Shërbesa e leximeve
Java e njëzetetretë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Për të tjerët koha e dita
e tetë shkëlqen më e shenjtë
në ty që e shenjtëron, Jezus,
i pari i të ringjallurve.
Me ty ti shpirtrat tanë
tash sa më parë bashkë ngjalli;
për ty të ngjallën trupat
të lirë në vdekjen e dytë.
Dhe Ty ndër re së shpejti
o Krisht të dalim para
me ty në vazhdim fitues:
ti jeta dhe ringjallja.
Duke parë fytyrën tënde,
të shëmbëllejmë lavdinë,
të njohim ty siç je:
drita e vërtetë, kënaqësia.
Mbretërinë me shtatë mirosje
të mbushur plot me Atin,
tek ti ne gjejmë gazmim,
Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:
Në krye të gjitha ditëve
kur u krijua tërë bota
ja kur Krijuesi i ngjallur,
mposht vdekjen, na liron.
Duke flakur larg mpirjet
më shpejt të gjithë të ngrihemi,
të drejtin të kërkojmë natën,
sikur njohëm Profetin.
Lutjet tona të dëgjojë,
të shtrijë dorën e djathtë,
e ky selitë ndoshta
me fli t’i pastrojë,
Që ne secilit në kohën
e shenjtë të kësaj dite
psalim në orë të pushimit,
të na falë dhunti të pasura.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Psalmi 145 /144/ Lavdi Zotit - Mbretit të gjithësisë
E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. Del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
I (1-9)
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetë.
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
e pashqyertueshme është madhëria e tij!
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
do t’i brohorasin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
II (10-13)
Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
le të kuvendin për pushtetin tënd,
për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
pushteti yt prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, është mbretëri e amshueshme, aleluja.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
III (14-21)
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
i çon ata që rrëzohen.
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit, dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
D Biri im, dëgjoji fjalët e mia,
C vërja veshin fjalës sime.
Leximi i parë
Prej librit të Jeremisë profet 37, 21; 38, 14-28
Jeremia, në burg, e nxit për paqe Sedecinë mbret.
Këndej mbreti Sedeci urdhëroi të çohet Jeremia në oborrin e burgut, t'i jepet çdo ditë një bukë ndore e sjellë nga rruga e Furrtarëve deri që të mos ketë më bukë në qytet. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.
Sedecia mbret dërgoi dhe bëri të sillet tek ai Jeremia profet te dera e tretë që ishte në Shtëpinë e Zotit. Mbreti i tha Jeremisë: “Dua të të pyes një fjalë, mos më fsheh asgjë!” E Jeremia iu përgjigj Sedecisë: “A nuk më vret nëse ta shpall? Por në qoftë se të këshilloj, ti s'do të më dëgjosh!” Prandaj Sedecia mbret iu përbetua fshehtazi Jeremisë: “Pasha Zotin e gjallë, që na e jep këtë jetë, nuk do të të vras as nuk do të të lëshoj në duar të njerëzve që e kërkojnë kokën tënde.” Atëherë Jeremia i tha Sedecisë: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse del e u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ti do ta shpëtosh kokën, ky qytet nuk do të digjet, ti dhe familja jote do të shpëtoni. Por, në qoftë se nuk do të dalësh t'u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t'u lëshohet në dorë kaldenjve. Ata do ta djegin me zjarr dhe ti s'do të shpëtosh prej duarve të tyre.” Atëherë i tha Sedecia mbret Jeremisë: “Jam shumë i brengosur për shkak të judenjve që kanë kaluar te kaldenjtë: kam frikë se ndoshta më lëshojnë në duar të tyre e ata më përqeshin!” Por Jeremia iu përgjigj: “S'do të të dorëzojnë! Dëgjoje, po të lutem, fjalën e Zotit, që unë po ta them dhe do të jetë mirë për ty dhe do të të shpëtojë jeta. Por, në qoftë se s'do të duash të dalësh, ja se ç'më ka dëftuar Zoti: Qe, të gjitha gratë që ende qëndrojnë në pallatin e mbretit të Judës, do t'i çojnë te oficerët e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë:
'Të kanë ngashënjyer e të kanë tradhtuar njerëzit që ti u besoje; në llom po të zhyten këmbët, kurse ata të lanë e shkuan.'
Po, se të gjitha gratë e tua e të gjithë fëmijët e tu do t'i çojnë te kaldenjtë. Po as ti nuk do t'u shpëtosh duarve të tyre, por do të biesh në dorën e mbretit të Babilonit, kurse këtë qytet do ta djegë.”
Atëherë Sedecia i tha Jeremisë: “Askush të mos i dijë këto fjalë, përndryshe do të vritesh. Por, në qoftë se do ta marrin vesh dinjitarët se kam folur me ty e në qoftë se vijnë te ti e të pyesin: ' Na trego çka ke biseduar me mbretin, mos na fsheh gjë e nuk do të të vrasim si edhe çka ka biseduar me ty mbreti', thuaju:' I bëra lutje mbretit të mos urdhërojë të më kthejnë në shtëpinë e Jonatanit që të mos vdes atje.'“
Vërtet shkuan të gjithë dinjitarët te Jeremia dhe e pyetën. Ai u tha të gjitha fjalët që ia kishte urdhëruar mbreti. Kështu ata e lanë në qetësi, sepse gjë s'u mor vesh prej asaj bisede.
Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jerusalemi.
E njëmend Jerusalemi u pushtua...
Përgjigjja 2 Kor 6, 4-5; Jt 8, 23
C Në çdo gjë e dëftojmë veten si mbarështues të Hyjit, me qëndresë të madhe në vështirësi, * në nevoja, në ngushtica, në të rrahura, në burgje.
D Të gjithë ata që i pëlqejnë Zotit, i mbesin atij besnik,
C në nevoja, në ngushtica, në të rrahura, në burgje.
Leximi i dytë
Lexim nga “Fjalimi mbi lumturitë” i shën Leonit të Madh, papë
(Fjal. 95, 6-8; PL 54, 464-465)
Dituria e krishterë.
Zoti thotë: “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen (Mt 5, 6). Kjo uri s’ka të bëjë fare me urinë trupore dhe kjo etje nuk lyp një pije tokësore, por dëshiron të shuhet në të mirën e drejtësisë. Do të hyjë në fshehtësinë e të gjitha të mirave të fshehura dhe dëshiron të mbushet me vetë Zotin.
I lumë ai shpirt që aspiron për këtë ushqim dhe digjet nga dëshira për këtë pije. Sigurisht nuk do t’ia kishte ënda, po të mos kishte shijuar fare ëmbëlsinë e tyre. Ka dëgjuar Zotin që thoshte: “Shijoni e shikoni sa i mirë është Zoti” (Ps 34 /33/, 9). Ka marrë një thërrime nga ëmbëlsia qiellore. Ka ndjerë se po digjej nga dashuria e afshit tejet të pastër, aq sa, duke përçmuar të gjitha gjërat e përkohshme, është ndezur tërësisht nga dëshira për të ngrënë dhe pirë drejtësinë. Ka mësuar të vërtetën e atij urdhërimi të parë që thotë: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde” (Lp 6, 5; krh. Mt 22, 37; Mk 12, 13; Lk 10, 27). Në fakt dashuria për Hyjin nuk është diçka tjetër nga dashuria për drejtësinë. Sikurse dashurisë për Hyjin i bashkëngjitet kujdesi për të afërmin, kështu dëshirës për drejtësi i bashkëngjitet virtyti i mëshirës. Prandaj Zoti thotë: “Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5, 7).
Pranoje, o i krishterë, lartësinë e diturisë sate dhe kupto se me cilat doktrina dhe metoda i arrin dhe çfarë shpërblimesh të presin! Ai që është mëshirë do që ti të jesh i mëshirshëm dhe ai që është drejtësi do që ti të jesh i drejtë, me qëllim që Krijuesi të shkëlqejë në krijesën e tij dhe shëmbëllimi i Hyjit të ndriçojë si refleks në pasqyrën e zemrës njerëzore, e modeluar sipas formës së modelit. Feja e atij që me të vërtetë e vë në zbatim me të vërtetë nuk ka frikë nga rreziqet. Nëse do të veprosh kështu dëshirat e tua do të plotësohen dhe do të zotërosh përgjithmonë ato të mira që do.
E meqë gjithçka do të bëhet për ty e pastër, falë lëmoshës, do të arrish edhe tek ajo lumturi që Zoti premton me këto fjalë menjëherë pas kësaj: “Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5, 8).
E madhe është, o vëllezër, lumturia e atij për të cilin janë përgatitur këto çmime kaq të jashtëzakonshëm. Çfarë tjetër do të thotë, pra, të kesh zemrën e pastër, përveç se të angazhohesh për të arritur ato virtyte që kemi përmendur më lart? Cila mendje do të mund të kuptonte, cila gjuhë do të mund të shprehte lumturinë e pafundme që sjell shikimi i Hyjit?
E megjithatë, natyra jonë njerëzore do të arrijë në këtë pikë kur do të jetë shndërruar: do të shoh hyjninë në vetvete, jo më “si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas” (1 Kor 13, 12), asnjeri nuk ka mundur ta shoh ndonjëherë. Do të arrijë në gëzimin e patregueshëm të kundrimit të amshuar “çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan” (1 Kor 2, 9).
Përgjigjja Krh. Ps 30, 20; 1 Kor 2, 9
C Sa të mëdha janë mirësia dhe ëmbëlsia jote, o Zot! Ua ruan atyre që të druajnë, * do t’ua dhurosh atyre që në ty gjejnë strehë.
D Ato që syri nuk i pa, veshi nuk i dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hynë.
C do t’ua dhurosh atyre që në ty gjejnë strehë.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti na shpërbleve dhe na bëre bij në shpirt. Na shiko me mirësinë atërore ne, bijtë e dashurisë sate, dhe pasi besojmë në Krishtin, na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.