Shërbesa e leximeve

Java e njëzetekatërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nëpërmjet këngës së gjelit

   tashmë errësirë e natës

   dhe të natës së pangopur

   duke hequr tmerrin e zi,

   Hy jetëdhënës, po të lusim

   dhe të lypim me gjithë shpirt.

 

   Dritë e fortë, syhapët, erdhe

   dhe mbikëqyrës i njerëzimit,

   ndërsa mbanin të gjitha sendet

   bashkërisht heshtje të zakonshme,

   madje e nxirrnin krejt të vdekur

   përfytyrimin e të vdekurit.

 

   Ti, o Krisht, ne të na zgjoje

   nga gjumi i prapësisë,

   dhe falas të na libroje

   nga burgu i natës sterrë,

   edhe dritën të na ktheje

   shoqëruese gjithnjë e jetës.

 

   Ty e Atit ju qoftë nderi,

   po ashtu Shpirtit të Shenjtë,

   Hyjit në tre vetë dhe një të vetëm,

   paqes, jetës, edhe dritës,

   mbi të gjithë emrit të ëmbël

   dhe vullnetit të hyjnueshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Na mbro, krijuesi i sendeve,

   lavdi e dritës s’Atit,

   pa hirin e të cilit

   dridhen kraharorët tanë.

 

   Dhe me Shpirtin tënd të mbushur,

   duke mbartur Zotin me vete,

   asgjë e grabitësit të pabesë të mos duket

   me mashtrime shkatërruese.

 

   Që ndër punët e shekullit,

   si e lyp nevoja e jetës,

   zhveshur nga çdo lloj krimi

   të rrojmë me ligjet e tua.

 

   Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj ndërsa më shkelin mëkatarët.

 

   Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton

 

   O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).

 

   I (2-9)

 

Vështroje, O Hyj, lutjen time, †

   mos u fsheh para uratës sime, *

   më prano e më vështro,

 

se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *

   prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.

 

Hedhin mbi mua paudhësi, *

   më sulmojnë me tërbim.

Dridhet zemra ime në mua, *

   më përshkoi tmerri i vdekjes.

 

Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *

   më mbuloi një rrëqethje e rëndë.

Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *

   për të fluturuar e për të gjetur pushim?

 

Larg, larg do të fluturoja, *

   në shkretëtirë do të banoja.

Do ta prisja atë që më shpëton *

   nga furia e erës dhe e stuhisë.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj derisa më shkelin mëkatarët.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

   II (10-15)

 

Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *

   sepse shoh dhunë e grindje në qytet.

 

Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †

   në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *

   nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.

 

Sepse po të më shante armiku, *

   disi do të duroja,

të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *

   disi do të fshihesha para tij,

 

por qe ti, o njeri, shoku im, *

   miku im, i njohuri im,

me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *

   bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   III (17-24)

 

Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *

   Zoti do të më japë shpëtim.

Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë

   do të dënes i trishtuar *

   e ai do të ma dëgjojë zërin.

 

Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †

   prej atyre që më sulmojnë: *

   sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.

Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *

   Ai që është para të gjitha jetëve.

 

Për ata kthim nuk ka *

   e Hyjin s’e druan!

Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *

   shkel e thyen besën e dhënë.

 

Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *

   zemrën e kanë të gatshme për luftim,

fjalët i kanë më të buta se vaji, *

   e ata - shpatë të nxjerra nga milli!

 

Lëshoja kujdesin tënd Zotit †

   e Ai do të të japë fuqi: *

   kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.

Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *

   plandosi në gropën e varrit

që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *

   Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.

 

   D Dëgjoje, biri im, zërin e urtisë.

   C vëri veshin mësimeve të mia.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Ezekielit profet

   16, 3. 5b-7a. 8-15. 35. 37a 40-43. 59-63

 

   Jerusalemi e nusja e pabesë e Hyjit.

 

   Kështu thotë Zoti Hyj kundër Jerusalemit: Prejardhja jote dhe vendlindja jote nga toka Kanaan. Yt atë amorreas e nëna jote hetite.

   Asnjë sy s'pati dhembshuri për ty që ta bëjë ndonjërën nga këto gjëra as s'pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut.

   Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të thashë ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! Të thashë ‑ po them atëherë kur ishe në gjak: Jeto! E bëra që të rritesh porsi bari në arë. Ti u rrite, u bëre e madhe, ia arrite moshës së gruarisë. Parzmat e tua ngufën, flokët t'u rritën; por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp.

   Kalova përbri teje e të pashë; mosha jote, ja, ishte mosha e të dashuruarit. E hodha mbi ty mallotën time dhe e mbulova zhveshtësinë tënde; atëherë unë t'u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty ‑ thotë Zoti Hyj ‑ e ti u bëre imja.

   Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj. Të vesha me petka të larme, në këmbë t'i mbatha sandalet prej më së mirës lëkurë, të ngjesha me li të përpunuar e të vesha me mëndafsh. Të stolisa me stoli, të vura në duar mëdorëzat, gjerdan në fytin tënd. Me unazë të zbukurova hundën, me vathë veshët e tu e me kurorën e shkëlqimit kokën tënde! U stolise me ar e me argjend, u veshe me li të përpunuar e me mëndafsh të ngjyrëngjyrshëm. U ushqeve me më të mirin miell, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë e bukur, tejet e hijshme, e denjë për mbretëreshë. Zëri yt i mirë u hap ndër popuj për shkak të bukurisë sate, sepse ishe e përsosur në stolinë time që ta kisha dhënë ‑ thotë Zoti Hyj.

   Por ty t'i mori mëndët bukuria jote dhe e shfrytëzove zërin e mirë tëndin për të bërë fëlligështi dhe lute me fëlligështinë tënde gjithkënd, të gjithë kalimtarët.

   Prandaj, o lavire, dëgjoje fjalën e Zotit:

   ja, pra, unë do t'i bashkoj të gjithë dashnorët e tu, të cilët i kënaqe, të gjithë ata që i deshe së bashku me të gjithë ata që i urreve; prej kahmos do t'i bashkoj të gjithë kundër teje, do ta qes në dritë turpërinë tënde ndër sy të tyre dhe do ta shikojnë të gjithë marren tënde.

   Rreth teje pastaj do të bashkojnë fundërrinën e njerëzve, do të të godasin me gurë e do të të grimcojnë me shpata të veta. Shtëpitë e tua do t'i djegin me zjarr e ty do të dënojnë ndër sy të një shumice grash. Do të bëj të mos lavirësosh më e më të mos japësh dhurata për fëlligështi. Në ty do ta shfryj zemërimin tim dhe do të më shkojë mendja e zezë për ty. Do të qetësohem e nuk do të zemërohem më. Pasi nuk u kujtove për ditët e rinisë sate e me të gjitha këto më nguce, prandaj edhe vetë mbi kokën tënde do ta sjell sjelljen tënde ‑ thotë Zoti Hyj. Prapë, nuk u solla me ty sipas paudhësive të tua në të gjitha turpësitë e tua.

   Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të sillem me ty sikurse edhe ti u solle, ti që e theve besën me përbetim, sa që e theve deri edhe besëlidhjen. Por unë do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj në të mirën tënde një besëlidhje të përhershme. Ti prej anës sate do t'i kujtosh udhët e tua e do të të vijë marre kur t'i marrësh motrat e tua ‑ më të mëdha e më të vogla ‑ e t'i jap për bija, por jo në fuqi të besëlidhjes sate. Unë do të bëj besëlidhje me ty e do ta dish se unë jam Zoti, që të kujtohesh e të turpërohesh e të mos guxosh kurrë më ta çelësh gojën tënde prej marres kur unë të kam falur gjithçka ke bërë ‑ thotë Zoti Hyj.”

 

   Përgjigjja Krh. Is 54, 6. 8; Ez 16. 60

 

   C Si një grua të lënë që vuan në shpirt, të thirri Zoti; në momentin e felgrimit e fsheha prej teje fytyrën time. * Me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty, tha Zoti, shpërblyesi yt.

   D Do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj një besëlidhje të përhershme.

   C Me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty, tha Zoti, shpërblyesi yt.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv

   (Fjal. 46, 10-11; CCL 41, 536-538)

 

   Përgatite shpirtin tënd për tundim.

 

   Keni dëgjuar se çfarë kanë më shumë për zemër barinjtë e këqij, merreni tani me mend për çfarë shkujdesen: “Delen e ligshtë nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni, të ndarën nuk e ktheni, të treturën nuk e kërkoni” (Ez 34, 4), dhe ato që ishin të shëndosha i keni lënë në rrezik, i keni vrarë, copëtuar. Delja është e ndjeshme ndaj sëmundjeve, ka zemër të dobët, kështu që me lehtësi mund t’i nënshtrohet tundimit, nëse ky e gjen të pambrojtur, të papërgatitur.

   Bariu neglizhent, kur njeh dikë të grigjës së tij a nuk i thotë: Bir, në qoftë se paraqitesh për t’i shërbyer Zotit, qëndro fort në drejtësi dhe në druajtje dhe përgatitu për tundime (krh. Sir 2, 1). Ai që flet kështu ngushëllon atë që është i dobët dhe e bën të fortë, në mënyrë që ai, pasi të ketë përqafuar fenë, të mos shpresojë në begatinë e kësaj bote. Nëse do t’i mësohet të shpresojë në lumturinë e botës, do të shkatërrohet nga vetë lumturia: kur të arrijnë kundërshtimet, do të mbesë i çoroditur, ose ndoshta do të birret, dhe prandaj, bariu që e ndërton besimtarin në këtë mënyrë, e ndërton mbi rërë dhe jo mbi shkëmbin, që është Krishti (krh. 1 Kor 10, 4). Të krishterët, në fakt, duhet të imitojnë vuajtjet e Krishtit dhe nuk duhet të shkojnë në kërkim të qejfeve.

   I dobëti, përkundrazi, përforcohet kur i predikohet: priti, nëse do, tundimet e kësaj bote, por Zoti do të të çlirojë nga të gjitha, nëse zemra jote nuk do të largohet kurrë nga ai. Ai, në fakt, ka ardhur për të vuajtur, ka ardhur për të vdekur, ka ardhur për t’u mbuluar me pështyma, ka ardhur për t’u kurorëzuar me ferra, ka ardhur për të pësuar sharje dhe, më në fund, ka ardhur për t’u kryqëzuar në kryq pikërisht për të ngushëlluar zemrën tënde. Gjithë këtë ai e ka vuajtur për ty, dhe ti asgjë. Ti ke vuajtur jo për të mirën e tij, por tënden.

   E ç’barinj janë ata që, duke pasur frikë se po fyejnë dëgjuesit, jo vetëm që nuk i përgatisin për tundimet e ardhshme, por përkundrazi u premtojnë atyre lumturinë e kësaj bote, lumturi që Hyji nuk ia ka premtuar as botës vetë!

   Ai ka premtuar se deri në fund do të vijnë mbi këtë botë dhimbje mbi dhimbje dhe ti do të doje që i krishteri të jetë i përjashtuar prej saj? Pikërisht sepse është i krishterë do të vuajë diçka më shumë në këtë botë!

   E pohon apostulli: “Të gjithë ata që duan të jetojnë me përshpirtëri në Krishtin Jezus, do të salvohen” (2 Tim 3, 12). Tani ti, o bari, që kërkon interesin tënd dhe jo atë të Krishtit, sipas mirësisë sate lejoji Krishtit të thotë: Të gjithë ata që duan të jetojnë plotësisht në Krishtin Jezus do të pësojnë përndjekje. Por ti, nga ana jote, mendon se mund t’i thuash besimtarit: nëse do të jetosh plotësisht në Krishtin do të kesh çdo gjë me mjaftueshmëri. E nëse nuk ke fëmijë do t’i kesh dhe do t’i ushqesh të gjithë dhe askush prej tyre nuk do të të vdesë. Në këtë mënyrë ndërton ti? Kujdesu për atë që bën, për ku hedh themelet! Ti e vendos mbi rërë atë që je duke u munduar të ndërtosh. Do të vijë shiu, do të fryhet lumi, do të fryjë era, do të përplasen mbi këtë shtëpi dhe ajo do të bjerë dhe shkatërrimi i saj do të jetë i madh.

   Hiqe nga rëra, vëre mbi shkëmb, le të ketë themelin e tij në Krishtin ai të cilin ti do ta bësh të krishterë. Bëje ta drejtojë shikimin drejt vuajtjeve të pamerituara të Krishtit, të shikojë drejt atij që, pa mëkat, paguan borxhet që nuk janë të vetat. Bëje të besojë në Shkrimin Shenjt që thotë: “Atë që e do Zoti e edukon me disiplinë, e frushkullon atë që e pranon për bir” (Heb 12, 6). E atëherë ose të përgatitet për t’u munduar, ose të heqë dorë nga dëshira për t’u pranuar.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Sel 2, 4. 3

 

   C Hyji vendosi të na e besojë Ungjillin, kështu, edhe ne e predikojmë: * nuk mundohemi t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit.

   D Predikimi ynë nuk vjen nga vullneti për mashtrim, as nga qëllimet e papastra;

   C nuk mundohemi t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit.

 

   Lutja

 

   O Hyj, Krijuesi dhe Drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate e të shërbejmë me krejt jetën tonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.