Shërbesa e leximeve
Java e njëzetepestë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Nata e zezë mbulon ngjyrat
e çdo sendi të tokës:
duke u rrëfyer të lypim,
gjyqtar i drejtë i zemrave,
që të na shlyesh fajet
të na lash ndyrësinë e mendjes,
e të japësh, o Krisht, hirin
e të na shporren krimet.
Nga prapësitë mpihet mendja,
që e bren faji i dëmshëm;
lakmon të çrrënjosë t’errtat,
të kërkojë ty, Shëlbues.
Dëbo tymin e mjegullën
nga brenda sa më tepër,
të gëzohet duke u vendosur
në dritën e uruar.
Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Krisht, jepu shenjën, lutemi
shërbëtorëve të tu që luten,
kjo mbrapshti e shekullit
të mos na robërojë fenë.
Të mos mendojmë pa mëshirë,
të mos kemi smirë askënd,
të fyer të mos marrim hak,
me të mirë ta mundim të keqen.
Qoftë larg nga zemrat tona
mëri, mashtrim, kreni;
të marrë fund koprracia,
rrënja e gjithë të këqijave.
Të ruajë lidhjet e paqes
dashuria pa mashtrime;
pa njolla qoftë pastria
që vuan nga mizoria.
Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,
dhe Atit i qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
në shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty.
Psalmi 18 /17/ IV (31-35) Falënderim Hyjit shpëtimtar
Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? (Rom 8, 31).
Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, †
fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: *
Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.
Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? *
Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?
Hyji që më ngjesh me fuqi, *
që e bën udhën time të pastër.
Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, *
ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.
Ai m’i ushtron duart për luftim *
e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.
Psalmi 18 /17/ V (36-46)
Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, †
e djathta jote më ndihmoi, *
mirësia jote më rriti.
Ti i zgjeron hapat e mi nën mua *
e këmbët e mia më nuk më merren.
I ndiqja armiqtë e mi e i zija, *
prapazi nuk u ktheja derisa i shfarosja.
I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, *
rrëzoheshin përnën këmbët e mia.
Ti më ngjeshe me fuqi për luftë, *
kurse armiqtë e mi i vure nën mua.
Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, *
kurse ata që më urrejnë i shpërndave.
Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, *
thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj.
I grimcova porsi pluhurin para erës, *
i shkela porsi baltën e rrugës.
Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, †
kryeparë më bëre ndër popuj paganë: *
më shërbeu populli që as nuk e njihja!
Fjalën time e dëgjojnë me poni, *
bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,
para meje të huajve ora u liget, *
u drodhën në strehimet e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Psalmi 18 /17/ VI (47-51)
Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! *
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! †
Ti i shtron popujt nën mua, *
ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,
ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, *
ti më shpëton prej njeriut mujshar.
Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, *
himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!
Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, †
e përkrah të shuguruarin e vet, *
Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
D Largoje velin prej syve të mi, o Zot:
C dhe unë do t’i shqyrtoj mrekullitë e ligjit tënd.
Leximi i parë
Prej librit të Ezekielit profet 37, 15-28
Një shenjë që hijëson njësimin e Judës dhe Izraelit.
Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit. “Ti, o biri i njeriut, merre një dru e shkruaj në të: Juda e bijtë e Izraelit të bashkuar me të. Merre mandej një tjetër dru e shkruaj mbi të: Jozefi ‑ druri i Efraimit ‑ e mbarë shtëpia e Izraelit e bashkuar me të. Afroja njërën dru tjetrës si një dru të vetme: le të jenë të bashkuara në dorën tënde. Kur bijtë e popullit tënd të pyesin: 'A po na tregon çka do të thotë kjo?', thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po e marr drunë e Jozefit, që është në dorën e Efraimit edhe fiset e Izraelit të bashkuara me të e po e bashkoj me drunë e Judës dhe po i bëj një dru të vetme: do të jenë një gjë e vetme në dorën time”.
Mbaj në dorë ndër sytë e tyre drutë, në të cilat ke shkruar e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po i bashkoj bijtë e Izraelit nga popujt ku janë të tretur, do t'i mbledh prej gjithkahit e do t'i kthej në tokën e tyre dhe do t'i bëj një popull të vetëm në tokën e tyre, në malet e Izraelit; të gjithë do të kenë një mbret, më nuk do të jenë dy popuj dhe më nuk do të jenë të ndarë në dy mbretëri. Më nuk do të përlyhen me idhujt e tyre, me turpësitë e tyre e me të gjitha paudhësitë e tyre, do t'i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë e tyre me të cilat mëkatuan, do t'i pastroj; ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre. Mbret do ta kenë shërbëtorin tim Davidin e të gjithë do të kenë një bari të vetëm. Do të jetojnë në gjyqet e mia e do t'i kryejnë urdhërimet e mia e me jetë do t'i zbatojnë. Do të banojnë në tokën që ia dhurova Jakobit, shërbëtorit tim, në të cilën banuan etërit tuaj. Në të do të banojnë ata e fëmijët e tyre edhe bijtë e bijve të tyre përgjithmonë. Davidi shërbëtori im, do të jetë prijësi i tyre përgjithmonë. Me ta do të lidh Besëlidhje paqeje ‑ një Besëlidhje të përhershme me ta. Do t'i vendos e do të bëj të shtohen me shumicë. Në mesin e tyre do ta bëj Shenjtëroren time të përhershme. Banesa ime e përhershme do të jetë midis tyre: do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Atëherë popujt do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Shenjtëruesi i Izraelit, kur ta vendos për përgjithmonë Shenjtëroren time në mesin e tyre.”
Përgjigjja Krh. Ez 37, 21. 22; Gjn 10, 16
C Ja, unë po i bashkoj bijtë e Izraelit nga popujt ku janë të tretur dhe do t’i bëj një popull të vetëm: * dhe do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.
D Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj,
C dhe do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.
Leximi i dytë
Lexim nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv
(Fjal. 46, 24-25; CCL 41, 551-553)
Në kullota plot bar do të kullos delet e mia.
“Do t’i nxjerr nga popujt e do t’i bashkoj nga vendet e huaja, do t’i sjell në tokën e tyre, do t’i kullot në bjeshkë të Izraelit” (Ez 34, 13).
Si male të Izraelit duhen kuptuar faqet e Shkrimit të Shenjtë. Aty kullosni, nëse doni të kullotni të sigurt. Gjithçka që të dëgjoni prej atij burimi shijojeni me kënaqësi; gjithçka që është jashtë tij flakeni. Për të mos u endur nëpër mjegull dëgjoni zërin e bariut. Mblidhuni mbi malet e Shkrimeve të Shenjta. Aty do të gjeni ëmbëlsitë e zemrës suaj, aty nuk ka asgjë të helmuar, asgjë të dëmshme: vetëm kullota të mjaftueshme. Ejani vetëm ju, dele të shëndosha; vetëm ju kullotni mbi malet e Izraelit.
“Në verri dhe në të gjitha vendet e banuara” (Ez 34, 13 vulg.). Në fakt, nga malet për të cilët kemi folur, kanë buruar lumenjtë e predikimit ungjillor kur është përhapur zëri i tyre në të gjithë tokën (krh. Ps 19 /18/, 5) dhe çdo fushë e tokës është lulëzuar dhe bërë pjellore për të kullotur delet.
“Do t’i kullot në kullota të pasura: kullotat e tyre do të jenë në bjeshkët e larta të Izraelit. Do të mrizojnë në bar të gjelbër, do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit” (Ez 34, 14) domethënë aty ku mund të gjejnë pushim, ku mund të thonë: rrihet mirë. Ku mund ta pranojnë: Është e vërteta, është e qartë, nuk po gënjehemi. Do të gjejnë pushim në lavdinë e Hyjit, si në shtëpinë e vet. “Dhe do të flenë”, domethënë se do të pushojnë në kënaqësi të mëdha.
“Do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit” (Ez 34, 14). Kam folur tashmë mbi këto male të Izraelit, male të lulëzuara, drejt të cilave ngremë shikimin që të na vijë ndihma. Por ndihma jonë na vjen prej Zotit, “që ka bërë qiellin dhe tokën” (Ps 124 /123/, 8).
Në fakt, që shëlbimi jonë të mos ndalohej në malet e lulëzuara, pasi ka thënë: “do t’i mballoj delet e mia mbi male e Izraelit”, menjëherë ka shtuar: “Unë vetë do t’i mballoj delet e mia” (Ez 34, 15). Ngrehe po të duash shikimin drejt maleve, prej ku do të vijë ndihma jote, por, mos harro atë që thotë: “Unë vet do t’i mrizoj”. Sepse ndihma na vjen prej Zotit që ka bërë qiellin dhe tokën.
Dhe përfundon kështu: Unë do t’i kullos si është e drejtë, me kriter (krh. Ez 34, 16). Merre me mend se vetëm ai di të kullosë grigjën, sepse vetëm ai e kullot si është e drejtë, me kriter. Cili njeri është në gjendje të gjykojë një tjetër njeri? Bota është plot me gjykime të vërsulura. Ai për të cilin na zë dëshpërimi ja që befasisht kthehet dhe bëhet i shkëlqyeshëm. Ai prej të cilit do të kishim pritur shumë, papritur largohet nga e mira dhe bëhet shumë i keq. As druajtja jonë dhe as dashuria jonë nuk janë të qëndrueshme dhe të sigurta.
Se çfarë është sot çdo njeri me zor e di edhe njeriu vetë. Sidoqoftë e di deri në një farë pike se çfarë është sot, por jo çfarë do të jetë nesër. Vetëm Hyji, pra kullot me kriter, duke i dhënë secilit atë që i takon: njërit një gjë, tjetrit një tjetër, sipas detyrimit. Ai e di se çfarë bën. Kullot me gjykim ata që ka shëlbuar, ai që i është nënshtruar gjykimit njerëzor. Pra vetëm ai kullot me gjykim.
Përgjigjja Krh. Gjn 10, 14; Ez 34, 11. 13
C Unë jam Bariu i mirë. * I njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
D Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem për to; do t’i bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’i kullot.
C I njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Lutja
O Hyj, ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e Ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit, bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, t’ia arrijmë jetës së amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.