhe veprat e disa individëve; një herë tjetër më duhet të interesohem për punët private të qytetarëve; një herë tjetër duhet të ofshaj nën shpatën e dhunshme të barbarëve dhe të druaj ujqit që e sulmojnë grigjën që më është besuar.
Pastaj duhet të mendoj për gjërat materiale, që mos të mungojnë ndihmat e nevojshme për të gjithë ata të cilët rregulli i disiplinës i mban të detyruar. Nganjëherë duhet të duroj me shpirt të palëkundshëm disa grabitqarë, herët të tjera duhet të ballafaqohem me ta, duke kërkuar në të njëjtën kohë të ruaj dashurinë.
Kur, pra, mendja e ndarë dhe e përhapur fillon të mendojë një sasi kaq të madhe dhe të gjerë të çështjeve, si mund të tërhiqet në vetvete, që t’i kushtohet e tëra predikimit dhe të mos largohet nga shërbesa e fjalës?
E meqë për nevojë të detyrës më duhet të trajtoj çështje edhe me njerëz të botës, nganjëherë nuk arrij ta ndaloj gjuhen time. Nëse, pra, qëndroj në kujdes të vazhdueshëm dhe të ashpër mbi veten time, e di se më të vegjlit ikin dhe nuk do të arrij kurrë t’i çoj atje ku unë dua. Për këtë arsye ndodh që shumë herë rri duke dëgjuar me shumë durim fjalët e tyre të kota. E meqë edhe unë jam i dobët, i tërhequr nga pak në biseda të kota, përfundoj së foluri me kënaqësi për atë gjë që kisha filluar ta dëgjoj kundër vullnetit tij, dhe të qëndroj me kënaqësi i shtrirë atje ku e kisha bezdi të rrëzohesha.
Çfarë kasneci jam, pra, unë që në vend që të qëndroj mbi mal dhe të punoj, jam akoma i shtrirë në luginën e dobësisë?
Porse krijuesi dhe shëlbuesi i gjinisë njerëzore ka aftësinë të më japë mua të padenjit lartësimin e jetës dhe frytshmërinë e gjuhës, sepse për dashuri ndaj tij unë nuk e kursej veten time duke folur për të.
Përgjigjja
C Nga thellësitë e Shkrimeve nxori rregullat e veprimit dhe të kundrimit, dhe në jetën e popullit shtjeu ujin e gjallë të Ungjillit. * Zëri i tij vazhdon të jehojë në Kishë.
D Si shqiponja e kuptoi nga lartësia kuptimin e gjërave; me fuqinë e dashurisë u kujdes për të përvuajturit dhe për të mëdhenjtë.
C Zëri i tij vazhdon të jehojë në Kishë.
Lutja
O Hyj, ti përkujdesesh për popullin tënd dhe e sundon me dashuri; jepu, me ndërmjetësinë e shën Gregorit papë, eprorëve të Kishës sate Shpirtin e urtisë, që përparimi i popullit tënd të jetë gëzimi i amshuar i barinjve. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.