Shërbesa e leximeve

Java e njëzetepestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë: e amshuar është dashuria e tij.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Ti, Njëni e Trinisë,

   që me pushtet sundon gjithë botën,

   mbaj vesh këngët e lavdeve

   që këndojmë në përgjime.

 

   Pse ne nga shtrati ngrihemi

   në kohë të qetë të natës,

   nga ti me ngulm të lypim

   shërimin e të gjitha plagëve.

 

   Ku gjithçka që gabuam

   ndër net nga gënjeshtra e djajve,

   atë e shleftë nga qielli

   pushteti i lavdisë sate.

 

   Me besë të shpirtit të lusim,

   na mbush me dritën tënde,

   për çka në rrjedhë të ditëve

   të mos ngelim pa asnjë vepër.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për të gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, gjendu pranë zemrave,

   dashuri e lartë e të shpërblyerve,

   diko ndër zërat tona

   vajtim të zjarrtë, të lutemi.

 

   Ty, Jezus, krejt i shenjti,

   me fe t’i drejtojmë lutjet,

   shlyej, o Krisht, me vepra,

   të keqen që bëjmë, të lutemi.

 

   Me shenjë të Kryqit tënd,

   me trupin tënd hyjnor

   na mbro ne si bij

   të gjithë, kudo, Ty të lusim.

 

   O Krisht, mbret i tërë shenjti,

   Ty e Atit ju qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

   Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit

 

   Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).

 

   I (1-2. 3c. 9-12)

 

Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *

   luftoji ata që më luftojnë!

 

Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *

   thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«

 

Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *

   do ta gëzojë shpëtimin e tij.

 

Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:

   »E kush është, o Zot, si ti †

   që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *

   prej cubave të mjerin e skamnorin.«

 

U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *

   më pyesin për gjëra që s’i di,

të mirat m’i kthejnë me të këqija: *

   vetmi për shpirtin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

   II (13-16)

 

E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,

   ngjishesha me grathore, †

   me agjërim e mundoja shpirtin tim, *

   lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.

 

Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *

   kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.

 

E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *

   u bashkuan për të më salvuar papritmas,

 

vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †

   më përqeshin duke më shpotitur, *

   kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.

 

   III (17-19. 22-23. 27-28)

 

O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †

   Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *

   prej luanëve të vetmen të mirë timen.

 

Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *

   do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.

 

Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *

   që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.

 

Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *

   o Zot, mos më rri larg!

Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *

   o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!

 

U kënaqshin dhe u gëzofshin, *

   ata që e kanë për zemër drejtësinë time!

Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *

   që e do paqen e shërbëtorit të vet.«

 

Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *

   ditë për ditë lavdin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë

 

   D Biri im, ruaji fjalët e mia,

   C mbaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Ezekielit profet 40, 1-4; 43, 1-12; 44, 6-9

 

   Vegimi i përtërirjes së tempullit të Izraelit.

 

   Në fillim të vitit njëzetepesë të shpërnguljes sonë, të dhjetën ditë të muajit, të katërmbëdhjetin vit pasi qe pushtuar Qyteti, po atë ditë, ra mbi mua dora e Zotit. Ai më çoi atje. Në vegime hyjnore më çoi në tokën e Izraelit dhe më uli në majë të një mali shumë të lartë, mbi të cilin ishte, ndërtuar pothuajse një qytet i tërë në krahun e mesditës. Ai më futi brenda. Dhe ja, një njeri i ndritshëm porsi tuçi, me litar të linjtë në dorë, me kallam mase në dorë, qëndronte në derë. Ky njeri foli me mua e më tha: “Biri i njeriut, vëzhgo e dëgjo me kujdes dhe vërja mendjen të gjithave që do t'i dëftoj, sepse je sjellë këtu që të të dëftohen këto. Kumtoja shtëpisë së Izraelit gjithçka të shohësh këtu.”

   Atëherë më çoi te dera që shikonte në drejtim të lindjes. Dhe, ja, Lavdia e Zotit të Izraelit po vinte nga Lindja. Ushtima e saj porsi ushtima e ujërave të mëdha: toka shkëlqente nga madhëria e tij! Unë atëherë pata një vegim të ngjashëm me vegimin që pata kur erdhi për ta shkatërruar qytetin, vegimi ishte sipas dukjes së vegimit që e pata në brigjet e lumit Kobar. Atëherë rashë me fytyrë përdhe.

   Lavdia e Zotit hyri në Tempull nëpër derën që shikonte në lindje. Atëherë shpirti më ngriti e më futi brenda në oborrin e brendshëm. Ja, mbarë Tempulli ishte mbushur me Lavdinë e Zotit. Atëherë dëgjova një zë, dikush më fliste prej Tempullit, e një njeri qëndronte në këmbë pranë meje. Më tha: “Biri i njeriut, ky është vendi i fronit tim, vendi i gjurmëve të këmbëve të mia. Këtu do të banoj në mes të bijve të Izraelit për amshim. Shtëpia e Izraelit më nuk do ta përdhosë Emrin tim të shenjtë, as ata as mbretërit e tyre me fëlligështitë e tyre e me kufoma të mbretërve të vet në vdekjet e tyre. Ata ndërtuan pragun e vet përbri pragut tim, gurngulurit e vet përbri gurngulurit tim: kishte vetëm një mjet mes meje e tyre dhe e përdhosën Emrin tim të shenjtë me turpësitë që i bënë. Kjo edhe qe arsyeja që i zhbiva në felgrimin tim. Por tash e tutje ata do t'i hedhin larg meje lavirësitë e tyre edhe trupat e mbretërve të vet e unë do të banoj në mesin e tyre përgjithmonë.

   Ti, pra, o biri i njeriut, dëftoja shtëpisë së Izraelit Tempullin që të turpërohet për fajësitë e veta e le t'ia vënë masën. Nëse do t'u vijë marre për gjithçka kanë bërë, përshkruaje Tempullin dhe përkatësitë e tija, hyrjet e daljet e tija, plotësisht dukën e tij, të gjitha rregulloret e ligjet e tija përshkruaju. Vizatoje ndër sy të tyre pikë për pikë që t'ia ruajnë krejtësisht dukën e tij e të gjitha rregulloret t'i vënë në zbatim. Ky është ligji për Tempull: në majën e malit, mbarë vendi që e rrethon është tejet i shenjtë; ja, ky është ligji i Tempullit.”

   thuaj shtëpisë së Izraelit kryengritëse ndaj meje: Kështu thotë Zoti Hyj: Tepër shumë janë turpësitë e tua, o shtëpia e Izraelit, e ju po i shtini të huajt, të parrethprerë në zemër e në mish dhe hynë në Shenjtëroren time dhe e përdhosën Shtëpinë time ndërsa ju kushtonit bukën time, dhjamin e gjakun. Kështu e thyet Besëlidhjen time me të gjitha turpësitë tuaja. Vetë nuk i ruajtët gjërat e mia të shenjta dhe i vutë ata të kryejnë shërbesën time në Shenjtëroren time. Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Asnjë i huaj i parrethprerë në zemër e në trup s'guxon të hyjë në Shenjtëroren time: asnjë i huaj që jeton në mes të bijve të Izraelit.”

 

   Përgjigjja Krh. Ez 43, 4-5; Lk 2, 27

 

   C Lavdia e Zotit hyri në Tempull nëpër derën që shikonte në lindje: * Ja, mbarë Tempulli ishte mbushur me Lavdinë e Zotit.

   D Prindërit e sollën Jezusin Foshnjë në Tempull:

   C Ja, mbarë Tempulli ishte mbushur me Lavdinë e Zotit.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Fjalimi mbi barinjtë” i shën Augustinit, ipeshkëv

   (Fjal. 46, 29-30; CCL 41, 555-557)

 

   Barinjtë e mirë në Bariun e vetëm.

 

   Krishti na kullot si është e drejtë, me gjykim, dhe i dallon delet e veta nga at0 që nuk janë të tijat. Delet e mia, thotë, e dëgjojnë zërin tim dhe më vijnë pas (krh. Gjn 10, 27). Këtu i gjej të gjithë barinjtë e mirë si të konkretizuar në Bariun e vetëm. Në të vërtetë nuk mungojnë barinjtë e mirë, por të gjithë gjenden të personifikuar në një të vetëm. Do të ishin shumë po të ishin të ndarë, por këtu thuhet se është një i vetëm, sepse propozohet njësia. Vetëm për këtë arsye tani nuk flet për barinj, por për Bariun e vetëm, jo sepse Zoti nuk gjen një të cilit t’i besojë delet e veta. Një herë i besoi, sepse gjeti Pjetrin. Madje pikërisht në Pjetrin ka porositur bashkimin. Shumë ishin apostujt, por vetëm njërit i tha: “Kulloti delet e mia” (Gjn 21, 17). Dashtë Zoti të mos u mungojnë ditëve tonë barinjtë e mirë. Mos lejoftë Zoti që të mbesim pa këta; mirësia e tij e mëshirshme bëftë të mbijnë dhe i vendostë në krye të kishave.

   Sigurisht, nëse ka dele të mira, do të ketë edhe barinj të mirë; sepse prej deleve të mira formohen barinjtë e mirë. Por të gjithë barinjtë e mirë identifikohen me personin e një Bariu të vetëm, janë një gjë e vetme. Në ata që kullosin është Krishti që kullot. Në të vërtetë miqtë e dhëndrit nuk bëjnë të tingëllojë zëri i tyre, mor ngazëllejnë prej gëzimit duke dëgjuar zërin e dhëndrit. Prandaj është ai vetë që kullot kur kullosin ata dhe thotë: Jam unë ai që i kullos, sepse në ata është zëri i tij, dashuria e tij.

   Kur Krishti ia besoi delet Pjetrit, sigurisht, ia besoi siç bën ai që ia jep një tjetri, i ndryshëm nga vetvetja. Megjithatë deshi ta bënte një gjë të vetme me vetveten. Krishti krye ia beson delet Pjetrit, si figurë e trupit, domethënë e Kishës. Në këtë mënyrë mund të pohohet se Krishti dhe Pjetri kanë formuar një gjë të vetme, si dhëndri dhe nusja.

   Prandaj, për t’i besuar delet, jo si një tjetri të ndryshëm nga vetvetja, çfarë i pyet më parë? Pjetër, a më do? E iu përgjigj: Të dua. E përsëri: A më do? E iu përgjigj: Të dua. Për të tretën herë: A më do? Dhe iu përgjigj: Të dua (krh. Gjn 21, 15-17). Do t’ia përforcojë dashurinë për ta përforcuar në bashkim më vetveten. Vetëm ai kullot në barinjtë, dhe këta kullosin vetëm në të.

   Nga njëra anë nuk flitet për barinj dhe në të njëjtën kohë këta përmenden. Lavdërohen barinjtë, por: “Ai që krenohet, të krenohet në Zotin” (2 Kor 10, 17). Kjo do të thotë të kullosësh Krishtin, të kullosësh për Krishtin, të kullosësh në Krishtin, jo të kullosësh për vetvete jashtë Krishtit. Sigurisht, jo për mungesë barinjsh. Kur Hyji me anë të gojës së profetit thoshte: do t’i kullos unë vetë delet e mia sepse nuk di kujt t’ia besoj, nuk kishte si qëllim të paralajmëronte kohë thatësire që na linin pa barinj. Në fakt edhe kur Pjetri dhe apostujt e tjerë kanë qenë në këtë trup dhe në këtë jetë, ai, i vetmi që në personin e tij përfshin të gjithë barinjtë e tjerë, shqiptoi fjalë të ngjashme si këto: “Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm” (Gjn 10, 16). Krishti vetëm, pra, është ai që kullot grigjën, por këtë e bën duke u personifikuar në secilin bari.

   Të gjithë, pra, të gjenden në bariun e vetëm dhe të shprehin zërin e vetëm të bariut. Delet të dëgjojnë këtë zë dhe të ndjekin bariun e tyre, dhe jo këtë, apo atë tjetrin, por një të vetmin. Të gjithë në të do lejojnë të dëgjohet një zë i vetëm, dhe të mos kenë zëra të ndryshëm. “Ju porosis, o vëllezër, që të jeni të gjithë njëzëri në të folur që të mos ketë ndarje midis jush” (1 Kor 1, 10). Këtë zë të pastruar nga çdo ndarje dhe nga çdo herezi le të dëgjojnë delet dhe le të ndjekin bariun e tyre që thotë: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim... dhe vijnë pas meje” (Gjn 10, 27).

 

   Përgjigjja

 

   C Mos e braktis grigjën tënde, o Zot, * Bari i mirë, që i palodhur na ruan.

   D Na ruaj me mëshirën tënde, që djallëzia e të keqit të mos na mundë,

   C Bari i mirë, që i palodhur na ruan.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e Ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit, bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, t’ia arrijmë jetës së amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.