Shërbesa e leximeve

Java e njëzetetretë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hy i mëshirës s’epër

   krijuesi i makinës së botës,

   një i vetëm me pushtet,

   tri veta në persona,

 

   prano me këngë të përshpirtshme

   mirësisht vajtimet tona,

   në mjerim me zemër të pastër

   të gëzojmë ty më tepër.

 

   Me zjarr të hijshëm dashurie

   ti na i ngroh mirë këllqet

   që të jenë gjithnjë të përveshur

   dhe gati n’ardhjet e tua.

 

   Që, disa orë të netëve

   ne tash me këngë i thyejmë,

   me dhunti t’atmes shenjte

   gjerësisht të gjithë të pasurohemi.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Autori i lavdisë së përjetshme,

   që besimtarëve Shpirtin

   u jep me hir shtatë formash,

   i butë qëndroju pranë të gjithëve.

 

   Dëbo sëmundjet prej trupave,

   hiqja pengesat mendjes,

   dërrmo fuqitë e krimeve,

   largo dhembjet e zemrave.

 

   Bëji mendjet të kthjellta

   kryeje veprën e ndershme,

   prano lutjet e lutësve,

   jepu jetën e amshuar.

 

   Në rrjedhat e shtatë ditëve

   tash çdo kohë shtjellohet,

   e teta ajo e fundit,

   do të jetë dita e gjyqit.

 

   Në të cilën Shëlbues, të lutemi,

   mos na padit me mllef,

   por na liro nga e majta,

   vendosna në të djathtën.

 

   Që kur shpirtmirë Ti lutjet

   t’ia pranosh turmës tënde,

   të gjithë lavdi t’i thurim

   për amshim Trinisë Shenjte. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

   Psalmi 107 /106/ Falënderim për lirim

 

   Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).

 

   I (1-16)

 

Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *

   sepse e amshueshme është dashuria e tij.

Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *

   që i çliroi nga kthetrat e armikut

 

dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †

   nga ku lind dielli e ku perëndon, *

   nga veriu e nga ana e detit.

 

U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *

   nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.

 

Të uritur e të etur *

   shpirti i tyre ishte mekur në ta!

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

Ai i qiti në udhën e drejtë *

   që të shkonin në qytetin e banimit.

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *

   për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,

 

që ngiu shpirtin e të eturit, *

   e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *

   të lidhur në mjerim edhe në pranga,

sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *

   dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.

 

Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *

   rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.

 

Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *

   dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

 

I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *

   e i këputi zinxhirët e tyre.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

sepse i theu dyert e bronzta *

   dhe i këputi shulat e hekurt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për dashurinë e tij: për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

   II (17-32)

 

Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *

   të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,

shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *

   arritën në dyert e vdekjes.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *

   i shpëtoi nga gropa e varrit.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *

   për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

 

le t’i flijojnë flinë e lavdit, *

   me hare le t’i shpallin veprat e tij!

 

Ata që me anije lundruan deteve *

   që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit, *

   mrekullitë e tij në thellësitë e detit.

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *

   lart u ngritën valët e stuhishme.

 

Ngrihen deri në qiell, †

   zbresin deri në pështjerrë: *

   shpirti i tyre mekej prej së keqes.

 

Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *

   asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.

 

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *

   Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

 

Stuhinë e shndërroi në puhi *

   e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

Iu gëzuan qetësimit të valëve, *

   ai i qiti në portin e dëshiruar.

 

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *

   për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,

 

le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *

   le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua, mrekullitë që ti bëre për ne.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   III (33-43)

 

Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *

   në vende të thata burimet e ujërave,

tokën e pëlleshme në këneta *

   për shkak të veprave të këqija të banorëve.

 

Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *

   tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.

Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *

   dhe themeluan qytetin e banimit.

 

Mbollën arat e vunë vreshtat *

   dhe u prodhuan fruta me shumicë.

Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *

   as grigjat e tyre nuk u pakuan.

 

Mandej qenë dhjetuar e munduar *

   nga vuajtjet edhe nga dhembjet.

Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *

   i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

 

I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *

   dhe i shumoi si grigjat familjet.

 

Shohin të drejtët e le të gëzohen, *

   kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.

Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *

   do ta shohë mirësinë e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit, le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.

 

   D Besnikëria jote, o Zot, është deri në re,

   C gjyqi yt, sikurse humnera e pafund.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Vajtimeve 5, 1-22

 

   Lutja për shpëtimin e popullit.

 

   Të bjerë ndër mend, o Zot, se çka na gjeti,

   shikoje e këqyre poshtërimin tonë!

   Trashëgimi ynë kaloi në duar të të huajve, shtëpitë tona në duar të barbarëve!

   U bëmë bonjakë, fëmijë të pababë, nënat tona porsi të veja!

   Të blerë me pare ujët tonë pimë, drutë tona duhet t'i blejmë.

   Me zgjedhë në qafë para na grahin, u këputëm, s'na lënë të pushojmë!

   Egjiptianëve e asirëve u shtrijmë dorën, për të na dhënë një kafshatë bukë!

   Etërit tanë mëkatuan, më nuk janë, por ne po e lajmë fajin e tyre.

   Skllevërit po sundojnë mbi ne, s'na shpëton kush prej dorës së tyre.

   Me rrezik të jetës e fitojmë bukën para shpatës në shkretëtirë.

   Lëkura jonë digjet si furra për shkak të flakës së urisë.

   Në Sion i dhunuan gratë, virgjërat në qytete të Judës.

   Me duar të tyre i varën princat, s'i nderuan fytyrat e pleqve.

   Djelmoshat i mbartën mokrat, nën barrë të druve u rrëzuan fëmijët.

   Në log të kuvendit s'dalin pleqtë, të rinjtë më muzikës s'i bien.

   Zemrës sonë i humbi gëzimi, në zi u kthyen vallet tona.

   Nga koka na ra kurora, të mjerët ne se kem' mëkatuar!

   Këndej pikëlluar është zemra jonë, prandaj sytë na u errësuan,

   pse u shkretua mali i Sionit, nëpër të shëtisin dhelprat.

   Por ti, o Zot, ti qëndron përgjithmonë, froni yt brezni në brezni.

   Pse gjithnjë na lë në harresë, për kohë të gjatë do të na harrosh?

   Na kthe, o Zot, e ne do të kthehemi, përtërij ditët tona si në kohë të vjetra!

   Pra krejtësisht, thua, na përbuze, i zemëruar kundër nesh pa masë?

 

   Përgjigjja Krh. Vaj 5, 19. 20. 21; Mt 8, 25

 

   C Ti, o Zot, qëndron përgjithmonë. Pse gjithnjë na lë në harresë? * Na kthe, o Zot, e ne do të kthehemi.

   D Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!

   C Na kthe, o Zot, e ne do të kthehemi.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Ligjëratat” e shën Atanazit, ipeshkëv

   (Fjal. Mbi mishërimin e Fjalës, 10; PG 25, 111-114)

 

   Ringjallja dhe jeta.

 

   Hyji, Fjala e Atit më të madh, nuk e ka braktisur natyrën e njeriut që shkonte drejt shterimit, por me dhuratën e trupit të vet ka asgjësuar vdekjen, në të cilën kishte rënë, ka fshirë injorancën me mësimin e tij dhe ka ripërtërirë të gjitha gjërat me forcën dhe fuqinë e vet. Kushdo mund ta gjejë vërtetimin e gjithë kësaj në autoritetin e atyre njohësve të Hyjit që janë nxënësit e shëlbuesit. Në fakt kanë lënë të shkruar: dashuria e Krishtit na shtyn, kur mendojmë se njëri ka vdekur për të gjithë e pra të gjithë kanë vdekur. Dhe ai ka vdekur për të gjithë që ne të mos jetojmë më për veten tonë, por për atë që ka vdekur për ne dhe është ngjallur nga të vdekurit, për Zotin tonë Jezu Krishtin (krh. 2 Kor 5, 14-15). E përsëri: “Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që besoi që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve” (Heb 2, 9). Pastaj i njëjti tekst sqaron se pse jo dikush tjetër, por Fjala e Hyjit duhej të bëhej njeri duke vënë re se “i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre” (Heb 2, 10). E me këto fjalë tregon se njerëzit duheshin çliruar nga të gjitha forcat shkatërruese të botës, jo nga dikush tjetër, por nga Fjala e Hyjit,e prej të cilës në fillim kanë qenë krijuar.

   Që pastaj vetë Fjala ka marrë një trup për t’u bërë viktimë për trupa të ngjashëm me të tijin, këtë gjë e tregojnë edhe këto fjalë: “Pasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtar në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes” (Heb 12, 14-15). Pikërisht duke flijuar trupin e vet i dha fund ligjit të miratuar kundër nesh dhe me shpresën e ringjalljes i dhe një fillim të ri jetës sonë.

   Vdekja kishte marrë forcë nga njerëzit kundër njerëzve. Por fjala e Hyjit e ardhur midis njerëzve asgjësoi vdekjen dhe ripërtëriu jetën. Këtë e thotë një njeri i mbushur me Krishtin: “Nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën” (1 Kor 15, 21-22). Nuk vdesim si të përcaktuar për ndëshkim, por për tu ringjallur nga të vdekurit. Ne presim ringjalljen e gjithëmbarëshme, që kur të vijë koha do të përmbushet nga Hyji, autori dhe bamirësi i njeriut.

 

   Përgjigjja Krh. Rom 3, 23-25; 1 Kor 15, 22

 

   C Të gjithë kanë mëkatuar dhe janë përjashtuar nga lumturia e Hyjit, por e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu Krishti. * Atë Hyji e caktoi të jetë fli pajtuese, nëpërmjet fesë, me anë të gjakut të vet.

   D Sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.

   C Atë Hyji e caktoi të jetë fli pajtuese, nëpërmjet fesë, me anë të gjakut të vet.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na shpërbleve dhe na bëre bij në shpirt. Na shiko me mirësinë atërore ne, bijtë e dashurisë sate, dhe pasi besojmë në Krishtin, na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.