Shërbesa e leximeve

Java e njëzetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ta adhurojmë Zotin, Hyjin që na ka krijuar.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijuesi i madh i sendeve,

   sunduesi ynë, shikona;

   ne nga pushimi i dëmshëm

   zhytur në plogështi shpëtona.

 

   Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;

   Ti na i fal fajet tona,

   për t’i rrëfyer ngrihemi,

   gjumin e natës prishim.

 

   Po ngremë lart mendje e duar,

   për të kaluar netët

   siç na mësoi profeti

   që e vlerësoi dhe Pali.

 

   Ti e sheh të keqen që vuajtëm;

   të fshehtat tona i hapim,

   me ofshamë po i derdhim lutjet,

   na shlyej çka ne mëkatuam.

 

   Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,

   dhe ty, o Atë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Hyj i diturive,

   ty të qoftë brohoritja,

   që i shikon zemrat tona

   e i ngroh me hirin tënd.

 

   O bari i shkëlqyer,

   ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,

   në kullota shumë të gratshme

   në grigjë të zgjedhur na bashko.

 

   Tmerri i mërisë së gjykatësit

   mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,

   me ty gjykatës të jemi

   dhen në kullotë t’amshuar.

 

   Ty, shpërblimtar, lavdi,

   nderim, virtyt, fitore,

   që sundon mbi të gjitha

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.

 

   Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit

 

   Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).

 

   I (2-19)

 

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *

   brez pas brezi goja ime

   do të shpallë besnikërinë tënde.

 

Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *

   në qiell është e themeluar besnikëria jote!

 

»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *

   i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

Farën tënde do ta ruaj për amshim, *

   froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«

 

Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *

   kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *

   Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

 

I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *

   i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë

   ata që i rrinë përreth.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *

   I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!

 

Ti zotëron kreninë e detit, *

   ua ul kryet valëve të tërbuara.

Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *

   me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.

 

Yti është qielli, jotja është Toka, *

   ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.

Veriun e jugun ti i krijove, *

   Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.

 

Krahu yt është plot fuqi, *

   e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!

Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *

   dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.

Lum ai popull që di të brohorasë, *

   që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *

   e do të mburret në drejtësinë tënde.

 

Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *

   e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

Sepse i Zotit është shqyti ynë, *

   mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

   II (20-30)

 

Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †

   »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *

   e lartësova një djalosh nga populli.

 

Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *

   e leva me vajin tim të shenjtë.

Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *

   dhe krahu im përherë do ta kërthndez.

 

Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *

   i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.

Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *

   do t’i zhbij kundërshtarët e tij.

 

Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *

   në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *

   të djathtën e tij përmbi lumenj.

 

Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *

   Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,

kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *

   më të madhin ndër mbretërit e tokës.

 

Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *

   Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.

Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *

   fronin e tij porsi ditët e qiellit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.

 

   III (31-38)

 

Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *

   e në mos ecshin ligjeve të mia,

po nuk zbatuan vendimet e mia, *

   po i shkelën urdhërimet e mia,

 

me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *

   me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

 

Por nuk do ta këpus dashurinë me të *

   as nuk do ta prish besnikërinë time.

Nuk do ta thyej besëlidhjen time *

   as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.

 

Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *

   ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’

 

Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *

   froni i tij para meje si Dielli,

do të qëndrojë për amshim si Hëna, *

   dëshmitare besnike mbi re.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: fara jote do të qëndrojë për amshim.

 

   D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë

   C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Habakukut 2, 5-20

 

   Mallkimet kundër dhunuesve.

 

   Vërtet kamja e rren krenarinë e në skaj ai kurrë s'ia del. Fytin e vet si ferri e hap e, si vdekja, që kurrë s'ngopet, i bën të vetat të gjitha kombet, i përmbledh të gjitha fiset.

   Porse këta, a thua, të gjithë së bashku s'do ta vënë në bisht të lahutës, s'do ta bëjnë, vallë, përrallë për qesëndi? E do t'i thonë:

   “Mjerë kush mbledh çka s'është e tija ‑ deri kur? ‑ që ngarkon pengje mbi vete!”

   Vallë, s'do të ngriten, thua, papritmas për të të ngrënë? S'do të mëkojnë ata që të tundin e s'do të bëhesh preja e tyre?!

   Pasi ti plaçkite popuj shumë, kush të mbesë prej popujve ty do të plaçkitë, për gjak njerëzish e shtypje të vendit të qyteteve e të banorëve të tyre!

   Mjerë kush nxjerr fitim të padrejtë për të zezën e shtëpisë së vet që të endë lart çerdhen e vet, për të shpëtuar nga mjerimi!

   Sendërgjove turpin e shtëpisë sate shumë popuj duke shkallmuar e mëkatove kundër shpirtit tënd!

   Sepse guri prej murit do të thërrasë, prej pullazit do t'i përgjigjet trau!

   Mjerë kush në gjak ndërton qytetin, mbi fajësi e ngreh kështjellën!

   Pse a s'është kjo prej Zotit të Ushtrive që popujt për zjarr të punojnë, për asgjë të mundohen kombet?

   Vërtet toka do të mbushet plot me të njohurit e lavdisë së Zotit si ujërat që e mbulojnë detin!

   Mjerë kush pijen i jep mikut të vet, i qet helm edhe e deh për t'ia parë lakuriqësinë!

   Në vend të nderit do të të mbulojë turpi! Pi, pra, ti, e zhvishu vetë! Mbi ty do të bjerë kupa e të djathtës së Zotit, nderin do ta mbulojë çnderimi!

   Do të të kaplojë i Libanit shkretimi, do të të tmerrojë i kafshëve mjerimi, për gjak njerëzish e shtypje të vendit, të qyteteve e të banorëve të tyre!

   Ç'vlerë mund të ketë idhulli i gdhendur që e thadroi mjeshtri i tij, idhulli i shkrirë e profecia e rreme? Shpresoi mjeshtri në mjeshtri të vet dhe e punoi idhuj të pagojë!

   Mjerë ai që i thotë drusë: “Zgjohu!” gurit të pagojë: “Çohu nga gjumi!”, a thua i tilli mund të mësojë? Vërtet i veshur është me ar e argjend! por farë fryme jetëdhënëse në të s'ka!

   Kurse Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë: le të hesht para tij mbarë toka!

 

   Përgjigjja Krh. Rom 2, 12; 11, 32; 3, 23

 

   C Ata që pa Ligj mëkatuan, pa Ligj edhe do të birren; e ata që mëkatuan nën Ligj, do të gjykohen sipas Ligjit. * Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

   D Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit.

   C Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Fjalimet” e shën Bernardit, abat

   (Fjal. 5 mbi argumente të ndryshme, 4-5; Opera omnia, bot. Cisterc. 6, 1 [1970] 103-104)

 

   Shkallët e soditjes.

 

   Le të hyjmë në kështjellën e themeluar mbi Krishtin, gur tejet i fortë që nuk lëkundet kurrë. Të orvatemi me tërë angazhimin për të qëndruar në të. Atëherë do të vërtetohet në ne thënia: “Këmbët m’i qiti mbi shkëmb dhe m’i bëri të fortë hapat” (Ps 40 /39/, 3). Në këtë mënyrë, të themeluar mirë dhe të siguruar, le t’i kushtohemi soditjes për të marrë me mend se çfarë do Zoti nga ne, çfarë i pëlqen dhe ç’gjë ua bën qejfin syve të tij. E dimë se të gjithë “të gjithë gabojmë shumë” (Jak 3, 2) dhe se orvatja jonë fatkeqësisht drejtohet kundër vullnetit të tij, në vend që të bashkohet dhe të bashkërenditet me të. Le të përvujtërohemi, prandaj, nën dorën e fuqishme të Hyjit të tejetlartë dhe të përpiqemi në çdo lloj mënyre ta njohim vetveten siç jemi me të vërtetë në sytë e mëshirës së tij, duke thënë: “Më shëro, o Zot, e do të shërohem, më shpëto, o Zot, e do të shpëtoj, sepse ti je lavdi im” (Jer 17, 14). Mund të bëjmë edhe këtë lutjen tjetër: “Ki mëshirë për mua, o Zot, ma shëro shpirtin, sepse mëkatova kundër teje” (Ps 41 /40/, 5).

   Kur syri i zemrës është qartësuar në dritën e kësaj lutjeje, ta flakim hidhërimin që do të hyjë në shpirtin tonë, dhe t’i hapemi gëzimit të madh që qëndron në të pushuarit mbi Shpirtin e Hyjit. Më tepër se të sodisim vullnetin e Hyjit që është në ne, të sodisim vullnetin e Hyjit në vetvete. Në fakt, në vullnetin e Hyjit gjendet jeta (krh. Ps 30 /29/, 6 vulg.). Ajo që përputhet me vullnetin e tij është pa dyshim për ne më e dobishme dhe i përgjigjet më mirë kërkesave tona.

   Le ta ruajmë me kujdes jetën e shpirtit dhe, me të njëjtin kujdes, të rrimë larg udhëve që nuk pajtohen me të. Kur të kemi përfunduar së bëri ndonjë përparim në jetën shpirtërore me ndihmën e Shpirtit Shenjt, që shqyrton edhe thellësitë e Hyjit, le të dalim nga vetvetja dhe të hyjmë në atë që është aq i mirë. Le të lutemi së bashku me profetin për të gjetur vullnetin e tij dhe të vizitojmë jo më zemrën tonë, por tempullin e tij duke thënë: “Shpirti im është në pikëllim, prandaj ty të kujtoj” (Ps 42 /41/, 7).

   Duhet të shikojmë vetveten tonë dhe të na vijë keq për mëkatet tona në mënyrë që të shëlbohemi. Por duhet të shohim edhe Hyjin, të marrim frymë në të që të kemi gëzimin dhe ngushëllimin e Shpirtit Shenjt. Nga njëra anë do të kemi druajtjen dhe përvujtërinë, nga ana tjetër shpresën dhe dashurinë.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 110, 10; Urt 6, 18; Sir 19, 18

 

   C Fillimi i dijes është frika e Zotit, i mençur është ai që i është besnik. * Lavdia e Zotit është e pafund.

   D Ta duash atë do të thotë t’i mbash ligjet e saj: e gjithë urtia është frikë e Zotit.

   C Lavdia e Zotit është e pafund.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na shpërbleve dhe na bëre bij në shpirt. Na shiko me mirësinë atërore ne, bijtë e dashurisë sate, dhe pasi besojmë në Krishtin, na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.