Shërbesa e leximeve
Java e njëzetedytë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E premte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nëpërmjet kangës së gjelit
tashmë errësinë e natës
dhe të natës së pangopur
duke heqë tmerrin e zi,
Hy jetëdhënës, po të lusim
dhe të lypim me gjithë shpirt.
Dritë e fortë, syhapët, erdhe
dhe mbikqyrës i njerëzimit,
ndërsa mbanin gjitha sendet
bashkarisht heshtje t’zakonshme.
Madje e nxirrnin krejt të vdekur
Përfytyrimin e të vdekurit.
Ti, o Krisht, ne të na zgjoje
nga gjumi i prapësisë,
dhe falas të na libroje
nga burgu i natës sterrë,
edhe të na ktheje dritën
shoqëruese gjithnjë e jetës.
Ty e Atit ju qoftë nderi,
po ashtu Shpirtit të Shenjtë,
Hyjt n’tre Vetë dhe një t’vetëm,
paqes, jetës, edhe dritës,
mbi të gjithë emnit të ëmbël
dhe vullnetit të hynueshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdi e dritës s’Atit,
pa hirin e të cilit
dridhen krahrorët tanë.
Dhe me Shpirt tënd të mbushur,
tue mbartë Zotin me vete,
asgjë e grabitësit të pabesë t’mos duket
me mashtrime shkatrruese.
Që ndër punët e shekullit,
si e lyp nevoja e jetës,
çveshur nga çdo lloj krimi
të rrojmë me ligjet tua.
Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,
Ty e Atit qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushllimtar
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.
Psalmi 38 /37/ Lutja e mëkatarit në ngushticë
Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona... me varrët e tija jemi shëruar (1 Pjt 2, 22. 24. 25).
I (2-5)
Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *
as mos më ndëshko në zemërimin tënd!
sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *
mbi mua rëndoi dora jote.
S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *
për shkak të zemërimit tënd,
s’ka paqe në eshtrat e mi *
për shkak të mëkateve të mia.
Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *
më ndrydhin porsi barra e rëndë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua.
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
II (6-13)
U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *
për shkak të marrëzisë sime,
u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *
i trishtueshëm endem gjithë ditën.
Digjen prej etheve ijët e mia, *
asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.
I lodhur e i këputur krejtësisht *
gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.
Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *
as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,
zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *
edhe drita e syve të mi po fiket.
Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *
edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.
Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †
më kërcënohen me vdekje
ata që ma dëshirojnë të keqen, *
gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot.
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
III (14-23)
E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *
si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,
u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *
si ai që në gojë përgjigje s’ka.
Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *
o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.
Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *
kur të më merren këmbët,
të mos krenohen kundër meje.«
E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *
dhembjen time përherë e kam para syve.
Ja, unë e pranoj fajin tim, *
jam i prishur për mëkatin tim.
E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *
u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.
Të mirën ma kthejnë me të keqe *
e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.
Mos më lër vetëm, o Zot, *
Hyji im, mos u largo prej meje.
Nxito të më ndihmosh, *
o Zot, Shëlbuesi im.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im.
D Sytë e mi po shkrihen duke pritur,
C premtimin e Shëlbuesit tim.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 30, 18 – 31, 9
Premtimi i rindërtimit të Izraelit.
Kështu thotë Zoti: 'Ja, unë do ta përmirësoj fatin e tendave të Jakobit, mëshirë do të kem për banesat e tija: mbi rrënojat e tija qyteti do të ndërtohet, në vendin e vet kalaja do të ndreqet,
prej tyre do të jehojë brohoritja e britma e atyre që gëzojnë! Do t'i shumoj e s'do t'i pakësoj, do t'i bëj të nderuar e nuk do të përbuzen.
Bijtë e tij do të jenë porsi dikur, bashkësia e tij para meje do të qëndrojë e patrandshme, do t'i ndëshkoj të gjithë kundërshtarët e tij.
Prijësi i tij prej tij do të dalë, sundimtari i tij prej tij do të ngritet: të më qaset do ta lë dhe ai do të më afrohet. Sepse kush është ai që guxon në rrezik ta vërë jetën për të m'u afruar? ‑ është fjala e Zotit! ‑
Ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj!
Ja, stuhia e Zotit, shpërthen furia, gurë e dhe thellimi rrotullon: mbi kokë të patenzonëve po derdhet!
S'do të pushojë Zoti nga felgrimi i zemërimit të vet deri t'i çojë në vend e t'i plotësojë synimet e zemrës së vet! Ditën e fundit do t'i kuptoni të gjitha!
Po, në atë kohë ‑ është fjala e Zotit ‑
unë do të jem Hyji i të gjitha fiseve të Izraelit dhe ato do të jenë populli im.
Kështu thotë Zoti: Gjeti hir në shkretëtirë populli që i shpëtoi shpatës: Izraeli po shkon drejt vendbanimit të vet!
Prej së largu mua Zoti m'u dëftua: “Të desha me dashuri të amshueshme, prandaj ruajta për ty mëshirën.
Përsëri do të të ndërtoj e do të ndërtohesh, o virgjëra e Izraelit! Përsëri do të stolisesh me tupanët e tu e do të hidhesh në valle!
Prapë do të mbëltosh vreshta në malet e Samarisë: do të mbëltisin mbëltisësit e do të vjelin të vjela!
Sepse do të vijë dita kur rojtarët do të bërtasin në malin e Efraimit: “Mëkëmbni! Të ngjitemi në Sion, te Zoti, Hyji ynë!”
Sepse kështu thotë Zoti: Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj, t'ju kumtojë zëri, këndoni e thoni: 'Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, Tepricat e Izraelit!'
Ja, unë po i kthej nga toka e Veriut, do t'i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbët e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që të lind: bashkësi e madhe që këtu po kthehet!
Shkuan duke vajtuar, do t'i kthej duke lotuar nga gëzimi, do t'u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s'do të zënë në thua, sepse jam baba i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.
Përgjigjja Krh. Jer 31, 6; Is 2, 5
C Do të vijë dita kur rojtarët do të bërtasin: * Të ngjitemi në Sion, te Zoti, Hyji ynë!
D Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit!
C Të ngjitemi në Sion, te Zoti, Hyji ynë!
Leximi i dytë
Lexim nga “Fjalimi mbi lumturitë” i shën Leonit të Madh, papë
(Fjal. 95, 2-3; PL 54, 462)
Lum skamnorët në shpirt.
Vlerën e përvujtërisë e fitojnë më lehtë të varfrit se sa të pasurit. Në fakt të varfrit, për shkak të mungesës së mjeteve kanë për shoqe butësinë. Të pasurit në mjaftueshmëri kanë si familjare të tyre arrogancën.
Megjithatë nuk duhet mohuar se në shumë të pasur gjendet një farë gatishmërie për ta përdorur mjaftueshmërinë e tyre jo për të treguar vetveten me mendjemadhësi, por për vepra mirësie. Ata e mbajnë si fitore të madhe atë që shpërndajnë për të lehtësuar mjerimet dhe vuajtjet e të tjerëve.
Kjo bashkësi qëllimesh të virtytshme mund të dallohet tek njerëzit e të dyja kategorive. Shumë, në të vërtetë, mund të jenë të barabartë në gatishmëritë e brendshme edhe pse mbeten të ndryshëm në gjendjen ekonomike. Por nuk ka rëndësi sa ndryshime kanë në pronësinë e të mirave tokësore, kur gjenden të bashkuar në vlerat shpirtërore.
E lumë ajo varfëri që nuk bie në kurthin të dashurisë ndaj të mirave të përkohshme dhe nuk dëshiron të shtojë gjërat e botës, por dëshiron me afsh pasurimin e thesareve të qiellit.
Pas Zotit apostujt na kanë ofruar një model të kësaj varfërie zemërgjerë. Ata lanë të gjitha gjërat e tyre pa dallim dhe, të thirrur nga zëri i mësuesit hyjnor, nga peshkatarë peshqish janë bërë me shpejtësi peshkatarë njerëzish (krh. Mt 4, 19).
Ata kanë bërë shumë vetë të barabartë me vetveten, domethënë ata që imituan fenë e tyre. Ajo ishte koha kur bijtë e kishës ishin “në përkim të plotë” (Vap 4, 32). Pasi janë ndarë nga gjithçka që zotëronin, pasuroheshin me të mirat e amshuara, me anë të një varfërie krejtësisht besimtare.
Kishin mësuar nga predikimi apostolik gëzimin e moszotërimit të asgjëje dhe të zotërimit të gjithçkaje me Krishtin. Për këtë arsye shën Pjetri apostull kur i qe kërkuar lëmosha në hyrjen e tempullit i tha të çalamanit: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por po të jap çka kam: në Emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec” (Vap 3, 6).
Ç’gjë mund të jetë më e lartë se kjo përvujtëri? Ç’gjë më e pasur se kjo varfëri? Nuk ka garancinë e parasë, por jep dhuratat e natyrës. Atë njeri që nëna e vet e lindi të sëmurë që nga gjiri i saj, Pjetri e shëron me anë të fjalës. E ai që nuk dha figurën e Cezarit të shtypur në monedhë riformoi figurën e Krishtit në njeriun. Të mirat e këtij thesari nuk i provoi vetëm ai që fitoi mundësinë për të ecur, por edhe ata pesëmijë vetë që, pas thirrjeve të apostullit besuan në sajë të shërimit të mrekullueshëm që ai kreu (krh. Vap 4. 4).
Ai i varfër që nuk kishte asgjë për t’i dhënë atij lypsari, dha shumë sasi hiresh të hyjnueshme, aq sa shëroi një njeri në trupin e tij dhe shëroi shumë mijëra vetë në zemra. I ktheu edhe një herë të shkathët në rrugën e Krishtit ata që kishte gjetur duke çaluar në fenë judaike.
Përgjigjja Krh. Mt 5, 1-3; Is 66, 2
C Iu afruan nxënësit e tij dhe Jezusi i mësoi duke thënë: * Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
D Mbi kë ta ngul vështrimin tim? Mbi të përvuajturin e mbi zemërplasurin dhe mbi atë që e druan fjalën time.
C Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë, ndiko në zemrat tona dashurinë ndaj teje që të zhvillohet në ne çka është e mirë dhe, nën ndikimin tënd, t’ia arrijmë përsosmërisë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.