Shërbesa e leximeve
Java e njëzetekatërt e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E shtunë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,
ditë që s’mbaron kurrë,
ngadhënjyese mbi natë t’errët
ripërtëritëse e ndriçimit,
shkatërruese e errësirës,
shkëlqimtare e mendjeve.
Kur lind ajo, ringjallemi,
kur na thërret, shpejt ngrihemi,
kur del, na bën të lumtur
kur na lë, jemi të mjeruar,
kur nga vdekja liruar,
ne jemi të qartë si drita;
kur dalë fitues mbi vdekjen,
përmbi natën dhe mbi shekullin;
prandaj, o Mbret i amshuar,
dhurona neve dritën,
që nga asnjë natë s’errësohet,
veç me ndriçim kënaqet.
Atit dhe Ty nderimi,
dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,
Hyjit në tre vetë por një të vetmit,
paqes, jetës, ndriçimit,
mbi të gjithë emrit t’ëmbël,
dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hy që s’vjen nga askush,
o Hy që rrjedh prej Hyjit,
Hy që buron prej këtyre,
ndër ne eja përkrahës.
Ti je dëshira jonë,
ti qofsh dashuria e gëzimi:
në ty lakmimi ynë
e në ty qoftë kënaqësia.
O Atë, sunduesi i të gjithëve,
me të Lindurin nga Virgjëra,
brenda dhe rreth e rrotull
me Shpirtin Shenjt sundona.
Kujto, Shenjtja Trini,
ç’ndërtoi mirësia jote,
njeriun më parë krijove,
me anë të gjakut e rimëkëmbe.
Se ata që ka krijuar Njënia,
shpërbleu dashuria e Krishtit
atëherë duke vuajtur i ndërgjegjshëm,
tash na duaj ne duke na zgjedhur.
Trinisë së Shenjtë gëzimi,
paqja, virtyti dhe sundimi,
pushteti i plotë e dinjiteti,
lavdi, nderi e nderimi. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Psalmi 50 /49/ I (1-6) Për kultin »në shpirt e në të vërtetë«
Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji jam, Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e travajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
D Të lutemi dhe ta kërkojmë në çdo kohë
C njohjen e plotë të vullnetit të Hyjit.
Leximi i parë
Prej librit të Ezekielit profet 18, 1-13. 20-32
Të gjithë do të gjykohen në bazë të veprimeve të tyre.
Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Pse shkoni duke e përsëritur në tokën e Izraelit këtë thënie:
'Etërit hëngrën rrushin e thartë e të bijve u mpihen dhëmbët'?
Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kurrë më s'do ta përsëritni këtë fjalë në Izrael! Ja, çdo jetë është imja: si jeta e babës, ashtu edhe jeta e birit është imja, njeriu që do të mëkatojë, ai do të vdesë.
Njeriu që është i drejtë, që kryen drejtësinë e të drejtën, që nuk ha në lartësi, që s'i lartëson sytë drejt idhujve të Izraelit, që nuk e çnderon gruan e të afërmit, që nuk i afrohet gruas në gjendjen e mujoreve të saja, që nuk i bën dhunë njeriut, që ia kthen detorësit pengun, që nuk cubnon, që i jep bukë atij që s'ka, që e vesh të zhveshurin, që s’huazon me ujem, që nuk kërkon shtesë, e ruan dorën nga paudhësia, pleqëron drejt ndërmjet njërit e tjetrit, që ecën urdhërimeve të mia, që i mban gjyqet e mia për të bërë të vërtetën: ky është i drejtë dhe i tilli do të jetojë ‑ është fjala e Zotit Hyj.
Por në qoftë se i lind djali cub, vrastar, që bën ndonjë nga këto, e i ati nuk i bën këto ‑ kurse i biri ha në lartësi, dhunon gruan e të afërmit, i bën mujshi nevojtarit e skamnorit, cubnon, nuk e kthen pengun, i lartëson sytë e vet drejt idhujve, bën turpëri, huajon me ujem, merr shtesë, a thua do të jetojë? Jo, s'do të jetojë! Pasi i bën të gjitha këto poshtërsi, patjetër do të vdesë: gjaku i tij mbi të do të bjerë.
Ai që mëkaton do të vdesë: djali s'do të përgjigjet për fajet e t'et, as baba s'do të përgjigjet për fajet e të birit. Të drejtit do t'i takojë drejtësia e të paudhit paudhësia.
Por, në qoftë se i paudhi pendohet për të gjitha mëkatet e veta që i ka bërë dhe i mban të gjitha urdhërimet e mia e bën të drejtën e drejtësinë, po do të jetojë, nuk do të vdesë! Asnjë prej mëkateve të tija që i ka bërë nuk do t'i kujtohet; do të jetojë në saje të drejtësisë që e bën. Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?
Por, në qoftë se i drejti largohet nga drejtësia e vet dhe bën padrejtësinë e të gjitha turpësitë që i bën i patenzoni, vallë a do të jetojë? Asnjë prej drejtësive të tija që i ka bërë, nuk do t'i merren para sysh; për shkak të pabesisë së vet me të cilën e theu besën e të mëkatit që e bëri, në to do të vdesë. Ju thatë: 'Nuk është e drejtë udha e Zotit'. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s'është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes: ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e jo, nuk do të vdesë. Thotë shtëpia e Izraelit: 'S'është e drejtë mënyra e veprimit të Zotit'. A thua mënyra e sjelljes sime vërtet nuk qenka e drejtë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe?
Prandaj, unë do t'ju gjykoj të gjithëve, secilin sipas mënyrës së veprimit të vet, o shtëpia e Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni dhe ndrequni nga të gjitha paudhësitë tuaja dhe paudhësia s'do të jetë më shkak për rënien tuaj. Flakni larg jush të gjitha pabesitë tuaja, me të cilat u bëtë të pabesë e përtëriteni zemrën e shpirtin tuaj? Përse të vdisni, shtëpia e Izraelit? Unë nuk i kënaqem vdekjes së vdekatarit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni e jetoni!
Përgjigjja Krh. Jer 31, 29; Ez 18, 20. 30. 20
C Nuk do të thuhet më: Etërit hëngrën rrush të thartë dhe u mpinë dhëmbët e fëmijëve. * Ai që mëkaton do të vdesë.
D Unë do t’ju gjykoj të gjithëve, secilin sipas mënyrës së veprimit të vet: djali s’do të përgjigjet për fajet e t’et, as baba s’do të përgjigjet për fajet e të birit.
C Ai që mëkaton do të vdesë.
Leximi i dytë
Lexim nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 46, 11-12; CCL 41, 538-539)
Dhuro fashën e ngushëllimit.
Thuhet në Shkrimin Shenjt: “Ai (Hyji) e frushkullon atë që e pranon për bir” (Heb 12, 6), e ti thua: Ndoshta për ty do të bëjë përjashtim. Por mbaje mirë në mendje se, nëse dikush është jashtë kamxhikut të ndëshkimeve, është i përjashtuar nga numri i bijve. Pra, mund të thuash, ai frushkullon çdo bir? Sigurisht, ai frushkullon çdo bir, sikurse ka goditur deri edhe të Njëlindurin e tij. Atë Bir të vetëm, të lindur nga substanca e Atit, ishte Fjala e barabartë me Atin në natyrën hyjnore, ai nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha gjërat. E pra ai nuk dha kurrë shkas për t’u goditur. Megjithatë u vesh me trup për këtë arsye, për të mos mbetur pa u frushkulluar. Tani, ai që frushkullon të Njëlindurin, edhe pse është pa mëkat, a do të lërë jashtë vuajtjes birin e adoptuar dhe mëkatar? Apostulli thotë se ne kemi qenë thirrur për t’u adoptuar. Kemi marrë adoptimin si bij për të qenë trashëgimtarë së bashku me të njëlindurin, dhe për të qenë së bashku trashëgimia e tij: “Kërko nga unë, do të të jap në zotërim popujt” (Ps 2, 8). Ai na ka dhënë shembullin me vuajtjet e veta.
Por sigurisht se i dobëti, për të mos iu nënshtruar tundimeve të ardhshme, nuk duhet gënjyer me shpresa të kota, as nuk duhet përulur me perspektiva të frikshme. Duhet t’i thuash: “Përgatite shpirtin tënd për tundim” (Sir 2, 1). Ai ndoshta do të fillojë të lëkundet, të dridhet i tëri, të tërhiqet mbrapa. Por do t’i thuash edhe këtë të vërtet tjetër: “Hyji është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja” (1 Kor 10, 13).
Ai premtim dhe paraqitje e vuajtjeve të ardhshme është si t’i japësh forcë atij që është i dobët. Por nëse dikush trembet shumë dhe për këtë arsye shkakton tmerr, premtoi mëshirën e Hyjit. Me këtë sigurisht se nuk do t’i sigurosh imunitetin nga tundimet, por do ta bindësh se Hyji nuk lejon që të tundohemi përtej forcave tona. Është sikur të lidhje me fasha ata që kanë pësuar ndonjë thyerje. Në fakt, ka nga ata që, kur kanë dëgjuar se do të vinë mundimet, parapërgatiten më shumë dhe gati kanë etje për këtë kelk. E quajnë tepër të vogël ilaçin e besimtarëve, dhe kërkojnë lavdinë e martirëve.
Nga ana tjetër ka nga ata që, kur dëgjojnë të flitet për provat e pashmangshme të rezervuara për të krishterët dhe të tilla që askush tjetër nuk i provon përveç atij që do të jetë me të vërtetë i krishterë, turbullohet dhe kur i sheh si i përplasen kundër, ligështohet dhe lëkundet. Këtij dhuroji fashën e ngushëllimit dhe lidhi atë që i është thyer. Thuaji: Mos ki frikë, nuk do të të braktisë në tundime atë në të cilin ke besuar. Hyji është besnik dhe nuk lejon që ti të tundohesh përtej forcave të tua. Ky nuk është pohim i imi. E bën apostulli që ndërkohë shton: A doni një provë se Krishti flet në mua? (krh. 2 Kor 13, 3). Kur të dëgjosh këto fjalë, kur t’i dëgjosh nga vetë Krishti, i dëgjon edhe nga ai bari që kullot Izraelin. Këtyre në të vërtetë u qe thënë: Na bën të pimë lot me masë (krh. Ps 80 /79/, 6). Atë që thotë Apostulli: “Nuk lejon që të tundoheni përtej forcave tuaja”, e thotë edhe profeti me fjalët: “me masë”.
Vetëm mos e braktis atë që të qorton dhe të tërheq vëmendjen, të tmerron dhe të ngushëllon, të rreh dhe të shëron.
Përgjigjja Krh. Ps 43, 23; Rom 8, 37; Ps 43, 11.12
C Për shkak tënd na vrasin çdo ditë, të çmuar porsi delet për thertore. * Por ne jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të atij që na ka dashur.
D Na bëre të ikim para armiqve tanë, na trete në mes të kombeve.
C Por ne jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të atij që na ka dashur.
Lutja
O Hyj, Krijuesi dhe Drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate e të shërbejmë me krejt jetën tonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.