Shërbesa e leximeve

Java e njëzetepestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E diele

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin, t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë

 

   Himni

 

   Për të tjerët koha e dita

   e tetë shkëlqen më e shenjtë

   në ty që e shenjtëron, Jezus,

   i pari i të ringjallurve.

 

   Me ty ti shpirtrat tanë

   tash sa më parë bashkë ngjalli;

   për ty të ngjallën trupat

   të lirë në vdekjen e dytë.

 

   Dhe Ty ndër re së shpejti

   o Krisht të dalim para

   me ty në vazhdim fitues:

   ti jeta dhe ringjallja.

 

   Duke parë fytyrën tënde,

   të shëmbëllejmë lavdinë,

   të njohim ty siç je:

   drita e vërtetë, kënaqësia.

 

   Mbretërinë me shtatë mirosje

   të mbushur plot me Atin,

   tek ti ne gjejmë gazmim,

   Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve lutet gjatë ditës:

 

   Në krye të gjitha ditëve

   kur u krijua tërë bota

   ja kur Krijuesi i ngjallur,

   mposht vdekjen, na liron.

 

   Duke flakur larg mpirjet

   më shpejt të gjithë të ngrihemi,

   të drejtin të kërkojmë natën,

   sikur njohëm Profetin.

 

   Lutjet tona të dëgjojë,

   të shtrijë dorën e djathtë,

   e ky selitë ndoshta

   me fli t’i pastrojë,

 

   Që ne secilit në kohën

   e shenjtë të kësaj dite

   psalim në orë të pushimit,

   të na falë dhunti të pasura.

 

   Hyjit Atë i qoftë lavdia

   dhe Birit të tij të vetëm,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Druri i jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

   Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut

 

   Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).

 

Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve, †

   që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *

   e nuk rri së bashku me përqeshës,

 

por kënaqet në Ligjin e Zotit *

   dhe e kujton atë ditë e natë.

 

Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *

   e cila frytin e vet e jep në stinë

dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *

   i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

 

Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *

   por ata janë porsi byku që shpërndan era.

Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *

   as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!

 

Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *

   kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

   Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar

 

   Udhëheqësit e këtij qyteti u mblodhën së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

 

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

»Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

»Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!«

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: »Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

 

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«

 

E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbejini Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fjala e Hyjit, Krishtit të vet: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan

 

   Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).

 

Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *

   Sa shumë asi që po më çohen kundër!

Shumë janë asi që thonë për mua: *

   »As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«

 

Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *

   nderi im që lart ma mban kryet!

Zërin tim e lartësoj te Zoti *

   dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.

 

Unë bie në shtrojë e fle *

   e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.

Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †

   që përqark më rrethojnë porsi armiq. *

   Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!

 

Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *

   dhëmbët ua thyen mëkatarëve!

Shpëtimi vjen prej Zotit: *

   bekimi yt mbi popullin tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   D Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet;

   C mësojeni dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Ezekielit profet 24, 15-27

 

   Jeta e profetit është “shenjë” për popullin.

 

   Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Biri i njeriut, ja, unë po ta marr papritmas atë që është kënaqësia e syve të tu. Mos u pikëllo, mos qaj as mos derdh lot! Dënes në heshtje, mos bëj gjëmë si bëhet zakonisht për të vdekur. Shallmin mbaje lidhur rreth kreje, mbathi këmbët e tua, mos e lidh gojën me rubë dhe mos ha drekë.”

   Në mëngjes i kisha folur popullit e në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes bëra si më kishte qenë urdhëruar.

   Populli më pyeti: “Pse nuk na tregon çfarë do të thotë kjo që po bën?” Unë iu përgjigja: “Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: Thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do ta përdhunoj Shenjtëroren time, mburrjen tuaj të madhe, kënaqësinë e syve tuaj, dëshirën e shpirtit tuaj. Bijtë tuaj e bijat që i keni lënë do të bien prej shpatës. Bëni sikurse bëra unë: mos e mbuloni gojën me rubë e mos e hani bukën e vajtorëve, lidhni shallmet rreth kresë, mbathni të mbathurat në këmbë, mos u pikëlloni as mos qani, por cijzni për shkak të fajeve tuaja e secili njëri pas tjetrit le të dënesë. Ezekieli le t'ju mbetet shenjë: bëni gjithçka siç bëri ai kur do të ndodhë kjo e do ta dini se unë jam Zoti Hyj.

   E ti, biri i njeriut, ja, atë ditë, kur t'ua marr atyre fuqinë, shpatën e madhërisë, kënaqësinë e syve të tyre, gëzimin e shpirtit të tyre ‑ bij e bija, ditën që të vijë te ti një i ikur e të të lajmërojë, shi atë ditë, po them, do të çelet goja e ti do të bisedosh me atë të ikur, do të flasësh e më s'do të jesh memec: do të jesh shenjë. Njerëzit do ta marrin vesh se unë jam Zoti.”

   Përgjigjja Krh. Ez 24, 24; Jl 2, 13

 

   C Ezekieli le t’ju mbetet shenjë: bëni gjithçka siç bëri ai * e do ta dini se unë jam Zoti Hyj.

   D Shqyeni zemrat e jo petkat, kthehuni kah Zoti Hyji i juaj,

   C e do ta dini se unë jam Zoti Hyj.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv

   (Fjal. 46, 13; CCL 41, 539-540)

 

   Të krishterët e dobët.

 

   Thotë Zoti: “Delen e ligshtë nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni” (Ez 34, 4).

   U flet barinjve të këqij, barinjve të rremë, barinjve që kërkojnë interesat e veta, ata që nuk janë të Jezu Krishtit, që janë shumë të përkujdesshmëm me të drejtat që u jep shërbesa e tyre, por që nuk kanë aspak kujdes për grigjën, dhe nuk i japin prehje atyre që janë të sëmura.

   Meqë flitet për të sëmurë dhe të pashëndetshëm, edhe pse duket se është e njëjta gjë, do të mund të pranohej një ndryshim. Në fakt, po të shihen mirë fjalët në vetvete, i sëmurë është ai që tashmë është prekur nga e keqja, ndërsa i pashëndetshëm është ai që nuk ka shëndet e prandaj është vetëm i dobët.

   Për sa i përket atij që është i dobët, duhet ruajtur se e sulmon dhe mund tundimi. Ndërsa i sëmuri është tashmë i kapur nga epshi, dhe kjo e pengon të hyjë në udhën e Hyjit, t’i nënshtrohet zgjedhës së Krishtit.

   Disa njerëz që duan të jetojnë mirë dhe e kanë bërë kushtin për të jetuar në mënyrë të virtytshme, kanë më pak aftësi për të duruar të keqen se për të bërë të mirën. Përkundrazi, është veti e virtytit të krishterë jo vetëm të bëjë të mirën, por edhe të durojë të këqijat. Ata që duken të zellshëm për të bërë të mirën, por nuk duan apo nuk dinë të durojnë vuajtjet që u paraqiten, janë të pashëndetshëm, si të thuash të dobët. Por ata që e duan botën për ndonjë dëshirë të pashëndoshë dhe largohen edhe nga vetë veprat e mira, ata e keqja i ka mundur tashmë dhe janë të sëmurë. Sëmundja i heq forcat dhe e bën të paaftë për të bërë diçka të mirë. I tillë ishte në shpirt ai i paralizuari që nuk mund të paraqitej para Zotit. Atëherë ata që e bartnin zbuluan çatinë dhe e ulen poshtë. Edhe ti duhet të sillesh sikurse të bëje të njëjtën gjë në botën e brendshme të njeriut: të zbulosh çatinë e tij dhe të vendosësh përpara Zotit vetë shpirtin e paralizuar, të plogështuar në të gjitha gjymtyrët dhe të paaftë për të bërë vepra të mira, të shtypur nga mëkatet e veta dhe në vuajtje për shkak të sëmundjes së fëlligështisë së vet.

   Mjeku është aty, është i fshehur dhe rri brenda zemrës. Ky është kuptimi i vërtetë i Shkrimit që duhet shpjeguar.

   Nëse, pra, gjendesh përpara një të sëmuri me gjymtyrë të mpira dhe të goditur nga paraliza e brendshme, për ta çuar tek mjeku hap çatinë dhe ule poshtë të paralizuarin, domethënë bëje të hyjë në vetvete dhe zbuloji çfarë ka të fshehur në palët e zemrës së tij. Tregoi sëmundjen e tij dhe mjekun që duhet ta shërojë.

   A e keni dëgjuar se çfarë qortimi i drejtohet atij që lë pa bërë këtë gjë? Ky: “Të ligshtën nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni” (Ez 34, 4). I plagosuri për të cilin flitet këtu është, siç e kemi thënë tashmë, ai që gjendet si i terrorizuar nga tundimet. Ilaçi që duhet ofruar në një rast të tillë përmbahet në këto fjalë ngushëlluese: “Hyji është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja e, bashkë me prova, do t’ju japë rrugëdalje e forcë për t’u qëndruar” (1 Kor 10, 13).

 

   Përgjigjja 1 Kor 9, 22-23

 

   C U bëra i ligshtë për të ligshtit. * Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin.

   D E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të.

   C Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e Ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit, bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, t’ia arrijmë jetës së amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.