Shërbesa e leximeve
16 shtator, Shën Korneli e Cipriani, martirë
Korneli qe zgjedhur ipeshkëv i Kishës së Romës në vitin 251. Luftoi heretikët novacianë dhe e forcoi autoritetin e vet me mbështetjen e shën Çiprianit. Perandori Gal e dërgoi në mërgim pranë Civitavecchia, ku vdiq në vitin 253. Trupi i tij u dërgua në Romë dhe u varros në varrezën e Kalistit.
Çipriani lindi në Kartagjenë rreth vitit 210 nga prindër paganë. I kthyer në fe dhe i shuguruar meshtar, u zgjodh ipeshkëv i qytetit në vitin 249. E drejtoi Kishën shkëlqyeshëm me shembuj dhe me shkrime, në kohë mjaft të vështira. Në përndjekjen e Valerianit, më parë qe dënuar me mërgim, pastaj, më 14 shtator të vitit 258, vdiq martir.
Nga Përbashkorja e shumë martirëve (fq. 1541) ose e barinjve (fq. 1588) me psalmet e ditës në psalter.
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëi zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
SHËRBESA E LEXIMEVE
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Mbret plot lavdi i martirëve,
kurora e dëshmitarëve,
nga që s’i pranuan tokësorët
i çove ndër qiellorët.
Fill veshin tënd mirëdashës
zërave tona drejtoiau;
këndojmë trofetë e shenjta,
mos na i shiko gabimet.
Ti ngadhnjen ndër martirët,
duke kursyer dëshmuesit,
hidhi poshtë fajet tona,
duke dhuruar ndjesën.
Na ruaj, Atë mëshirëplotë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues,
që në amshim mbretëroni. Amen
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.
Psalmi 103 /102/ Himn mëshirës së Zotit
Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë, na doli në pasi prej qiellit Dielli (Krh. Lk 1, 78).
I (1-7)
Bekoje, shpirti im Zotin, *
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im Zotin, *
e mos i harro bamirësitë e tij.
Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, *
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit, *
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,
me të mira t’i mbush vitet e tua: *
do të përtërihet si e shqiponjës rinia jote.
Zoti bën veç vepra të mira, *
u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.
Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, *
bijve të Izraelit veprat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Bekoje, shpirti im, Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.
Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.
II (8-16)
Zoti është i mirë e i mëshirshëm, *
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
Nuk zemërohet gjithherë *
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.
Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona *
as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.
Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, *
aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.
Sa është lindja larg perëndimit *
aq larg i tret prej nesh fajet tona.
Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, *
ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.
Sepse mirë e di si jemi të përbërë, *
s’e harron se ne jemi pluhur.
Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: *
porsi lulja e fushës lulëzon,
sa e prek era e më s’është, *
më s’e kujton as vendi i vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Sikurse babai ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.
Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.
III (17-22)
Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit *
e në amshim mbi ata që e druajnë
dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, †
mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij *
dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.
Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, *
mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.
Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, †
ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, *
duke i dëgjuar urdhrat e tij.
Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tij, *
shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.
Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, †
në çdo vend të sundimit të tij! *
Shpirti im, bekoje Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Të gjitha veprat e Zotit, bekojeni Zotin.
D Bëj që t’i kuptoj mësimet e tua:
C do t’i meditoj mrekullitë e tua, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Ezekielit profet 10, 18-22; 11, 14-25
Lavdia e Zotit e braktis qytetin e shkatërruar.
Lavdia e Zotit doli nga pragu i Tempullit e zuri vend mbi kerubinë. Kerubinët i hapën krahët e vet ndër sy të mi e u ngritën nga toka, e, duke u nisur, me ta shkuan edhe rrotat. U ndal në hyrje të derës së Shtëpisë së Zotit, në lindje. Lavdia e Zotit të Izraelit ishte mbi ta. Është ky po ai gjallor që e pashë nën Hyjin e Izraelit bri lumit Kobar dhe e kuptova se ishin kerubinë. Secili ishte me katër faqe e me katër krahë edhe secili kishte nën krahë diçka të ngjashme me dorë të njeriut. Fytyrat i kishin të njëjta me ato që i pashë bri lumit Kobar. Secili ecte para vetes.
Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
“Biri i njeriut, janë vëllezërit e tu, farefisi yt, të afërmit e tu edhe mbarë shtëpia e Izraelit, të cilëve u thanë banorët e Jerusalemit: 'Ata janë larg Zotit; toka na është dhënë neve për pronë.' Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi i treta larg ndër paganë, pasi i shpërndava nëpër vende të ndryshme, unë për pak kohë do të bëhem Shenjtërorja e tyre në vende ku arritën. Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Do t'ju bashkoj prej popujve e do t'ju mbledh nga tokat, në të cilat keni qenë tretur dhe do t'ju jap tokën e Izraelit. Kur këta të kthehen në të, do t'i zhdukin prej saj të gjitha neveritë e turpësitë. Unë do t'u jap një zemër tjetër, në ta do të fus një shpirt të ri, nga trupi i tyre do të nxjerr zemrën e gurtë e do t'u jap zemër të mishtë, kështu që të ecin urdhërimeve të mia e t'i zbatojnë gjyqet e mia: që të jenë populli im e unë të jem Hyji i tyre. Por prej atyre që me zemër i ndjekin neveritë e turpësitë idhujtare do të kërkoj përgjegjësi” ‑ është fjala e Zotit Hyj.
Atëherë kerubinët i lartësuan krahët, me ta u nisën edhe rrotat mbi të cilat ishte Lavdia e Zotit të Izraelit. Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit e shkoi e zuri vend mbi malin që është në lindje të qytetit.
Shpirti më kapi edhe mua e më solli ndër kaldenj, në mes të mërguarve, në vegim, në shpirtin e Hyjit; atëherë m'u zhduk vegimi që pata. Unë pastaj u tregova mërgimtarëve të gjitha fjalët që Zoti m'i kishte thënë.
Përgjigjja Krh. Ez 10, 4. 18; Mt 23, 37. 38
C Tempulli u mbush me re, kurse oborri u mbush me shkëlqimin e Lavdisë së Zotit. * Lavdia e Zotit doli nga pragu i Tempullit.
D Jerusalem, sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon zogjtë e vet nën krahë... por ju nuk deshët! Qe shtëpia juaj po ju lihet juve e shkretë!
C Lavdia e Zotit doli nga pragu i Tempullit.
Leximi i dytë
Nga “Letrat” e shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir
(Let. 6, 1-2; CSEL 3, 480-482)
Duhet t’i përngjajmë Krishtit në gjithçka, që të jemi të denjë për premtimet e tija.
Ju përshëndes, vëllezër të dashur, ndërkohë që ju shpreh dëshirën që edhe unë të mund ta gëzoj praninë tuaj. Por, gjendja e vendit ku jam tani, për fat të keq nuk më jep mundësinë që të arrij tek ju. Cila është ajo gjë më e dëshirueshme dhe më e gëzueshme që do të mund të më ndodhë përveçse të bashkohem me ju, i shtrënguar nga duart tuaja, të cilat të pafajshme dhe besnike ndaj Krishtit, kanë refuzuar flijimet sakrilegje?
Çka do të kishte më të gëzueshme dhe më të lartë se puthja e buzëve tuaja, të cilat me zë të lartë e kanë dëshmuar Zotin, të jem i shikuar prej syve tuaj të cilët, duke e urryer botën, janë bërë të denjë që ta shohin Hyjin?
Por, meqë nuk më është e mundur të marr pjesë në këtë gëzim, në vendin tim po ua dërgoj syve dhe veshëve tuaj këtë letër; në të gëzohem dhe ju përbej që të qëndroni të fortë dhe të vendosur duke i dhënë dëshmi lavdisë qiellore. Keni hyrë në udhën e nderit të Hyjit, dhe tani jeni duke u nisur me plot zell drejt kurorës, duke ndjekur si mbrojtës dhe si udhëheqës Zotin, i cili tha: “Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!” (Mt 28, 20).
O burg i lumtur, i nderuar nga prania juaj! O burg i lumtur, që nis drejt qiellit njerëzit e Zotit! O errësira, më të shkëlqyera se dielli e më të shndritshme se drita e kësaj bote, ku tani janë të ngritur tempujt e Hyjit dhe gjymtyrët tuaja janë shenjtëruar nga dëshmitë hyjnore.
Mos të ketë në këtë moment gjë tjetër në mendjen tuaj as në zemrën tuaj veçse ligjet hyjnore dhe urdhërimet qiellore, me të cilat Shpirti Shenjt gjithnjë ju jep fuqi që të mund ta duroni martirizimin. Askush të mos mendojë për vdekjen, por për pavdekësinë; as të mos mendojë për vuajtjet e përkohshme, por për lavdinë e amshuar meqë është shkruar: “E çmueshme është para Zotit vdekja e shenjtërve të tij” (Ps 116 /115/, 15); dhe prapë: “Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!” (Ps 51 /50/, 19).
Dhe prapë, Shkrimi shenjt duke folur për vuajtjet të cilat i shugurojnë martirët e Hyjit dhe i shenjtërojnë me vetë provën e martirizimit, thotë: “Po edhe nëse, në sytë e njerëzve, e sprovuan ndëshkimin, shpresa e tyre ishte plot pavdekësi. Do t’i gjykojnë kombet e do t’i sundojnë popujt dhe mbi ta do të mbretërojë Zoti gjithherë” (Urt 3, 4. 8).
Pra, kur të mendoni se një ditë do të gjykoni dhe do të mbretëroni me Krishtin Zot, duhet që me gëzimin e së ardhmes të ngazëlloheni dhe t’i shkelni vuajtjet e tanishme, duke ditur se që në fillim të botës është vendosur që e drejta këtu të vuajë në përplasje me botën e së keqes. Bën pjesë në këtë plan fakti se që në fillim u vra Abeli, i drejti, dhe se në vijim, pësuan të njëjtin fat të gjithë të drejtët që ishin të caktuar për një mision, kështu edhe profetët dhe apostujt.
Të gjithë këtyre Zoti u është bërë shembull, duke i mësuar ata se në mbretërinë e tij nuk do të arrijnë veçse ata të cilët e kanë ndjekur në jetën e tij. Kështu tha: “Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur” (Gjn 12, 25). Dhe prapë: “Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin dhe trupin” (Mt 10, 28).
Edhe shën Pali na bën thirrje që ne të cilët dëshirojmë me gjithë zemër t’i arrijmë premtimet e Krishtit, t’i përngjasojmë Zotit në të gjitha: “Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë – atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të” (Rom 8, 16-17).
Përgjigjja
C Ndërsa luftojmë për fe, Hyji na shikon, Krishti së bashku me engjëjt e vet na rri pranë: * është nder dhe gëzim për ne të luftojmë nën shikimin e Hyjit e të marrim shpërblimin prej Krishtit gjykatës.
D T’i bashkojmë fuqitë tona e të përgatitemi për luftë me shpirt të pastër, me fe e guxim, me kushtim të plotë:
C është nder dhe gëzim për ne të luftojmë nën shikimin e Hyjit e të marrim shpërblimin prej Krishtit gjykatës.
Lutja
O Hyj, ti i dhe popullit tënd në shën Kornelin e Çiprianin barinj të zellshëm dhe martirë të guximshëm: bëj, me ndërmjetësinë e tyre, të forcohemi në fe dhe në qëndresë që veprimtaria jonë për bashkimin e krishterimit të dalë plot fryte. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.