Shërbesa e leximeve
14 shtator, Lartësimi i Kryqit të shenjtë
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot të ngritur për ne në kryq.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot të ngritur për ne në kryq.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot të ngritur për ne në kryq.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot të ngritur për ne në kryq.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot të ngritur për ne në kryq.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot të ngritur për ne në kryq.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot të ngritur për ne në kryq.
Shërbesa e Leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Falem, o Kryq i shenjtë, falem lavdia e botës,
shpresa e jonë e vërtetë, që sjell gëzime t’vërteta,
shenjë e shpëtimit, shpëtim ndër rreziqe,
dru jetësor, që u sjell të gjithëve jetën.
Ty me adhurue, ty kryqin gjallërues,
në ty shpërblyer, mburrja e ëmbël e shekullit
gjithherë lavdrojmë, gjithnjë ne ty këndojmë,
nëpër dru t’robit, nëpër ty dru e t’lirit.
Lavdi i qoftë Hyjit Atë në kryq të Birit,
lavdi i qoftë Shpirtit Shenjt të barabartë,
gëzim banorëve e engjëjve të qiellit,
nder i qoftë botës lartësimi i kryqit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 Ja kryqi i Zotit: le të ikin armiqtë e tij! Korri fitore, Luani i Judës, filizi i Davidit, aleluja.
Psalmi 2 (1-12)
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ja kryqi i Zotit: le të ikin armiqtë e tij! Korri fitore, Luani i Judës, filizi i Davidit, aleluja.
Ant. 2 Emri i shenjtë i Zotit u ngrit në kryq përmbi qiellin dhe tokën, aleluja.
Psalmi 8 (2-10)
O Zot, Zoti ynë, †
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *
Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †
lavdinë e bëre gati kundër armiqve *
që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.
Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *
hënën e yjet që ti i vendose,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *
Gjithçka vure nën këmbët e tija:
delet e kafshët të gjitha, *
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!
O Zot, Zoti ynë, *
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Emri i shenjtë i Zotit u ngrit në kryq përmbi qiellin dhe tokën, aleluja.
Ant. 3 O kryq i bekuar! Ti vetë e barte Zotin, mbretin e qiejve, aleluja.
Psalmi 96 /95/ (1-13)
Këndoni Zotit një këngë të re! *
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, *
shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, *
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
Sepse i madh është Zoti,
- tejet i denjë për t’u lavdëruar, *
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, *
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
Para tij është shkëlqimi e lavdia, *
në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!
Jepni Zotit, familjet e popujve, †
jepni Zotit nder e fuqi, *
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij, *
adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! *
Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; *
i gjykon popujt me drejtësi.
Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! †
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, †
para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, *
sepse po vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi, *
do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 O kryq i bekuar! Ti vetë e barte Zotin, mbretin e qiejve, aleluja.
D Moisiu e ngriti gjarprin në shkretëtirë:
C kështu do të lartësohet Biri i njeriut.
Leximi i parë
Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve 2, 19 - 3, 7. 13-14; 6, 14-16
Vëllezër, me anë të Ligjit unë, Pali, vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua. Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi po u fitoka me anë të Ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot.
Po kush, o galatas të pamendë, jua mori mendtë, kurse para syve tuaj Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? Vetëm kaq dua të di prej jush: a e morët Shpirtin Shenjt në saje të veprave të Ligjit, apo pse e pranuat fenë? Po a kaq të marrë jeni?! Filluat me Shpirtin Shenjt e të mbaroni me trup?! Po athua kot i përjetuat të gjitha këto gjëra? Oh të kishin qenë kot! Po athua se Ai që ju jep Shpirtin Shenjt dhe bën ndër ju vepra të mrekullueshme, i bën këto pse ju i kryeni veprat e Ligjit e jo pse e keni dëgjuar Mësimin e fesë?
Kështu, pse Abrahami »i besoi Hyjit, kjo gjë iu numërua për drejtësi.« Dinie, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit.
Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse rri shkruar: »I mallkuar është gjithkush varet në kryq, « ‑ që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.
Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. Sepse s'vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja ‑ por krijesa e re. Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!
Përgjigjja Krh. Gal 6, 14; Heb 2, 9
C Mburrja jonë e vetme është kryqi i Zotit tonë Jezu Krishtit, jeta, shëlbimi dhe ringjallja jonë: * ai na ka shëlbuar dhe na ka liruar.
D E shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi:
C ai na ka shëlbuar dhe na ka liruar.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” i shën Andresë nga Kreta, ipeshkëv
(Fjal. 10 mbi Lartësimin e Kryqit të shenjtë; PG 97, 1018-1019. 1022-1023)
Kryqi është lavdia dhe lartësimi i Krishtit
Ne e kremtojmë festën e kryqit të shenjtë, nëpërmjet të cilit u përzunë errësirat dhe u kthye drita. E kremtojmë festën e kryqit të shenjtë, dhe kështu, së bashku me të Kryqëzuarin, të lartësohemi dhe të madhërohemi edhe ne. Vërtet ne shkëputemi nga toka e mëkatit dhe ngritemi drejt lartësisë. Është aq e madhe pasuria e kryqit saqë ai që e ka atë ka një thesar të vërtetë. Dhe e quaj me të drejtë kështu, sepse me emër dhe vepër është më i çmueshëm se çdo e mirë. Pikërisht në të gjendet tërë shëlbimi ynë. Ajo është mjeti dhe udha për t’u kthyer në gjendjen e fillimit.
Nëse vërtet nuk do të kishte kryq, nuk do të kishte as Krisht të kryqëzuar. Po mos të kishte kryq Jeta nuk do të varej në dru. E po mos të ishte gozhduar Jeta në dru, nga kraharori i saj nuk do të rridhnin ato burime të pavdekësisë, gjaku dhe uji, që e pastrojnë botën. Gjykimi i dënimit i shkruar për shkak të mëkatit tonë nuk do të shqyhej, ne nuk do të kishim lirinë, nuk do t’mund të shijonim nga druri i jetës, parajsa nuk do të ishte hapur për ne. Po mos të kishte qenë kryqi, vdekja nuk do të ishte mposhtur, ferri nuk do të ishte zhveshur.
Kryqi, pra, është një burim vërtet i mrekullueshëm dhe i pakrahasueshëm, sepse nëpërmjet tij kemi fituar shumë të mira, aq më shumë të mira sa më i madh të jetë merita e tij, por që para së gjithash është fryt i mrekullive dhe i vuajtjes së Krishtit. Është i çmueshëm pastaj kryqi sepse është së bashku vend ekzekutimi dhe trofe i Hyjit. Vend ekzekutimi për shkak të vdekjes së tij të vullnetshme mbi të. Trofe sepse me anë të tij u mund djalli dhe bashkë me djallin u mposht edhe vdekja. Pushteti i ferrit ligështohet, dhe kështu kryqi është bërë shpëtimi i përbashkët i tërë gjithësisë.
Kryqi është lavdia e Krishtit, lartësimi i Krishtit. Kryqi është kelku i vlefshëm dhe i paçmueshëm që i përmbledhë të gjitha vuajtjet e Krishtit, është përmbledhja më e mirë e mundimit të tij. Për të na bindur se kryqi është lavdia e Krishtit, dëgjoje atë që ai thotë: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të. [Nëse Hyji u lavdërua në të] edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!” (Gjn 13, 31-32).
Dhe prapë: “E tani, o Atë, më lavdëro para teje me atë lavdi që e kisha te ti para se filloi të ishte bota.” (Gjn 17, 5). Dhe akoma: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” (Gjn 12, 28) për të treguar atë lavdërim që u fitua atëherë mbi kryq. Se kryqi është lavdërimi i Krishtit, dëgjoje atë që thotë ai vetë: “E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit” (Gjn 12 32). A e sheh pra se kryqi është lavdia dhe lavdërimi i Krishtit.
Përgjigjja
C O Kryq i lavdishëm, nga degët e tua ishte i varur çmimi i lirisë sonë; * Përmes teje bota u shëlbua me gjakun e Zotit.
D Të falemi, o Kryq, i shuguruar nga trupi i Krishtit; gjymtyrët e tij mbi ty shkëlqejnë porsi margaritarë;
C Përmes teje bota u shëlbua me gjakun e Zotit.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të vdiste në Kryq për shëlbimin e të gjithë njerëzve: bëj që, pasi e njohëm këtu mbi tokë misterin e dashurisë së tij, t’i gëzojmë në qiell frytet e shpërblimit të tij. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.