Shërbesa e leximeve
15 shtator , Shën Maria Virgjër e Dhimbshme
Përkujtim
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje! .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Himni
Toka deti e qielli,
nderojnë, adhurojnë e shpallin
atë që sundon tri botët,
e mbart në kraharor Maria.
Atë që i vijnë rreth ndër shekuj
hëna, dielli e të gjitha,
për hir të reshur të qiellit
Atë Virgjëra nën zemër bart.
E lumja Nënë e ndershme,
Ndërtuesi hyjnor i botës,
që mban në grusht tërë rruzullimin,
është mbyllur n’arkë të kraharorit.
Zëri i qiellit të bëri fatbardhë,
Shpirti i Hyjit të mbuloi,
prej teje na erdh Shpëtimtari,
që populli e dëshiroi.
Lavdi ty, o Jezus,
I lindur nga Virgjëra Mari,
me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë përherë n’amshim. Amen.
Ose:
Rrinte Zoja tuj lotue
Afër kryqit, tuj shikue
Krishtin pezull kryqëzue.
Heshta zemrën prej trishtimit,
Prej ezgjetit, prej hidhrimit,
Zoj’s përshkue ia kishte shqimit.
Oh sa n’ vaj e sa n’ ankim
Ish’ n’atë çast, pa pasë një g’zim,
Nana e Krishtit veç bekim.
Qante e dneste e dhimbshmja Nanë,
Mundue Krishtin për gjithë anë,
Pa mujtë kush nji ndihmë më i dhanë.
Tuj këqyrë Nanën e Tenzot
Afër Krishtit me varrë plot
Nuk asht njeri që s’derdhë lot.
Kush sheh Zojën n’ atë ezgjet
Gati dekun për djalë të vet,
Pa dnesue, jo, nuk jet.
M’katet tona me i resitë,
E pa Krishtin gjith molitë
Prej së rrah’nash t’asaj ditë.
N’mal t’Kalvarit kur e lëshoi
Vehten n’kryq, e kur mbaroi,
Krishtin pau e dhimbshmja Zojë.
Deh ti, Nana, me dashni
Dhimben tande ban ta ndij
Sa t’jetoj n’ket shekull të zi.
Tuj t’u lutë përgjithonë po shkoj,
Ban që Krishtin ta adhuroj,
Hirin tand kurr mos ta lëshoj.
Nanë e dashtun, të lus pa pra,
Varrët e t’ Birit tand pa nda,
Gjurma në zemër me m’i ba.
Ti pjestar m’ ban përgjithmonë
N’ atë mundim që për faj tonë,
Hoq mbi kryq Shelbuesi jonë.
Afër kryqit t’ Birit t’ Tenzot,
M’ban, o Zojë, me derdhun lot,
Dersa t’kemi jetë e mot.
Afër kryqit tuj gjimue,
Afër tejet tuj lotue,
Kish të qaj unë pa pushue.
O Zojë Virgjin, Nanë e d’lirë,
Lute Zotin të ketë mëshirë:
Ti shëlbim prej tij na nxier.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ti, o Mari, je e bekuar prej Zotit, Hyji i shëlbimit të ka shenjtëruar.
Psalmi 102 /101/ Lutja në fatkeqësi
Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
I (2-12)
O Zot, dëgjoje lutjen time *
e britma ime le të mbërrijë tek ti.
Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *
në ditën time të vështirë,
prire veshin tënd drejt meje: *
kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!
Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *
e eshtrat e mia po digjen si zjarri.
Zemra po më thahet si bari i kositur *
e po harroj të ha edhe bukën time.
Prej gjëmave të mia të mëdha *
u bëra asht e lëkurë.
U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *
u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.
Rri zgjuar e rënkoj *
porsi trumcaku qyqe vetëm mbi pullaz.
Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *
kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.
Ha hi porsi bukë, *
e pijen time e përziej me lot.
Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *
sepse më lartësove e më mposhte.
Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *
e unë u thava porsi bari.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti, o Mari, je e bekuar prej Zotit, Hyji i shëlbimit të ka shenjtëruar.
Ant. 2 Hyji i tejetlartë e ka shenjtëruar banesën e vet.
II (13-23)
Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *
prej breznie në brezni Emri yt.
Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †
ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *
- shi tani është koha!
Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *
e u dhembet edhe pluhuri i tij.
Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *
u dëftua në lavdinë e vet.
E mori parasysh lutjen e të vobektëve *
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,
që në Sion të shpallet Emri i Zotit *
e lavdia e tij në Jerusalem,
kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *
për t’u vënë në shërbimin e Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hyji i tejetlartë e ka shenjtëruar banesën e vet.
Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Virgjëra Mari!
III (24-29)
Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *
ditët m’i shkurtove.
Do të them: »Hyji im, †
mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *
vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.
Qysh në fillim themelove Tokën *
edhe qielli është latim i duarve të tua.
Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †
gjithçka do të vjetrohet si petku. *
Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,
kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *
- vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.
Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *
pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Virgjëra Mari!
D Të ëmbla për gojën time janë fjalët e tua, o Zot,
C më të ëmbla se mjalti i nxjerrë prej shkëmbit.
D Populli im, vërja veshin mësimit tim,
C dëgjoji fjalët e gojës sime.
Leximi i parë
Prej librit të Ezekielit profet 8, 1-6. 16 – 9, 11
Gjykimi kundër Jerusalemit mëkatar.
Ishte viti i gjashtë, muaji i gjashtë e dita e pestë e muajit, unë isha në shtëpinë time e te unë ndodheshin pleqtë e Judës dhe, ja, dora e Zotit Hyj aty ra mbi mua. Unë shikova dhe, ja, pashë diçka në përngjasim të njeriut. Prej asaj që dukej se ishin ijët e tij e poshtë: zjarr, kurse prej ijëve të tij e përpjetë, një pamje e shkëlqyeshme thuajse metali të skuqur. Ai shtriu një gjësend në përngjasim të dorës e më kapi për kaçurrela të kokës sime: një shpirt më ngriti mes tokës e qiellit e më çoi në vegime hyjnore në Jerusalem, në hyrje të derës së brendshme që këqyr kah veriu, ku ishte i vendosur idhulli i mendjes së zezë për të ngucur mendjen e zezë. Dhe ja, aty ishte edhe lavdia e Hyjit të Izraelit, po me atë pamje me të cilën e kisha parë në luginë. Ai më tha: “Biri i njeriut, çoji sytë e tu në drejtim të veriut!” Unë i lartësova sytë në drejtim të veriut, dhe ja, në anën e veriut të derës së lterit idhulli i mendjes së zezë, shi në hyrje! Atëherë vazhdoi: “Biri i njeriut, a po sheh se çfarë po bëjnë këta? A po i sheh turpësitë e mëdha që po i bën këtu shtëpia e Izraelit që unë të largohem nga Shenjtërorja ime? Por ti do të shohësh ende turpëri të tjera edhe më të mëdha.”
Atëherë më çoi në tremen e brendshme të Tempullit; kur qe, në derën e Tempullit të Zotit, ndërmjet tremes e lterit, ishin kund njëzet e pesë burra, me shpinë të kthyera kundër Tempullit të Zotit e me fytyrë kah lindja, dhe me fytyrë përdhe adhuronin diellin! Ai më tha: “A po sheh, biri i njeriut? Po a nuk është kjo e tepërt për shtëpinë e Judës, që i bëjnë të gjitha këto turpëri këtu? Ata e mbushën vendin me fajësi dhune, ata gjithnjë e ngucin felgrimin tim. Ja, si i vënë gemat në hundë!
Ja, pra, edhe vetë do të sillem me felgrim: syri im s'do të ketë dhimb, mëshirë s'do të kem, kur me zë të fortë do t'u lëshojnë kushtrim veshëve të mi: s'do t'ua dëgjoj lutjen!”
Atëherë bërtiti me një zë të fortë në veshët e mi e më tha: “U afruan ndëshkimet e qytetit! Secili le ta ketë në dorë veglën e vrasjes!” Dhe ja, gjashtë vetë po vinin nga dera e lartë, nga ajo që shikon drejt veriut, e secili mbante në dorën e vet armën e goditjes. Midis tyre ishte një tjetër njeri i veshur me petka të linjta e veglat e shkrimit i kishte në brez. Hynë dhe zunë vend përbri lterit të tumbakët. Lavdia e Hyjit të Izraelit, nga kerubini, mbi të cilin pushonte, u ngrit në drejtim të pragut të Tempullit dhe e thirri burrin që ishte i veshur me të linjta dhe që i kishte veglat e shkruesit në brez. Zoti i tha: “Kalo përmidis qytetit nëpër Jerusalem dhe shënoje një “tau” mbi ballin e atyre njerëzve që ofshajnë dhe dënesin për shkak të gjitha këtyre turpësive që po bëhen në mes të Jerusalemit.”
Kurse atyre të tjerëve u tha ‑ e dëgjova vetë ‑: “Kaloni nëpër qytet e shkoni pas tij dhe goditni: syri juaj të mos ketë dhimb e mos kini mëshirë: vritni plak e të ri, vajzë, foshnjë e grua, tretjani farën; por ruajuni se vritni ndonjë prej atyre që e kanë shenjën “tau”. Nisjani nga Shenjtërorja ime!” Ia filluan, pra, nga pleqtë që ishin para Tempullit. Atëherë u tha: “Dhunojeni Tempullin! Mbusheni oborrin me të vrarë! Dilni!” Ata dolën e i vrisnin ata që ishin në qytet.
Tashti, ndërsa ata po vrisnin, unë mbeta vetëm, rashë me fytyrë përdhe e thashë: “Heu, o Zot Hyj! A po ia tret farën edhe tepricës së Izraelit, duke e zbrazur hidhërimin tënd mbi Jerusalem?” E ai mu përgjigj: “Paudhësia e shtëpisë së Izraelit e të Judës është për së tepërmi e madhe; mbarë toka është mbushur me gjak, kurse qyteti është plot me padrejtësi. Sepse ata thanë: 'E ka lëshuar Zoti vendin, Zoti nuk sheh!'; prandaj as syri im s'do të ketë dhimb e nuk do të mëshiroj: do t'u lyp përgjegjësi për sjelljen e tyre.” Dhe ja, ai njeri i veshur me të linjta e që në brez kishte veglat e shkrimit, u përgjigj e tha: “Kreva çka më ke urdhëruar.”
Përgjigjja Krh. Mt 24, 15. 21. 22; Zb 7, 3
C Kur të shihni se në vendin e shenjtë hipi në fron Shkretuesi i Urryer atëherë do të jetë mjerim i madh. * Askush nuk do të shpëtonte, por për hir të të zgjedhurve, do të shkurtohen ato ditë.
D Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë.
C Askush nuk do të shpëtonte, por për hir të të zgjedhurve, do të shkurtohen ato ditë.
Leximi i dytë
Nga “Fjalimet” e Shën Bernardit, abat
(Fjal. në të dielën mes tetëditëshit të Ngritjes së Virgjërës Mari në qiell 15-14;
Opera omnia, obt. Cister. 5 [1968]173-274)
Nëna e Jezusit qëndronte pranë kryqit
Martirizimi i Virgjërës kremtohet sa në profecinë e Simonit, po aq edhe në vetë historinë e mundimit të Zotit. Ai është vënë, thotë Simoni plak për Jezusin foshnjë, porsi shenjë kundërshtimi, dhe një shpatë, thotë më pas duke iu drejtuar Marisë, do të ta përshkojë vetë shpirtin tënd (krh. Lk 2, 34-45).
Një shpatë e ka përshkuar vërtet shpirtin tënd, o Nëna jonë e shenjtë! Por nuk do të kishte arritur mishin e Birit përveçse duke kaluar nëpërmjet shpirtit të Nënës. Posaçërisht pasi Jezusi yt, që ishte i të gjithëve, por në veçanti i yti, dha shpirt, shpata mizore nuk mund të arrinte shpirtin e tij. Dhe kur vërtet, duke mos respektuar as edhe vdekjen e tij, ia hapi kraharorin, tashmë nuk mund t’i shkaktonte dëm Birit tënd. Por ty po. Ty ta përshkoi shpirtin. Shpirti i tij nuk ishte më atje, por shpirti yt nuk mund të shkëputej kurrsesi. Për këtë arsye forca e dhimbjes e tejshkoi shpirtin tënd, dhe kështu jo pa të drejtë ne mund të të quajmë më shumë se sa martire, sepse në ty pjesëmarrja në mundimin e birit, e tejkaloi shumë, në dendësi, vuajtjen fizike të martirizimit.
A thua nuk ishte për ty më shumë se sa shpatë ajo fjalë që e përshkoi shpirtin tënd dhe arriti deri në ndarjen e jetës dhe shpirtit? Të qe thënë: “Grua, ja biri yt” (Gjn 19, 26). Çfarë shkëmbimi! Të jepet Gjoni në vend të Jezusit, shërbëtori në vend të mësuesit, biri i Zebedeut në vend të Birit të Hyjit, një njeri i thjeshtë në vend të Hyjit të vërtetë. A është e mundur që këto fjalë të mos kenë përshkuar shpirtin tënd aq të ndjeshëm, kur edhe vetë kujtimi i tyre i thyen edhe zemrat tona, të cilat pra janë prej guri dhe hekuri?
Mos u mrekulloni, o vëllezër, kur thuhet se Maria ka qenë martire në shpirt. Por më mirë le të mrekullohet ai që nuk e ka dëgjuar Palin duke numëruar mes mëkateve më të mëdha të paganëve faktin se atyre u mungonte dashuria. Ky faj ka qenë shumë larg nga zemra e Marisë, dhe le të jetë larg edhe nga zemra e të devotshmëve të saj të përvuajtur.
Ndoshta ndokush mund të ankohet: A thua nuk e dinte ajo që më parë se Jezusi do të vdiste? Me siguri. A thua nuk e dinte se së shpejti do të ringjallej? Pa asnjë dyshim dhe me besimin më të plotë. Por, megjithatë vuajti kur qe kryqëzuar? Me siguri dhe në mënyrë të tmerrshme. Nga ana tjetër kush je ti vëlla, dhe çfarë lloj urtie është ajo e jotja, nëse ti mrekullohesh për solidaritetin e dhimbjes së Nënës me të Birin, më shumë se sa dhimbja e vetë Birit të Marisë? Ai mund të vdiste edhe në trup, ndërsa ajo nuk ka mundur të vdesë bashkë me të në zemër? Në Birin veproi dashuria më e lartë se çdo dashuri tjetër. Në Nënën veproi dashuria, me të cilën pas asaj të Krishtit asnjë dashuri tjetër nuk mund të matet.
Përgjigjja Krh. Lk 23, 33; Gjn 19, 25; Lk 2, 35
C Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan. * Përbri kryqit të Jezusit qëndronte nëna e tij.
D Shpata e dhimbjes e shporoi shpirtin e saj.
C Përbri kryqit të Jezusit qëndronte nëna e tij.
Lutja
O Hyj, ti deshe që Birit tënd të gozhduar në kryq t’i rrinte pranë Nëna e tij e të vuante bashkë me të: bëj që edhe Kisha jote të bashkohet me mundimet e Krishtit që të ketë pjesë në ngjalljen e tij. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.