Shërbesa e leximeve
8 shtator, Lindja e shën Marisë Virgjër
Festë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Toka deti e qielli
Nderojnë, adhurojnë e shpallin
atë që sundon tri botërat,
e mbart n’krahnor Maria.
Atë që i vijnë rreth ndër shekuj
hëna, dielli e të gjitha,
për hir të reshur t’qiellit
Atë Virgjëra nën zemër bart.
E lumja Nënë e ndershme,
Ndërtuesi hyjnor i botës,
që mban në grusht tërë rruzullimin,
është mbyllur n’arkë t’krahnorit.
Zëri i qiellit t’bëri fatbardhë,
Shpirti i Hyjit të mbuloi,
Prej teje na erdh Shpëtimtari,
Që populli e dëshiroi.
Lavdi ty, o Jezus,
I lindur nga Virgjëra Mari,
me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë përherë në amshim. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ti, o Mari, je e bekuar prej Zotit, Hyji i shëlbimit të ka shenjtëruar.
Kur psalmi që vijon është thënë në Ftesë, në vend të tij thuhet psalmi 95 /94/ (fq. 544).
Psalmi 24 /23/ (1-10)
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Ti, o Mari, je e bekuar prej Zotit, Hyji i shëlbimit të ka shenjtëruar.
Ant. 2 Hyji i tejetlartë e ka shenjtëruar banesën e vet.
Psalmi 46 /45/ (2-12)
Hyji është për ne strehim dhe fuqi, *
ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.
Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka *
dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!
Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tij, *
le të dridhen malet në furinë e tij!
Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, *
tendat e shenjta të të Lartit Zot.
Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë, *
Hyji i ndihmon herët në agim.
Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, *
bubulloi Zoti, toka u shkri!
Zoti i Ushtrive është me ne, *
strehimi ynë, Hyji i Jakobit!
Ejani e shikoni veprat e Zotit *
- mrekullitë që i bëri ai përmbi dhé!
Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, †
do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, *
mburojat në zjarr do t’i djegë.
Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, *
i madhërueshëm mbi popuj,
i madhërueshëm mbi tokë!
Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, *
strehimi ynë, Hyji i Jakobit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Hyji i tejetlartë e ka shenjtëruar banesën e vet.
Ant. 3 Mrekulli tregohen për ty, o Virgjëra Mari!
Psalmi 87 /86/ (1-7)
Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †
Zoti i do më shumë dyert e Sionit *
se të gjitha banesat e Jakobit.
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *
o Qyteti i Hyjit!
»Po përmend Rahabin e Babiloninë
ndër ato që më njohin; †
ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *
- edhe ato lindën atje«.
Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *
sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«
Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *
»Këta lindën atje!«
Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *
»Të gjitha burimet e mia janë në ty!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Mrekulli tregohen për ty, o Virgjëra Mari!
D Maria i meditonte në zemrën e vet
C ndodhitë e mrekullueshme të Birit të saj.
Leximi i parë
Prej librit të Zanafillës 3, 9-20
Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: »Ku je?« Ky iu përgjigj: »Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha.« Ai i tha: »Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?« Njeriu u përgjigj: »Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha fryt prej pemës dhe hëngra«. Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: »Pse e bëre këtë?« Gruaja u përgjigj: »Më gënjeu gjarpri dhe hëngra.«
Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit: »Pasi e bëre këtë gjë qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë dhe kafshët e egra! Do të ecësh përmbi barkun tënd dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!
Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do të ta ndrydhë kokën, kurse ti do t'ia sulmosh thembrën.«
E gruas i tha: »Do t'i shtoj mundimet e shtatzënisë sate, në mundime do t'i lindësh fëmijët, dëshirimi yt do të të shtyjë kah burri yt e ai do të sundojë mbi ty.«
Kurse njeriut i tha: »Pasi e dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre frytin prej pemës që ta pata ndaluar ta hash: Për shkak tëndin qoftë mallkuar toka! Prej saj me mund do ta nxjerrësh kafshatën për çdo ditë të jetës sate.
Do të të prodhojë ferra e halluga dhe do të ushqehesh me barishte toke.
Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën derisa të mos kthehesh në dhe prej të cilit qe nxjerrë, sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh!«
Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve.
Përgjigjja
C Prej fisit të Davidit lind Virgjëra Mari, e caktuar për të qenë nëna e Shëlbuesit: * jeta e saj e shenjtë e shndrit Kishën.
D Me fe dhe me gëzim e kremtojmë lindjen e Virgjrës së shenjtë:
C jeta e saj e shenjtë e shndrit Kishën.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” i shën Andresë nga Kreta, ipeshkëv
(Fjal. 1; PG 97, 806-810)
Gjërat e vjetra kanë kaluar, ja tani kanë lindur gjërat e reja.
“Ai që i dha fund Ligjit të Moisiut është Krishti” (Rom 10, 4). Le të denjohet ai të na lartësojë drejt shpirtit edhe më shumë se sa të na lirojë nga shkronja dhe nga ligji.
Në të gjendet e gjithë përsosmëria e ligjit sepse ai është vetë ligjdhënësi, pasi përfundoi gjithçka, e shndërroi shkronjën në shpirt duke përmbledhur gjithçka në vete. Ligji e fitoi jetën nga hiri dhe u vu në shërbimin e tij në një përputhje të harmonishëm dhe të frytshëm. Që të dyja i ruajtën karakteristikat e tyre pa ndryshime dhe pështjellime. Megjithatë ligji, i cili më parë ishte një peshë e rëndë dhe një tiraní, u bë, me anë të veprës së Hyjit, peshë e lehtë dhe burim i lirisë.
Në këtë mënyrë nuk jemi më “skllevër të parimeve fillestare të shekullit” (Gal 4, 3), siç thotë Apostulli, as nuk jemi më të shtypur nga zgjedha e ligjit, as të burgosur të shkronjës së saj të vdekur.
Misteri i Hyjit që bëhet njeri, hyjnimi i njeriut i marrë mbi vete nga Fjala, paraqesin të mirën më të madhe që Krishti na ka dhënë, zbulimin e planit hyjnor dhe mposhtjen e çfarëdolloj hamendjeje të vetëmjaftueshmërisë njerëzore. Ardhja e Hyjit mes njerëzve, si dritë shkëlqyese dhe realitet hyjnor i qartë dhe i pashëm, është dhuratë e madhe dhe e mrekullueshme e shpëtimit që na dhurohet.
Kremtimi i sotëm e nderon lindjen e Nënës së Hyjit. Por kuptimi i vërtetë dhe qëllimi i kësaj ngjarjeje është mishërimi i Fjalës. Vërtet Maria lind, thith qumështin dhe rritet për të qenë Nëna e Mbretit të shekujve, Nëna e Hyjit.
E lumtura Virgjëra Mari na bën të shijojmë përfitimin e dyfishtë: na lartëson deri tek njohja e së vërtetës, dhe na liron nga sundimi i shkronjës, duke na liruar nga shërbimi i saj. Në ç’mënyrë dhe me cilin kusht? Hija e natës largohet me afrimin e dritës së ditës, dhe hiri na dhuron lirinë në vend të robërimit të ligjit. Festa e pranishme është si një gur i kufirit mes Besëlidhjes së Re dhe Besëlidhjes së Vjetër. Tregon se si në vend të simboleve dhe figurave tani kemi të vërtetën, dhe se si në vend të besëlidhjes së parë tani kemi besëlidhjen e re. I gjithë krijimi, pra, le të këndojë me gëzim, le të galdojë dhe le të marrë pjesë në harenë e kësaj dite. Engjëjt dhe njerëzit le të bashkohen për të marrë pjesë në liturgjinë e sotme. Së bashku le ta festojnë ata që jetojnë mbi tokë dhe ata që gjenden në qiell. Kjo vërtet është dita në të cilën Krijuesi i gjithësisë e ndërtoi tempullin e tij, sot është dita në të cilën, në saje të një projekti të mrekullueshëm, krijesa bëhet banesa e zgjedhur e Krijuesit.
Përgjigjja
C Nga trungu i Davidit lind Virgjëra Mari, e paracaktuar për të qenë nëna Shëlbuesit: * jeta e saj e shenjtë e ndriçon Kishën.
D Me fe dhe me gëzim e kremtojmë lindjen e Virgjërës së shenjtë.
C Jeta e saj e shenjtë e ndriçon Kishën.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
Na dhuro, o Zot, visarin e hirit tënd: pasi amësia e shën Marisë qe për ne fillimi i shëlbimit, bëj që festa e ditëlindjes së saj të na sjellë paqen e vërtetë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.