Shërbesa e leximeve

Java e njëzetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë natës apo shumë herët në mëngjes.

 

   Përtërirë në gjymtyrë nga gjumi,

   braktisur shtratin, ngrihemi:

   Neve, Atë, që ty të thërrasim

   na u gjend pranë të lutemi.

 

   Të parin ty këndoftë goja,

   ty të lakmoftë afshi i zemrës,

   ti, o i shenjtë, të jesh burimi

   për ndjekësit e tu ndër vepra.

 

   Terri t’ia lëshojë vendin dritës,

   dhe nata yllit të ditës,

   fajin që e sjell nata

   ta zbusë dhurata e dritës.

 

   Po ne lutësit të lypim

   na i fal të gjitha fajet,

   nga gojët që ty të këndojnë

   n’amshim të lavdërohesh.

 

   Na ruaj, Atë mëshirëploti

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëron në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve thuhet gjatë ditës.

 

   Hyjni, drita e amshueshme,

   në Trini e njësuar,

   Ty të rrëfejmë ne të dobëtit,

   Ty nxehtësisht të lutemi.

 

   Besojmë Prindin e epërm,

   dhe të vetmin Bir të Atit,

   dhe Shpirtin që i bashkon

   lidhjet e dashurisë.

 

   O dashuri, o e vërteta,

   o qëllimi dhe mirësia,

   bëj të shpresojmë, të besojmë,

   na bëj të duam t’arrijmë.

 

   Ti je mbarimi e nisja,

   burimi i të gjitha sendeve,

   ti vetëm je ngushëllimi,

   shpresa e sigurt e besimtarëve.

 

   Vetëm ti i bën të tëra,

   veç ti u mjafton të gjithëve,

   për të gjithë je drita e vetme

   dhe çmimi i shpresëtarëve.

 

   Lusim Krishtin dhe Atin,

   e Krishtit e t’Atit Shpirtin;

   Trini, fuqia e vetme

   për të gjitha, ngrohi lutësit. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

   Psalmi 50 /49/ Kulti që i pëlqen Zotit

 

   Krishti nuk erdhi për ta asgjësuar Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta asgjësuar Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).

 

   I (1-6)

 

Flet Zoti, Hyji i hyjnive *

   dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.

Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *

   Hyji ndriçon!

 

Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †

   para i shkon zjarri që përpin, *

   përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.

 

E thërret qiellin prej së larti *

   edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:

 

»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *

   që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«

Qiejt shpallin drejtësinë e tij *

   sepse Hyji është gjykatës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

   II (7-15)

 

»Dëgjo, populli im, dua të flas, †

   o Izrael, dëshmoj kundër teje: *

   unë Hyji jam, Hyji yt!

 

Nuk të qortoj për flitë e tua, *

   flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *

   as cjap prej tufave të tua.

 

Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *

   me mijëra kafshë në malet e mia.

I njoh të gjithë shpendët e ajrit *

   dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *

   imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *

   e pi gjak cjepsh?

 

Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *

   dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

e më thirr në ditën e travajit: *

   unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   III (16-23)

 

Mëkatarit Hyji i thotë: †

   »Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *

   Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

 

kur ti e urren disiplinën, *

   pas shpine i hedh urdhrat e mi?

Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *

   e me lavire vazhdimisht merr pjesë.

 

Gojën tënde e përdor për fitme, *

   gjuha jote thur dredhi.

Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *

   çnderon djalin e nënës sate.

 

Kështu veprove e unë heshta. †

   A mendon ti se unë jam si ti? *

   Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë

   mëkatet e tua.«

 

Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †

   mos me bëni t’ju fut në thonj *

   se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.

 

Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †

   do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *

   atij që ecën udhës së drejtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Dashuri dua, e jo therore: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti.

 

   D Dëgjo, o populli im, dëshiroj të flas:

   C unë jam Hyj, Hyji yt.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Jeremisë profet 42, 1-16; 43, 4-7

 

   Fati i Jeremisë dhe i popullit pas pushtimit të qytetit.

 

   Atëherë të gjithë oficerët, d.m.th. Johanani, biri i Kareesë, Jezania, biri i Osajasë, edhe mbarë vegjëlia, prej më të voglit e deri në më të madhin, u paraqitën dhe i thanë Jeremisë profet: “Të të pëlqejë lutja jonë! Lute për ne Zotin, Hyjin tënd, për këtë tepricë, sepse prej një shumice të madhe kemi mbetur, siç po sheh, një pakicë. Le të na e dëftojë Zoti, Hyji yt, udhën, të cilën të marrim dhe ç'duhet të bëjmë.”

   Atëherë Jeremia profet u tha: “Ju mora vesh! Ja, unë po i lutem Zotit, Hyjit tuaj, ashtu si ju po kërkoni; çdo fjalë që Zoti, Hyji juaj, do të më përgjigjet, unë do t'jua tregoj dhe asgjë nuk do t'ju fsheh.” Ata i thanë Jeremisë: “Dëshmitar të vërtetë dhe besnik e paçim Zotin kundër nesh, në qoftë se nuk do të bëjmë gjithë si Zoti, Hyji yt, të të thotë të veprojmë me anën tënde. Si në na pëlqeftë, si në mos na pëlqeftë, do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na sillet mbarë pse do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë.”

   Kur u mbushën dhjetë ditë, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë. Atëherë ai e thirri Johananin, birin e Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të, si edhe të gjithë popullin prej më të voglit e deri në më të madhin. U tha:

   “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, tek i cili më dërguat që t'i shtroj uratat tuaja para tij: Nëse do të vazhdoni të banoni në këtë vend në qetësi, unë do t'ju ndërtoj e nuk do t'ju shkatërroj, do t'ju mbëltoj e nuk do t'ju çrrënjos, sepse më vjen keq për të këqijat që jua kam bërë. Mos e droni mbretin e Babilonisë, para të cilit të frikësuar dridheni. Aspak mos e kini frikë ‑ është fjala e Zotit ‑ sepse unë jam me ju që t'ju shpëtoj e t'ju nxjerr nga dora e tij. Unë do të bëj që ju të gjeni hir para tij dhe ai do të ketë dhimbje për ju e do t'ju lërë të jetoni në tokën tuaj. Por, bëtë e thatë: 'Nuk do të banojmë në këtë vend', dhe nëse s'do ta dëgjoni zërin e Zotit, Hyjit tuaj e thoni: 'Assesi, por do të shkojmë në tokën e Egjiptit, ku nuk do të shohim luftë as s'do të dëgjojmë zërin e borisë, ku s'do ta sprovojmë urinë: atje do të banojmë'; atëherë, mirë, për këtë gjë ‑ dëgjojeni fjalën e Zotit ‑ Teprica e Judës! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse vërtetisht mendoni të shkoni në Egjipt, dhe nëse shkoni atje për të jetuar, atëherë shpata që e droni do t'ju gjejë atje në tokën e Egjiptit, po edhe uria, së cilës po ia keni drojën, do t'ju ngjeshët në Egjipt, dhe atje do të vdisni.

   Johanani, biri i Kareesë, të gjithë oficerët dhe mbarë populli nuk e dëgjuan zërin e Zotit të qëndrojnë në tokën e Judesë. Por Johanani, biri i Kareesë, dhe të gjithë oficerët morën mbarë tepricën e Judës, që ishin kthyer nga të gjitha vendet, ku më parë kishin qenë shpërndarë, që më vonë të ktheheshin në tokën e Judës: trima e gra, të vegjlit e bijat e mbretit dhe çdo njeri që e kishte lënë Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, me Godolinë, birin e Ahikamit, të birit të Safanit. Morën edhe Jereminë profet edhe Barukun, birin e Nerisë, dhe hynë në tokën e Egjiptit, sepse nuk e dëgjuan zërin e Zotit. Kështu arritën në Tafnis.

 

   Përgjigjja Krh. Jer 42, 2; Vaj 5, 3

 

   C Lute për ne Zotin, Hyjin tënd, për këtë tepricë të popullit tënd; * prej një shumice të madhe kemi mbetur një pakicë.

   D U bëmë bonjakë, fëmijë të pababë, nënat tona porsi të veja;

   C prej një shumice të madhe kemi mbetur një pakicë.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Fjalimi mbi lumturitë” i shën Leonit të Madh, papë

   (Fjal. 95, 8-9; PL 54, 465-466)

 

   Paqe e madhe për atë që do ligjin e Hyjit.

 

   Është e drejtë që lumturia e shikimit të Hyjit t’u premtohet atyre që janë të pastër në zemër. Syri i errësuar, në të vërtetë, nuk do të mund të duronte shkëlqimin e dritës së vërtetë: ajo që do të përbëjë një kënaqësi për shpirtrat e pastër, do të jetë shkak torture për shpirtrat e dangosura nga mëkati. Ta shmangim pra mjegullën e errët të kotësisë tokësore dhe sytë e shpirtit le të lahen nga çdo ndotësi e mëkatit, që shikimi jonë i kthjellët të mund të kullosë në pamjen madhështore të Hyjit.

   Pikërisht me qëllim që të punonim për të merituar këtë shikim Zoti ka thënë: “Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit” (Mt 5, 9). Kjo lumturi, o vëllezër, nuk i referohet çfarëdolloj kuptimi apo njëmendje, por asaj për të cilën flet apostulli: Kini paqe me Hyjin (krh. Rom 5, 1), dhe për të cilën profeti thotë: “Dashamirësit e Ligjit tënd gëzojnë paqe të madhe, ata askurrë nuk marrin në thua” (Ps 119 /118/, 165).

   Nuk mund të pretendoj se kam këtë paqe, as lidhjet më të ngushta të miqësisë, as përngjasimin më të përsosur të karakterit nëse nuk jam në harmoni me vullnetin e Hyjit. Jashtë kësaj paqeje madhështore gjejmë vetëm bashkëveprime dhe shoqërime keqbërëse, besëlidhje të mbrapshta dhe pakte vesesh.

   Dashuria e botës së mbrapsht nuk pajtohet me atë të Hyjit. Ai që nuk shkëputet nga lindja sipas mishit nuk arrin të bëjë pjesë në bashkësinë e bijve të Hyjit. Përkundrazi, ata që e kanë mendjen të ngulur në Hyjin, “të bëjnë çmosin ta ruajnë njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon” (Ef 4, 3), nuk shkëputen kurrë nga ligji i amshuar. Ata thonë me fe të sinqertë lutjen: “U bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu në tokë” (Mt 6, 10).

   Këta janë pajtuesit, këta janë me të vërtetë njëzëri dhe shenjtërisht njëzemre, të denjë për tu quajtur në amshim bij të Hyjit dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit (krh. Rom 8, 17). Në fakt dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit do t’i bëjë të meritojnë çmimin e madh. Nuk do të ndjejnë më asnjë kundërshtim, nuk do të kenë më frikë nga pengesat apo kurthet, por, pasi të ketë mbaruar lufta dhe të gjitha salvimet, do të pushojnë në paqen më të qetë të Hyjit. Nëpër Zotin tonë, që së bashku me Atin dhe me Shpirtin Shenjt jeton e mbretëron për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përgjigjja Krh. Is 38, 3; 1 Gjn 2, 6; 5, 3; 2, 5

 

   C Të jetojmë me pastërti zemre përpara Zotit, Hyjit tonë; * të ecim sipas vullnetit të tij, ta mbajmë fjalën e tij.

   D Në këtë dashuria e Hyjit është me të vërtetë e përsosur:

   C të ecim sipas vullnetit të tij, ta mbajmë fjalën e tij.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na shpërbleve dhe na bëre bij në shpirt. Na shiko me mirësinë atërore ne, bijtë e dashurisë sate, dhe pasi besojmë në Krishtin, na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.