Shërbesa e leximeve
23 shtator, Shën Piu nga Pietralçina, meshtar
Përkujtim
Shën Piu lindi në Pietralçina pranë Beneventos (Itali) në vitin 1887. Hyri në urdhrin e Fretërve minor kapuçin dhe, i shuguruar meshtar, ushtroi me përkushtim të madh shërbesën e tij meshtarake posaçërisht në kuvendin e “San Giovanni Rotondo” në Puglia. I shërbeu në lutje dhe në përvujtëri popullit të Hyjit nëpërmjet udhëheqjes shpirtërore, pajtimit të të penduarve dhe të një kujdesi të veçantë për të sëmurët dhe për të varfrit. Plotësisht në shëmbëllim të Krishtit të Kryqëzuar, e plotësoi ecjen e tij tokësore më 23 shtator 1968.
Nga Përbashkorja e shenjtërve: për rregulltarë (fq. 1707).
Shërbesa e Leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Shërbesa e Leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Jezus, shëlbues i të gjithëve,
kurorë e amshuar qielloresh,
në këtë ditë më i mëshirshëm
përkrahi zërat tona.
Me anë të zërit tënd të shenjtë
lajmëtar hyjnor qartë foli,
e çdo vit me madhështi
kremton turma e devotshme.
Për ato që janë të shekullit
kaloi me hap të qetë,
ty besnik të pandërprerë
të ndoqi në udhë të shëlbimit.
Por ndër qejfet e mrazta
Të botës s’e ngjiti zemrën,
bashkë me engjëj të qiellit
i lumtur gazon meritat.
Çdo vit ndaj këtij mirëdashës
na bëj të ndjekim gjurmët,
nga lutja e tij ne robërve
na shlyej fajin e krimit.
Ty, Krisht, mbret shumë i drejtë
lavdia të qoftë dhe Atit,
bashkë me Shpirtin dalëzotës
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime. †
Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren
Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).
Të dua, o Zot, fuqia ime! *
† Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,
Streha ime, Shpëtimtari im!
Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *
Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më rrethuan valët e vdekjes, *
më tmerruan përrenjtë e Belialit,
më lidhën leqet e Nëntokës, *
po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *
kushtrim i lëshova Hyjit tim:
nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *
britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
II (8-20)
Toka u trand edhe u tund, †
u lëkundën themelet e maleve, *
vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!
Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †
prej gojës zjarr e flakë buçiti, *
prush i gjallë prej tij flakëroi!
I uli qiejt, poshtë zbriti, *
nën këmbë re të murrme!
Kaluar mbi kerubin fluturoi, *
lundroi mbi krahët e erërave!
Si me vel me errësirë u mbështoll, *
ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,
para fytyrës së tij zhdukeshin retë *
me breshër e prush të gjallë!
zoti gjëmoi nga qielli: †
i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *
breshër e prush zjarri!
I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *
i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.
Atëherë u dukën burimet e ujërave, *
u zbuluan themelet e rruzullit
prej qortimit tënd, o Zot, *
prej erës së frymës të hidhërimit tënd.
Shtriu dorën prej majës e më mori, *
më nxori nga ujërat e shumta,
më shpëtoi nga armiku i fortë, †
prej atyre që më urrenin, *
që ishin më të fortë se unë.
Më sulmuan në ditën më të keqen, *
por Zotin e pata krah,
Ai më qiti në vend të shpëtimit, *
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
III (21-30)
Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *
më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,
sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *
nuk u largova prej Hyjit tim.
Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *
dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.
Jam i pastër para syve të tij, *
sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.
Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *
sepse e pa pastrinë e duarve të mia.
Ti je i mirë me njeriun e mirë, †
me të pafajshmin je i pafajshëm, *
me të mbrapshtin ti je i squet.
Ti e shpëton popullin e përvujtë, *
e krenarët i bën t’i ulin sytë.
O Zot, ti e ndez dritëzën time, *
ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.
Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *
me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.
D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura
C që dilnin prej gojës së Krishtit.
Leximi i parë
Prej librit të Ezekielit profet 37, 1-14
Ringjallja e popullit të Hyjit, vegimi i fushës me eshtra.
Mbi mua ra dora e Zotit dhe, në shpirtin e Zotit, më çoi e më vendosi në mes të një fushe që ishte plot me eshtra. Ai më bëri t'i përshkoj në të gjitha drejtimet: mbi sipërfaqen e tokës ishin pa masë shumë e tejet të thatë. Atëherë më pyeti: “Biri i njeriut, a të thotë mendja se këto eshtra mund ta rifitojnë jetën?” Unë përgjigja: “Ti e di, o Zot Hyj!”
Atëherë më urdhëroi: “Profetizo mbi këta eshtra e thuaju: O eshtra të thatë, dëgjojeni fjalën e Zotit! Kështu u thotë Zoti Hyj këtyre eshtrave: Unë po e fus në ju shpirtin e ju do ta rifitoni jetën. Do të end mbi ju dejtë, do t'ju vesh me mish, do t'ju mbuloj me lëkurë, do t'ju fus shpirtin e ju do ta rifitoni jetën dhe do ta dini se unë jam Zoti.”
Unë profetizova ashtu si më qe urdhëruar. Derisa unë po profetizoja, dëgjova një ushtimë dhe pashë një lëvizje eshtrash: iu afruan njëri‑tjetrit, secili asht ashtit përgjegjës. Shikova dhe, ja, i gërshetuan drejtë, u veshën me mish dhe me lëkurë, por ende nuk kishin shpirt.
Prapë më tha: “Profetizoji shpirtit! Profetizo, biri i njeriut, e i thuaj shpirtit: Kështu thotë Zoti Hyj: Eja, o shpirt, nga të katër anët e botës e fryj mbi këta të vdekur që ta rifitojnë jetën!”
Unë profetizova sikurse më kishte urdhëruar dhe në ta hyri shpirti. Ata e rifituan jetën dhe qëndruan në këmbë të veta ‑ një ushtri të madhe, tejet e madhe!
Atëherë më tha: “Biri i njeriut, këta eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ata thonë: 'Eshtrat tonë u thanë, s'kemi më kurrfarë shprese, kemi mbaruar!' Prandaj profetizo e thuaju. Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t'i hap varret tuaja dhe do t'ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t'ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t'i kem hapur varret tuaja e t'ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t'jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t'ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj ‑ thotë Zoti Hyj.”
Përgjigjja Krh. Ez 37, 12. 13; Gjn 11, 25
C Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im. * E do ta dini se unë jam Zoti.
D Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.
C E do ta dini se unë jam Zoti.
Leximi i dytë
Nga letrat e shën Pios nga Pietralçina, meshtar
(Botimi 1994: II, 87-90, nr. 8)
Gurë të ndërtesës së amshuar
Me goditje të vazhdueshme të daltës shpëtimprurëse dhe me pastrim të kujdesshëm, Artisti hyjnor deshi t’i pastrojë gurët me të cilët do të ndërtonte ndërtesën e amshuar. Kështu këndon nëna jonë shumë e butë, Kisha e shenjtë Katolike, në himnin e shërbesës së kushtimit të kishës. Dhe kështu është me të vërtetë.
Me shumë të drejtë mund të thuhet se çdo shpirt i caktuar për lavdinë e amshuar është bërë për të ngritur ndërtesën e amshuar. Një murator i cili dëshiron të ndërtojë shtëpinë duhet që para së gjithash të pastrojë gurët që dëshiron të përdorë për ndërtim. Gjë të cilën ai e arrin me goditje të çekanit dhe të daltës. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe Ati qiellor me shpirtrat e zgjedhur, me ata shpirtra që urtia dhe provania më e madhe ka përcaktuar që nga amshimi për të ngritur ndërtesën e amshuar.
Pra, shpirti i përcaktuar që të mbretërojë me Jezu Krishtin në lavdinë e amshuar duhet të pastrohet me goditje të çekanit dhe të daltës, me të cilët artisti hyjnor shërbehet për të përgatitur gurët, domethënë shpirtrat e zgjedhur. E cilat janë këto goditje të çekanit dhe të daltës? Motra ime, janë hijet, frikat, tundimet, trishtimet e shpirtit dhe dridhjet shpirtërore me ndonjë aromë shkretimi si dhe të qenit keq fizikisht.
Falënderojeni, pra, mëshirën e pafund të Atit të amshuar që e trajton kështu shpirtin tuaj sepse është i caktuar për shpëtim. Përse të mos mburremi me këtë trajtim plot dashuri të Atit më të mirë nga të gjithë etërit? Hapjani zemrën këtij mjeku qiellor të shpirtrave dhe braktisuni me plot besim në krahët e tij të shenjtë. Ai ju trajton si të zgjedhur në mënyrë që të ndiqni Jezusin më nga afër mbi rrëpirën e Kalvarit. Unë shoh me gëzim dhe me ngazëllim të gjallë të shpirtit se si ka vepruar hiri në ju.
Jini të sigurt se e gjithë ajo që shpirti juaj ka kaluar ka qenë përcaktuar nga Zoti. Mos kini frikë, pra, se mos ndoshta jeni duke shkuar në të keqe dhe në fyerje të Hyjit. Le t’ju mjaftojë të dini se në të gjitha këto gjëra kurrë nuk e keni fyer Zotin, përkundrazi ai është lavdëruar akoma më shumë.
Nëse ky Dhëndër kaq i butë i fshihet shpirtit tuaj nuk ndodh pse është duke iu hakmarrë pabesisë suaj, siç mund të mendoni ju, por sepse e vënë gjithnjë e më shumë në provë besnikërinë dhe qëndrueshmërinë tuaj dhe ju pastron nga disa të meta, që të tilla nuk u duken syve tuaj prej mishi, do të thotë ato të meta dhe ato faje, nga të cilat as i drejti nuk është i përjashtuar. Në faqet e shenjta është e shkruar: “I drejti bjen shtatë herë” (Fu 24, 16).
Dhe më besoni se po mos ta dija se jeni kaq shumë të mërzitur, do të isha më pak i kënaqur, sepse do të shihja se Zoti ju jep më pak margaritarë të çmueshëm... Largojini si tundime dyshimet e kundërta... Largojini edhe dyshimet që kanë të bëjnë me mënyrën e të qenit të jetës suaj, domethënë se ju nuk i dëgjoni frymëzimet hyjnore dhe se i kundërshtoni grishjeve të ëmbla të Dhëndrit. E gjithë kjo nuk vjen nga shpirti i mirë, por nga shpirti i keq. Këto janë arte djallëzore, që kërkojnë t’ju largojnë nga përsosmëria, apo së paku ta vonojnë ecjen tuaj drejt saj. Mos e humbni guximin!
Nëse Jezusi shfaqet, falënderojeni; nëse fshihet, falënderojeni prapë: janë lojra dashurie. Uroj që të arrini të jepni shpirt me Jezusin në kryq dhe të klithni me të: “Consummatum est [Gjithçka u krye]” (Gjn 19, 30).
Përgjigjja Krh. Ef 2, 21-22
C Në Krishtin Jezus çdo ndërtesë rritet në rregull * për t’u bërë tempull i shenjtë i Zotit.
D Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.
C Për t’u bërë tempull i shenjtë i Zotit.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, me anë të një hiri të veçantë ti bëre që meshtari shën Pio (nga Pietralçina) të merrte pjesë në kryqin e Birit tënd, dhe nëpërmjet shërbesës së tij i përtërive mrekullitë e mëshirës sate; nëpërmjet ndërmjetësisë së tij, na e dhuro edhe neve, të bashkuar vazhdimisht me vuajtjet e Krishtit, që të arrijmë të lumtur në lavdinë e ringjalljes. Nëpër Zotin tonë.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.