Shërbesa e leximeve
Java e njëzetepestë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Pjesëtar i dritës atërore,
ai vetë dritë drite e ditë,
me këngë ne e thyejmë natën:
kërkuesve gjendu pranë.
Hiqi errësirat e mendjeve
zhduki turmat e djajve,
largo me forcë dremitjet,
mos t’ua kalojnë përtacëve.
Kështu, o Krisht, ne të gjithëve
që në ty besojmë, mëshirona,
të jetë për dobi të lutësve,
që këndojmë duke prirë me këngë.
Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,
me Atin të qoftë lavdia,
dhe me Shpirtin Ngushëllues,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Trini krejt e shenjtë,
që urdhëron çdo gjë që krijove,
ditën për punë caktove,
natës prehjen ia fale.
Si n’agim edhe në t’errur,
natë e ditë për ty këndojmë;
ti ne në lavdinë tënde
na ruaj në të gjitha kohët.
Pranë teje shtrirë për dhe
të adhurojmë si robër,
kushte e uratë të lutësve
bashko me himnet e qiellorëve.
Bëj, o Atë krejt i shenjtë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
»S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
Ja, gjithçka ai mendon!
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
Rri në pritë ndër fshatra, *
në moh e vret të pafajshmin.
Me sy e vrojton të vobektin, *
në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
Sulet, struket në pritë *
e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.
Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
mos i qit në harresë të mjerët!
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
ti ia jep bonjakut sigurinë.
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
do të zhduken paganët prej dheut të tij.
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit
Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
buzët tona na mbrojnë! *
Kush është zotëria ynë?«
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
për shkak të klithmës së të ndrydhurve
tani do të ngrihem - thotë Zoti - *
e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
i pastruar shtatë herë!
Por ti, o Zot na ruaj, *
na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *
le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,
C të varfërve ua mëson udhën e tij.
Leximi i parë
Prej librit të Ezekielit profet 36, 16-36
Përtërirja e ardhshme e popullit të Hyjit: zemra e re e shpirti i ri.
Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pat përdhosur atë me sjellje të vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër. Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën. I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre. Por edhe në popuj, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: 'Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!' Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popuj ndër të cilët shkoi.
Prandaj, kështu thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S'e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popuj te të cilët shkuat. Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti ‑ thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.
Do t'ju heq prej paganëve e do t'ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t'ju sjell në vendin tuaj. Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t'ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! Unë do t'ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t'ju jap një zemër mishi. Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t'i zbatoni e t'i shtini në veprim gjyqet e mia. Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj. Unë do t'ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do ta thërras grurin e do të bëj të bëhet me shumicë e më s'do t'ju ngarkoj me uri! Do ta shumoj frytin e pemëve e prodhimet e arave, që të mos e pësoni më ndër popuj marren e urisë. Atëherë do t'ju bjerë ndër mend sjellja juaj tejet e keqe e veprat tuaja jo të mira e do t'ju bëjnë neveri paudhësitë tuaja e poshtërsitë tuaja. Mirë dijeni, nuk e bëj këtë për hatër tuaj ‑ thotë Zoti Hyj ‑ duhet t'ju vijë marre e të skuqeni, shtëpia e Izraelit, për sjelljen tuaj!
Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur t'ju kem pastruar nga të gjitha ndyrësitë tuaja e të kem bërë të banohen qytetet e të ripërtërihen rrënojat, e kur toka e lënë djerr të jetë punuar, toka që dikur qe lënë e shkretë në sy të të gjithë kalimtarëve, do të thonë: 'Toka e mbetur shkretë u bë kopsht i Edenit, po banohen qytetet e mbetura shkretë, të rrënuara e të rrafshuarat po rindërtohen'. Popujt do ta dinë, të gjithë ata që do të mbesin rreth jush, se unë Zoti i rindërtova të rrënuarat dhe i mbolla djerret. Thashë unë Zoti dhe ashtu do të bëj!
Përgjigjja Krh. Ez 11, 19-20. 19
C Nga trupi i tyre do të nxjerr zemrën e gurtë e do t’u jap zemër të mishtë, kështu që të ecin urdhërimeve të mia; * do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre.
D Do t’u jap një zemër tjetër, në ta do të fus një shpirt të ri:
C do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre.
Leximi i dytë
Lexim nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 46, 18-19; CCL 41, 544-546)
Kisha, si hardhia, duke u rritur është përhapur në çdo vend.
Shkojnë duke u endur delet e mia nëpër të gjitha malet dhe në çdo kodër dhe janë shpërndarë në të gjithë faqen e tokës (krh. Ez 34, 6). Çfarë do të thotë se janë shpërndarë në të gjithë faqen e tokës? Se ndiqen të gjitha gjërat tokësore, duhet dhe mbahet për zemër gjithçka që është tërheqëse mbi faqen e tokës.
Nuk duan të vdesin me atë vdekje që e bën jetën e tyre të fshehur në Krishtin.
“Në të gjithë faqen e tokës”, sepse duan të mirat tokësore dhe sepse delet që humbasin janë të shpërndara në të gjithë faqen e tokës. Gjenden në shumë vende, janë bija të një nëne të vetme, mendjemadhësisë, në kundërshtim me të gjithë të krishterët e vërtetë të shpërndarë në çdo kënd të tokës dhe të lindur nga nëna e vetme që është Kisha Katolike.
Pra nuk duhet çuditur se, nëse mendjemadhësia lind ndarje, dashuria lind bashkim. Megjithatë, e njëjta nënë, Kisha katolike, dhe në të i njëjti bari, kërkon kudo të humburit, forcon të dobëtit, mjekon të sëmurët, u lidh plagët të plagosurve, duke i marrë njërën palë nga njëra anë, tjetrën nga ana tjetër pa u njohur ndërmjet tyre. Por ajo i njeh mirë të gjithë, sepse shtrihet tek të gjithë.
Ajo është si një hardhi që, duke u rritur, shtrihet në çdo anë; ndërsa ata janë shermende të padobishme të prerë nga vreshtari për shkak të shterpësisë së tyre, jo që hardhia të gjymtohet, por të shartohet. Pra ata shermende kanë mbetur aty ku janë prerë. Ndërsa hardhia, duke u përhapur kudo, njeh qoftë shermendet që kanë mbetur të bashkuar me të, qoftë ata që janë prerë prej saj dhe kanë mbetur aty afër saj.
Por sidoqoftë Kisha vazhdon të thërrasë atë që ka humbur, sepse edhe për këto degë të prera apostulli thotë: “Hyji ka mundësi t’i ngjisë përsëri” (Rom 11, 23). Qoftë nëse bëhet fjalë për dele që enden larg grigjës, qoftë për degë të prera nga hardhia, nuk është e thënë se Hyji ka më pak fuqi për të risjellë delet apo për të rishartuar degët në hardhi. Ai në fakt është bariu më i madh, ai është i bujku.
“Enden delet e mia gjithkund maleve e kodrave të larta, grigjat e mia u shpërndanë gjithkah mbi sipërfaqen e dheut e” prej atyre barinjve të këqij “askush s’është në kujdes, askush nuk i kërkon” (Ez 34, 6). Nuk gjendet, ndër barinjtë njerëzor, dikush që t’i kërkojë.
Prandaj, o barinj, dëgjoni: siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti Hyj (krh. Ez 34, 7). A e shihni si fillon? Është si një betim i Hyjit. Merr për dëshmi jetën e vet. “Siç është e vërtetë se unë jetoj, thotë Zoti”. Barinjtë kanë vdekur, por delet janë të siguruara, është Zoti që jeton. “Siç është e vërtetë se unë jetoj, thotë Zoti”
Por cilët barinj kanë vdekur? Ata që kërkonin interesat e veta dhe jo interesat e Jezu Krishtit. Por a do të ketë dhe a do të gjinden përsëri barinj që nuk i kërkojnë interesat e tyre, por ata të Jezu Krishtit? Me siguri se do të ketë. Me siguri se do të gjenden, sepse nuk mungojnë dhe as nuk do të mungojnë.
Përgjigjja Krh. 2 Kor 3, 4. 6. 5
C Kjo është bindja që kemi nëpërmjet Krishtit, përpara Hyjit, * që na bëri mbarështues të besëlidhjes së re, jo të shkronjës por të Shpirtit.
D Prej vetvetes nuk dimë të mendojmë ndonjë gjë, por zotësia e jonë e ka burimin prej Hyjit,
C që na bëri mbarështues të besëlidhjes së re, jo të shkronjës por të Shpirtit.
Lutja
O Hyj, ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e Ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit, bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, t’ia arrijmë jetës së amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.