Shërbesa e leximeve

Java e njëzetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nata e zezë mbulon ngjyrat

   e çdo sendi të tokës:

   duke u rrëfyer të lypim,

   gjyqtar i drejtë i zemrave,

 

   që të na shlyesh fajet

   të na lash ndyrësinë e mendjes,

   e të japësh, o Krisht, hirin

   e të na shporren krimet.

 

   Nga prapësitë mpihet mendja,

   që e bren faji i dëmshëm;

   lakmon të çrrënjosë t’errtat,

   të kërkojë ty, Shëlbues.

 

   Dëbo tymin e mjegullën

   nga brenda sa më tepër,

   të gëzohet duke u vendosur

   në dritën e uruar.

 

   Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Krisht, jepu shenjën, lutemi

   shërbëtorëve të tu që luten,

   kjo mbrapshti e shekullit

   të mos na robërojë fenë.

 

   Të mos mendojmë pa mëshirë,

   të mos kemi smirë askënd,

   të fyer të mos marrim hak,

   me të mirë ta mundim të keqen.

 

   Qoftë larg nga zemrat tona

   mëri, mashtrim, kreni;

   të marrë fund koprracia,

   rrënja e gjithë të këqijave.

 

   Të ruajë lidhjet e paqes

   dashuria pa mashtrime;

   pa njolla qoftë pastria

   që vuan nga mizoria.

 

   Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

   Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit

 

   E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet (Lk 1, 69).

 

   IV (39-46)

 

Por tani e flake dhe e përbuze, *

   u zemërove kundër të shuguruarit tënd.

E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *

   në llom e hodhe kezën e tij.

 

I rrënove të tërë muret e tij, *

   rrënoja të frikshme kështjellat e tij.

Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *

   për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.

 

E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *

   i gëzove të gjithë armiqtë e tij.

Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *

   e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.

 

I dhe fund shkëlqimit të tij, *

   e përdhe fronin ia rrëzove.

Ia shkurtove ditët e rinisë, *

   e mbulove me poshtërim e turp.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Shikoje, o Zot, përvujtërimin e popullit tënd.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës së Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

   V (47-53)

 

Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *

   flakë do të ndizet hidhërimi yt?

 

Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *

   Vallë, thua kot i krijove njerëzit?

 

Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *

   prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?

Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *

   që me be ia premtove Davidit?

 

Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *

   në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,

që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *

   çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.

 

Qoftë bekuar Zoti për amshim. *

   Amen! Amen!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti është filizi i rrënjës e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne

 

   Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).

 

O Zot, ti u bëre strehimi ynë *

   nga breznia në brezni.

 

Para se të lindnin malet, †

   para se të bëhej toka dhe rruzulli, *

   prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

 

Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *

   »Kthehuni, bijtë e Adamit!«

 

Sepse mijëra vjet për sy të tu †

   janë si dita e djeshme që kaloi, *

   porsi ndërresa e rojës së natës!

 

Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *

   që në mëngjes kalon si bari;

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *

   në mbrëmje korret edhe vyshket!

 

Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *

   na tmerroi furia e zemërimit tënd.

Para vetes i vure fajet tona, *

   të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.

 

Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *

   si një ofshamë mbaruan vitet tona.

 

Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *

   po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,

por shumica me mundim e dhembje, *

   kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.

 

Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *

   felgrimin tënd siç e lyp frika jote?

 

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *

   që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

 

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *

   Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *

   e do të gëzohemi e do të galdojmë

   të gjitha ditët e jetës sonë.

 

Gëzona për ditët që na mundove, *

   për vjetët që i kaluam në mjerim.

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *

   shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

 

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †

   bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *

   të përparojë vepra e duarve tona.

 

Ant. 3 Ditët tona kalojnë si bari: por ti, o Zot, je përgjithmonë.

 

   D Në ty, o Zot, është burimi i jetës;

   C në dritën tënde ne e shohim dritën.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Vajtimeve 1, 1-12. 18-20

 

   Shkretërimi i Jerusalemit.

 

   Ehu, si mbet kështu, qyqe‑vetëm, Qyteti dikur plot popull! Mbeti e vejë Zonja e Madhe e kombeve! Sundimtarja e krahinave iu nënshtrua edhe ajo teloznës!

   Nata i kalon në vajtim, lot rrëke mollëzave i rrjedhin. Prej të gjithë dashnorëve të saj: s'del kush që ta ngushëllojë e përbuzën të gjithë miqtë e saj, erdhën e iu bënë armiq.

   I pikëlluar, nën peshë të skllavërimit, dëbohet Juda prej atdheut; ndër paganë e kalon jetën dhe nuk gjen kund vend pushimi të gjithë përndjekësit e tij e zunë nëpër gryka të ngushta!

   Në zi janë udhët e Sionit se askush më në festë nuk vjen! Dyert e tija u shpartalluan, priftërinjtë e tij rënkojnë, në pikëllim janë virgjërat e tija e atë e ndrydh hidhërimi.

   Kundërshtarët iu bën zotërinj, gëzojnë qetësi armiqtë e tij, sepse Zoti e bëri të mjerë për shkak të fajeve të tija pa numër; fëmijët e tij u çuan në skllavëri, vënë përpara i ka armiku.

   U zhduk prej Bijës së Sionit e tërë lavdia e saj. Krerët iu bënë porsi kaprojtë që s'gjejnë kullosa: pa fuqi hapat i ndërrojnë para atij që u grah.

   I kujtohen Jerusalemit në ditë mjerimi të endjes së vet të gjitha të mirat që i pati dikur në ato kohët e hershme, kur populli ra në dorë të armikut e askush s'e mori ndore; e panë mirë armiqtë e tij e u zgërdhinë për rrënim të tij.

   Rëndë mëkatoi Jerusalemi, këndej dhe u bë i neveritshëm: të gjithë ata që e lavdëronin, e përbuzën, pse ia panë lakuriqësinë: ai dënes e kthehet prapazi.

   Ndyrësia e tij në skundijtë e petkut të tij, s'mendoi si do t'i dalë fundi; u mposht tmerrshëm e s'ka askënd që ta ngushëllojë. “Shikoje, Zot, mjerimin tim, se çoi tepër krye armiku!”

   Armiku e shtriu dorën mbi të gjitha të mirat e tija: i shikoi me sy paganët si hyjnë në Tempullin e tij, për të cilin ti kishe urdhëruar të mos hyjnë në tubimin tënd.

   Mbarë populli i tij gjëmon: kërkon bukë; për ushqim dhanë ç'patën të çmueshme veç për të mbajtur frymën gjallë. “Shiko, o Zot, e shqyrto se në ç'gjendje çnjerëzore jam!

   O ju të gjithë që udhës kaloni, shikoni e shihni a ka dhimbje si dhimbja ime, sikur kjo që po më mundon, me të cilën Zoti më ndëshkoi në ditë të zemërimit të furisë së vet.

   I drejtë është Zoti, se i kundërshtova fjalës së tij. Më dëgjoni, ju lutem, popuj, mirë vërejeni dhimbën time: vashat e mia e të rinjtë e mi në skllavëri shkuan!

   U rashë ndore miqve të mi, por ata të gjithë më tradhtuan. Priftërinjve të mi e pleqve të mi brenda në qytet u doli shpirti duke kërkuar bukë për vete që ta mbanin frymën gjallë.

   Shih, o Zot, se në ç'të vështirë jam, përbrendësat më janë përzier, tronditur është në mua zemra, se s'dëgjova, për të mos dëgjuar. Përjashta më shoi farën shpata, kurse brenda në shtëpi ‑ vdekja.

 

   Përgjigjja Krh. Vaj 1, 16. 18. 12

 

   C Syri im derdhet në lot pse m’u largua ngushëlluesi. Më dëgjoni popuj të gjithë: * a ka dhimbje si dhimbja ime?

   D O ju të gjithë që udhës kaloni shikoni e shihni:

   C a ka dhimbje si dhimbja ime?

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Komenti mbi psalmet” i shën Brunos, murg

   (Ps 84 /83/, bot. Cartusiae de Pratis, 1891, 376-377)

 

   Si mund të të harroj, Jerusalem?

 

   “Sa të dashura janë banesat e tua, o Zoti i rruzullimit! Shpirti im shkrihet e meket për pallatet e Zotit” (Ps 84 /83/, 2-3), domethënë në madhështinë e Jerusalemit qiellor, që është qyteti i Hyjit. Pse, o Zot, profeti psherëtin për të arritur në tremet e tua? Sepse ti je Hyji i çetave qiellore, mbreti im dhe Hyji im. E atëherë “I lum ai që banon në shtëpinë tënde” (Ps 84 /83/, 5), në Jerusalemin qiellor! Është sikur të thoshte: Kujt nuk do t’ia kishte ëndja të vijë në oborret e tua, që kur ti je Hyj e pra krijues dhe zotërues i çetave dhe mbret i gjithësisë? Prandaj janë me të vërtetë të lumë ata që banojnë në shtëpinë tënde.

   Tremet dhe shtëpia janë këtu një gjë e vetme. Kur psalmisti thotë “të lumë” do të lërë të kuptohet se ata gëzojnë aq lumturi sa mund të merret me mend. Dhe është e qartë se për këtë arsye janë të lumtur, sepse do të të lavdërojnë me devocion dhe dashuri për të gjithë shekujt e shekujve (krh. Ps 84 /83/, 5), domethënë në amshim; në fakt nuk do të jepnin lavdi në amshim po të mos ishin të lumtur në amshim.

   Sigurisht se askush nuk do të mund të arrinte këto qëllime vetëm me forcat e veta, edhe nëse ka shpresë fe dhe dashuri; por: “I lumë ai që gjen në ty forcën e vet” (Ps 84 /83/, 6) për t’u ngjitur në lumturinë që zemra e tij dëshiron. Me fjalë të tjera, do ta arrijë lumturinë vetëm ai që vendos në zemrën e vet të arrijë qëllimin e madh me anë të veprave të mira. Ai do të marrë ndihmën e hirit, pa të cilën askush nuk mund të mendojë se arrin në kulmin e gëzimit më të madh.

   E thotë vetë Zoti: “Askush nuk u ngjit në qiell”, domethënë me forcat e veta, “përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli” (Gjn 3, 13).

   Hyji ka parashikuar shkallët pikërisht për shkak se ne të gjendemi në fund të luginës, “në luginën e vajit” (Ps 84 /83/, 6. 7 vulg.), domethënë në këtë jetë që është e ulët dhe plot me lot nga salvimet, në krahasim me tjetrën që është mal plot hare.

   Meqë psalmisti kishte thënë: “I lumë ai njeri që gjen në ty forcën e vet”, ndokush mund të pyesë: E Hyji, a ndihmon për tu ngjitur tek lumturia? Përgjigjet duke thënë se të lumët me siguri kanë pasur ndihmën e Zotit: në fakt, ligjdhënësi, Krishti që na ka dhënë ligjin, jep dhe do të jap pandarë bekimin e vet, dhurata të shumta dhe të ndryshme të hirit. Do të bekojë të vetët, domethënë do t’i lartësojë në lumturi. Me anë të po këtij bekimi “rritet gjatë udhës fuqia e tyre” (krh. Ps 84 /83/, 8), që në të ardhmen të mund të shohin në Sionin qiellor Krishtin, Hyjin e hyjnive, kur të duket. Duke qenë vetë Hyj, do të hyjnizojë edhe të vetët. Mund të kuptohet edhe në një mënyrë tjetër: atyre që përbëjnë Sionin do t’u duket, në shpirt, Hyj i hyjnive, pra Hyj një dhe tre, si të thuash: me inteligjencë do të shohin Hyjin në vetvete, që këtu nuk mund ta shohin sepse Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë (krh. 1 Kor 15, 28).

 

   Përgjigjja Krh. 1 Gjn 3, 2-3

 

   C Deri tani jemi bijtë e Hyjit, por çka do të jemi nuk është zbuluar ende. * Kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është.

   D Kushdo që ka këtë shpresë në të, bëhet i pastër siç është i pastër Ai.

   C Kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na shpërbleve dhe na bëre bij në shpirt. Na shiko me mirësinë atërore ne, bijtë e dashurisë sate, dhe pasi besojmë në Krishtin, na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.