Shërbesa e leximeve
Java e njëzetetretë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Ti, Njëni e Trinisë,
që me pushtet sundon gjithë botën,
mbaj vesh këngët e lavdeve
që këndojmë në përgjime.
Pse ne nga shtrati ngrihemi
në kohë të qetë të natës,
nga ti me ngulm të lypim
shërimin e të gjitha plagëve.
Ku gjithçka që gabuam
ndër net nga gënjeshtra e djajve,
atë e shleftë nga qielli
pushteti i lavdisë sate.
Me besë të shpirtit të lusim,
na mbush me dritën tënde,
për çka në rrjedhë të ditëve
të mos ngelim pa asnjë vepër.
Bëj, o Atë krejt i shenjti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
sundues për të gjithë shekujt. Amen..
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Krisht, gjendu pranë zemrave,
dashuri e lartë e të shpërblyerve,
diko ndër zërat tonë
vajtim të zjarrtë, të lutemi.
Ty, Jezus, krejt i shenjti,
me fe t’i drejtojmë lutjet,
shlyej, o Krisht, me vepra,
të keqen që bëjmë, të lutemi.
Me shenjë të Kryqit tënd,
me trupin tënd hyjnor
na mbro ne si bij
të gjithë, kudo, Ty të lusim.
O Krisht, mbret i tërë shenjti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.
Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot
I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).
I (2-13)
Më shpëto, o Hyj, *
sepse ujët më arriti deri në fyt!
Jam ngulur thellë në baltë, *
s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:
kam rënë në pellgun e ujërave *
e valët po më mbulojnë.
U këputa duke lëshuar kushtrim, †
m’u tha krejtësisht gurmazi, *
m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.
Më shumë se flokët e kresë sime *
janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
armiqtë e mi rrenacakë: *
çka nuk vodha më duhej të ktheja?
O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *
fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.
Mos lejo të skuqen në mua *
ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,
mos lejo të turpërohen në mua *
ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!
Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *
marrja ma mbuloi fytyrën,
u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *
i panjohur për bijtë e nënës sime.
Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *
përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
E ndëshkova veten me agjërim, *
por kjo m’u kthye në çnderim;
për petk vesha grathoren, *
përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim.
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
II (14-22)
E pra, unë ty të lutem, o Zot, *
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde, *
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
Më nxirr nga lymi të mos humbas, †
më shpëto prej atyre që më urrejnë, *
prej ujërave të thella!
Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †
mos lejo të më përpijë thellësia, *
të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *
sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!
Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *
për shkak të armiqve të mi, më shpërble.
Ti e sheh çnderimin tim, †
marrjen time e »nderimin« tim: *
para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.
Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †
prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *
ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
Në ushqim më qitën vrer *
e në etje më dhanë të pi uthull.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
III (30-37)
Mua të mjerin e të pikëlluarin: *
më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *
do ta lartësoj me këngë falënderjeje.
Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *
më tepër se demi me brirë e me thundra!
Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
Le ta lavdërojnë qielli e toka, *
detet dhe gjithçka lëviz në to.
Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †
Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *
aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.
Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *
në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
D Zoti na i mësoftë udhët e veta:
C dhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.
Leximi i parë
Prej librit të Vajtimeve 3, 1-33
Vuajtja dhe shpresa.
Unë jam njeriu që e sprovoi mjerimin nën frushkullin e felgrimit të tij.
Ai më urdhëroi e më bëri të eci nëpër terr e jo në dritë.
Veç kundër meje e solli, e risolli gjithë ditën dorën e vet.
Ma shkriu lëkurën edhe mishin, i thërrmoi eshtrat e mi.
Përreth meje ndërtoi mur, me helm e pikëllim më rrethoi.
Më ndryu të jetoj në një vend të errët porsi të vdekurit e përhershëm.
Më rrethoi në mur që të mos mund të dal, më lidhi në pranga të rënda.
Nëse thërras e kërkoj ndihmë, e përbuz uratën time.
M'gurë të latuar m'i muroi rrugët, m'i mbylli shtigjet e mia.
Arushë në pritë u bë për mua, luàn që sulet befasisht.
Me ferra m'i zuri rrugët, më copëtoi e më la në mjerim.
E ngrehu harkun e vet, mua më vuri shenjë shigjete.
I nguli në të hollët tim bijat e kukurrit të vet.
U bëra përqeshje e popullit tim, kënga e përditshme e tyre.
Më ka ushqyer me hidhërime, me lëng mendre më ka dehur.
Me gurë dhëmbët m'i thërrmoi, më zhgërreu në pluhur.
Shpirti im më s'di ç'është paqja, më nuk di ç'është lumturia.
Thashë: “Lamtumirë, o lumturi, e gjithçka prisja prej Zotit!”
Më kujto skamin e endjen time, mendrën e helmin tim!
I kujtoj, s'mund t'i harroj e më copëtohet shpirti im.
Ja, se çka përbluaj në zemër e prandaj më ngjallet shpresa:
“Lavdi Zotit që fara s'na u shua, që s'munguan përdëllimet e tija!
Mu, çdo mëngjes Ai i përtërin! Besa jote s'ka kufi!
'Pjesa ime është Zoti'‑më thotë shpirti‑ këndej vazhdoj të kem shpresë në Të.”
I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në Të, ndaj shpirtit që e kërkon.
Është mirë të pritet në heshtje shëlbimi që vjen prej Zotit.
Është mirë për burrin ta mbartë zgjedhën qysh prej rinisë së vet.
Le të rrijë vetëm e të qëndrojë në heshtje kur Zoti ta mbrehë në zgjedhë.
Le ta vërë gojën e vet në pluhur: sepse ndoshta ende ka shpresë.
Le t'ia sjellë faqen goditësit, le të ngihet me poshtërime!
Sepse Zoti nuk përbuz për përgjithmonë.
Nëse ndëshkon, Ai do të ketë dhimbje sipas mëshirës së vet të madhe.
S'i don zemra t'i përvujtërojë, t'i ndëshkojë bijtë e njeriut.
Përgjigjja Krh. Vaj 3, 54. 56. 57. 58; Vap 21, 13
C Unë thosha: Kam mbaruar. Më ndjeve britmën e the: Frikë mos ki! * E mbrojte, ti o Zot, çështjen time, ma shpërbleve jetën time.
D Jam gati, jo vetëm që të më lidhin, por edhe të vdes për shkak të Emrit të Jezusit Zot.
C E mbrojte, ti o Zot, çështjen time, ma shpërbleve jetën time.
Leximi i dytë
Lexim nga “Ligjëratat” e të lumit Isak, abat i manastirit të Stelës
(Fjal. 11; PL 194, 1728-1729)
Krishti nuk do të falë asgjë pa Kishën.
Dy janë gjërat që i takojnë vetëm Hyjit: nderi i rrëfimit dhe shpallja e faljes. Atij ne duhet t’i bëjmë rrëfimin tonë; prej tij duhet të presim faljen. Vetëm Hyjit i takon të fal mëkatet dhe prandaj tek ai duhen rrëfyer. Por meqë i Gjithëpushtetshmi ka marrë për nuse një të dobët dhe i larti një nga shtresat e ulëta, nga skllave e ka bërë mbretëreshë dhe atë që i qëndronte nën këmbë e ka vënë përbri. Në fakt ka dalë prej kraharorit të tij prej ku u fejua me të.
E meqenëse të gjitha gjërat e Atit janë të Birit dhe ato të Birit janë të Atit, ngaqë janë një gjë e vetme për natyrë, kështu dhëndri i ka dhënë gjithçka nuses, dhe dhëndri ka ndarë me nusen gjithçka që ishte e saja dhe e ka bërë një gjë të vetme me vetveten dhe me Atin. Duke u lutur për nusen Biri i thotë Atit: dua që sikurse unë dhe ti jemi një gjë e vetme, kështu edhe ata të jenë një gjë e vetme me ne (krh. Gjn 17, 21).
Dhëndri ndërkaq është një gjë e vetme me Atin dhe një gjë e vetme me nusen; atë që i është dukur e huaj në nusen e ka hequr, duke e ngulur në kryq, ku mbi dru ka ngarkuar mëkatet e saj dhe nëpërmjet drurit i ka asgjësuar. Gjithçka që i përket natyrës së nuses dhe është pajë e saja, e ka marrë mbi vete dhe është veshur me të; ndërsa atë që i përket nga vetvetja dhe është hyjnore ia ka dhuruar nuses. Ka asgjësuar atë që ishte e djallit, ka marrë mbi vete atë që ishte e njeriut, ka dhuruar atë që ishte e Hyjit. Prandaj gjithçka që është e nuses është e dhëndrit.
Ja pra se ai që nuk ka bërë mëkat dhe në gojën e të cilit nuk është gjetur mashtrim, mund të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot” (Ps 6, 3), kështu që ai që ka dobësinë e saj të ketë edhe vajin dhe gjithçka të jetë e përbashkët ndërmjet dhëndrit dhe nuses. Prej këtu rrjedhin nderi i rrëfimit dhe pushteti i faljes, për të cilët duhet thënë: “shko dhe paraqitu tek prifti” (Mt 8, 4).
Prandaj asgjë nuk mund të fal Kisha pa Krishtin dhe Krishti nuk dëshiron të fal asgjë pa Kishën. Askënd nuk mund të fal Kisha përveç atij që është penduar, domethënë atij që Krishti ka prekur me hirin e tij; Krishti nuk do t’i quajë të falur asgjë atij që përçmon Kishën. “Çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë. Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën” (Mt 19, 6; Ef 5, 32). Mos e shkëpusni pra kryet nga trupi. Kështu Krishti nuk do të ishte një i tërë. Krishti nuk është kurrë i tërë pa Kishën, sikurse Kisha nuk është kurrë e tërë pa Krishtin. Në fakt Krishti total dhe i plotë është në të njëjtën kohë krye dhe trup, prandaj thotë: “Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli” (Gjn 3, 13). Ky është njeriu i vetëm që fal mëkatet.
Përgjigjja Krh. Gjn 17, 20. 21. 22. 18
C Po të lutem për ta, që të gjithë të jenë një, sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty. Dhe unë ua dhashë lavdinë që ti ma dhe mua, * që të jenë një sikurse ne jemi një.
D Sikurse ti më dërgove në botë, po ashtu edhe unë i dërgova në botë.
C që të jenë një sikurse ne jemi një.
Lutja
O Hyj, ti na shpërbleve dhe na bëre bij në shpirt. Na shiko me mirësinë atërore ne, bijtë e dashurisë sate, dhe pasi besojmë në Krishtin, na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.