Shërbesa e leximeve

Java e njëzetekatërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Shpendi lajmëtar i ditës

   me kangë njofton po afrohet drita;

   ne tani ndërtuesi i mendjeve

   Krishti na fton te jeta.

 

   “Hiqni – thërret – nga shtretërit

   të smurë, gjumashë, përtacët;

   ju t’urtë, të drejtë, t’përmbajtur

   përgjoni; unë tani jam afër”.

 

   Që, kur me frymë flakruese

   agimi n’qiell të hapet,

   të gjithë me punë t’stërvitur

   t’forcojë në shpresë të dritës.

 

   Me zëra t’thrrasim Krishtin

   me vaj, me uratë, të esëllt;

   se lutja e fuqishme

   s’lejon t’flejë zemra e pastër.

 

   Ti, o Krisht, shpërndaje gjumin,

   këput prangat e natës,

   ti zgjidh mëkatin e vjetër,

   ndriçimin e ri sille.

 

   Ty Krisht, mbret shumë i drejti,

   ty e Atit qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Zgjo ndjenja dashurie

   ndaj ty, dhurues i fajit,

   shpirtmirë t’u bëhesh zemrave

   si të pastrosh ndyrësitë.

 

   Këtu ne arrijmë të huaj (jashtëm)

   dhe të mërguar rënkojmë;

   ti je liman e atdhe,

   na ço n’tremet e jetës.

 

   Dashni e lumtur që ka etje

   për ty gurrë jete, o e Vërteta;

   ata sy shumë të lumtur

   të popullit që ty vëzhgojnë.

 

   N’ty është lumnia e madhe

   kujtesa e lavdisë tënde,

   që pa mbarim madhërojnë

   ata që ngrejnë nga thellësia zemrën.

 

   Bëj, o Atë krejt i drejti,

   dhe, o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.

 

   Psalmi 44 /43/ Populli i Zotit në fatkeqësi

 

   Në të gjitha vështirësitë, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).

 

   I (2-9)

 

O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *

   etërit tanë na e treguan,

veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *

   në ditë të kahershme.

 

Me dorën tënde i çrrënjose paganët †

   e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *

   i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.

 

Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *

   as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,

 

por e djathta jote dhe krahu yt †

   e drita e fytyrës sate, *

   sepse i kishe për zemër.

 

Ti je mbreti im dhe Hyji im *

   që ia dhurove fitoren Jakobit!

 

Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †

   me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *

   ata që u çuan kundër nesh.

 

Shpresa ime nuk është në harkun tim, *

   as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,

por ti na shpëton nga armiqtë, *

   ti i turpëron ata që na urrejnë.

 

Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *

   Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.

 

Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.

 

   II (10-17)

 

Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *

   Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.

Na bëre të ikim para armiqve tanë, *

   ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.

 

Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *

   dhe na trete ndër paganë.

E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *

   as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.

 

Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *

   përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.

Na bëre përrallë për popuj: *

   përmbi ne paganët e tundin kokën!

 

Përditë turpin tim e kam para sysh, *

   marrja ma mbulon fytyrën

prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *

   prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.

 

Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!

 

   III (18-27)

 

Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *

   as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,

 

as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *

   as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,

e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *

   na mbulove me hije të vdekjes.

 

Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *

   t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,

pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *

   nuk do ta kishte hetuar këtë?

 

E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *

   të çmuar porsi delet për therore.

 

Zgjohu, përse po fle, o Zot? *

   Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!

Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *

   përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?

 

Se u poshtëruam e ramë përdhe, *

   zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.

Çohu, na eja në ndihmë! *

   Na shpëto pashë dashurinë tënde!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!

 

   D Le të shkëlqejë përmbi mua drita e fytyrës sate:

   C ma mëso urtinë, o Zot.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Ezekielit profet 12, 1-16

 

   Shpërngulja e popullit e hijësuar në një veprim simbolik.

 

   Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

   “Biri i njeriut, ti banon në mesin e njerëzve kryekëcyer, të cilët i kanë sytë për të parë e nuk shohin, veshët për të dëgjuar e nuk dëgjojnë, sepse janë njerëz kryengritës. Ti, pra, biri i njeriut, bëji ngarkesë sendet për udhëtim e ndër sy të tyre bëj kinse po çon ditën për diell, e shpërngulu nga vendi yt në një vend tjetër ndër sy të tyre a mos ndoshta e hetojnë se janë pjellë e keqe. Merre ngarkesën tënde, sikurse ai që shpërngulet, ditën, ndër sytë e tyre e qite jashtë; dil jashtë në mbrëmje siç bën ai që niset për mërgim. Ndër sy të tyre shporoje murin e dil nëpër të. Ndër sy të tyre vëre në krah ngarkesën e mbarte në terrin e natës; mbuloje fytyrën që të mos e shikosh tokën, sepse të bëra shenjë për shtëpinë e Izraelit.

   Bëra ashtu si më urdhëroi Zoti: ditën e nxora jashtë ngarkesën, ngarkesën e shpërngulësit, e në mbrëmje e shporova murin me dorën time e në terrin e natës e ngarkova në krah dhe e mbarta ndër sytë e tyre.

   Në mëngjes më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Biri i njeriut, vallë a nuk të pyeti shtëpia e Izraelit, ajo pjellë e keqe: 'Çfarë po bën ashtu?' Përgjigju: Kështu thotë Zoti Hyj: Kjo profeci është për prijësin që është në Jerusalem e për mbarë shtëpinë e Izraelit që është në të. Thuaj: Unë jam shenja juaj! Siç bëra unë, ashtu do t'u ndodhë atyre: do të shkojnë në mërgim e në skllavëri! Prijësit që është ndër ta do t'i duhet në krah ta mbartë ngarkesën e në terrin e natës do të dalë. Murin do ta birojnë që të bëhet kalim nëpër të; fytyrën e vet do ta mbulojë që me sy të mos e shohë tokën. Unë do t'ia ngreh rrjetën që të bjerë në të e të zihet në lakun tim. Do ta shpie në Babilon, në tokën e kaldenjve, por atë s'do ta shohë e atje do të vdesë. E të gjithë ata që janë përreth tij, rojën trupore dhe njësitë e tija, do t'i shpërndaj në çdo anë dhe pas tyre do ta nxjerr shpatën. Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur t'i kem shpërndarë ndër paganë e shpërngulur nëpër toka të ndryshme. Prej tyre do të lë të shpëtojë nga shpata, uria e murtaja një numër të vogël njerëzish, që t'i tregojnë paudhësitë e tyre ndër paganë te të cilët do të arrijnë. Do ta dinë se unë jam Zoti.”

 

   Përgjigjja Krh. Ez 12, 15; Ps 89 /88/, 31. 33

 

   C Kur t’i kem shpërndarë ndër paganë e shpërngulur nëpër toka të ndryshme, * Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.

   D Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre.

   C Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv

   (Fjal. 46, 9; CCL 41, 535-536)

 

   Ji shembull për besimtarët.

 

   Pasi Zoti ka thënë se çfarë kanë për zemër barinjtë, shton se cilat janë detyrat që ata lënë pas dore. Të metat e deleve, në fakt, janë gjerësisht të përhapura. Shumë të pakta janë delet e shëndosha dhe të begata. Domethënë se janë të rralla ato të qëndrueshmet në ushqimin e së vërtetës, që shfrytëzojnë për të mirë kullosat që Hyji u jep. Por ata barinj të mbrapsht nuk kursejnë as këta. Nuk mjafton se lënë pas dore delet e sëmura dhe të dobëta, të çoroditura dhe të humbura. Për sa munden vrasin edhe ato që janë të forta dhe me shëndet të mirë. Ndoshta ti do të thuash: Sidoqoftë këta jetojnë. Po, jetojnë, por në sajë të mëshirës së Hyjit. Megjithatë, për sa munden, barinjtë e këqij i vrasin. Si i vrasin? Do të thuash. Duke jetuar keq, duke u dhënë shembull të keq.

   I qe thënë vallë pa të drejtë atij shërbëtorit të Hyjit që shkëlqente ndër gjymtyrët e Bariut të tejetlartë: Ofro vetveten duke qenë në gjithçka shembull për sjellje të mirë? (krh. Tit, 2, 7) E përsëri: Ji model për besimtarët (krh. 1 Tim 4, 12). Një dele, në fakt, edhe pse është e shëndoshë, duke vënë re se bariu i saj zakonisht jeton keq, i shkëput sytë nga ligji i Zotit dhe shikon njeriun, fillon të thotë në zemrën e vet: nëse eprori im jeton kështu, çfarë më ndalon të veproj edhe unë të njëjtën mënyrë? Në këtë mënyrë bariu e vret delen e shëndoshë. Pra, nëse vret delen e shëndoshë, çfarë do të bëjë vallë me delet e tjera? Çfarë do të bëjë ky bari që, duke jetuar keq, bën të rrezikojë delja, që ai nuk e kishte shëruar, por që përkundrazi e kishte gjetur të fortë dhe të fuqishme? I them dhe i përsëris dashurisë suaj: ka dele që jetojnë, janë të mbështetura në fjalën e Zotit dhe i qëndrojnë asaj norme që kanë dëgjuar prej tij: “Ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata” (Mt 23, 3). Megjithatë, bariu që sillet keq përpara popullit, për sa i përket atij, e vret atë prej të cilit vihet re. Mos të gënjehet për faktin se ai njeri nuk ka vdekur. Ai njeri jeton, por bariu bëhet barabar vrasës.

   Në mënyrë të ngjashme, kur një njeri i korruptuar shikon një grua me dëshirë, ajo mbetet e pastër, por ai e ka kryer kurorëshkeljen. Mbetet e vërtetë dhe e tejdukshme fjala e Zotit mbi këtë gjë: “Kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të” (Mt 5, 28). Nuk ka hyrë në dhomën e saj, por në zemrën e vet e shfryn epshin.

   Kështu, kushdo që të sillet keq përpara atyre të cilëve duhet t’u prijë, për sa varet prej tij vret edhe shenjtërit. Ai që e imiton vdes, ai që nuk e imiton vazhdon të jetojë. Por për sa varet prej tij, ai i vret të dyja palët. Ky është qortimi që bën Zoti: “Ju pritni delet e majme e grigjën nuk e kullotni” (Ez 34, 3).

 

   Përgjigjja Krh. Lk 12, 48; Urt 6, 5

 

   C Atij që iu dha shumë, shumë do t’i kërkohet; * Atij që iu besua shumë, shumë do t’i kërkohet.

   D Një gjyq i egër do të bëhet kundër krerëve.

   C Atij që iu besua shumë, shumë do t’i kërkohet.

 

   Lutja

 

   O Hyj, Krijuesi dhe Drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate e të shërbejmë me krejt jetën tonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.