Shërbesa e leximeve
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin, bariun dhe udhëheqësin e popullit të vet, aleluja.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Është koha e mesit natës;
nxit zëri profetik
t’i këndojmë lavde Hyjit,
Atit gjithmonë e Birit,
Si edhe Shpirtit të Shenjtë:
Trinia e përsosur
e një gjëje të vetme
nga ne gjithmonë duhet lavdëruar.
Kjo kohë ka edhe tmerrin,
ku engjëlli shkatërrues
vdekjen i solli Egjiptit,
shfarosi të parëlindurit.
Kjo orë shpëtim qe për të drejtët,
pse atëherë po atje engjëlli
s’kishte guxuar t’ndeshkonte
nga frika e shenjës s’gjakut.
Egjipti rëndë vajtonte
nga shuarja e rreptë e djemve;
veç Izraeli gëzonte
mbrojtur nga gjaku i qengjit.
Izraeli i vërtetë ne jemi:
në Ty, o Zot, gëzohemi,
duke shpërfillë armikun dhe të keqen,
mbrojtur nga gjaku i Krishtit.
Na bëj të denjë, o mbreti i madhrueshëm,
lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
që t’meritojmë me lavde
t’amshueshme ty t’këndojmë. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Falemi o ditë, lavdia e ditëve,
fatlume ditë fitore e Krishtit,
ditë e denjë gëzimi i zgjedhës,
dita e parë.
Dritë hyjnore u ndriçon të verbëtve,
në cilën Krishti shkreton ferrin,
vdekjen e mposhtë dhe pajton rishtas
t’ultat me t’lartat.
Vendimi i mbretit të amshuar
nën mëkat fund u dha të gjithave;
që hiri i lartë në ndihmë t’u vinte
njerëzve të dobët.
Virtyti i Hyjit e dija
mërinë me mirësi zbuti
atëherë kur bota në greminë
tërësisht po rrokollisej.
I lirë u ngjall përsëri nga ferri
restaurator i farës njerëzore
delen e vet mbi supa duke e mbartur
në vise t’epra.
Bëhet paqëtues i engjëjve me njerëzit,
rritet plotësimi i radhëve qiellore,
lavdi i ka hije Hyjit ngadhënjimtar,
lavdia e amshuar.
Harmonia e atdheut qiellor
përkoftë me zërin e Nënës Kishë,
“Aleluja” sot grumbulloftë me turma
grigjat besnike.
Me triumfin e mbretërisë mbi vdekjen,
të përfitojmë nga gëzimi triumfal:
paqe në tokë, dhe brohoritje
qofshin ndër qiej. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (fq. 499).
Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e vet
Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Psalmi 66 /65/ Himn falënderimi në rastin e flijimit
Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).
I (1-12)
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †
këndoni lavdisë së Emrit të tij, *
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.
Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«
Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik, †
këmbë e kaluan lumin *
për këtë galdojmë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †
sytë e tij vërejnë përmbi popuj *
që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.
Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *
dhe shpalleni lavdinë e tij!
Ai i dha shpirtit tonë jetën, *
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *
porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.
Ti vetë na qite në leqe, *
barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.
Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †
na përshkove nëpër zjarr e ujë, *
por më vonë na dhe pushim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë, ai e shpëtoi jetën tonë, aleluja.
Ant. 3 Dëgjoni të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
II (13-20)
Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *
para teje do t’i çoj në vend kushtet,
që i premtova me buzët e mia, *
që i thashë me gojë kur isha në rrezik.
Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †
bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *
do të të kushtoj qe edhe cjep!
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *
do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
Me gojën time e thirra në ndihmë, *
dhe me gjuhën time e madhërova.
Po të mendoja të keqen në zemrën time, *
Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.
Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *
i vuri vesh zërit të lutjes sime.
Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time *
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dëgjoni, të gjithë ju që e keni frikën e Zotit, sa shumë bëri Hyji për mua, aleluja.
D Fjala e Zotit është e gjallë dhe vepruese,
C më përshkuese se shpata dy teheshe.
Leximi i parë
Prej librit të Ezekielit profet 1, 3-14. 22-28
Vegimi i lavdisë së Hyjit në dheun e shpërnguljes.
Fjala e Zotit i qe drejtuar priftit Ezekiel, birit të Buziut, në tokën e kaldenjve, përngjat lumit Kobar. Aty u ul mbi të dora e Zotit.
Shikova dhe, ja, një erë shtjelle po vinte nga veriu, re e madhe, zjarr i mbledhur lëmsh, që ndriçonte përreth tij e brenda tij, brenda zjarrit, shkëlqente diçka në gjasë të qelibarit. Në qendër, diçka në përngjasim të katër gjallorëve; dhe, ja, pamja e tyre: kishin pamjen e njeriut! Secili kishte katër faqe e katër krahë. Këmbët i kishin të drejta, kurse shputat e këmbëve të tyre ishin porsi thundërzat e këmbëve të viçit e shkëlqenin porsi bronzi i skuqur flakë. Kishin në të katër anët, nën krahë, duar njeriu. Kishin katër fytyra e katër krahë secili. Krahët e tyre ishin të bashkuar njëri me tjetrin. Kur ecnin, nuk ktheheshin prapazi, por secili ecte vetëm përpara.
Fytyrat e tyre i përngjanin fytyrës së njeriut; të katërtit, në anë të djathtë kishin edhe fytyrën e luanit, në e majtë fytyrën e kaut, e të katërtit kishin fytyrën e shqiponjës.
Krahët e tyre ishin të shtrirë përpjetë. Secili kishte dy krahë që ndesheshin e dy që ua mbulonin trupin. Secili ecte përpara vetes: ecnin në atë drejtim kah i shtynte shpirti. Kur lëviznin, ecnin vetëm në atë drejtim e nuk ktheheshin prapa.
Në midis të gjallorëve dukej diçka si gaca të ndezura, porsi vravashka që ecnin në midis të gjallorëve. Shkëlqente porsi flaka e zjarrit e nga zjarri dilte rrufeja. Gjallorët shkonin e vinin në përngjasimin e vetëtimës llamparitëse.
Përmbi koka të gjallorëve ishte diçka në përngjasim të kupës qiellore, vezulluese porsi kristali dhe shtrihej përmbi kokat e tyre. Nën kupën qiellore krahët e tyre të shtrirë njëri kundrejt tjetrit: secili me dy krahë e mbulonte trupin e vet.
E dëgjoja rrahjen e krahëve të tyre: thua se ushtonin ujërat e mëdha, porsi zëri i të Gjithëpushtetshmit. Kur lëviznin, ushtimë e fortë si ushtimë ushtrie. Kur ndaleshin, krahët i lëshonin poshtë. E njëmend, kur dëgjohej një zë mbi kupën qiellore, që ishte përmbi kokat e tyre, zinin vend dhe i lëshonin krahët poshtë.
Përmbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ishte porsi guri i çmueshëm safiri një send porsi fron, përmbi këtij sendi që i përngjante fronit, ishte dikush në përngjasim të njeriut, mbi të. Mandej pashë diçka të ndritshme porsi qelibari, thua se ishte zjarr nga aty që dukej se kishte ijët e përpjetë gjithkund përreth; kurse nga aty që dukej se kishte ijët e poshtë, dukej si zjarr ndriçues gjithkund përreth. Porsi duka e vajeuthullës kur duket në re ditën e shiut: e rrethonte një pamje e tillë! E tillë m'u paraqit duka e lavdisë së Zotit. E pashë e rashë me fytyrë përdhe dhe dëgjova një zë që më fliste.
Përgjigjja Krh. Ez 1, 26. 24; 3, 12; Zb 5, 13
C Pashë përmbi kupën qiellore një send porse fron, përmbi ishte dikush në përngjasim të njeriut, e dëgjoja ushtimë e fortë si ushtimë ushtrie: * Bekim dhe lavdi Zotëruesit të qiellit.
D Atij që rri në fron dhe Qengjit: Bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve.
C Bekim dhe lavdi Zotëruesit të qiellit.
Leximi i dytë
Fillimi i leximit nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 46, 1-2; CCL 41, 529-530)
Jemi barinj, por më parë të krishterë.
Çdo shpresë e jona është vendosur në Krishtin. Ai është i tërë shëlbimi jonë dhe lavdia e vërtetë. Kjo është një e vërtetë e ditur dhe familjare për ju, që gjendeni në grigjën e atij që i vë veshin zërit të Izraelit dhe e kullot. Por meqë ka disa barinj që kërkojnë me doemos që të thirren barinj, e nuk duan të përmbushin detyrat e barinjve, të shqyrtojmë atë që profeti thotë për ta. Ju dëgjojeni me vëmendje, ne do ta dëgjojmë me druajtje.
“Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: ‘Biri i njeriut, profetizo kundër barinjve të Izraelit, profetizo’!” (Ez 34, 1-2). Sapo e kemi dëgjuar leximin e kësaj pjese, e kështu kemi vendosur të diskutojmë pakëz me ju mbi këtë gjë. Hyji vetë do të na ndihmojë për të thënë gjëra të vërteta, edhe pse nuk themi gjëra që janë tonat. Në fakt, po të thoshim gjërat tona, do të ishim barinj që kullosin vetveten dhe jo grigjën; nëse, përkundrazi, themi gjëra që rrjedhin prej tij, ai vetë do t’ju kullosë, me anë të shërbimit të kujtdo.
“Kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë barinjtë e Izraelit, që kullotin vetveten! Vallë, a nuk e kanë për detyrë t’i kullotin grigjat?” (Ez 34, 2), pra barinjtë nuk duhet të kullosin vetveten, por grigjën. Kush janë ata që kullosin vetveten? Ata për të cilët apostulli thotë: “Të gjithë kërkojnë interesin e vet e jo atë të Jezu Krishtit” (Fil 2, 21).
Tani ne, që Zoti në sajë të meritës së tij, jo tonën, na ka vënë në këtë shërbesë – për të cilën duhet të japim llogari, e çfarë llogarie! – duhet të dallojmë shumë mirë dy gjëra: e para se jemi të krishterë, e dyta se jemi vendosur në krye. Fakti se jemi të krishterë ka të bëjë me veten tonë; të qenit vendosur në krye ka të bëjë me ju.
Për faktin se jemi të krishterë duhet të kujdesemi për përvujtërinë tonë, ndërsa jemi të vendosur në krye duhet të kujdesemi për shëlbimin tuaj.
Ndoshta shumë të krishterë arrijnë tek Hyji nëpër një udhë më të lehtë se e jona dhe duke ecur shumë më shpejt, meqë është më e lehtë pesha e përgjegjësisë që kanë mbi shpatulla. Ne, nga ana tjetër, duhet t’i japim llogari Hyjit para së gjithash për jetën tonë, si të krishterë, por pastaj do të na duhet të përgjigjemi në mënyrë të veçantë mbi ushtrimin e shërbesës sonë, si barinj.
Përgjigjja Krh. Ps 22, 1-2. 3
C Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon; * më mballon kullotave të gjelbra.
D Më prin shtigjeve të drejta, në saje të dashurisë së Emrit të vet;
C më mballon kullotave të gjelbra.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, Krijuesi dhe Drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate e të shërbejmë me krejt jetën tonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.