Shërbesa e leximeve

Java e njëzetepestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hy i mëshirës s’epër

   krijuesi i makinës së botës,

   një i vetëm me pushtet,

   tri veta në persona,

 

   prano me këngë të përshpirtshme

   mirësisht vajtimet tona,

   në mjerim me zemër të pastër

   të gëzojmë ty më tepër.

 

   Me zjarr të hijshëm dashurie

   ti na i ngroh mirë këllqet

   që të jenë gjithnjë të përveshur

   dhe gati n’ardhjet e tua.

 

   Që, disa orë të netëve

   ne tash me këngë i thyejmë,

   me dhunti t’atmes shenjte

   gjerësisht të gjithë të pasurohemi.

 

   Bëj, o Atë krejt i shenjti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në gjithë shekujt. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Autori i lavdisë së përjetshme,

   që besimtarëve Shpirtin

   u jep me hir shtatë formash,

   i butë qëndroju pranë të gjithëve.

 

   Dëbo sëmundjet prej trupave,

   hiqja pengesat mendjes,

   dërrmo fuqitë e krimeve,

   largo dhembjet e zemrave.

 

   Bëji mendjet të kthjellta

   kryeje veprën e ndershme,

   prano lutjet e lutësve,

   jepu jetën e amshuar.

 

   Në rrjedhat e shtatë ditëve

   tash çdo kohë shtjellohet,

   e teta ajo e fundit,

   do të jetë dita e gjyqit.

 

   Në të cilën Shëlbues, të lutemi,

   mos na padit me mllef,

   por na liro nga e majta,

   vendosna në të djathtën.

 

   Që kur shpirtmirë Ti lutjet

   t’ia pranosh turmës tënde,

   të gjithë lavdi t’i thurim

   për amshim Trinisë Shenjte. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tani e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

   Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit

 

   Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).

 

   I (1-10)

 

Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *

   e gjithë mirësia e tij,

si iu përbetua Zotit, *

   si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

 

»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *

   nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *

   s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

 

pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *

   një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«

 

Ja, dëgjuam se është në Efratë, *

   e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

Le të hyjmë në tendën e tij, *

   të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!

 

Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *

   ti dhe arka e Pushtetit tënd!

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *

   shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

 

Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *

   mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit

 

   Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).

 

Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *

   assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:

»Bamin e kraharorit tënd *

   do ta vë mbi fronin tënd!

 

Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *

   dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,

po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *

   do të rrinë përmbi fronin tënd.«

 

Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *

   e pëlqeu për banesë të veten:

»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *

   këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.

Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *

   skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *

   shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.

 

Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *

   do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *

   kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:

   C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Ezekielit profet 47, 1-12

 

   Uji që del nga tempulli.

 

   Një ditë engjëlli më ktheu te hyrja e Tempullit dhe, ja, buronte ujët për nën pragun e Tempullit në lindje, sepse ballaniku i Tempullit ishte në krahun e lindjes, kurse ujët rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit, në anën jugore të lterit. Atëherë më priu në derën e veriut e më priu rreth e rreth përjashta në daljen e jashtme që shikon në lindje: dhe, ja, uji buronte në krahun e djathtë! Kur njeriu doli në drejtim të lindjes me litar në dorë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj nëpër ujë: ujët më arrinte deri në nyje të këmbës. Prapë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj ujët: ujët më arrinte deri në gju. Mati edhe një mijë e më bëri të kaloj ujin: ujët më arrinte deri në ijë. Mati edhe një mijë: u bë një përrua që s'mund e kaloja, sepse ujët u çua e duhej të kalohej not: ishte përrua që nuk mund të kalohej va.

   Atëherë më tha: “A po sheh, biri i njeriut!”, dhe më ktheu në brigjet e përroit. Posa u ktheva, kur qe, në brigje, në të dy anët, shumë lëndë! E më tha: “Ky ujë rrjedh në krahinën e lindjes, zbret në Arabë e derdhet në det: në ujë të kripur dhe e shëron ujët. Çdo gjë e gjallë, që lëviz, kudo të arrijë burimi, do të jetojë; do të ketë shumë peshq, sepse, kudo që arrin ky ujë, gjithçka përtërihet në jetë e shërohet ‑ kudo kalon ky përrua. Peshkatarët do të gjuajnë në det. Nga Engadi e deri në Engalim do të teren rrjetat. Do të ketë lloje të ndryshme peshqish, porsi peshqit e Detit të Madh, me shumicë të madhe fort. Porse kënetat dhe gjollet e tija nuk do të shërohen: do të bëhen kripore. Përmbi përrua, në të dy anët, në brigjet e tija, do të rritet çdo lloj peme: gjethet s'do t'u bien e frutat nuk do t'u mungojnë: çdo muaj do të japin fruta të reja, sepse ujët u vjen nga Shenjtërorja. Frutat do t'u jenë për ushqim e gjethet do të përdoren për barna.”

 

   Përgjigjja Krh. Ez 47, 1. 9; Gjn 4, 14

 

   C Ujët i rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit; * kudo të arrijë burimi, çdo gjë e gjallë do të jetojë.

   D Uji që unë do t’ia jap do të bëhet në të burim që rrjedh në jetën e pasosur;

   C kudo të arrijë burimi, çdo gjë e gjallë do të jetojë.

 

   Leximi i dytë

 

   Lexim nga “Komenti mbi Psalmet” i shën Ilarit, ipeshkëv

   (Ps 65 /64/, 14-15; CSEL 22, 245-246)

 

   Një lumë dhe rrëkezat e tij gëzojnë qytetin e Hyjit.

 

   “Lumi i Hyjit është plot me ujë: ti bën të rriten drithëra për njerëz! Tokën ti kështu e përgatit” (Ps 65 /64/, 10).

   Simbolizmi i lumit është i qartë. Thotë në fakt profeti: “Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit” (Ps 46 /45/, 5). Vetë Zoti thotë në Ungjill: “Kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap, kurrë më nuk do të ketë etje” (Gjn 4, 14). E përsëri: “Kush beson në mua! Sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Lumenj uji të gjallë do të rrjedhin prej barkut të tij!’” (Gjn 7, 38-39). Pra ky lumë i Hyjit është i fryrë me ujë. Jemi në fakt të dallgëzuar me dhuratat e Shpirtit Shenjt dhe nga ajo gurrë jete derdhet në ne lumi i mbushur me ujin e Hyjit. Dhe kemi gati edhe ushqimin. Cili është ky ushqim? Sigurisht ai që na përgatit të ndajmë me Hyjin jetën e tij të amshuar. Është trupi i tij i shenjtë që marrim në kungim. Ky kungim pastaj, na bën gati për t’u bashkuar me trupin e shenjtë, që është Kisha ngadhënjyese. Për këtë bën fjalë ky psalm kur thotë: “Ti bën të rriten drithëra për njerëz! Tokën ti kështu e përgatit”, sepse me atë ushqim jo vetëm që shëlbohemi në të tashmen, por përgatitemi edhe për të ardhmen.

   Të rilindur me anë të sakramentit të pagëzimit, provojmë një gëzim shumë të madh kur parashijojmë në ne frytet e para të Shpirtit Shenjt, me vetëdijen e mistereve, me dijen e zbulimit, me fjalën e diturisë, me vendosmërinë e shpresës, me karizmat e shërimit dhe pushtetin mbi djallin.

   E gjithë kjo na depërton si një fije e pafundme dhe, duke filluar më parë pak e nga pak, përfundon duke prodhuar fryte të shumëllojshme.

 

   Përgjigjja Krh. Ps 35, 9-10; 64, 5

 

   C Na ngiftë begatia e shtëpisë tënde, o Zot; na shoftë etjen përroi i kënaqësisë tënde. * Tek ti është burimi i jetës, në dritën tënde ne shohim dritën.

   D Do të ngihemi me të mirat e shtëpisë tënde.

   C Tek ti është burimi i jetës, në dritën tënde ne shohim dritën.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e Ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit, bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, t’ia arrijmë jetës së amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.